Shteti që punoi kundër publikes

Fjala e Ben Blushit në Kuvend, 15 shtator 2013

Ka disa mënyra për të parë të ardhmen. Njëra është pa dyshim të shohësh më shumë në të shkuarën. Por e shkuara, ajo që ka ikur, e që nuk kthehet më, e ka vështrimin e kufizuar. Ajo na thotë vetëm se çfarë nuk duhet të bësh, por nuk të thotë se çfarë duhet të bësh dhe, nëse e shkuara ka shumë defekte, ky është një defekt pozitiv. Ajo ndihmon shumicën e njerëzve të kujdesshëm të jetojnë mirë, por i mban guximtarët gjithnjë të shqetësuar dhe plot pikëpyetje.

Unë e di që sot shumica e shqiptarëve jetojnë më mirë që pushteti u ndryshua, por më të ndjeshmit prej tyre janë në ankth. Ky quhet ankthi i së ardhmes. Apo nevoja për ta njohur atë sa më shpejt.

Edhe ne kemi sot përfitimet e njohura nga e shkuara. Para 100 vjetëve, ne shqiptarëve na kanë thënë se nuk kemi ditur të bëjmë shtet. Unë do thosha se ne nuk kemi ditur asnjë ditë të kemi një shtet që punon për publikun. Për atë që është e përbashkët. Për atë që na takon të gjithëve, pa përjashtim, pa dallim dhe pa përzgjedhje. Në 50 vjet, ne kishim një shtet që e konsideronte çdo gjë publike, pra të përbashkët, por që i shpërndante përfitimet e kësaj kooperative me farmaci, madje me mizori. Në 20 vjet kaluam në të kundërtën, gjë në disa raste ishte dhe mbetet edhe më mizore.

Shteti ynë punoi çdo ditë kundër publikes dhe vetëm, vetëm për privaten. Në këta 20 vjet, ajo që u shkatërrua ishte ajo që ishte e përbashkët. Privatja rrënoi publiken, e përbashkëta humbi garën me të përveçmen. Kështu u ndërtua kapitalizmi ynë amator dhe mizor. Ky kapitalizëm tipikisht joeuropian u ushqye nga qeveritë tona. Kufijtë e tij ishin dhe mbeten mungesa e kufijve. Ai është përgjegjës, sepse nga Shqipëria kanë emigruar 1 milion nga tre milion njerëz. Padurimi i tij i ka kushtuar vendit qindra-mijëra vende pune, kaq shumë korrupsion dhe kaq shumë injorancë dhe mjerim. Ky kapitalizëm pa rregulla vret çdo ditë policinë, dhunon mësuesit, korrupton mjekët, kërcënon gjyqtarët dhe i ul kurrizin shtetit. Shteti është ai që dhunohet çdo ditë pa fund dhe pa frikë. Në cilin vend të kontinentit tonë shteti është kaq i dobët?

Shteti është pasuria më e madhe që kemi, sepse deri më sot është instrumenti më i fortë që njeriu ka krijuar për t’u mbrojtur nga njeriu.

Unë do doja që sot të votoja, jo për t’i dhënë fund një qeverie, por për t’i dhënë fund një kulture. Kulturës që shënjoi shoqërinë tonë në gjithë këto vite. Një kulturë, sipas së cilës, individi dominon shoqërinë dhe jo e kundërta. Unë jam për shoqërinë e individëve të barabartë në të drejta, por të ndryshëm në pasuri. Ne kemi sot një shoqëri të pabarabartë në të drejta dhe të deformuar në pasuri. Ky polarizim është një sëmundje që e kemi krijuar vetë dhe na takon ta shërojmë vetë. Hapin e parë e kemi bërë duke votuar, por ky është vetëm hapi i parë. Prandaj do t’i kërkoja kësaj qeverie të forconte dhe të mbronte të drejtën publike në Shqipëri. Kjo do ishte një kthesë, sepse miqtë e mi, ne sot nuk kemi nevojë për një rrugë. Ne kemi nevojë për një kthesë. Ky është rasti kur duhet të kthehesh që të mos rrëzohesh.

Janë disa gjëra që do t’i kërkoja kësaj qeverie;

– Së pari, të mos marrë më borxh në emrin tonë. Jam kundër marrjes së borxheve për të larë borxhet. Shqipëria nuk i paguan dot borxhet e veta dhe ky është një fakt. Mund ta lajmë borxhin duke administruar më mirë pasuritë tona, sesa duke marrë borxhe të reja. Dhe unë besoj se Shqipëria mund të jetojë pa marrë borxh të ekzagjeruar sepse, megjithëse është një vend i vogël, mbetet një vend i pasur për popullsinë që i duhet të ushqejë. Prandaj, them se qeveria duhet t’i administrojë vetë pasuritë e mbetura dhe deri diku të mjaftueshme. Naftën, energjinë, ujërat, detin, diellin, malet dhe mineralet e saj.

– Së dyti, do t’i kërkoja të mbronte atë që është dhe duhet të jetë e përbashkët. Unë pyes sot: pse atë që administron një privat nuk e administron dot një shoqëri? Çfarë kuptimi ka të zgjedhësh një qeveri, nëse ajo e delegon të drejtën për të administruar pasuritë, pronat, shkollat, spitalet, transportin, madje edhe policimin dhe ndoshta një ditë edhe gjykatat? Cili është kufiri mes asaj që është publike dhe asaj që duhet të kthehet në private? Është thjesht dhe vetëm rentabiliteti? Jo! Kurrsesi jo! Rentabiliteti nuk prevalon mbi të drejtën e publikut për të përfituar nga pasuritë dhe pronat e veta. Mungesa e rentabilitetit të një sektori ekonomik nuk është faliment i sektorit, por i atyre që janë caktuar ta administrojnë atë. Nëse rentabiliteti do ishte arsyeja për të kaluar një pasuri publike në duar private, atëherë për logjikë duhej të privatizonim edhe qeveritë e Shqipërisë, sepse 1 milion emigrantë në 20 vjet dhe një milion të papunë në 10 vjet tregojnë se qeveritë tona s’kanë qenë asnjë ditë rentabël. Nëse i hyjmë debatit se çfarë duhet të jetë private dhe çfarë publike, atëherë më të guximshmit do thoshin se për sa kohë që shkollat dhe spitalet janë private, pse të mos jetë edhe ushtria private. Edhe ushtria nuk është rentabël, por ajo s’mund të jetë kurrë private, apo jo? Për ta theksuar këtë pikë, dua të them se nuk kam ardhur në këtë Parlament të mbroj një qeveri, kam ardhur të mbroj të përbashkëtën nga e përveçmja, të mbroj solidaritetin nga mizoria dhe interesin shtetëror nga interesi privat. Në këta 20 vjet, ne e kemi forcuar demokracinë tonë me liri, por e kemi nënshtruar me ekonomi dhe tani është koha për ta ndryshuar këtë drejtim punësh. Çdo qeveri ka arsye të vogla administrimi, për të cilat kritikohet çdo ditë, por çdo qeveri duhet të ketë qëllime të mëdha strategjike për të cilat gjykohet në kohë.

– Prandaj së treti, do t’i kërkoja ta kthente arsimin në një qëllim strategjik. E kemi pyetur veten çfarë do jetë Shqipëria pas 10 apo 20 vitesh me këtë nivel arsimi që ka? Unë po ju them që do jetë një vend jo vetëm i konkurrueshëm nga fqinjët e vet, por i dominuar prej tyre kulturalisht dhe jo vetëm ekonomikisht, siç është sot. A i keni bërë pyetjen vetes pse nuk ka investime shqiptare në Turqi, në Greqi për të mos thënë në Irlandë apo në Suedi? Jua them unë. Jo për shkak të parave, por për shkak të dijeve. Dijet shtojnë paratë, por paratë nuk i shtojnë dot dijet. Nëse një fëmijë maqedonas, serb, grek apo turk sot edukohet më mirë se një shqiptar në dhjetë vitet e ardhshme, çfarë të ardhme do ketë vendi ynë? Dhe historia e botës tregon se jo kombet më të pasura, por ato më të diturat kanë ecur përpara. Jam i bindur, pra, se investimi strategjik duhet të jetë arsimi, si e vetmja mundësi për të dalë nga mjerimi dhe varfëria. Jam përpjekur si të gjithë ju të lexoj votën e 23 qershorit. Për çfarë votuan shqiptaret më 23 qershor? Unë besoj se ata votuan për t’u mbrojtur. Për të mbrojtur shkollat, spitalet, rrugët, ujërat, pyjet, mineralet dhe diellin e tyre nga privatizimi. Ky ishte drejtimi që kishte marrë vendi deri më 23 qershor. Shqiptarët votuan për të mbrojtur pasuritë e tyre. Dhe ne që u ngarkuam, duhet ta dimë që deri tani kemi mundur Partinë Demokratike, por nuk kemi fituar mbi varfërinë. Ne kemi mundur të djathtën, por nuk kemi fituar mbi pabarazinë. Ne kemi mundur Sali Berishën, por nuk kemi fituar mbi autokracinë. Koha që kemi përpara është e mjaftueshme për të qeverisur, por është shumë e shkurtër për të fituar.

Miqtë e mi, Një qeveri të mirë nga një qeveri e keqe e dallojnë tri gjëra; Kriticizmi, realizimi dhe idealizmi.

Një qeveri e keqe nuk bën asnjërën nga këto, siç e kemi parë. Ajo ka vetëm një tipar: e gjen gjithmonë fajin jashtë saj. Një qeveri e mirë sipas meje duhet të jetë kritike me të shkuarën, realiste me të tashmen dhe idealiste me të ardhmen. Pra, ajo duhet të jetë kritike me masë, realiste me gjasë dhe idealiste pa masë. Unë e di që qeveria që kemi sot, do jetë kritike me të shkuarën, do e ndihmoja të ishte realiste me të tashmen dhe do lutesha të ishte idealiste me të ardhmen. Shqipëria ka nevojë për një qeveri, e cila në radhë të parë u nënshtrohet ideve të veta. Një qeveri, e cila ka autonominë e duhur për të mbrojtur interesat publike mbi gjithçka. Dhe autonomia e bën një qeveri të ndjeshme dhe anëtarët e saj të vlefshëm. Siç dihet, ata kanë vendosur me vullnet të lirë të lënë mandatet e tyre dhe kjo çështje mbetet ende e diskutueshme: Duhej apo nuk duhej? Është shpejt për të thënë nëse zhveshja nga mandatet e deputetit do t’i bëjë ministrat më autonomë dhe më të ndjeshëm, por ajo që mund të thuhet sot, është se kjo nismë e diskutueshme nuk është diskutuar dhe prandaj është edhe më e diskutueshme. Nuk ka asnjë vendim partiak apo kushtetues që u heq ministrave mandatin. E them këtë për shkak se besoj se një shoqëri e bazuar në ligj funksionon kur çdo reformë kthehet në normë. Asnjë reformë nuk ka fuqinë dhe mbështetjen e duhur për sa kohë që nuk kthehet në rregull dhe në ligj përmes një procesi kolegjial. Fryma voluntariste ka provuar se e shtyn një varkë mbi dallgë, por nuk e çon dot në bregun tjetër. Prandaj është dita të pyes a do kthehet në normë kushtetuese raporti i ministrit me mandatin e vet? A do ketë në fund të fundit një reforme kushtetuese të plote? A do e zgjedhin shqiptarët Presidentin e tyre nga populli? Kur do ketë një reformë territoriale të shpejtë që na ul kostot e komunave kërpudhë të bashkive anemike dhe miniqarqeve parazite? A do ketë një reformë në sistemin gjyqësor? A do e mbrojë Kushtetuta demokracinë nga uria e partive politike, siç nuk ka ndodhur? Unë jam i bindur që do ketë tentativë dhe dua të besoj se do ketë një reforme kushtetuese dhe kjo është gjëja e fundit që i kërkoj kësaj qeverie.

Në fund nuk mund të rri pa thënë se qeveria ka një fat të madh dhe një avantazh akoma më të madh. Fati i saj është që ka përballë një opozitë të dobët. Kur e them këtë, kam parasysh një gjë që të mirëkuptohem. Opozita është e dobët, sepse nuk është e bashkuar rreth një ideje, por vetëm rreth një njeriu. Por, nga ana tjetër, qeveria ka një avantazh që do t’i kompensojë çdo dobësi: ajo ngrihet mbi një grup parlamentar burrash dhe grash që kanë ardhur deri këtu për një arsye tjetër: ata nuk janë të bashkuar rreth një njeriu, por rreth një ideje. Ata i bashkon nevoja për të bërë ato që kanë premtuar dhe për të premtuar ato që deri më sot nuk janë bërë. Ky Grup Parlamentar do jetë suksesi i vërtetë i këtij katërvjeçari. Ai do ta ruajë qeverinë e vet nga çdo ndalesë, duke e shtyrë në rrugën e të vërtetës dhe parimeve për të cilat jemi këtu. Sepse, në fund të fundit e vërteta dhe vetëm e vërteta është rruga, qëllimi dhe mjeti.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi