Abuzimi me fondet nga bashkitë dhe komunat

Edlira Shehu, botuar në Dita, 14 shtator 2013

Pushteti vendor është një nga hallkat që i ka kushtuar shumë buxhetit të vitit të kaluar në mos realizimin e të ardhurave. Por jo vetëm kaq, por drejtuesit vendor kanë abuzuar me fondet publike, raste të cilat Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka çuar në prokurori për hetim të mëtejshëm. Por cilat janë bashkitë që kanë abuzuar më shumë me fondet publike? Sipas një studimi më të detajuar të “Open Data Albania”, duke marrë në shqyrtim të dhënat zyrtare të auditit të KLSH-së, ka kategorizuar bashkitë dhe komunat që kanë abuzuar më shumë me fondet publike. Në total, u audituan 36 bashki dhe 18 komuna, të cilat kanë shkaktuar një dëm rreth 401 milionë lekë. Pjesa më e madhe e dëmit të evidentuar i përket dy sektorëve kryesor: prokurimeve, ku spikat dëmi i shkaktuar nga Bashkia Pogradec, Komuna Qukës Librazhd, Bashkia Korçë e Komuna Bërzhitë Tiranë dhe dëmit në sektorin e urbanistikës, ku mund të përmenden Bashkia Sarandë, Bashkia Pogradec, Bashkia Rrëshen e Bashkia Shkodër. Këta sektorë, të dy së bashku, shpjegojnë rreth 66 për qind të dëmit nga pushteti vendor, ndërkohë që dëmi i tyre përkatësisht ishte: në prokurime rreth 142.3 milionë, ndërsa në urbanistikë ai arriti në rreth 124 milionë lekë. Nga 54 njësi të audituara, vetëm në 10 prej tyre apo 18 për qind nuk është gjetur dëm ekonomik në sektorin e prokurimeve. Sektorë të tjerë me vlera relativisht të larta renditen edhe “shitja dhe qiradhënia e pasurisë publike” me rreth 50.7 milionë lekë dhe “shpenzimet operative” me 35.4 milionë.
Rekordmenët

Në këto të dhëna zyrtare për Njësitë e Qeverisjes Qendrore  në vend të parë renditet Bashkia Sarandë me 70 milionë lekë apo 17.5 për qind të gjithë dëmit të evidentuar për bashkitë e komunat për vitin 2012. Ajo është gjithashtu bashkia me dëmin më të lartë ekonomik në sektorin e urbanistikës, pasi ka shkaktuar gati gjysmën e dëmit total të tij. Menjëherë pas saj renditet Bashkia Pogradec, me 46.4 milionë lekë, e cila ka qenë edhe bashkia me dëmin më të lartë në fushën e prokurimeve, që shkoi rreth 20 milionë lekë, por pa anashkaluar edhe dëmin në urbanistikë me 13.3 milionë lekë. Në vend të tretë është Bashkia Korçë, me 31.3 milionë lekë, ku pjesa më e madhe e dëmit është në fushën e prokurimeve me 17.6 milionë lekë. Pas saj vjen Bashkia Laç, dëmi i së cilës totalizon 30.4 milionë lekë, ku 92 për qind e tij apo rreth 28 milionë lekë i përkasin dëmit në sektorin e “qiradhënies dhe shitjes së pasurisë publike”. Lista vijon me Bashkinë Himarë, e cila shënon dëm në nivelin 29.5 milionë lekë, i shtrirë kryesisht në tre sektorë: shpenzime operative (10.45 milionë), prokurime (8.1 milionë) dhe urbanistikë (6.5 milionë). Këto 5 bashki të marra së bashku kanë shkaktuar më shumë se 50 për qind të dëmit total nga pushteti vendor për vitin 2012. Ndërkohë, njësi të tjera të qeverisjes vendore, me dëm të lartë ekonomik për periudhën dhe institucionet e audituara janë,  Komuna Qukës Librazhd, me 18.8 milionë lekë, dëm thuajse i gjithi në sektorin e prokurimeve; Komuna Bërzhit Tiranë, me 17.28 milionë lekë, sërish me mbi 78 për qind të dëmit në sektorin e prokurimeve; Bashkia Rrëshen, me 17.76 milionë lekë, ku bie në sy dëmi shumë i lartë në urbanistikë (11.6 milionë lekë) dhe Bashkia Lezhë, me 13.8 milionë lekë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi