Alterglobalistët: alternativë zhvillimi apo revoltë antikapitaliste?

Nga Prof. Dr. Adrian Civici, botuar në Mapo Online, 21 shtator 2013

Në vitin 2001, mora pjesë në aktivitetet e “Forumit Social Botëror”, i cili është “Davosi i antiglobalistëve”, që zhvillohej në Porto Alegre të Brazilit. Informacioni i vetëm paraprak ishte programi i një workshop-i ndërkombëtar me temë “Efektet sociale të politikave të axhustimit strukturor për vendet në zhvillim”, në të cilin duhej të ekspozohej dhe problematika e Shqipërisë si një vend në tranzicion që po tentonte të ndërtonte ekonominë e tregut dhe sistemin kapitalist të zhvillimit. Por, krejt ndryshe nga konferencat e zakonshme ndërkombëtare të kësaj natyre, që në aeroportin e Porto Alegres, në rrugët e qytetit dhe në sallat e konferencave, atmosfera ishte krejt e veçantë dhe befasuese. Protesta masive të dhjetëra mijëra njerëzve me flamuj të kuq e me simbolet e ish-Bashkimit Sovjetik, me bluza ku ishin stampuar portrete të Che Guevarë-s, Mao Ce Dun-it, Leninit e Stalinit, Mandelës, Gandit, Ho Shi Min-it e Vandana Shivës, njerëz me maska kundër shkatërrimit të mjedisit në botë, fletëpalosje, pankarta e gazeta të shumta kundra FMN-së, OBT-së e Bankës Botërore, demonstrime për shkatërrimin e produkteve që përmbanin OMGJ, manekinë të veshur me flamurin amerikan që digjeshin nëpër rrugë, dhe pothuajse kudo slogani i tyre bazë “një botë tjetër është e mundshme – bota nuk është mall”. Habinë më të madhe ma shkaktoi një film, titulli i të cilit ishte “Kundër Macdonalizimit të botës”, në të cilin tregoheshin protesta masive kundër restoranteve MacDonals.

Ishte më se e kuptueshme që një shqiptar, apo në kuptimin më të gjerë të fjalës, një qytetar i vendeve ish-komuniste, të ndjehej totalisht i çuditur dhe i shokuar kur shihte kaq shumë njerëz e organizata nga e gjithë bota që ishin kundër ëndrrës dhe dëshirës së tij për të ndërtuar sa më shpejt kapitalizmin dhe për t’u bërë pjesë e botës së ëndërruar perëndimore. Aq më tepër që gjithë referimi im ishte përgatitur në frymën e “hapave të shpejtë që po bënte Shqipëria në rrugën drejt tregut të lirë” dhe vlerësimin për rolin pozitiv të OBT, FMN dhe Bankës Botërore në Shqipëri. Megjithatë, asgjë për t’u çuditur. Pa e ditur as vetë, ose më saktë, pa patur njohjen dhe informacionin e nevojshëm kisha ardhur në manifestimin më të madh botëror “antiglobalist”, ose siç kishte filluar të quhej së fundmi “alterglobalist”, një lëvizje dhe mbi të gjitha një mënyrë të menduari dhe filozofi alternative për zhvillimin ekonomik e social të botës. Në Shqipëri kjo lëvizje njihet e diskutohet shumë pak, duke u barazuar shpesh në mënyrë stigmatizuese me “ekologjistët grindavecë që nuk kuptojnë arsyet e tregut dhe bëjnë sherr për të shpëtuar ca pemë”, me “përfaqësues të shoqërisë civile që janë kundra importit të plehrave apo ndërtimit të tec-eve” etj.

Më vonë, jo vetëm për kuriozitet, por mbi të gjitha për të kuptuar se çfarë fshihej pas kësaj lëvizje kaq masive “protestuese”, çfarë kërkojnë këta miliona njerëz, mora pjesë dhe në disa forume të tjera sociale botërore, në Gjenevë, Firence, Havanë, Bruksel, Rio de Janeiro, Nairobi, Athinë dhe Dakar. Këto forume, në të cilat, pavarësisht nga bindja apo mendimet e mia personale në favor apo kundra tezave dhe reklamimeve të tyre, shprehin mendimin dhe reagimet e disa qindra milionë njerëzve në të gjithë globin, shprehin shqetësimet dhe propozimet alternative të tyre ndaj “ekspansionit të pandalshëm” të kapitalizmit ultraliberal ndërkombëtar, shprehin filozofinë e tyre “për një botë ndryshe”, “për një botë tjetër më të barabartë”, “për një botë që nuk duhet të shihet e barazohet vetëm me mallrat e tregut dhe fitimin”. Si të tilla ato duhen njohur e kuptuar në thelbin e tyre, për të mos u barazuar thjesht me imazhet televizive të disa qindra apo mijëra njerëzish që protestojnë e përleshen me policinë sa herë që ka evenimente të rëndësishme ndërkombëtare si mbledhjet e G 8, G20, konferencat ndërministrore të OBT-së, konferencat e Davos-it, apo për të mos u përdorur në mënyrë abuzive politikisht sa herë që kundërshtohen masa e politika që objektiv të vetëm kanë “lirinë absolute të tregut apo prioritetin absolut të kapitalit dhe fitimit”,etj. E rëndësishme është të njihen dhe diferencat ndërmjet “antiglobalistëve” dhe “alterglobalistëve”, dy kategori që diferencohen esencialisht nga njëra-tjetra.

            Historia dhe përbërja e lëvizjes alterglobaliste

Antiglobalistët përfaqësojnë një lëvizje sociale dhe politike të lindur që në vitet 1980, që në thelbin e saj kundërshtonte çdo formë e shfaqje të fenomenit të globalizimit, ndryshe nga alterglobalistët që kërkojnë “një tjetër lloj globalizimi shumë më human e të kontrolluar në efektet e tij diferencuese sociale”.  Antiglobalistët janë kundra “rregullit të ri botëror” si një koncept gjeopolitik i kohës së Luftës së Ftohtë që favorizon një botë njëpolare ideologjikisht dhe politikisht të lidhur me SHBA dhe ekonominë liberale. Ata janë kundra çdo institucioni, tregu apo politike që favorizon “integrimin rajonal e ndërkombëtar, që shkon drejt një qeverisje më globale”, duke u bërë shpesh strehë e lëvizjeve ultra të majta apo ultra të djathta, dhe atyre anarkiste.

Ndërkohë, ndryshe paraqitet “lëvizja “alterglobaliste” e cila ka lindur gjithashtu në fund të viteve 80-të të shek. XX-të, kryesisht në vendet e quajtura “të jugut” apo “në zhvillim” si një formë proteste kundër borxheve, OBT dhe liberalizimit të tregjeve, programeve të axhustimit strukturor të FMN-së, etj. Në Europë dhe SHBA kjo lëvizje u shfaq për herë të parë në vitin 1994 në kuadrin e kritikave të forta kundër papunësisë, kushteve të punës dhe mbrojtjes sociale. Megjithatë, janë manifestimet masive kundër OBT të Seattle (SHBA) në vitin 1999 ato që shënuan manifestimin më të mediatizuar në shkallë ndërkombëtare të lëvizjes alterglobaliste. Më vonë ato u shoqëruan nga shumë evenimente sociale botërore, kontinentale e lokale si “Forumi social botëror” parë si një organizëm alternativ i “Forumit ekonomik botëror” të Davos-it, forumet sociale të Gjenevës, Porto alegre-s, Firences, Athinës, Mumbai-t (Kongo), Dakarit (Senegal) etj.

“Alterglobalistët” u konturuan si një lëvizje e shoqërisë civile që konteston modelin liberal të globalizimit dhe rivendikon një model ekonomiko-social zhvillimi me afër zhvillimit human, parimit të barazisë në zhvillim dhe mbrojtjes së natyrës. Në thelbin e rivendikimeve të tyre qëndrojnë pozicionet e përbashkëta për “drejtësinë ekonomike”, “autonominë e popujve në vendimet e zhvillimit ekonomik e social”, “mbrojtjen e mjedisit”, “thellimin e demokracisë pjesëmarrëse dhe respektimin real të të drejtave themelore të njeriut” etj. Termi “alter” (ndryshe) u fut për herë të parë në vitin 2001, për të bërë dallimin nga termi “anti” (kundër) që kishte mbizotëruar që në fillimet e kësaj lëvizjeje, çka nënkuptonte se kjo lëvizje nuk ishte thjesht një lëvizje protestuese kundër globalizimit, por ajo kishte tashmë dhe versionin e saj alternativ të modelit të zhvillimit për financat, tregtinë dhe ekonominë botërore.

Lëvizja alterglobaliste përbëhet nga shumë grupime apo lëvizje të tjera të mbledhura nën këtë flamur. Ajo përmbledh: fshatarë, punonjës të varfër, përfaqësues të borgjezisë së vogël të vendeve në zhvillim, punonjës me paga të ulëta të vendeve të zhvilluara perëndimore, sindikata të ndryshme, shoqata konsumatorësh, grupime mësuesish dhe kërkuesish, lëvizje ekologjiste, lëvizje antimilitariste, grupime militante feministe, rryma komuniste marksiste, nacionalistë, përkrahës të teorisë së Kejnsit, anarkistë etj. Për këtë arsye, kjo lëvizje quhet shpesh dhe si “lëvizja e shumë lëvizjeve apo grupimeve”.

Pluraliteti dhe orientimet kaq të ndryshme politike bëjnë që tek shumë njerëz apo institucione të këtë vështirësi në profilizimin dhe sintetizimin e kësaj lëvizje, por megjithatë tashmë janë evidentuar disa orientime specifike të saj që në një farë mënyrë përbëjnë portretin e saj : 1.antiliberalët, që kritikojnë modelin e hapjes së plotë të tregjeve dhe liberalizmit ekonomik pa kufij, të cilët kërkojnë një reformim të principeve ekonomike mbi  kritere më të forta morale e sociale; 2. komunistët dhe marksistët, që janë kundra globalizimit ekonomik kapitalist dhe që kërkojnë një globalizim sipas një modeli më social dhe solidar për popujt e ndryshëm të botës; 3. nacionalistët, apo “sovranistët”, që mbrojnë masat dhe politikat proteksioniste në interes të ekonomive kombëtare kundra praktikës neoliberale të tregjeve ndërkombëtare; 4. pacifistët, që janë kundra prodhimit dhe tregtisë armëve në botë; 5. ekologjistët dhe ambientalistët, që luftojnë në favor të praktikave të zhvillimit të qëndrueshëm, reduktimit të emisionit të gazit CO2 në atmosferë, fenomenit të ngrohjes globale, mbrojtjes së pyjeve dhe burimeve të tjera natyrore, etj.; 6. reformistët, që mbrojnë parimet e sovranitetit ushqimor dhe të së drejtës së popujve për t’u ushqyer njësoj, të konsiderimit të zhvillimit si një e drejtë fondamentale e njeriut, të reformimit radikal të rolit të OKB, FMN, BB, OBT etj.; 7. kundërshtarët e rritjes ekonomike pa kufij që i kundërvihen modelit aktual të zhvillimit që rritjen ekonomike konsideron si treguesin më të rëndësishëm të zhvillimit dhe “konsumin masiv si i vetmi model social”.

            Pozicionet dhe kritikat kryesore

            Megjithë diversitetin dhe heterogjenitetin e saj, fenomen që e ka penguar lëvizjen alterglobaliste të prodhojë një program politik të qartë dhe t’i drejtojë përkrahësit e saj në një drejtim unik, kjo lëvizje ka kristalizuar tashmë si orientimin e përbashkët “luftën sociale në favor të një zhvillimi të arsyeshëm” dhe ka përcaktuar si kundërshtar të saj ideologjik “neoliberalizmin” dhe “globalizmin ultraliberal”. Kritikat e alterglobalistëve bazohen në faktet se diferencat në nivelin e jetesës dhe  dominimit të planetit janë thelluar shumë në favor të vendeve të pasura “të veriut”, se hendeku ndërmjet të pasurve dhe të varfërve po thellohet me shpejtësi, se pasiguria ekologjike dhe ndotjet industriale po bëhen të frikshme, se efekti serrë nuk po ndalet, se ushqimet që përmbajnë OGJM, se armët kimike dhe atomike po shfaqen si një bombë me sahat për të ardhmen dhe stabilitetin e planetit e planetit. Ata akuzojnë tregjet dhe kompanitë më të mëdha financiare dhe tregtare ndërkombëtare se direkt apo indirekt “ato favorizojnë më shumë interesat private se sa interesin e përgjithshëm në fushën e bioteknologjive, aplikimit të protokollit të Kyoto-s, pasojave të efektit serrë, politikave të delokalizimit dhe dumpingut social, përqendrimin e fitimeve në shumë pak duar, etj.”

Alterglobalistët konsiderojnë se globalizimi “vetëm nëpërmjet tregut” nuk është sinonim i zhvillimit human, se nga tregu nuk përfitojnë në mënyrë të barabartë të gjithë, se rritja e pabarazive dhe varfërisë në botë janë efekte perverse të “tregut të lire global”. Në mënyrë të veçantë, ata denoncojnë pabarazinë në rritje ndërmjet “të pasurve” dhe “të varfërve”: aktualisht, sipas UNDP, shifrat janë sa të frikshme aq dhe impresionuese – 0.8% e njerëzve më të pasur të planetit (rreth 60 milion njerëz) disponojnë një pasuri të barabarte me atë të 65% të varfërve (rreth 4 miliard njerëz); 1% e amerikaneve më të pasur, zotërojnë më shumë pasuri se 47 vendet më të varfra të botës të marra së bashku; se me gjithë angazhimet ndërkombëtare, numri i personave që vuajnë nga uria vazhdon të jetë më i lartë se 900 milion njerëz, se mbi 3 miliard njerëz në botë jetojnë me të ardhura më të vogla se 2-3 dollarë në ditë, etj. Sipas alterglobalistëve, “tregu e redukton njeriun dhe karakterin e tij vetëm te vlerat tregtare”. Sipas tyre, drejtimi i ekonomisë së vendeve të varfra dhe atyre në zhvillim nuk është fryt i ligjeve ekonomike natyrale dhe vullnetit të popujve të këtyre vendeve, por fryt i politikave të qeverive që ndodhen nën diktatin e vazhdueshëm të institucioneve ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore, OBT, G8, G20, etj. Ata, veç të tjerave, kërkojnë dhe një demokratizim e transparencë më të madhe të institucioneve ndërkombëtare në raport me vendimet që marrin dhe efektet konkrete të tyre për shumë vende e rajone të botës.

Një pjesë e madhe e alterglobalistëve shkojnë shumë larg kur e akuzojnë OBT “se ajo merr sistematikisht vendime të njëanshme në favor të shteteve të pasura dhe të kompanive shumëkombëshe”. Sipas tyre, marrëveshjet dhe rregullat e OBT i lejojnë produkteve të vendeve të pasura gjithë lehtësitë e mundshme për të penetruar në tregjet e vendeve të jugut, ndërkohë që vetë vazhdojnë të aplikojnë politika dhe masa proteksioniste për të mbrojtur tregjet e tyre dhe penguar eksportet e vendeve të varfra apo atyre në zhvillim. OBT kritikohet gjithashtu dhe “për mungesën e preokupimit të nevojshëm në fushën sociale dhe mjedisore, fusha që ndikohen shumë nga vendimet e saj”. Për alterglobalistët, politikat e FMN-se kanë kontribuar në mënyrë dramatike në dështimet ekonomike, sociale e politike të shumë vendeve të botës : kriza aziatike e 1997, tranzicioni problematik i ekonomisë ruse, reformat në Amerikën e jugut dhe sidomos kriza argjentinase, meksikane e braziliane, dështimi i shumë ekonomive afrikane, etj., janë dëshmi e gjallë e rolit “për t’u diskutuar dhe rivlerësuar” të FMN-se dhe filozofisë së saj monetariste e liberale. Shkaqet e këtyre dështimeve, alterglobalistët i shohin tek “mbrojtja që FMN i bën interesave të grupimeve financiare më të fuqishme të botës, te presioni i saj që çdo vend të aplikojë në mënyrë dogmatike rregullat neoliberale, të detyrimi vendeve që të privatizojnë në maksimum ekonominë dhe shërbimet dhe reduktojnë rolin dhe fuqinë e shtetit”, që niveli i demokracisë dhe transparencës në marrjen e vendimeve në këtë institucion le shumë për të dëshiruar, etj.

            Por çfarë propozojnë konkretisht alterglobalistët?

Alterglobalistët nuk shfaqen vetëm si kritikues të rreptë të realitetit të sotëm global, gjë që do t’i barazonte ata me homologët anarkistë antiglobalistë. Ata, të përfaqësuar tashmë nga personalitete të rëndësishme si Joseph Stiglitz, Naomi Klein, Xavier Sala-i-Martin, Vandana Shiva, Noam Chomsky, Amartya Sen, Serge Latouche, José Bové, etj., apo organizata si Oxfam, ATTAC, Via Campesina,etj., kanë përgatitur dhe një paketë propozimesh konkrete që sipas tyre do të ndihmonin në reformimin dhe përmirësimin e situatës. Në kuadër të reformave ekonomike, ata propozojnë : 1. anulimin e menjëhershëm të borxheve të vendeve të varfra dhe atyre në zhvillim; 2. promovimin e një tregtie me përfitim të barabartë për të gjitha vendet; 3. sanksionimi i të drejtës së sovranitetit dhe sigurisë ushqimore për të gjithë popujt si një e drejtë fondamentale e njeriut; 4. detyrimi i të gjithë qeverive të çdo vendi që të aplikojnë një minimum të domosdoshëm masash e politikash në fushën e mbrojtjes sociale, punësimit dhe pensioneve; 5. realizimi në mënyrë të pavarur dhe neutral i një bilanci të plotë mbi pasojat e vendimeve të OBT, FMN, Bankës Botërore, etj.; 6. përjashtimi definitiv i fushave të arsimit, shëndetësisë dhe shërbimeve sociale nga cikli i negociatave të OBT dhe ruajtja e shërbimeve publike nga efektet liberalizuese të “marrëveshjes së përgjithshme për tregtinë e shërbimeve” (telekomunikacioni, transporti, energjia, ndërtimi, shërbimet mjekësore e farmaceutike, etj.); 7. vendosjen e një takse ndërkombëtare mbi transaksionet financiare, mbi fitimet e realizuara nga tregtia e armëve, mbi aktivitetet që shkaktojnë emision të gazit CO2, etj.; 8. eliminimi përfundimtar i “parajsave fiskale” në mënyrë që të reduktohet evazioni fiskal dhe krimi financiar në shkallë ndërkombëtare;9. ndalimi i çdo privatizimi nëpërmjet patentave i materies së gjallë dhe i elementeve të tillë si uji, toka, ajri,etj., të cilat duhet të konsiderohen si pasuri të gjithë njerëzimit dhe nuk mund të privatizohen nga askush;

Në fushën e drejtësisë, paqes dhe demokracisë, propozohet: 1. vendosja e një sistemi ndërkombëtar të besueshëm për parashikimin dhe ndalimin e konflikteve (një lloj gjykate ndërkombëtare shumë më të besueshme dhe të fuqishme se e sotmja); 2. aplikimin e kartës së të drejtave të njeriut kundra çdo lloj forme të diskriminimit, racizmit, diferencës së sekseve dhe dënimin në mënyrë shembullore të gjithë atyre organizatave, individëve apo shteteve që nuk e zbatojnë rigorozisht atë; 3. garantimi i të drejtës për informacion për të gjithë dhe sigurimi i autonomisë reale të mediave në raport me interesat private të financuesve të tyre; 4. reformimi dhe demokratizimi radikal i organizatave ndërkombëtare të orientuara nga “ Konsensusi i Uashingtonit” si FMN, OBT dhe Banka Botërore; 5. përfshirja sa më e gjerë e këtyre organizatave në sistemin dhe mekanizmat e OKB;

            Çështje të hapura për diskutim

Natyrisht, që mendimi dhe propozimet alterglobaliste paraqesin dhe mbrojnë atë që quhet “ana tjetër e medaljes”, ka shkaktuar dhe vazhdon të shkaktojë dhe reagimin, kundër-argumentet apo kundërshtimin e mjaft eksperteve, përfaqësuesve të organizmave ndërkombëtare, pasuesve dhe mbrojtësve të doktrinës liberale, etj., të cilët i akuzojnë alterglobalistët “si të paaftë që të kuptojnë botën moderne”, si “analistë të cekët që shohin vetën dukjen e gjerave dhe nuk janë në gjendje të kuptojnë thelbin e tyre sidomos në sferën ekonomike e tregtare”, si “lëvizje e fshehur politike neomarksiste” etj. Por ajo që konsiderohet pozitive në këtë rrymë mendimi e veprimi, është se ajo provokoi dhe vazhdon të provokojë një reflektim intelektual shumë të domosdoshëm për situatën e botës dhe perspektivën e saj. Partizanët e reformimit radikal të OKB-se, debati i hapur në Bankën Botërore nga neokensianistët si Joseph STIGLITZ, shtimi i presionit publik në Amerikën Latine, organizimi i grupit të presionit në OBT, etj., janë elemente të rëndësishme të një mënyre tjetër të menduari për shoqërinë moderne.

Pyetje të tilla si : çfarë sensi mund të kenë konceptet e të drejtave të njeriut në raport me përgjegjësitë ndërkombëtare?…si mund të globalizohet demokracia?..si mund të profilizohet pasuria e përbashkët e njerëzimit dhe çfarë instrumentesh juridike duhen krijuar për ta ruajtur atë?..cili është vendi i ekonomisë dhe homos economicus në shoqëri?..si mund të bashkëjetojnë alterglobalistët me globalistët? etj., po ushqejnë përditë e më shumë forumet, debatet dhe mendimin progresist botëror. Slogani i përdorur nga alterglobalistët gjatë takimit të G 8 në San Petersburg të Rusisë në korrik 2006 se “ju jeni vetëm 8-të kurse ne 6 miliard” është një sfidë më shumë për politikanët dhe ekspertët në mbarë botën për t’u përfshirë aktivisht në debatet mbi gjendjen dhe të ardhmen e planetit. Tashmë, mendimi i përgjithshëm është se ata nuk mund t’i imponohen zhvillimit të botës, por gjithsesi ata duhen dëgjuar dhe marrë seriozisht në konsideratë në propozimet dhe reklamimet e tyre në mënyrë që të garantohet një zhvillim sa më i arsyeshëm në favor të të gjithëve.

OKELJO :

Në Shqipëri, lëvizja alterglobaliste dhe slogani “bota nuk është mall” njihet e diskutohet pak, duke u barazuar në mënyrë stigmatizuese me “ekologjistët grindavecë që nuk kuptojnë arsyet e tregut dhe bëjnë sherr për të shpëtuar ca pemë”, me “përfaqësues të shoqërisë civile që janë kundra importit të plehrave apo ndërtimit të tec-eve” etj.

Pyetje : çfarë sensi mund të kenë konceptet e të drejtave të njeriut në raport me përgjegjësitë ndërkombëtare?…si mund të globalizohet demokracia?..si mund të profilizohet pasuria e përbashkët e njerëzimit dhe çfarë instrumentesh juridike duhen krijuar për ta ruajtur atë?..cili është vendi i ekonomisë dhe homos economicus në shoqëri?…si mund të bashkëjetojnë alterglobalistët me globalistët? etj., po ushqejnë përditë e më shumë forumet, debatet dhe mendimin botëror.

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan