Ekonomistët modernë – çfarë po kërkohet prej tyre?
Nga Prof. Dr. Adrian Civici, botuar në Mapo Online, 14 shtator 2013
Debatet mbi rolin dhe kontributin e ekonomistëve në shoqëri bëhen çdo ditë e më evidente. Pikëpyetjet mbi utilitetin social e politik Çfarë ekonomistësh na duhen? Çfarë njohurish janë të nevojshme për të formuar një ekonomist? Çfarë problemesh duhet të zgjidhin? Si ta vlerësojmë cilësinë e tyre? Të gjitha këto pyetje e pikëpyetje nuk janë thjesht shqetësime intelektuale apo akademike mbi thelbin dhe rolin e ekonomistit, por reflektojnë një kohë të re sfidash përballë ekonomistëve, në mënyrë që ata ta “justifikojnë” veten përballë asaj çka pritet prej tyre sot. Thellimi i globalizimit dhe kërkesat e pasojat e tij mbi zhvillimin ekonomiko-social të vendeve të ndryshme kanë nxjerrë dukshëm në evidencë dhe dilemën e madhe: A i përgjigjen dot ekonomistët me formim “tradicional” sfidave të reja? Deri në çfarë pike duhen marrë në konsideratë analizat dhe rekomandimet e tyre? A përgatitin universitetet llojin e duhur të ekonomistit, apo duhet pritur një kohë e gjatë mbas “diplomimit” që ata të “axhustohen” me realitetet e reja?. Sipas B.Salanie, i Columbia University, “shoqëria e sotme pret nga ekonomistët që ata jo vetëm të shpjegojnë se çfarë ka ndodhur, por mbi të gjitha, të bëjnë propozime konkrete për zgjidhjen e problemeve konkrete të shoqërisë, të tilla si papunësia, pagat dhe pensionet e ulëta, çmimet e larta, shërbimet cilësore, rritjen e fuqisë blerëse, kreditë me interes të favorshëm, klimë miqësore shtet-biznes etj.”.
Tri portretet apo profilet e ekonomistëve
Profili dhe përmbajtja e re që kërkohet për ekonomistët po analizohet mbështetur në ato që quhen “tre portretet apo figurat e ekonomistëve”.
Figura e parë është ajo e një ekonomisti teoricien që nëpërmjet matematikës, statistikës apo ekonometrisë tenton që çdo gjë ta “formalizojë në një ekuacion apo formulë të përgjithshme me spektër të gjerë dhe të pakufizuar në kohë e hapësirë”. Por, megjithë sukseset e ekonomistëve neo-klasikë, të cilët e ngritën në art një profil të tillë ekonomisti, ekziston një bindje e gjerë se kjo mënyrë veprimi për të ndërtuar hipoteza të përgjithshme përmban në vetvete mjaft subjektivitet, aq më tepër që ekonomia si shkencë nuk është e ngjashme me shkencat ekzakte si kimia, fizika,etj. Mjafton që për të njëjtin fenomen ekonomik të shtosh disa elementë në model apo të ndryshosh serinë kohore dhe menjëherë gjendesh përballë një tendence tjetër të formalizuar matematikisht.
Profili i dytë i ekonomistëve u konsolidua në vitet ‘60 të shek.XX, të cilët prodhuan “makroekonominë e aplikuar e tipit keynesian”, që bashkonte modelet ekonometrike me politikat ekonomike. Por, mbas 20-30 vite ekzistence në podiumet e mendimit dhe politikave ekonomike, zhvillimet ekonomiko-sociale në vitet ‘80-‘90 filluan të evidentojnë një sërë anomalish. Kritika dhe rezervat u fokusuan në “vlerën dhe besueshmërinë e parashikimeve afat-mesme dhe afat-gjatë” të ecurisë së fenomeneve të tilla si papunësia, rritja apo rënia ekonomike, inflacioni, përqindjet e këmbimit të monedhave, ekuilibrat dhe dizekuilibrat strukturorë, lidhjet shkak-pasojë ndërmjet konsumit dhe investimeve,etj. Politikat ekonomike nuk ndjeheshin të sigurta në objektivat dhe instrumentet kryesore të tyre duke u mbështetur vetëm në seritë tendenciale makroekonomike.
Profili i tretë i takon 15 viteve të fundit të shek.XX-të. Ai e cilëson ekonomistin si “një inxhinier social të politikave ekonomike”. Detyra bazë e tij është orientimi sa më i saktë i mjeteve dhe instrumenteve që disponojnë autoritetet publike drejt realizimit të disa objektivave themelore në dobi të gjithë komunitetit : stimulimi i rritjes ekonomike, nivelit të lartë të punësimit, lufta kundër inflacionit, ekuilibri i tregtisë së jashtme, rritja e fuqisë blerëse, stabiliteti i skemave të pensioneve dhe mbrojtjes sociale, cilësia e shërbimeve publike, etj. Ky evolucion u cilësua si trilogjia : “të parashikosh, të veprosh, të garantosh”, dhe u duk se më në fund ekonomistët “e gjetën veten dhe u bënë aq të rëndësishëm sa pretendonin se ishin në shoqëri dhe politikë”.
Por vitet 2000 dhe fillimi i shek.XXI-të dëshmuan për disa kufizime të kësaj trilogjie. Kur vinte fjala për politikat ekonomike, ekonomistët rezultonin të ndarë dhe të fragmentuar: keynesianë, monetaristë, neoklasikë, institucionalistë, regulacionistë, shumpeter-ianë, liberalë të shkollës austriake, post-marksistë, neokeynesianistë etj. Zgjedhja e politikave ekonomike, larg të qenit rezultat i njohurive shkencore dhe kërkimit bazë, varej ndjeshëm nga koalicionet dhe ekuilibrat politikë të pushtetit dhe vetë politikës. Kjo i dha fund dhe konceptit të neutralitetit të ekonomistit si “zëdhënës i njohurive dhe koncepteve shkencore”, e bëri ekonomistin palë me politikën dhe për pasojë e relativizoi shumë atë dhe politikat ekonomike të propozuara e mbrojtura prej tij. Ekonomistët u vendosën nën çadrën e politikës dhe në shërbim të saj, ndërkohë që opinioni publik dhe ekspertët e fushës mendojnë se duhet të jetë e kundërta, “duhet të jetë politika ajo që duhet t’i marrë referencat bazë nga ekonomia dhe ekonomistët”. Sot kërkohet një profil dhe figurë e re ekonomistësh, të cilët në përmbajtjen dhe veprimin e tyre t’i përgjigjen stadit dhe problemeve të reja me të cilat po përballen shtete, kontinente apo vetë bota në tërësi. Shekulli i XXI-të ka filluar “punën” edhe për profilizimin e një figure të re ekonomistësh duke evidentuar disa nga tiparet dhe cilësitë kryesore në figurën e ekonomistit modern që po modelohet dhe prodhohet universitetet më bashkëkohore në këtë drejtim.
Së pari, ekonomistët duhet të jenë të aftë “jo vetëm ta evidentojnë fenomenin, por në radhë të parë ta kuptojnë në thelbin e tij dhe të propozojnë konkretisht mjetet dhe mënyrat për transformimin e tij”. Në vend që të merren pafund me modele e vërtetime teorike, ata “duhet të preokupohen me problemet më shqetësuese aktuale si papunësia, destabiliteti financiar, varfëria dhe mos-zhvillimi, zgjidhja e problemeve të ushqimit dhe energjisë”, problemet e cilësisë së jetës, etj.
Së dyti, ekonomistët modernë duhet të “bëhen dishepujt e shpërndarjes së koncepteve dhe praktikave të asaj që cilësohet si shoqëri e qëndrueshme”, që garanton lirinë individuale, drejtësinë sociale dhe respektin për natyrën dhe mjedisin në përgjithësi. Ekonomistët duhet të profilizohen në një rol të ri, në atë të “reformatorit social” duke kërkuar një impakt gjithnjë e më të madh në organizimin e shoqërisë. Kërkimet e fundit në fushën e “Ekonomisë historike” të shoqëruar me një interes gjithnjë në rritje të shoqërisë për rolin dhe rekomandimet e tyre, po hap perspektivën e riintegrimit të ekonomisë në shkencat sociale. Edhe vetë ajo që quhet “ekonomia eksperimentale” po kërkon gjithnjë e më tepër hapësira të reja për të shpjeguar sjelljen e individëve apo grupeve, hapësira që duhet të jenë shumë më te gjera se ato të konturuara dhe propozuara deri tani nga “homo oeconomicus”.
Së treti, ekonomistët duhet të fillojnë “të shkrihen” më shumë me shkencat dhe disiplinat e tjera. Ekonomisti modern duhet të formohet me njohuri më komplekse duke synuar në përgatitjen dhe diplomimin e “ekonomistëve mjedisorë”,“ekonomistëve të informacionit”, “ekonomistëve të shëndetësisë”, “ekonomistëve të arsimit”, “ekonomistëve financiarë”, “ekonomistëve të teknologjive të reja”, “ekonomistëve informaticienë”, “ekonomistëve të zhvillimit”, “ekonomistëve të transportit”, “ekonomistëve urbanë”, “ekonomistëve të shërbimeve”, “ekonomistëve të turizmit”, “ekonomistëve të territorit”, “ekonomistëve juristë”,etj. Në këtë mënyrë ekonomistët mund të kontribuojnë realisht dhe konkretisht në zhvillimin dhe eficencën e shoqërisë në përgjithësi dhe sektorëve të saj në veçanti.
Së katërti, ekonomistët duhet “të kenë këndvështrim e formim sa më global e ndërkombëtar”. Ata duhet të jenë në gjendje të njohin dhe të përballen me debatet dhe sfidat që vijnë si pasojë e fenomenit të ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike, emigracionit ndërkombëtar, gjeopolitikës së naftës në veçanti dhe energjisë në përgjithësi, aksesit në burimet dhe lëndët e para jetësore si uji, tokat bujqësore, pyjet, ajri, mineralet e ndryshme,etj., problemet e ushqimit dhe varfërisë në botë, rolit dhe ndikimit të institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare si FMN, OBT, Banka Botërore, FAO, etj., në ekonomitë lokale e rajonale, rolit të ideologjive, fesë dhe ndryshimeve të civilizimeve në zhvillimin dhe kontradiktat e botës, krizat financiare dhe roli i tyre mbi vende e popuj të ndryshëm, efektet e teknikave dhe teknologjive të reja si nanoteknologjitë, organizmat gjenetikisht të modifikueshme,ndikimin por dhe oportunitetet që po prodhon zhvillimi shumë i shpejtë i Kinës, Indisë, Brazilit, Rusisë, Meksikës, Afrikës së Jugut etj. Zgjerimi i fenomenit të globalizimit po e bën përditë e më të qartë për të gjithë se “gjithnjë e më pak problemet janë lokale apo nacionale…ato po bëhen përditë e më tepër ndërkombëtare”.
Ekonomistë të “majtë” apo të “djathtë” ?
Në mjaft raste është bërë e modës që disa ekonomistë të vishen me petk e terminologji politike dhe të deklarohen publikisht si “të majtë”, “të qendrës” apo “të djathtë”. Në shumë vende të botës emisionet televizive të formatit debat apo analizë, ekonomistët e ftuar ndahen në studio në “të majtë e të djathtë”, në diskutime të përditshme dëgjohet rëndom se “vetëm ekonomistët e djathtë janë liberalë”,etj. Nëse kjo është gjendja e vërtetë e shkencës ekonomike dhe vetë ekonomistëve atëherë kambanat e rrezikut për këtë profesion duhet të binin pa pushim. Ç’farë shkence do të pretendonte se ishte ekonomia nëse ekonomistët do të ishin kaq shumë të diferencuar dhe kaq shumë të lidhur e ngjyrosur me ngjyra apo kostume politike? Besueshmëria e interpretimeve apo konkluzioneve të tyre cenohet jo pak si pasojë e pozicionit politik apo aksionit qeveritar që duhet të mbrojnë apo kritikojnë “për arsye, interesa dhe solidariteti politik”.
Në të gjithë departamentet apo fakultetet prestigjioze të ekonomisë, ekonomistët nuk ndahen në bazë të preferencave të tyre politike, por vetëm mbi bazën e specializimit të tyre shkencor. Janë ekonomistët “teorikë” që zhvillojnë e aplikojnë modele të ndryshme, si për shembull “teorinë e lojës”, për të studiuar lidhjet ndërmjet aktorëve ekonomikë; janë ekonomistët “empirikë” që punojnë kryesisht mbi bazën e analizës së të dhënave statistikore dhe analizojnë probleme specifike si për shembull efektet e reformave strukturore mbi ofertën e punës, apo efektet e politikës monetare mbi kreditë dhe interesat, etj.; janë ekonometristë që përpunojnë metodologjitë statistikore për analizën e të dhënave; janë makroekonomistët që studiojnë ciklin e rritjes ekonomike dhe fazat e tij; janë ekonomistët financiarë që kanë në fokus studimin dhe sjelljen e tregjeve dhe institucioneve financiare; ekonomistët eksperimentalë që verifikojnë në laboratorë masivë sjelljen dhe konkluzionet e modeleve teorike,etj. Shkollat dhe nuancimet e shkencës ekonomike janë të shumta e të larmishme.
Shkenca ekonomike ka evoluar e vazhdon të evoluojë nëpërmjet kombinimit të kërkuesve që zbulojnë e propozojnë teori të reja dhe atyre që bëjnë verifikimin empirik e shpesh dhe eksperimental të këtyre teorive. Kështu veprohet në ekonomi, kështu veprohet në të gjitha shkencat. Ekonomistët profesionistë janë të prirur të analizojnë dhe kuptojnë fenomenet ekonomike nëpërmjet instrumenteve matematikore, statistikore e logjike që ata kanë zhvilluar prej vitesh dhe jo t’i shohin ato me lente politike. P.sh., në fushën e makroekonomisë, në të cilën gjatë viteve 1970-80 debatohej ashpër ndërmjet keynsianistëve dhe monetaristëve, dukej sikur realiteti ekonomik e financiar ishte i dubluar dhe një palë syze shikonin gjysmën e tij, ndërkohë që syzet e tjera shihnin vetëm gjysmën tjetër, sot diferencat janë minimizuar dhe lidhen kryesisht me aspektet teknike të modeleve që ata përdorin. Politikat me frymëzim keynesianist të viteve 1950-60 u anatemuan jo pak gjatë periudhës monetariste të viteve ‘80-‘90 të shek.XX, duke u quajtur si politika tipike të majta, ndërkohë që gjithë partitë e djathta në pushtet në Europë apo në botë aplikuan recetat keynesianiste për të stopuar dhe dalë nga kriza financiare në vitet 2008-2012.
A ka një marrëveshje të plotë për të gjitha çështjet? Natyrisht që jo, sepse ekziston një debat shkencor që vazhdimisht evoluon në vlerësimin dhe interpretimin e realitetit ekonomik. Gjatë krizës financiare globale të viteve 2008-2012, ekonomistët u rreshtuan në pozicione të ndryshme kur ishte fjala për shpjegimin e shkaqeve, efekteve apo politikave për eliminimin e pasojave të saj, siç është p.sh., debati ndërmjet P.Krugman, Xh. Soros, A. Grinspeen, B.Bernanke, J.C.Trichet, G.Tremonti, T.Geithner, D.Rodrik, J.Sachs, J.Stiglitz, N.Roubini, O.Blanchard etj. Ky debat shkencor nuk është pasojë e pozicionimeve të tyre politike si ekonomistë të majtë apo të djathtë, por pasojë e vështirësisë së shkencës ekonomike që të zbulojë gjithë të vërtetën mbi krizën
Ekonomistë ortodoksë apo heterodoksë?
Në ekonomi ekzistojnë shkolla mendimi e korrente të ndryshme të atashuara me teori të veçanta, të cilat në mjaft raste janë të ndryshme dhe antagoniste me njëra-tjetrën. Mosmarrëveshjet kryesore dhe debatet zhvillohen për çështje thelbësore që fillojnë nga origjina e vlerës dhe fitimit, roli i kërkesës apo i ofertës në ekonomi, shkalla e racionalitetit të agjentëve ekonomikë, formimi i përqindjeve të interesit, roli dhe funksionet e parasë, efektet e krijimit monetar, rolin e shtetit në ekonomi, funksionet e tregut, etj. Të gjitha këto shkolla mund të ndahen e klasifikohen në dy kategori të mëdha: kategoria e ekonomistëve ortodoksë dhe ekonomistëve heterodoksë.
Nga pikëpamja shkencore, koncepti “ortodoksi” shfaqet kur një teori apo paradigmë zë një pjesë dominuese në nivel institucional duke minimizuar teoritë apo paradigmat e tjera. Në sferën e ekonomisë, është e vështirë t’i ndash me thikë ekonomistët ortodoksë nga ata heterodoksë, aq më tepër që në mjaft raste, këto terma përdoren për qëllime polemizuese. Partizanët e një teorie dominuese e përdorin ortodoksinë si “argument të autoritetit” dhe faktit se ata janë të mbështetur dhe vlerësuar nga shumica dërrmuese e komunitetit të ekonomistëve, ndërkohë që të tjerët e kritikojnë dhe i shmangen ortodoksisë për të evidentuar “origjinalitetin” e tyre dhe për ta justifikuar me konformizmin faktin se kanë mbështetës të paktë. Megjithatë, çdo teori e re ekonomike shfaqet si heterodokse, sepse ajo nuk mund të integrohet menjëherë në paradigmën dominuese. Vetëm mbas një periudhe kohore, ku ajo do të jetë pjesë e debatit dhe kritikës shkencor, mund të thuhet nëse është teori ortodokse (koherente me paradigmën qendrore) apo heterodokse (e kundërshton atë, jep një shpjegim të ndryshëm).
Grupi i ekonomistëve ortodoksë është më prezenti dhe më i madhi në komunitetin e ekonomistëve, është grupi që dominon mendimin dhe teoritë ekonomike, që mësohet në shumicën dërrmuese të universiteteve të botës, që dominon në debatin ekonomik me argumentet dhe përfaqësuesit e tij. Themelet e këtij grupi ngrihen mbi dy teoritë kryesore të ekonomisë: 1) teorinë neoklasike, të lindur në fund të shek.XIX, por që gjatë gjithë shek.XX përbënte teorinë dominuese e tërësisë së teorive ortodokse që mbështetet në dy koncepte bazë, si “utiliteti marxhinal” dhe “rendimentet rënëse”; 2) teorinë neokeynesianiste, objektivi final i së cilës është realizimi i një sinteze ndërmjet neoklasikëve dhe ideve të J.M.Keynesit apo shkollës keynesianiste. Megjithëse kjo shkollë ndryshon në shumë elemente dhe arsyetime nga shkolla neoklasike, ajo ruan një pjesë të hipotezave dhe metodologjisë së saj, duke bërë që këto dy shkolla të ndërtojnë së bashku një bazë teorike të liberalizmit politik e ekonomik.
Sot është bërë e modës që ekonomistë të vishen politikisht dhe të deklarohen publikisht si “të majtë”, “të qendrës” apo “të djathtë”. Por, çfarë shkence do pretendonte se ishte ekonomia nëse ekonomistët do të ishin shumë të diferencuar dhe kaq shumë të lidhur e ngjyrosur me kostume politike? Besueshmëria e interpretimeve apo konkluzioneve të tyre cenohet jo pak si pasojë e pozicionit politik apo aksionit qeveritar që duhet të mbrojnë apo kritikojnë “për arsye, interesa dhe solidaritet politik”.
Në vija të përgjithshme, në këtë grup futen ekonomistët që aderojnë në disa hipoteza apo metoda të mikroekonomisë standarde të teorisë neoklasike, si dhe teorive derivate të saj si : 1)agjentët ekonomikë, prodhuesit dhe konsumatorët sillen në mënyrë racionale duke maksimizuar vlerën e funksionit të utilitetit, që është hipoteza bazë e “teorisë së zgjedhjes racionale”; 2)metoda më e aplikueshme në ekonomi, ashtu si edhe në gjithë shkencat e tjera, është “metoda hipotetiko-deduktive”; 3)instrumenti më i preferuar i analizës dhe arsyetimit është “modelimi matematik” i sjelljes së agjentëve ekonomik dhe tregjeve; interesimi kryesor fokusohet tek “studimi i ekuilibrave”, të konsideruar si situata optimale; 4)teknikat statistikore dhe ekonometria përdoren gjerësisht për të analizuar të dhënat e vrojtimeve; 5)logjika e tregut, tregtisë dhe konkurrencës së lirë janë dominuese; 6)ndërhyrja e shtetit është e nevojshme vetëm për të rregulluar funksionimin e tregut të lirë dhe eliminuar defektet dhe devijimet e tij.
Ndërkohë, ekzistojnë korrente apo shkolla të tjera të mendimit ekonomik që janë kundër ekonomistëve ortodoksë, që formon atë që cilësohet si “mendimi ekonomik heterodoks”. Pika e përbashkët e ekonomistëve të këtij grupi është “kundërshtimi i mendimit ortodoks”, çka e bën këtë një grup heterogjen. Brenda tyre evidentohen disa grupime apo tendenca : 1) shkolla post-keynesianiste, e mbështetur në teorinë e Keynesit, shkollë që përbën korrentin kryesor kundër mendimit ortodoks.; 2) teoria e rregullimit, që u shfaq në fund të viteve 1970-të, që kishte si synim shpjegimin e diferencave ndërmjet krizës së depresionit të madh të viteve 1929-33 dhe krizës së viteve 70-të në vendet e OCDE-së të karakterizuar nga papunësia dhe stagflacioni. Kjo teori shpjegon fazat që ka kaluar kapitalizmi dhe karakteristikat e tyre; 3)alterglobalistët, të cilët, përballë logjikës së “globalizmit liberal”, vendosin vlera si “demokracia”, “drejtësia ekonomike”, “mbrojtja e mjedisit”, “drejtësia sociale” etj. Slogani i tyre i preferuar : “bota nuk është mall, një botë tjetër është e mundshme”.
Ekonomistët heterodoksë e refuzojnë kontributin e teorisë neoklasike duke nënvizuar se është abuzive të pretendosh se këto teori shpjegojnë drejt realitetin ekonomik, sepse jo vetëm që hipotezat e tyre janë larg realitetit, por, parashikimet dhe modelimet e tyre nuk janë aspak të vlefshme në raport me këtë realitet. Sipas tyre, “teoria neoklasike është vërtet një teori shkencore, por ajo është shumë abstrakte për të kuptuar dhe shpjeguar realitetin ekonomik…se ekonomistët e kësaj shkolle janë të paaftë të shpjegojnë krizat ekonomike e financiare…se ekonomia neoklasike është më shumë një “dogmë fetare” se sa një shkencë..se ajo thjesht justifikon liberalizmin dhe mbron kapitalizmin…se ajo nuk pranon analizat sociologjike, psikologjike, antropologjike e historike për të kuptuar faktet ekonomike, se jeta dhe veprimtaria ekonomike nuk mund të matematizohet tërësisht etj.
Shoqëria e sotme pret nga ekonomistët që ata jo vetëm të shpjegojnë se çfarë ka ndodhur, por mbi të gjitha, të bëjnë propozime konkrete për zgjidhjen e problemeve konkrete të shoqërisë të tilla si papunësia, pagat dhe pensionet e ulëta, çmimet e larta, shërbimet cilësore, rritjen e fuqisë blerëse, kreditë me interes të favorshëm, klimë miqësore shtet-biznes etj