Me ç’kryeqytet e krahasojnë këta Tiranën?
Nga Lavdosh Ferruni, botuar në Dita, 9 shtator 2013
Vendimmarrja e ngritjes së një qyteti tjetër brenda qytetit të Tiranës, zbatimi i së cilës filloi dje me Bulevardin e ri është gabim historik që e çon vendin në një rrugë pa krye e duhet anuluar nesër.
Asnjë nga ideatorët apo klientët e ngjeshjes së Tiranës me ndërtime në kufij të skajshëm nuk mund ta trajtojnë territorin e Tiranës totalisht të shkëputur nga zhvillimi i pjesës tjetër të vendit. Këtu fillon gabimi më i madh zhvillimor , por dhe ligjor. Sipas ligjit për planifikimin e territorit një plan rregullues i kryeqytetit të vendit duhet të ketë një vlerësim strategjik mjedisor e social (VSM), ku argumentimi i impaktit të planit rregullues në pjesë të tjera të territorit të vendit është detyrim. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë rresht të VSM-së për planin rregullues të Tiranës, miratuar tinëzisht në prag- krishtlindje të vitit të kaluar.
Edhe në fjalimet apo komentet e Bashës apo Berishës me rastin e fillimit të zbatimit të planit të Bulevardit të ri, flitet vetëm për Tiranën “evropiane”. Nuk dihet me ç’kryeqytet të Evropës e krahasojnë këta Tiranën, ku në 0.15% të territorit të vendit jeton 25 % e popullsisë e që plani Berisha-Basha e çon në 30%, duke përqendruar kështu në përmasa edhe më të mëdha në këtë hapësirë resurset financiare e humane të gjithë vendit, që në planin afatgjatë prodhon inefiçence ekonomike shoqëruar me probleme të mëdha sociale, si dhe duke shtuar ndotjen e ajrit (sot është në kufirin e ajrit të rrezikshëm për jetën) në nivelet e qytetit të pabanueshëm .
Në qytetet evropiane standardi i dendësisë për km2 është 3-4 mijë banorë për km2. Tirana ka sot 15,000 banorë për km2 dhe me Planin Rregullues të Tiranës, që parashikon të ndërtojë pallate për të strehuar dhe 400,000 banorë të tjerë arrin në nivelin 25,000 banorë për km2, që mund ta klasifikoj të parin kryeqytet në botë për nga treguesi i dendësisë së popullsisë. Kjo politikë urbane për Tiranën jo vetëm që asfikson Tiranën, por atrofizon dhe Shqipërinë. Jehona e mijëra të punësuarve të rinj në Tiranë si rrjedhojë e 20 katshve që klientët e ndërtimit presin të fillojnë të ndërtojnë edhe pse mijëra apartamente janë të pashituara do të krijojë një valë të re të të ç’vendosurve nga rajone të tjera të vendit, duke krijuar bathore të reja përqark Tiranës së madhe.
Banorë nga rajone të tjera të vendit, duke parë oportunitete punësimi në Tiranë nga Plani Rregullues, filluar me ndërtimin në Bulevardin e ri të Tiranës dhe mungesë oportunitetesh në vendbanimet aktuale, shoqëruar me politika të tjera favorizuese për banorët e Tiranës, si ajo e kredive me interesa të ulëta për të rinjtë në kryeqytet, apo çiftet e reja që vendosen në kryeqytet etj., nuk do hezitojnë të braktisin territoret e tyre. Joshja me punësime masive në Tiranë në këtë periudhë krize mund të prodhoj edhe efekte më të forta negative.
Praktikat botërore, por dhe në Shqipëri në këto 20 vite tregojnë se për të ardhurit në qendrat e mëdha urbane nuk ka më kthim prapa e si rrjedhojë do të lindin bathore të reja. Mund të ndodhë që për një pjesë oportunitetet e krijuara të bëhen realitet, por ajo që është e sigurt në planin afatgjatë është që papunësia do shtohet, balancat e zhvillimit do çakordohen dhe zhvillimi kaotik do të mbetet. Rezultantja e pritshme është një Shqipëri e tkurrur në fukarallëkun permanent në një Tiranë të ndotur.
Tash është mundësia për tu ulur seriozisht në tavolinë dhe për të hartuar Planin e Përgjithshëm Kombëtar, për të siguruar dhe një konsensus të gjerë e që më në fund anija Shqiptare të ketë një busull. Pasi ky plan të përfundoj, po me konsensus të gjerë duhet futur punës për planin rregullues të Tiranës. Deri sa të arrihet në këtë fazë asnjëri nuk do kundërshtonte sikur në vend të bulevardit të ri të ndërtohej një park i ri.