Taksat dhe ndikimi mbi investimet dhe biznesin

Nga Eduart Gjokutaj, botuar në Shqip, 20 shtator 2013

Mbështetësit e shkallës së ulët të tatimit mbi fitimin e aktivitetit dhe tatimit mbi të ardhurat personale e bazojnë argumentimin te konkurrenca midis vendeve fqinje me Shqipërinë në garën e thithjes së sa më shumë investimeve të huaja, si dhe efekti në nivelin e punësimit në vend. Ulja e shkallëve të tatimit mbi fitimin dhe të ardhurat individuale (përfshirë edhe tatimin e dividendit dhe tatimet e tjera mbi të ardhurat personale), përveç rritjes së ekonomisë ka pritshmëri të saj zgjerimin e tregut të punës, si dhe zgjerimin e bazës së tatueshme (nëpërmjet rritjes së numrit të bizneseve të reja), kryesisht të nivelit të mesme dhe të mëdha. Te këto të fundit, tatimi mbi fitimin në shkallë efektive ndihmon në zvogëlimin e aftësisë për të paguar çmime të larta ndaj furnitorëve për periudha të ardhme, që përkthehet me efekt në vendet e punës të biznesit të furnitorëve. E gjithë kjo skemë e politikës fiskale është një model, i cili bie të ardhura tatimore në rritje drejt buxhetit të vendit. Politika fiskale e qeverisë së mëparshme ka iniciuar dhe mbështetur uljen e shkallëve tatimore për tatimin mbi fitimin dhe të ardhurat personale në favor të ideve të sipërpërmendura. Nga njëra anë, të ardhurat buxhetore patën një rritje për periudhën e parë dyvjeçare, kryesisht si rrjedhojë e ndërhyrjes nëpërmjet vendimit të qeverisë për vendosje referencash në pagat e sektorit privat për efekt taksimi, duke pasur parasysh se ky tatim zë 65% të të gjithë zërave të tatimeve mbi të ardhurat personale. Megjithatë, nuk pati strategji të zbatuar (edhe pse mund të kishte drafte të miratuara) për konsolidimin fiskal. U zbatua vetëm një strategji, ajo e huamarrjes në tregun e brendshëm e të jashtëm dhe një rritje e barrës së borxhit të qytetarëve për periudhat e ardhme. Kjo politikë dikton qeverinë e re, që ose të rrisë nivelin e kapaciteteve administrative në një periudhë afatshkurtër duke zhvendosur barrën fiskale mbi tatimpaguesit që kanë fitime të larta, ose të monitorojë dhe kufizojë shpenzimet e administratës publike bazuar mbi riskun dhe efektivitetin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Lidhja midis taksave dhe rritjes ekonomike vijon të mbetet si një çështje kryesore në politikën e ditës. Ky shkrim, duke pasur në vëmendje prezantimet e shoqatave të prodhuesve dhe ekspertëve të sektorit ekonomik dhe fiskal, synon që diskutimi të bëhet në aspektin teknik për t’i dhënë përgjigje pyetjes se sa ndikon shkalla tatimore për fitimin e aktiviteteve (të mesme dhe të mëdha) dhe të ardhurat e punonjësve? Në shumicën e studimeve që trajtojnë efektin e tatimit mbi fitimin e shoqërive tregtare (fitimi korporativ) ka një konkluzion të përbashkët: tatimi mbi fitimin në shkallë të ulët (10% deri 15%) është në funksion të rritjes së investimeve. Shkallët e ulëta rritin interesin e investitorëve të shikojnë me interes vendin ku do të përdorin fondet e tyre. Sjellja e investitorëve në këtë aspekt ndikohet nga politika e shkallës së tatimit mbi fitimin, por edhe tatimit mbi dividendin, mbi kapitalin dhe tatime e taksa të tjera që janë të lidhura me investimet. Natyrshëm, në përvojën botërore shkallët e ulëta kanë nxitur rritjen e investimeve, ku veçanërisht interesi dhe depërtimi më i madh është midis vendeve fqinje.

Por çfarë ndodh në fakt në rastin e ekonomisë shqiptare?

