Papërputhshmëria praktike e porosive të Brukselit

Nga Arben Manaj, botuar në Shqip, 19 shtator 2013

“Të qenët politikisht korrekt”, është dominueshëm kriter i aplikuar gjerësisht në Perëndim, por edhe në prononcimet publike të instancave më të larta zyrtare dhe politikanëve që drejtojnë institucionalisht kontinentin.

Kam përshtypjen se shumë gjëra që thuhen dhe kërkohen, thuhen se duhen thënë, për të qenë brenda, ose by the book, siç thonë anglezët, apo se edhe lipset të bëhen, kur i vë detyrë shtëpie një vendi, si në rastin e Shqipërisë këto ditë, por edhe me vende të tjera përpara saj, si Rumanisë apo Bullgarisë, që ende nuk e kanë fituar luftën kundër korrupsionit dhe krimit, edhe pse tashmë janë vende të BE-së.

Fjala është për porositë që ka marrë Kryeministri i ri Rama në Bruksel, dhe konkretisht lufta kundër korrupsionit dhe bashkëpunimi me opozitën. Bukur, deri këtu. Por dilema është, a janë realiste dhe të aplikueshme kënaqshëm kërkesa të tilla, nisur nga specifikat konkrete të një vendi dhe rrethanat politike, e për pasojë efektet e saj në stabilitetin politik dhe më gjerë të vendit?

Është kollaj t’i kërkohet Ramës të luftojë korrupsionin dhe të bashkëpunojë me opozitën, parimisht.

Apo më tej akoma, a ka marrë garanci Rama se BE-ja do e mbështesë atë në rast të reaksionit ndaj efekteve të politikave të tij dhe a ka marrë garanci se do të ushtrohet trysni nga Brukseli për bashkëpunim dhe kooperim edhe tek opozitarët për këta hapa në hartën e rrugës së Shqipërisë drejt statusit kandidat e më tej?

Doemos që lufta kundër korrupsionit politikisht është e koklavitur. Ligjërisht do të duhet të jetë shumë më e lehtë. Por kur dihet sesa e infektuar është drejtësia shqiptare nga ndikimet politike, çështja komplikohet akoma më shumë.

Që të luftojë korrupsionin Rama, do të duhet ta gjejë dhe identifikojë atë në radhët e atyre që kanë pasur deri dje pushtetin në nivelin qendror dhe ata që e kanë edhe sot në nivelin lokal.

Nëse do të duhet të dënohen peshkaqenët, mendja automatikisht të shkon tek ish-qeveritarët e lartë të djeshëm, ku shumica është aktualisht në parlament, si përfaqësues të opozitës, apo edhe te ndonjë pjesë e aleatëve të rinj të Ramës, ish-pjesëtarë të qeverisë së koalicionit të Berishës, që sot i ka bashkëqeverisës.

Po ashtu, nëse do të duhet të luftoj korrupsionin, do të duhet ta luftoj atë edhe në pushtetin lokal, ku shfaqjet më të dukshme të korrupsionit të përfolur janë në bregdet, të cilin e kontrollon partia e Ramës.

Duardlidhja hipotetike politike e Ramës, e bën shumë të vështirë punën e tij dhe luftën që i kërkohet dhe që ai e ka shpallur se do të zhvillojë. Ramës i kërkohet t’i thotë opozitës në këtë kontekst edhe plaç, edhe shëndet.

Nëse do të kërkohej bashkëpunim me opozitën, ky do të ishte një enigmë e madhe, nëse eksponentët e saj do të rezultojnë të korruptuar dhe që duhen çuar përpara drejtësisë.

Reagimit instiktiv të opozitës parlamentare kur Kryeministri në delirin e batutëhedhjeve u tha se “s’keni parë gjë akoma”, speaker i ri Meta, tejet amortizues së fundmi, u përgjigj se “e kishte me shaka”!

Opozita iu përgjigj verbalisht me të njëjtën monedhë asaj që e cilësoi si recidivizëm i Ramës.

Pra dukshëm ka një sensitivitet të shpjegueshëm deri diku nga opozita, e cila i frigohet revanshit mazhoritar, për më tepër kur pushtetin e ri “plebishitar” nuk e pengon asgjë për të rrëmuar dhe gjurmuar nëpër analet e shtetit, sesi dhe çfarë transgresionesh korruptive mund të kenë konsumuar paraardhësit.

Shto këtu edhe përmendjen tangentalisht të nevojës për të futur në hulli drejtësinë për mosdhënien e saj.

E po të merret në konsideratë edhe përmendja e shembullit kroat, me nxjerrjen e Sanaderit përpara drejtësisë, plotësohet dhe shpjegohet kuadri i reaksionit opozitar ndaj deklaratës së Ramës në Parlament.

Ndoshta i ndodhur nën influencën e kënaqësisë apo edhe delirit të pranisë më në fund në Parlament, në karrigen e Kryeministrit dhe nga ku më në fund, mund t’u kthente xhevapin dhe të replikonte për tërë ato vite pamundësie për t’u kthyer reston akuzave dhe insinuatave ndaj tij, prej kundërshtarëve politikë, Rama u duk i tërhequr pa lidhje në një proces batutash dhe replikash, i cili shkoi deri në nivel ekzibicioni.

Askush i lexuar dhe i sofistikuar, nuk besoj se nuk e kupton oratorinë e admirueshme politike të Ramës dhe aftësinë e tij për kundërbatutë brenda sekondës. Çdokush në këtë kategori intelektuale e njeh aftësinë e tij, për të mos lëshuar gjë t’i bjerë në tokë në shkëmbimet dhe replikat me bashkëbiseduesit.

Kjo, falë kulturës dhe nivelit të tij si një nga publicistët më të spikatur të brezit të tij dhe postkomunizmit.

Kur edhe zyrtarisht në Bruksel i kërkohet lufta kundër korrupsionit, kjo pritet t’i shkaktojë andralla politike aq më tepër në relacion me një opozitë që di të jetë më shumë se abrazive.

Që të plotësojë porosinë e Brukselit, Rama dhe qeveria e tij do të duhet të shmangë në maksimum çdo konfrontim të panevojshëm verbal me opozitën e futur në ujë pas 23 qershorit, pasi s’ka as luksin, as kohën në dispozicion për konfrontime dhe deklarata të tilla.

Por shtrirja e dorës opozitës mund të jetë detyra më e lehtë e Ramës, nëse marrim të mirëqenë pastërtinë dhe duart e pastra të ish-pushtetit.

Por edhe me të tijtë Rama do e ketë të vështirë luftën kundër korrupsionit. A do të ketë këllqe Kryeministri të çojë përpara drejtësisë ndonjë ish-ministër apo zyrtar të lartë të LSI-së, nëse del se ka qenë i korruptuar?!

Po ndonjë kryebashkiak socialist të bregdetit ose më në thellësi, nëse rezulton se ka toleruar masakër urbane, a do ta çojë përpara drejtësisë?! Edhe mundet.

Rama normalisht ka dëshirë dhe do që të mbahet mend politikisht si njeriu që filloi seriozisht të ndëshkojë korrupsionin endemik shqiptar të çdo krahu, përfshi edhe të tijtë.

Është krejt tjetër gjë sesa do ta implementojë konkretisht në relievin e thepisur politik shqiptar dhe këtu më vjen në ndihmë skepticizmi personal, ndoshta paragjykues.

Cinikët dhe skeptikët mund të argumentonin se opozita nuk duhet të trembet nga moskontrolli verbal i Ramës dhe ajo të besojë se Kryeministri bëri “shaka”, madje për këtë duhet t’i besoni Metës, si bashkëpunëtori më i afërt i qeverisë së Berishës dje dhe Ramës sot, i cili di çfarë thotë dhe çfarë bën politikisht duke u mbijetuar rreziqeve në karrierën politike.

Në këtë kontekst, porositë e Brukselit për Ramën, edhe mund të zbatohen prej tij, dhe do të duhet të zbatohen eventualisht dhe detyrimisht, por padyshim ato janë një precedent “pa precedent” në kushtet shqiptare.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi