Në dhjetor Shqipëria do të marr statusin kandidat në BE
Bruksel, 17 shtator 2013
Statusi kandidat në BE për Shqipërinë duket se nuk do të presë më dhe një vit tjetër pas tre refuzimesh nga Komisioni Evropian. Premtimin për marrjen e statusit në dhjetor ia ka dhënë sot kryeministrit të ri Edi Rama, Presidenti i Komisionit Europian Manuel Barroso. Gjatë qëndrimit dyditor në Bruksel Rama u prit sot nga Barroso dhe pas takimit ata të dy dhanë një konferencë të përbashkët, ku Barroso kërkoi përshpejtimin e reformave.
Zyrtari i lartë Brukselit theksoi se Komisioni Europian pret nga politika shqiptare bashkëpunim, dialog, konsensus. Barroso vlerësoi mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit në Shqipëri, ndërsa drejtoi apelet për Shqipërinë.
“Në përgjithësi Shqipëria mund të marrë statusin në muajin dhjetor. E ardhmja e Shqipërisë është në BE. Shqipëria është e përkushtuar për të përmbushur statusin e vendit kandidat. Me kryeministrin Rama diskutuam të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, theksoi Barroso.
“Zjedhjet shkuan vërtet mirë, shkuan në mënyrën më të mirë të mundshme. Eshtë shumë e nevojshme përkushtimi i shqiptarëve gjithashtu dhe dialogu është shumë i rëndësishëm për suksesin e Shqipërisë, gjithashtu është e nevojshme një bashkëpunim i përbashkët, përkushtimi në disa çështje kryesore: Bashkëpunimi mes opozitës dhe mazhorancës. Por ka dhe një cështje që kërkon një vëmendje të veçantë, nuk ka kohë për të humbur reformat duhet të vazhdojnë, dhe rezultatet e tyre të ndihen tek qytetarët shqiptarë”, tha Barroso.
Po kështu, Barroso theksoi se kriter për integrimin në BE është dhe përmirësimi i ekonomisë, dhe se ‘Komisioni evropian mendon se kjo është një çështje e rëndësishme e historike e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e BE-së”.
Kryeministri i vendit Edi Rama tha se statusi kandidat është i mundur dhe qeveria do të bëjë më të mirën edhe me mbështetjen e KE-së, por dhe suportin e opozitës shqiptare.
“Procesi i integrimit nuk po fillon tani, por ka një kohë të gjatë që ka filluar, ne duhet të bëjmë punën tonë dhe objektivat tona janë të arritshme, dhe kemi besim se do arrijmë objektivat tona. Ne besojmë se duhet të punojmë fort për të arritur qëllimin tonë. Do të negociojmë dhe jemi të bindur se vendi jonë do të arrijë një nivel të ri. Ne do të bëjmë më të mirën me mbështetjen e KE-së, por dhe suportin e opozitës dhe Shqipërisë dhe shpresojmë të dëgjojmë lajmet të mira”, u shpreh Rama