Shkallët tatimore në të gjithë rajonin përreth Shqipërisë për katër vitet e fundit janë në të njëjtin nivel (10%). Më lart në rajonin ballkanik tatohen fitimet e shoqërive (korporatave) në Rumani (16%), Kroaci (20%), Slloveni (20%) dhe Greqi (25%). Më ulët në rajonin ballkanik tatohen fitimet e korporatave në Malin e Zi (9%). Nga të gjitha këto shtete zbatojnë politikën e taksës së “sheshtë” Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Mali i Zi (me pak përjashtime), Maqedonia, Rumania dhe Shqipëria. Nëse analizojmë lidhjen midis shkallës së tatimit mbi fitimin korporativ dhe stokut të kapitalit të Investimeve të Huaja Direkte (IHD) hyrëse në rajon (si përqindje e Prodhimin e Brendshëm), Rumania, Bullgaria dhe Kroacia janë vendet me nivelin më të lartë (78% të totalit të investimeve në rajon). Por, shumë nga vendet e rajonit kanë regjistruar rënie në IHD, pas efektit të krizës globale ekonomike 2007-2008. Në Bullgari, pas arritjes së pikut të hyrjeve të IHD-ve në shumën 12 miliardë USD, në vitet 2010-2011 ato ranë në nivelin 2 miliardë USD. E njëjta situatë ndodhi edhe në Rumani. Pas arritjes së nivelit të lartë prej 14 miliardë USD, pas vitit 2009 IHD-të u përgjysmuan dhe kanë ardhur në rënie të vazhdueshme. Një tendencë ndryshe patën vendet kufitare me Shqipërinë. Në Serbi, pas vitit 2011, ku IHD-të shënuan një vlerë pre 2.71 miliardë USD, vazhdon i njëjti ritëm hyrjeje edhe më pas. Ndërsa në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Maqedoni dhe Mal të Zi ka pasur një nivel poshtë 2 miliardë USD dhe përveç Shqipërisë, të tria këto vende kanë pasur një tendencë në ulje të hyrjes së IHD-ve në tri vitet e fundit. Shqipëria përbën veçanti falë privatizimeve të kompanive shtetërore, që janë baza strategjike e ekonomisë në energji, prodhim dhe përpunim të lëndëve djegëse dhe shfrytëzimit të burimeve natyrore minerare. Vendimet për politikat fiskale për shkallët dhe variabla specifikë fiskalë, të cilët do të ishin ndikues në pengimin e fluksit të investimeve, bazuar mbi fitimet korporative përfshijnë nivelin dhe dinamikën e shkallës më të lartë tatimore, nivelin dhe evoluimin e shkallës efektive tatimore, stimulimi i investimeve bazuar mbi parimet e kreditimit të tatimit, si dhe politika që lidhen me shpenzimet e njohura për aktivitetin dhe nivelet e amortizimeve të aktiveve afatgjata materiale. Kujdesi më i madh duhet treguar sidomos me përcaktimin e niveleve të larta të shkallëve progresive tatimore.

Në lidhje të ngushtë me tatimin mbi fitimin është edhe trajtimi i dividendit dhe kapitalit nga politika e taksimit, duke pasur parasysh nga përvoja e shumë vendeve se tatimi mbi dividendin ka efekt direkt mbi vendimin për investim. Efektet negative të tatimit mbi fitimin në investime dhe biznese, ndihet në praktikë nga punonjësit. Një arsye gjendet te fakti se politikat mbi tatim-fitimin korporativ në ekonomi të përmasave të vendeve ballkanike nuk burojnë më shumë nga lëvizja e kapitalit të huaj sesa nga politikat që lidhen me fuqinë punëtore në formën e nxitjeve që vijnë për paga të ulëta apo papunësie të madhe, që është tregues i një niveli të ulët të kapitalit vendas në treg. Taksat mbi punën shmangin shtrembërimet e vërejtura nga treguesi kapital-vende pune midis vendeve fqinje. Nisur nga ky fakt, tatimet mbi punën (TAP dhe sigurimet shoqërore), që janë tatimet direkte mbi punonjësit mund të ishin një tjetër variabël efektiv. Në një shikim të shkallëve të tatimeve mbi punën, nivelin më të lartë në rajon e kanë Rumania (54.5%), Greqia (53%), Bosnjë-Hercegovina (51.5%), Kroacia (50%). Nivelin më të ulët në rajon e kanë Kosova (20%), Serbia (32%), Shqipëria (37.9%). Shikoni statistikat dhe bëni krahasimet vetë këtë radhë. Në konkurrencën rajonale për thithje investimesh vërehet se edhe kjo politikë duhet të shoqërohet domosdoshmërish me reforma strukturore dhe administrative, të cilat përbëjnë bazën e vlerësimeve për renditjen e lirive ekonomike dhe nivelit të barrës mbi biznesin.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi