A mundet Shqipëria të ecë vetë?

Nga Ph.D Florjan Salaj, Universiteti La Sapienza, Romë, botuar në Dita, 20 shtator 2013

Këto ditë ndodhet në Shqipëri misioni i FMN. Qëllimi i tij, nga sa ështe paraqitur në media, ka të bëjë me supervizionimin e financave dhe eventualisht të japë propozime (direktiva) në lidhje me mbarëvajtjen e buxhetit, pra, për mbarëvajtjen e sistemit financiar. Njëkohësisht, dëgjojmë shpesh e më shpesh  të flitet   për borxhe  të qeverisë me biznesin, për kreditë e këqija bankare dhe nevojën për financim. Flitet për përmasen e vogel të tregut tonë dhe për domosdoshmerinë e investimeve te huaja. Termi “ekonomi prodhimi” është zbehur duke lënë te nënkuptohet, që nëse do të ketë nje stimul ne prodhim ky do të varet nga financime “te buta” te institucioneve ndërkombëtare dhe/ose investime direkte të ndonje sipermarresi te huaj.

Dihet, nga eksperienca historike e aktivitetit të saj që, FMN ka ndikuar për implementimin e politikave liberiste në vendet ku është thirrur. Roli i shtetit është zvogëluar dhe ai bankar është forcuar së tepërmi. Nuk di ndonjë rast ku udhëzimet e saj te shkojnë në tjetër drejtim.

Për këtë, mendoj që duhet një analize e thellë nga ana e specialistëve dhe vendimmarrësve ne lidhje me rolin e operatorëve dhe veçanërisht të shtetit, në sistemin ekonomik, duke qenë përcaktues në drejtimin e tipit të zhvillimit qe do të duhet te ndërmarre vendi. Për këtë, le të trajtojmë një nga një problemet e sipërpërmendura me qëllim evidentimin e zgjidhjeve eventuale.

1. Borxhi i qeverisë me sipërmarrësit:

Në një artikull të mëparshëm kemi qartësuar se borxhi është një detyrim dhe si tillë do të duhej të paguhej prej kohësh nga qeveria e vjetër me anë të instrumentave financiarë si psh. bonot e thesarit. Argumentimi kundër lidhet me ndikimin që do të kishtë një veprim i tillë teorikisht në anën e inflacionit. Por pikërisht për faktin se të mirat janë prodhuar, prej firmave, mendojmë që nuk do të ketë aspak ndikim në inflacion. Nuk mund të mbështetet, në asnjë mënyrë, ndonjë tendencë për të paguar këtë borxh të brendshëm me ndonjë tip financimi te jashtëm sado me kosto të ulët. Sipas ekuacionit te Fisherit aq i dashur për monetaristët M*V= P*Q me rritjen e te mirave te shprehura me Q, cmimet do te qendronin konstante, nëse do të kishte një rritje të sasisë monetare qe te justifikojë rritjen e Q. Dhe rritja e sasisë monetare është me kosto pothuajse zero për shtetin, e në këtë rast e arritshme me bono, duke patur parasysh dhe kërkesën e lartë per to nga bankat e nivelit të dytë.

2. Problemi i dyte lidhet me bankat.

Të gjithë e dimë që borxhi i keq në banka është rritur në mënyrë eksponenciale. Megjithatë, bankat kanë norma fitimi pozitive, jane të mbikapitalizuara, ku kreditë ndaj privatit përbëjnë vetëm rreth 60% të portofolit bankar.

Ne dëgjojmë të flitet vetëm për kreditë e këqija dhe për mënyrat se si duhet ndihmuar sistemi bankar në këtë kohë krize, pa shtruar pyetjen nëse bankat kanë përgjegjësi për situatën e krijuar. Në krahasim me sipërmarrësit privatë bankat i kanë pasur të gjithë instrumentat informative dhe intelektuale për të menaxhuar riskun. Së fundmi janë miratuar dy ligje në favor te tyre, ndërkohë që kredimarrësit individë të punësuar në sektorin privat etj. ndodhen në mëshirë te fatit, të detyruar të respektojnë detyrimet bankare, megjithë krizën që ka kapluar sistemin. Nuk ka asnjë nismë ligjore që tu vijë në ndihmë. Bankat mund të lëvizin normat e interesit në varësi të politikave monetare, ndërsa kredimarrësit nuk kanë asnjë mundësi mbrojteje ndaj të papriturave.

Për të kuptuar rolin e bankave le të bëjmë një analogji me një ndërmarrje cfarëdo. Një ndërmarrje për të mbijetuar dhe rritur, për shkak të sfazaturës që egziston midis shitjes së sherbimit ose mallit, dhe pagesave monetare, ka nevojë për financime të herëpashershme si në kapital qarkullues dhe për asete afatgjata. Nëse këto mungojnë ndërmarrja nuk mund të shlyejë detyrimet e saj ne kohë duke rrezikuar mbijetesën dhe punonjësit e saj. Nuk mund të rritet ne dimension e për pasojë të punësojë më tepër. Në një sistem zinxhir, mungesa e kredisë, prodhon një krizë ekonomike pa fund, që me kalimin e kohës do të demtojë dhe vetë bankat.

Në situatën ku ndodhemi, me kapitalet e bllokuara, bankat e nivelit të dytë janë shndërruar në një problem madhor për ekonominë. Nëse nuk arrihet që të incentivohen për te furnizuar ekonominë me likuiditet, duhet të ndërhyhet në rrugë institucionale me krijimin e një banke për zhvillimin që të funksionojë ne formën e KFË gjermane.

Për më shumë, në lidhje me rolin fondamental të bankave, le të japim nje shembull,  duke konsideruar atë që quhet moltiplikatori bankar. Teorikisht, nëse kemi nje normë mbajtje prej 10% mbi depozitat, duke u bazuar në nivelin aktual te tyre që arrin vlerën prej 10-11 miliarde euro, si pasojë e veprimit të moltiplikatorit bankar, potenza per kreditimin e ekonomisë arrin në 100 miliardë euro. Edhe nëse konsiderojmë gjysmen e këtij potenciali, pra 50 miliardë euro, përsëri kuptojme që aktiviteti i bankave ne Shqipëri është minimal..

GDP grek eshte 300 miliarde Euro. Nuk ka kuptim që një vend si Greqia, me vetem trefishin e popullsisë sonë, megjithë rezurset turistike që disponon, të ketë një diferencial prej 30 herë vlerën e GDP-së shqiptar.

Nga sa më sipër kuptojmë dhe që, dinamiciteti i aktivitetit ekonomik në vend ështe pothuajse i papërfillshëm, në fazë fillestare. Ndaj dhe qeveria e re pikë së pari do të duhet të ndërmarrë masa që do të shërbejnë për rritjen e aktivitetit ekonomik dhe incentivimin e aktiviteve të reja. Është normale që veprimtaria e saj do të përqëndrohet në rregullimin e faktorëve që kanë shtrembëruar funksionimin e tregut dhe penguar investimet si problemi i proëns, i sigurisë juridike, korrupsionit etj. Por nuk duhet të mjaftohet vetëm me rolin rregullator të tregut. Në kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria, sektori privat në mendimin tim e ka të pamundur të shfrytëzojë potencialin efektiv të asaj që ofron vendi, jo aq për mungesë fondesh pasi tashmë kemi një përqëndrim të kapitalit në banka aq I nevojshëm për investime madhore, por për shkak të mungesës ne kapacitetet projektuese dhe në vizion. Jo më pak ndikon bllokimi I kapitalit në banka. Futja e obiektivit te zhvillimit si qëllim në politikat e bankës së Shqipërisë do të ndikonte në politika nxitëse të kredidhënies.

Alternativat aktuale per shfrytezimin e mundësive që ofron vendi janë investimet e huaja dhe ose investimi publik.

1. Investimet e huaja sipas shumëkujt, sidomos specialisteve te huaj, pengohen nga masa e vogël e tregut shqiptar. Por në asnjë analizë të huaj nuk kemi dëgjuar gjykime mbi potencialin ekonomik qe mund te gjenerohet nga pozita gjeografike shqiptare, si nje nyje dhe një portë hyrese per Ballkanin e me gjerë. Asnjë nuk nënvizon që përballë kemi një vend si Italia, që megjithë vështiresitë që aktualisht ka, zë ende një vend të rëndësishëm në vendet e industrializuara dhe që në masën më të madhe ka nje strukturë ekonomike bazuar ne biznesin e vogël që do të kish gjithë interesin për të hedhur sytë nga Shqipëria. Dhe nuk flitet për atë tip biznesi të tipit “kafsho dhe ik”, por për aktivitete prodhuese që janë në pararojë të nivelit teknologjik, për të cilin ne kemi aq shume nevojë. Por që ky tip kapitali të tërhiqet, përvec incentivave të ndryshëm ka nevojë për një platformë ekonomike egzistuese, që të ofrojë një nivel mesatar organizimi dhe ndërlidhje sistemike, me një informacion të saktë e të plotë sektorial. Nuk mund të ofrohen investitorë të huaj të përmasave mesatare, me informacionin e cunguar që ofrohet sot nga zyrat pergjegjëse INSTAT, QKL, QKR.

Përsa i përket investimeve konçesionare, në rastet kur ka mangësi në teknologji, nuk ka përse mos të ofrohen në formën e Joint Ventures dhe, jo si ka qenë deri sot me kalimin total të aseteve strategjike në favor të të huajve me daljen e kapitalit në formën e fitimit, për periudha të gjata. Nuk ka asnjë studim sot që të tregojë superioritetin e formës së drejtimit nga privatët për pasurinë publike. Përkundrazi kriza në të cilën ndodhemi është shprehja më e qartë e dështimit të filozofisë që “privati është më mirë”. Modeli i ndjekur deri më sot në Shqipëri me koncesionet të sjell në mend vendet afrikane që notojnë në pasuri por nuk arrijnë të krijojnë mirëqënie.

2. Investimet publike bien ndesh me veprimtarinë dhe direktivat e politikës ekonomike ne vite, qe FMN ka mbeshtetur. Politikat shtrënguese fiskale, limiti në perqindjen e borxhit publik ndaj GDP, besimi se privati do të mund të rregullojë në mënyrë automatike tregun me anë të funksionimit të dorës së padukshme të Smith-it, kufizimi i veprimtarisë së shtetit thjesht në rolin e rregullatorit, janë elementët shprehës të një filozofie ekonomike, nga e cila nxjerrim që një vend mund të zhvillohet vetëm me ndihmën e huaj (lexo borxhin) dhe investimet e huaja megjithëse të domosdoshme për modernizimin e ekonomisë (lexo largimi i pasurisë kapitale jashtë kufijve). Por sipas FMN duhet të ndiqet mbi të gjitha një politikë në drejtim të uljes së borxhit. Pra dhe ne rast financimi prej saj duhet të paguajmë pikësëpari detyrimet financiare (në euro) dhe te mos kryhen investime te reja publike me qëllim uljen e peshës së borxhit në ekonomi.

Por a kanë pasur efekt politikat shtrënguese në zgjidhjen e krizës? A është ulur borxhi publik i vendeve që kanë ndjekur këto politika?

Absolutisht jo, të paktën për sa u përket vendeve me probleme si Italia, Greqia, Portugali, Spanje, Irlanda,  GDP vazhdon të bjerë. Përqindja e borxhit si pasojë e kontraktimit të GDP rritet dhe këto vende nuk arrijnë të shohin dritën në tunel.

Pyetja që une do të shtroja në këtë rast është: Një vend si yni që, gjithsesi, gëzon kapacitete intelektuale (nëse haka vete te i zoti), kur zotëron burime natyrore dhe pozitë strategjike, dhe që sot pas 20 viteve, gjithsesi ka kryer një formë të grumbullimit të kapitalit monetar dhe makinerive, përse nuk mundet që t’i përdorë?

Që ekonomia të xhirojë kërkon që parja te qarkullojë (lexo leke jo domsdoshmërisht euro). Përse shteti në rastin tonë nuk duhet të ndërhyjë në sektorët strategjikë duke përdorur kapacitetet aktuale e duke krijuar të reja, edhe shteterore, ne formen e investimeve publike?

Arsyetimi i mbështetësve të politikave të FMN lidhet me riskun e inflacionit, instabilitetin financiar, dhe me inefiçencen e rolit aktiv të shtetit në ekonomi.

Le t’i marrim me radhë:

a) Sa për instabilitetin evidentuam më sipër që vendet si Italia gjenden financiarisht më keq sot se më parë (pesha e borxhit/GDP është rritur).

b) Pas 30 – 40 viteve aplikim të politikave privatizuese, të kufizimit të rolit të shtetit në ekonomi, mund të themi bindshëm që sektori privat është i paaftë të vetërregullohet dhe po aq, në mos më shumë, inefiçent se ai shtetëror. Kriza e fundit ekonomike – financiare, nisur në 2008, është pasqyrim i falimentimit të kësaj filozofie të superioritetit të veprimtarisë private.

c) Përsa i përket riskut të inflacionit mbështetësit e FMN bazohen në modelin neoklasik te IS-LM. Sado i plotë që është ky model nga ana teorike në lidhje me studimet e pikave të ekuilibrit, asgjë nuk shpjegon ky model mbi dinamikat, mbi mënyrën dhe kohën e kalimit nga një stad në tjetrin. Por megjithatë per një vend në zhvillim si ky i yni problemi kryesor nuk ka se si të jetë inflacioni por punësimi, teknologjia, arsimimi, rritja e kapaciteve, pra rritja e tortes ekonomike dhe jo vetem rishperndarja e saj.

Do te doja te nenvizoja nderhyrjen e një zotërie në seminarin e organizuar nga Partia Socialiste qe po e citoj: “Ndiqni dhe krijoni modelin tuaj, mos na kopjoni por beni si dini vetë.  Thuhej që rritja e masës monetare me anë te ndërhyrjeve qeveritare krijon inflacion por kjo nuk u evidentua megjithe rritjen konsistente te saj”. Në lidhje me këtë rasti i USA është emblematik pasi për daljen nga kriza jane aplikuar politika të pastra keynesiane. E njëjta shprehje “Bëni si dini vetë” u përsërit ne sallat e parlamentit evropian nga dashamirës të Shqipërisë.

Fati i një vendi si Shqipëria, në periferi të tregut financiar, në fillimin e proçesit të saj të zhvillimit ka fatin që mos të ketë trysni në zgjedhjen dhe ndërmarrjen e politikave të saj. Pra mund të nxjerrë mësime të vlefshmë nga historiku i ecurisë së ekonomive të vendeve të  zhvilluara, sipas konteksteve specifike. Zgjedhja e ponderuar me eksperiencat e vendeve të tjera mund të na lejojë të zvogëlojmë hendekun që na ndan në një kohë relativisht të shkurtër.

Për Shqipërinë nuk ka kuptim të ndërrmerren të njëjtat politika që aplikohen në vende që kanë arritur fazën e stanjacionit pasi kanë perdorur burimet në dispozicion. Momentit të zgjedhjes për qeverinë e re, duke shpresuar që nuk ka vendosur të lëjë celësat e vendimmarrjes së politikës monetare dhe fiskale në duart e FMN,  është fondamental. Pas zgjedhjes kthimi prapa është pothuajse i pamundur brenda harkut të një mandati.

Mbase duhet të fillojmë të mendojmë se idetë dhe direktivat për zhvillimin duhet të kerkohen nga brenda vendit, nga ata që janë të interesuar në vetë të parë, duke evituar me sa të jetë e mundur kufizimin e mundësive tona nga trysnia e cfarëdo enti ndërkombëtar, që nuk mundet t’i përcaktojmë qëllimin sidomos në raport me efektin në nivel rajonal.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi