Ambasadori amerikan dhe ambasadori i BE: “Shqipëria Mundet!”
Editorial i Ambasadorit amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu, dhe i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, 19 shtator 2013
“Shqiptarët me të drejtë mund të jenë krenarë për zhvillimin e zgjedhjeve të tyre të fundit. Zgjedhjet i demonstruan jo vetëm popullit shqiptar, por edhe miqve të tyre në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, që këto ishin zgjedhjet e administruara në mënyrën më të suksesshme që Shqipëria ka zhvilluar deri më sot. Zgjedhjet treguan që shqiptarët janë të angazhuar në mënyrë aktive në procesin demokratik dhe demonstruan më shumë pjekuri demokratike. Por, zgjedhjet nuk janë një qëllim në vetvete. Shqiptarët, ashtu si qytetarët në të gjitha demokracitë, i zgjedhin udhëheqësit e tyre për t’i shërbyer interesit të njerëzve dhe për të punuar në emër të çdo qytetari. Shqiptarët morën pjesë masivisht në zgjedhje në qershor për përparim, për reforma, dhe për transformim. Tani, votuesit presin që qeveria dhe të gjitha partitë në parlament të punojnë për t’i kryer këto reforma dhe për të realizuar me shpejtësi dhe zell integrimin e Shqipërisë në BE dhe në bashkësinë euro-atlantike.
Rezultatet e arritura nga Shqipëria deri më sot kanë nevojë të konsolidohen nëpërmjet përpjekjesh të vazhdueshme për reforma dhe zbatimit konseguent. Ç’është më e rëndësishme, dialogu konstruktiv dhe bashkëpunimi duhet të bëhen tipare të rrënjosura të peisazhit politik të Shqipërisë. Kjo do të lejonte që reformat të vazhdonin në fusha që përbëjnë përparësi dhe do ta mbanin Shqipërinë në rrugën drejt BE-së. Shqipëria ka arritur shumë prej vitit 1992 dhe ka arsye për të qenë krenare për këtë. Megjithatë, ka shumë më tepër për t’u bërë në javët, muajt dhe vitet që vijnë:
Shqipëria mund të bëhet pjesë e BE-së. Kjo do të kërkojë përkushtimin për të miratuar dhe vënë në zbatim reforma kyçe, sidomos në fushën e shtetit ligjor. Do të kërkojë që Shqipëria të demonstrojë aftësinë dhe vullnetin e saj për të zbatuar ligjet anti-korrupsion dhe të rrisë transparencën, llogaridhënien, dhe efektshmërinë e sistemit gjyqësor të vendit, përfshirë këtu edhe kodin penal. Po ashtu, do të kërkojë përqendrim dhe vendosmëri për të trajtuar çështje të ndërlikuara të të drejtave të njeriut, përfshirë reformën e pronësisë.
Shqipëria mund të bëhet më e begatë dhe të përmirësojë standardin e jetesës për të gjithë qytetarët e saj. Nxisim me forcë qeverinë e re për të zbatuar dhe përforcuar praktikat që krijojnë një mjedis të ndershëm, transparent për biznesin dhe një fushë loje të barabartë për të gjithë investuesit. Investimet e brendshme dhe të huaja mund të jenë një shtytës domethënës i zhvillimit ekonomik në vitet që vijnë, por para së gjithash, investuesit kanë nevojë për një mjedis të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm, me qëllim që të krijojnë vende të mira pune dhe shanse për qytetarët shqiptarë.
Shqipëria mund të ketë një administratë publike që është e aftë, e qëndrueshme dhe profesionale dhe të iu jep shërbime cilësore qytetarëve.
Shqipëria mund të vazhdojë të luajë një rol të moderuar dhe konstruktiv në rajon. Shqipëria mund të vazhdojë të luajë një rol të moderuar dhe konstruktiv në rajon. Shqipëria mund të ndihmojë për t’u siguruar që shqiptarët kudo në rajon të luajnë role të plota, aktive dhe konstruktive si qytetarë të demokracive fqinje. Marrëveshja e kohëve të fundit midis Serbisë dhe Kosovës hap një epokë të re mundësish për bashkëpunim rajonal. Nëpërmjet reformash që do ta bënin Shqipërinë një aleate edhe më të fortë në NATO dhe kontribuese e sigurisë europiane, Shqipëria mund të shërbejë si shembull për të tjera vende të Ballkanit që aspirojnë anëtarësim.
Jemi të bindur që Shqipëria mund të arrijë përparim real drejt këtyre synimeve dhe të realizojë aspiratat e të gjithë qytetarëve të saj.
Shqipëria ka një mundësi për të ecur shpejt përpara dhe për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të begatë. Sfidat përpara mund të duken të frikshme, por besojmë që Shqipëria duhet ta rrokë këtë mundësi për të siguruar një të ardhme më të mirë për vendin. BE dhe Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta mbështesin Shqipërinë për të siguruar të ardhmen e saj si një shoqëri e drejtë, e ankoruar fort në BE dhe në bashkësinë euro-atlantike – vendi ku populli shqiptar do që të jetë dhe vendi të cilit i përkasin”.