Pse vetëm vendet e varfra të Ballkanit duan të futen në BE?
Nga Agustin Paloka, botuar në Mapo Onliine, 20 shtator 2013
Në fjalimin e tij të javës që shkoi për „gjendjen e Unionit“ presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, për dallim nga vitet e tjera, kësaj radhe ka përmendur edhe procesin e zgjerimit të BE-së, proces i cili nuk ka qenë edhe aq i dashur në disa vende të vjetra anëtare. Barroso ka përmendur faktin se këtë vit BE-ja është zgjeruar nga 27 në 28 vende anëtare, me Kroacinë, e cila hyri më 1 korrik si vend i 28-të anëtar, ndërsa vitin që vjen eurozona do të rritet nga 17 me 18 vende anëtare, me hyrjen e Letonisë në eurozonë. Ai këtë e përmendi si dëshmi se BE-ja jo vetëm se nuk është shpërbërë e as që dikush është përjashtuar nga BE-ja apo eurozona, siç kishin parashikuar skeptikët, por përkundrazi, ajo u zgjerua dhe vazhdon të jetë tërheqëse për të tjerët.
Duke nënvizuar rëndësinë e zgjerimit të BE-së për tejkalimin e plagëve të luftërave dhe ndasive, Barroso në fjalimin e tij vjetor për gjendjen e BE-së ka përmendur se 100 vjet pas fillimit të Luftës së Parë Botërore, sot edhe armiqtë e dikurshëm ulen bashkë, dhe ka thënë se “Edhe Serbia e edhe Kosova kanë arritur marrëveshje me ndërmjetësimin e BE-së“.
Sipas Barrosos, kjo nuk do të kishte ndodhur sikur vendeve të përfshira në procesin e zgjerimit të mos u ishte dhënë perspektiva e anëtarësimit një ditë në BE. Dhe Barroso ka të drejtë në këtë. Kush mund të besojë se Serbia, e udhëhequr pikërisht nga njerëzit të cilët ishin pjesë aktive e regjimit, i cili bëri krime të tmerrshme gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnjë -Hercegovinë, e më vonë edhe në Kosovë, tash të jenë pro europianët më të mëdhenj në Serbi dhe të ulen e të bisedojnë me Kosovën. Lënë anash faktin se nga ta nuk është kërkuar të ndryshojnë qëndrimin se “Kosova është pjesë e Serbisë”, megjithatë nuk është lehtë për njerëzit si Ivica Daçiç dhe Tomislav Nikoliç të ulen e të bisedojnë me Hashim Thaçin, sikur edhe anasjelltas. Vërtet është vështirë të besohet se Kroacia do ta luftonte me aq sukses korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke përfshirë edhe nivelin më të lartë politik, sikur të mos ishte në pyetje anëtarësimi në BE. A do të pranonte elita politike e maqedonase në këtë shtet kompromise me shqiptarët e atjeshëm sikur të mos ishte perspektiva evropiane në pyetje dhe a do të arrinte Shqipëria në situatën në të cilën pas 20 vjetësh të ketë më në fund zgjedhje të pakontestuara sikur të mos ishin të qarta porositë nga Brukseli se pa zgjedhje të tilla rruga drejt BE-së do të mbetet e bllokuar.
Vitin që vjen do të shënohet 100-vjetori i atentatit në Sarajevë, që ishte edhe shkas i fillimit të Luftës së Parë Botërore. Ajo luftë e përgjakshme filloi në Ballkan. Dhe pikërisht Ballkani ishte zona e fundit e Evropës ku pati luftë edhe në fund të shekullit dhe në këtë zonë ende nuk janë shëruar plagët e luftës. Në qarqet evropiane tash flitet për një nevojë që pikërisht në vitin 2014 të bëhet një “depërtim i madh” në rrugën evropiane të këtij rajoni. Ambicie për këtë kanë edhe anëtaret e BE-së, të cilat janë shtete fqinje të këtij rajoni, Greqia dhe Italia, të cilat, secila nga gjashtë muaj, do ta ketë vitin që vjen presidencën e radhës së BE-së. Por realiteti i ri i krijuar në BE nuk lë hapësirë për hapa të mëdhenj edhe pse do të ketë përparim të secilit vend të Ballkanit në këtë aspekt. Shqipëria pritet që nga Komisioni Europian muajin që vjen të marrë rekomandimin për status kandidati dhe me gjasë edhe të fitojë këtë status në dhjetor. Serbia, e cila ka tashmë statusin e kandidatit, pret të nisë negociatat e anëtarësimit pikërisht në fillim të vitit 2014. Ato mund të nisin ndoshta edhe me Maqedoninë, e cila po shënon rekorde si shtet kandidat duke pritur nisjen e negociatave. Negociatat janë duke u zhvilluar me Malin e Zi. Kroacia tashmë është bërë anëtare e BE-së dhe ajo është zotuar se do ta ndihmojë pjesën tjetër të rajonit, qoftë duke qenë zë shtesë në favor të zgjerimit në BE, apo duke ndarë përvojën e saj me vendet e rajonit të Ballkanit.
Por një pyetje tjetër tash shtrohet sa i përket atraktivitetit të BE-së për të tërhequr vendet e tjera që t’i bashkohen. Ajo është pyetje pse janë vetëm vendet e Ballkanit dhe Turqia shtete, të cilat duan të hyjnë në këtë union.
Vendimi i Islandës që të suspendojë negociatat për anëtarësim në BE dhe të shpërbëjë ekipin negociator ka krijuar një situatë në të cilën vetëm vendet e varfra, Turqia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, të jenë të interesuara për anëtarësim në BE.
Islanda kishte vendosur të kërkonte anëtarësim në BE në vitin 2009, kur ky shtet i pasur përballej me krizën e madhe financiare dhe qytetarët, për një kohë të shkurtër u ndien se brenda BE-së do të kishin më shumë siguri dhe më pak rrezik nga shkatërrimi i shtetit. Por me tejkalimin e krizës dhe me kthimin e ekonomisë në normalitet, dëshira u venit dhe tash islandezët nuk duan më të hyjnë në BE. Ata votuan për partitë euroskeptike të cilat javën e shkuar edhe morën vendimin për të mos vazhduar negociatat me BE-në dhe për të shpërbërë ekipin negociator. Islanda nuk dëshiron që Brukseli t’ia caktojë votat e peshkimit, ndërsa përfitimet e tjera nga anëtarësimi i plotë në BE mund t’i gëzojë nga niveli i tashëm i integrimit dhe lidhjeve që ka me Brukselin.
Islanda e ka lehtë sepse ajo i ka pothuajse të gjitha ligjet e saj të përshtatura me BE-në, është pjesë e zonës evropiane për tregti të lirë EFTA e madje, pa qenë fare anëtare e BE-së, është pjesë e zonës Schengen për lëvizje të lirë të qytetarëve. Kështu Islanda mund të bëjë tregti dhe të ketë përfitimet e tjera nga BE-ja pa qenë fare anëtare. E njëjta vlen edhe për Zvicrën dhe Norvegjinë, vende të pasura, me pasuri shumë mbi mesataren e Bashkimit Evropian, të cilat nuk duan të hyjnë në BE, edhe pse do të ishin të mirëseardhura.
Por për dallim nga Islanda, e cila ka mundur, po të donte, të bëhet shpejt anëtare e Bashkimit Evropian, sikurse këtë mund ta bëjnë shpejt edhe Zvicra dhe Norvegjia, vendet e Ballkanit kanë një rrugë shumë të gjatë dhe me një epilog jo aq të sigurt drejt integrimit të plotë në BE. Për Turqinë, në anën tjetër, gjithnjë e më pak besohet se do të bëhet ndonjëherë anëtare e BE-së.
Sido që të jetë, vetëm kur të gjitha vendet e Ballkanit të bëhen anëtare të BE-së, ndërsa jashtë saj të mbeten vetëm ato të cilat nuk duan, por i kanë të arritura, e madje të tejkaluara, standardet evropiane, atëherë do të mund të thuhet se është realizuar ideali i bashkimit të Evropës.