Përkeqësimi i mbledhjeve të taksave dhe rritja e borxhit publik, shqetësimet kryesore të misionit të FMN
Misioni i FMN ka filluar nga puna, 21 shtator 2013
Prej dy ditësh ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore kanë nisur konsultimet e tyre me ekspertët shqiptarë për të parë gjëndjen e financave shqiptare. Kryefjala e tyre duket se mbetet kontrolli i borxhit publik që nga qeverisja e kaluar ka kaluar cdo parashikim. Kjo ka qenë dhe tema kryesore në takimin e djeshëm që ato patën me Ministrin e ri të Financave, Shkëlqim Cani, me fokus menaxhimin e këtij borxhi. Në programin e saj, qeveria e re është angazhuar për të ulur borxhin publik, rritjen e administrimit fiskal, shlyerjen e detyrimeve ndaj biznesit dhe dhe rregullimin e treguesve të tjerë ekonomikë për të sjellë një ringritje graduale të ekonomisë. Të gjithë këto shifra priten të bëhen të me rishikimin e buxhetit 2013 dhe të kuadrit makroekonomik e fiskal 2013-2015.
Dy ditë më parë shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, Nadem Ilahi, ka pohuar se në borxhin publik duhet llogaritur dhe fatura e pashlyer e biznesit, që sipas deklarimeve të kryeministrit Edi Rama është 400 milionë dollarë. “Një çështje e rëndësishme, të cilën e preku edhe kryeministri, është ajo e borxhit të padokumentuar që duhet të dokumentohet. Të dhënat t’i jepen sektorit privat dhe pasi të bëhet pjesë e borxhit kombëtar, që në fakt i tillë është, duhet të merret vendimi se si niveli i këtij borxhi duhet të ulet”, u shpreh kreu i FMN-së.
Një tjetër shqetësim i shprehur nga misioni i FMN-së në Shqipëri është përkeqësimi i mbledhjeve të taksave gjatë viteve të fundit, për të cilën duhen marrë të gjitha masat që të ndryshojë. Sipas të dhënave të fundit zyrtare nga Ministria e Financave, deficiti buxhetor arriti në rreth 54 miliardë lekë, afro 30 miliardë lekë më shumë se viti i kaluar, ose 130 për qind më tepër. Në raport me planin, kemi gati 7 miliardë më shumë hua të marrë nga bankat për të financuar nevojat e qeverisë për para.
Totali i të ardhurave në buxhet në fund të gushtit arriti në 210 miliardë lekë, duke rënë 8.3 miliardë lekë, apo 3.8% në raport me tetëmujorin e 2012-s. Performanca e të ardhurave ka qenë negative për herë të parë që nga viti 2004 dhe të ardhurat kanë rënë në vlerë absolute, ndonëse të paktën për tremujorin e parë rritja ekonomike ka qenë pozitive në 1.7%.
Të gjitha zërat e të ardhurave në buxhet kanë shënuar rënie në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me përjashtim të tatimit mbi të ardhurat. Performancën më negative e ka shënuar TVSH-ja, që është treguesi kryesor i qarkullimit të mallrave në vend. Të ardhurat nga TVSH-ja arritën në 70 miliardë lekë, me një rënie prej 6.2 miliardë lekësh, apo 8.2% në raport me tetëmujorin 2012. TVSH-ja ka ndikuar në 70% të rënies së të ardhurave nga tatimet e doganave. TVSH-ja është zëri kryesor i të ardhurave në buxhet, me 33% të totalit të të ardhurave buxhetore. Arsyeja kryesore e kësaj performance negative lidhet me heqjen e TVSH-së për makineri e pajisje në fillim të këtij viti nga qeveria e atëhershme demokrate. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin zbritën me 1.4 miliardë lekë, apo 11.7% në 10.2 miliardë lekë, duke reflektuar situatën e vështirë që po kalojnë bizneset vendase, që po vuajnë pasojat e rënies së fuqisë blerëse, teksa problemet me likuiditetin sa vijnë e po thellohen, në mungesë edhe të kredisë së bankave.
Gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipëri, ekspertët e FMN-së dhe të BB-së do të takojnë dhe drejtues të tjerë të institucioneve financiare dhe kryetar të shoqatave të biznesit. Qëndrimet e tyre pas takimeve pritet të bëhen publike në 27 shtator, në ditën e tyre të fundit të qëndrimit në Shqipëri.
Drejtuesit e rinj të ministrisë së Financave kanë dhënë dje shembullin se do të përpiqen të mbyllin të gjitha borxhet e shtetit, duke bërë një pagesë masive për fatura të prapambetura në gjithë vendin për konsumin e energjisë elektrike dhe ujit nga institucione e ente shtetërore.
Dje në faqen online të Thesarit të Shtetit janë pasqyruar pagesat e një numri shumë të lartë faturash për CEZ Shpërndarje dhe ndërmarrjet e decentralizuara të ujësjellësve në të katër anët e vendit. E gjithë pagesa e kryer dje nga Thesari ka qenë afro 955 milionë lekë, ku gjysma ishte vetëm pagesë për CEZ-in e ujësjellësit. Ministri i ri Shkëlqim Cani e ka marrë seriozisht angazhimin qeveritar për të shlyer detyrimet ndaj subjekteve të tjera, duke urdhëruar pagesën e institucioneve dhe enteve shtetërore, edhe kur janë shumë të vjetra. Në pagesat, psh, vihet re se një numër faturash të konsumit të energjisë elektrike nga Bashkia e Kamzës datonin që nga viti 2008. Në gusht, shuma e detyrimeve, të njohura nga Thesari, por të pashlyera, arriti në rreth 10 miliardë lekë. Kjo do të thotë se në 31 gusht, kufiri ligjor i deficitit realisht ishte tejkaluar me mbi 3 miliardë lekë.
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka zgjedhur komunitetin e ndërtuesve shqiptarë ndër shoqatat e ndryshme të biznesit për të zhvilluar takimin e parë informues lidhur me detyrimet financiare, që ka krijuar shteti shqiptar vitet e fundit, si pasojë e mospagesës së faturave voluminoze për punë të kryera prej subjekteve private në infrastrukturë.
Pagesa ishte premtuar të kryhej nga buxheti i shtetit, por vështirësitë e përjetuara në mbledhjen e të ardhurave buxhetore, si dhe devijimi i fondeve në drejtim të shpenzimeve jo-prodhuese kanë shkaktuar një ngërç në shumë firma ndërtimi. FMN ka kërkuar nga ndërtuesit shifrën që, sipas tyre, përbën shumën e detyrimeve financiare, për të cilën përfaqësuesit e Shoqatës janë përgjigjur që fjala është për mbi 200 milionë euro. Më parë, ministra të kabinetit Berisha, si Ridvan Bode apo Sokol Olldashi, kanë bërë publik më parë një shifër shumë më të vogël se kaq, prej vetëm 70 milionësh. FMN është interesuar të dijë, gjatë takimit, se në ç’mënyrë është krijuar borxhi ndaj ndërtuesve, si dhe ka dëgjuar sugjerime prej tyre se në ç’formë mund të kryhen pagesat.