Kthim tek vlerat morale
Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 19 shtator 2013
Është një nga ato zona që përmenden në librat e Hahn, Durham, Nopca, Lane dhe plot autorë të tjerë të njohur me gjurmë të çmuara në historinë e shkruar shqiptare. Në memoriet e tyre përshkruhen si patriotë, burra të fortë, të pavarur dhe të mençur, të gatshëm të jepnin jetën në luftë kundër serbëve apo malazezëve, miq të çdo vizitori perëndimor dhe besimtarë të mirë. Janë njerëz dhe tipare që zënë rrënjë në atë gjerësisht kemi krijuar si identitet kulturor i shqiptarit historik, një brezi sa klasik aq edhe të veçantë për botën, sa kurajoz aq edhe skeptik ndaj ndryshimeve të reja, sa të besës aq edhe të gatshëm të marrin jetën për konflikte që sot nuk kanë sens. Ky model shqiptari zë vend tek Kadare apo Camaj, tek Konica apo Noli, dhe pavarësisht kontrastit të dukshëm me botën perëndimore, shihej e lexohej si një identitet i ruajtur, krenar dhe vlerë për një shoqëri ku ende ishin udhëheqëse disa vlera morale.
Pas 100 vitesh gjërat kanë ndryshuar. Kudo. Edhe në atë zonë. Nuk kanë ndryshuar pyjet, gjelbërimi pafund, pamja madhështore e natyrës, pafundësia e luleve dhe as aroma e virgjër që tërheq mijëra turistë në vit nga Polonia, Suedia e deri në Izrael. Kanë ndryshuar njerëzit dhe raporti i banorit të sotëm me vlerat morale të spikatura aq shumë në memorien e një shekulli më parë. Banorët kanë ikur në kërkim të një jete më të mirë urbane, dhe ata që kanë mbetur aty, ndjehen dyfish të plagosur: nga pamundësia për të ikur, nga përpjekjet për të gjetur çdo burim mbijetese ekonomike. E fundit është mbledhja e lëndëve narkotike. I gjen kudo në jug e veri. Policia e shteti nuk e “dinë” por pamjet me mbledhjet e veçantë të sezonit dalin periodikisht në revistat italiane, britanike apo të vendeve të tjera evropiane. Sepse janë supërlajm për një qytetar e publik perëndimor. Kurse për ne, janë bezdi, lajm monoton, madje shpesh edhe keqardhës. Ndaj policia ndërhyn duke prerë ujin si ushtarët e huaj në legjendat e Krujës, bën spektakle me media e mesazhe publike, por në fund, dorëzohet, duke i mbetur të bëjë bilancin e ndalimeve të radhës në kufijtë italianë apo grekë.
Një miku im më tregoi me dhimbje se zona e përshkruar më lart po e përjeton më keq dramën e madhe të krizës së tranzicionit, krizës së vlerave, të kulturës, identitetit dhe sjelljes në shoqëri. Nga ato pak familje të mbetura, në një moment konkurrence, njëra ka denoncuar mbledhjet e çuditshme të fqinjëve në polici. Furgonat erdhën dhe e prishën të gjithë prodhimin e stinës. Një vit më vonë pala e dëmtuar u hakmor duke denoncuar fqinjët e tjerë dhe skena u përsërit. Policia këtë herë prishi gjithë prodhimet e paligjshme të fshatit. Dhe kështu, ato pak familje të mbetura atje thellë në male janë në konflikt të ashpër midis tyre. Në kërkim të informatorit, të gjithë dyshojnë dhe akuzojnë njeri tjetrin, jetojnë pa komunikim dhe nën kërcënimin psikologjik të një konflikti që mund të nisë nga momenti në moment. As policia, as komunitetet fetare, as autoritetet lokale, as shtetarët apo zyrtarët e tjerë nuk përfshihen, – është çështje fshati, – thonë. Dhe fshati po zien nga etja për konflikt. Jo kundër ndonjë pushtuesi, jo si të parët e tyre kundër ushtrive të huaja, jo si baballarët e tyre kundër një regjimi mizor, por për një motiv absurd, një mall dhe një treg të paligjshëm që cenon ligjin, familjet, fëmijët, komunitetin, zonën, traditën, kushtetutën, shtetin dhe interesat publike. Pra, për një mall – simbol të antivlerës, krizës së thellë, dëshpërimit, etjes alarmante të fitimit dhe pasurimit të shpejtë!
Ky kontrast i thellë midis dy ose tre brezave, midis shqiptarëve të mirë e patriotë që ishin krenar ti shërbenin vendit dhe flamurit si dhe atyre që e kanë nder e krenari të fitojnë ca lekë përmes kanaleve kriminale dhe antiligjore, – përbën shenjën e një regresi të madh shoqëror, identitar, kulturor dhe social në vend. Nuk është një zonë, një fshat, ca shtëpi, por janë shumë zona, shumë fshatra e qytete, shumë shtëpi e banorë, kudo në vend, që etja për fitim me çdo kusht u ka errësuar shikimin dhe i ka drejtuar në një rrugë pa krye, me kosto të madhe dhe me dëm të madh për veten, familjen, komunitetin dhe vendin. Politika në Tiranë zien çdo ditë me batutat e radhës të politikanëve oligarkë që kanë humbur lidhjen me realitetin dhe mbijetojnë vetëm përmes një sistemi korruptiv përfaqësimi, kurse lajmet nga Lazaratet e Shqipërisë nuk bëhet asnjëherë pjesë prioritare e institucioneve, e agjendës politike, e programeve qeveritare apo e konsensusit politik për ligj dhe shtet. Ata tolerohen për sa kohë secila palë ka zonat e veta të dobëta, ka territore extra ligjore me imunitet politik që shërbejnë si hambar votash apo përfiton direkt/indirekt nga miliardat që prodhon bota e errët e anti-ligjit.
100 vjet më parë Hahn, Durham, Nopca, Lane e plot studiues e udhëtarë të tjerë të talentuar i këshillonin shqiptarët që krahas virtyteve pozitive të nderit, besimit, besës dhe moralit, të krijojnë dhe pranojnë konceptin e një shteti të organizuar, një sistemi më përfaqësues e më liberal, një bote më të hapur dhe më të zhvilluar. Pas një shekulli duket se ndodhemi në kah të kundërt, – pavarësisht kritikave e dobësive më shumë se formalisht e kemi shtetin, e kemi një sistem përfaqësimi, jemi hapur, kemi progres ekonomik, por na mungojnë vlerat morale e kulturore të besimit, nderit, moralit dhe besës në konceptin modern të tyre. Një çmim i lartë i sistemit dhe kohëve modern? Jo. Edhe vende të tjera e kanë kaluar dilemën dhe kontrastin midis këtyre dy etapave. Në dallim prej shumë prej tyre ne nuk e pranojmë dobësinë tonë, mësohemi me të, jetojmë me të, e kthejmë në normalitet dhe stimulojmë të shfaqemi diçka që nuk jemi, një identitet miks, një kulturë tranzicioni, shumë më larg pritshmërive, nevojave dhe sfidave që kemi si shtet e shoqëri.
Ringritja ekonomike është me rëndësi, ajo sociale kërkon financim dhe strukturë, ajo institucionale kërkon korrektim të ligjeve dhe sjelljes publike, por ringritja morale kërkon shumë më tepër sesa para, sesa reforma, sesa ligje, sesa retorikë politike apo përbetime të radhës. Ajo kërkon një mentalitet e kulturë të re, një vizion dhe vullnet ndryshimi rrënjësor dhe cilësor në shoqëri, pra në themelin e saj, në familje, tek shkolla, tek fëmijët, tek raporti i individit me shtetin e ligjin, tek raporti i Unit me Tjetrin, tek aftësia për të udhëhequr me mendjen e më të mençurve, tek kurajo për të sakrifikuar pushtet e karrierë në emër të një projekti afatgjatë ndryshimi të thellë shoqëror e shtetëror.
A jemi të përgatitur për këtë? Kam frikë se jo. A mund të bëjmë diçka për të fituar kohën e humbur? Po. Duke e vendosur veten përpara ligjit, dhe më pas duke krijuar standard për të gjithë, duke hequr dorë nga mitet dhe kultet e reja, duke ngritur në piedestal modelin e qytetarit që jeton me djersën e tij, paguan taksa, respekton ligjin, vendos mbi politikën dhe që fillon të mendojë si bashkështetasit e tij në Romë apo Paris, Berlin apo Varshavë. Shumë? Vlerat morale janë baza, janë sfidë dhe janë projekt për të cilin ia vlen sakrifica e më shumë se një brezi. Pa to nuk ka vlerë politika, pushteti, pasuria, kurse me to ne do të fillojmë të ndjehemi krenarë, do shpëtojmë të tashmen dhe do të mund ta bënim vendin një shtëpi më të ngrohtë, më të mirë, më humane dhe krenare për fëmijët tanë.