Për hapësirën arsimore Shqipëri – Kosovë
Nga Pëllumb Karameta, botuar në Shqip, 12 shtator 2013
Argumenti i shkrimit u kushtohet përmasave të cunguara të hapësirës arsimore Shqipëri-Kosovë. Në vijim zhvillohet ideja rreth kuptimit të kësaj hapësire, e cila mendoj se përfshin si përmasën njohëse (njohjen e thelluar respektive) dhe atë afektive (marrëdhëniet, qëndrimet, vlerat dhe përvojat).
Retrospektivë: Më në fund, 5 vjet pas riardhjes së Berishës në pushtet, hyri në fuqi marrëveshja ndërmjet qeverive të dy vendeve për bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe të shkencës. Të 14 nenet e marrëveshjes (e njëjtë me marrëveshjet tip të nënshkruar me çdo vend tjetër) formatuan një pikturë foshnjore të kësaj hapësire. Kështu, p.sh., palët, ndër të tjera, ranë dakord që të ofronin së paku nga 10 bursa në vit(!). Një vit më pas, S. Berisha konturonte të ardhmen: “Duhet të bëjmë përpjekje që ta zhvillojmë arsimin me sa më shumë standarde të njëjta”. Ndërsa në janarin e këtij viti, zëvendësi i tij, M. Tafaj, nën efektin e ngacmimeve të fushatës elektorale, i mbante avazin: “Pas abetares mbarë kombëtare, shumë shpejt do të kemi edhe librin e historisë shqiptare dhe atë të gjuhës shqipe, që do të jenë të njëjtë për Shqipërinë, Kosovën dhe Luginën e Preshevës. Javën tjetër do të kemi një grup nga Kosova, i cili do të jetë i ftuar posaçërisht, për të diskutuar për ngritjen e komisionit, për tekstet e gjuhës dhe të historisë. Bëhet fjalë për tekste të përbashkëta për të filluar me sistemin 9-vjeçar dhe pastaj me shkollën e mesme” (AS, 09/01/ 2011). Dhe për t’i bërë më të besueshme deklaratat, një këshilltar i tij ofronte detaje: “Midis ministrive tona të Arsimit ka një marrëveshje për bashkëpunim, me qëllim kalimin në kurrikula të përbashkëta në vijimësi. Ne jemi në fazën e bashkëpunimit, ndërsa brenda kësaj jave do t’i dërgojmë ministrisë së Kosovës draftin e kurrikulës për klasat nga I-IX. Këtu përfshihet korniza kurrikulare, plani mësimor, standardet e të nxënit dhe programet mësimore. Pasi të kemi dërguar draftin, do të takohemi në një tryezë të përbashkët për të arritur në konkluzionet përfundimtare. Kështu, pas abetares së përbashkët, detyra e dytë është realizimi i teksteve të përbashkëta, të gjuhës shqipe dhe historisë” (Gazeta “Shqip”, 11/01/2013). Klima elektorale vërtet mundësoi ndonjë takim, megjithatë, deri tani, të njësuara mbetën vetëm abetarja dhe buzëqeshjet ministrore.
Gjendja. Ajo është produkt i reformave arsimore, zbatuar në dy anët e kufirit. Edhe pse Berisha miklonte opinionin publik për “sa më shumë standarde të njëjta”, me ligjin e ri për arsimin parauniversitar në Shqipëri, struktura 5+4+3 ndryshoi në 6+3+3 vjet, ndërsa Kosova ruajti strukturën e mëparshme 5+4+3 vjet. Ndryshimet strukturore u pasuan me ndryshime në kurrikula. Kurrikula jonë, p.sh., koncepton fushën e gjuhës shqipe dhe letërsisë veçmas nga fusha e gjuhëve të huaja, ndërsa ajo e Kosovës shtjellon fushën e gjuhëve dhe komunikimit, që integron dy fushat. Kurrikula shqiptare nuk konsideron fushën “jeta dhe puna”, e dyta nuk konsideron fushën “aftësimi teknologjik” etj. Kurrikula jonë vetëm sa i pohon 8 kompetenca kyçe, kurrikula e Kosovës do të zhvillohet tërësisht mbi 6 të tilla. Kurrikula jonë po shtjellohet deri në nivelin 2 të SNKA, ajo e Kosovës deri në nivelin 3 të SNKA. Kurrikula e Kosovës përshkruan 6 shkallët e kurrikulës; kurrikula shqiptare nuk e konsideron këtë aspekt etj. Edhe më specifikisht, standardet e Berishës i pengojnë, më së pari e mbi të gjitha, referencat epistemologjike dhe logjikat kurrikulare të ndryshme që janë përdorur për hartimin e kurrikulave respektive. Kurrikula jonë, e reformuar me bekimin e ekspertit të arsimit, z. M. Tafaj, ka përdorur logjikën tradicionale të pedagogjisë me objektiva që i referohet biheviorizmit tradicional. Kurrikula e Kosovës u referohet teorive socio-konstruktiviste të njohjes, ndërsa për hartimin e programeve arsimore do të përdoret logjika e kompetencave, për çfarë z. E. Hoxhaj, ministër i Arsimit, deklaron: “Kalimi nga kurrikula e bazuar në përmbajtje në një kurrikulë që bazohet në kompetenca, synon sigurimin e një autonomie të shtuar të shkollës, ngritjen e llogaridhënies në nivel shkolle drejt mobilizimit të potencialit të rinisë kosovare, që me sukses të konkurrojë në tregun e punës, si në vend ashtu dhe jashtë vendit”. Më tej, korniza përcakton: “Në përputhje me qëllimet e arsimit kosovar, kompetencat kryesore të parapara për sistemin e arsimit parauniversitar në Republikën e Kosovës përcaktohen nga kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit; e të menduarit; e të mësuarit; ajo për jetë, për punë dhe për mjedisin; kompetenca personale dhe ajo qytetare”. Të paktën teorikisht, kjo logjikë konceptimi është në rrjedhën e zhvillimeve bashkëkohore. Që e konceptojnë kurrikulën si frymë, si proces dhe produkt, si entitet elastik që integron fushat e interesit të nxënësve me nxëniet në situatat e kuptueshme. Trajtimi i të cilave nxit e zhvillon burimet vetjake të nxënësve, ndërsa dijet e librave shkollorë dhe ndërveprimet me mjedisin konceptohen si mjete për ndërtimin e njohurive të reja dhe zhvillimin e kompetencave, ndryshe mendimin e pavarur, nismën, vetëbesimin, vetëshprehjen, bashkëpunimin me të tjerët, shpirtin sipërmarrës etj.
E ardhmja. Përtej kontekstit të ngushtë (kontekstet shoqërore dhe etike, veprimtaritë e rastësishme arsimore si konferenca, simpoziume etj.), është e nevojshme që për hapësirën arsimore të zhvillojmë një kuptim më të zgjeruar. Kuptim që të përfshijë aspektet kulturore, emancipuese, pjesëmarrëse, komunikuese etj. Këtu do të përfshija dhe përpjekjet për të zhvilluar më tej mundësitë dhe kapacitetet respektive, në kuadrin e reformave që sigurojnë zhvillimet e qëndrueshme në lëmenjtë e kësaj hapësire. Kështu, nuk ka pse strukturat e sistemeve parauniversitare të jenë të ndryshme. Shqipëria do të mund të përfitojë jo pak nga mënyra se si është konceptuar në Kosovë kurrikula e arsimit parauniversitar. Ndërsa Kosova mund të përfitojë nga përvojat tona të mira në fusha të caktuara.
Përmasa të tjera të kësaj hapësire mund të jenë, gjithashtu, financimi nga qeveritë tona i programeve të përbashkëta, objektivat e të cilave t’i kushtohen zgjerimit dhe përsosjes së përmasave të ndryshme. Në kontekstin e programeve, institucionet dhe punonjësit e praktikës arsimore mund të zhvillojnë së bashku projekte dhe risi që u shërbejnë përmirësimit të cilësisë së arsimit, mbështetjes së lëvizshmërisë më të mirë të nxënësve / studentëve dhe mësuesve / pedagogëve; ndihmës për të fituar njohjen e kualifikimeve dhe të programeve të studimit; që promovojnë bashkëpunimin e thelluar mes institucioneve arsimore, shkëmbimin e informacionit dhe përvojës për probleme të përbashkëta arsimore; që promovojnë programe shkëmbimi për studentët dhe punonjësit arsimorë; që nxitin aksesin në arsim dhe në studimet me kohë të pjesshme etj., etj.
Kur flitet për hapësirën arsimore, vlen vetëm produkti. Deklaratat si ato të Berishës, për sa më shumë standarde të njëjta, mbetën në kufijtë e retorikës boshe.