Nishani në takimin e presidentëve të rajonit
Durrës, 17 shtator 2013
Takimi i 5-të Rajonal i Presidentëve, që mblodhi në Durrës Presidentët e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë ka përfunduar ditën e sotme.
Në mbyllje të samitit, tema kryesore e të cilit ishte bashkëpunimi rajonal dhe efikas mes 4 vendeve fqinje Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, presidenti Nishani, në rolin e mikpritësit vlerësoi rolin e këtij samiti në përforcimin e objektivit të përbashkët të këtyre vendeve, që është integrimi në BE si dhe përmirësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat mes tyre.
Nishani theksoi se është arritur të çrrënjoset mosbesimi, me këtë samit që sipas tij, “ka rol të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit mes vendeve”.
“U nënvizua më shumë dhe më fortë, mundësia e rrugëtimit të përbashkët të integrimit të BE. Integrimi në BE është dhe mbetet prioritet kryesor dhe ky rrugëtim i përbashkët do i bëjë proceset më efiçente”, – tha Nishani.