Model britanik i qeverisjes në Shqipërinë e nesërme?

Nga Prof. Dr. Romeo Gurakuqi, botuar në Panorama Online, 13 shtator 2013

Fjalimi i Kryeministrit të zgjedhur Edi Rama në Parlament në datën 11 shtator 2013, përbën një ligjërim politik që tregon një angazhim serioz në rrugën e rindërtimit të shtetit, ligjit, rendit dhe europianizimit të njëmendtë të Shqipërisë. Është një premtim për qeverisje europianiste, të përgjegjshme dhe të shpjegueshme. Ai fjalim është në vazhdën e disa të tillave të spikatura të Kryeministrit të ri, dhe në këtë kontekst mund të them se në kujtesën time është fjalimi më i mirë, më i qartë, më i artikuluar i mbajtur nga një kryeministër shqiptar në një promovim Parlamenti në 22 vite. Është fjalim idealist i një europianisti të bindur, që jep shpresë për të ndërtuar një realitet të ri.

I ndërgjegjshëm për gjendjen e rënduar dhe të mjeruar në të cilën gjendet Cilësia e Shtetit, për mjerimin e mijëra shqiptarëve të varfër, për jetët e familjeve shqiptare të rrezikuara nga kriza, krimi dhe korrupsioni, dhe për Cilësinë e Lirisë, ai premtoi një angazhim për rivendosjen e garantimin e lirisë e mbrojtjen e pacenueshmërinë e jetës, barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit, duke filluar nga vetvetja. Fjalimi është i mbushur mjaftueshëm me parimet me pararojë të një qeverisjeje të mirëfilltë demokratike. Vendosja e parimeve të spikatura të demokracisë më të hershme të epokës moderne dhe bashkëkohore, asaj britanike, në themel të sjelljes së ardhshme qeveritare, si dhe kopjimi i përshtatshëm i disa strukturave funksionale të administratës së këtij shteti të madh, avangardë e eficiencës, është një sinjal shpresëdhënes për shqiptaret që qeveria e re nuk do të jetë më arkaike, ballkanike dhe me sjellje prej dallkaukësh orientalë e të paqytetëruar, por do të jetë një qeveri bashkëkohore, e denjë për Shqipërinë e nesërme; është një sinjal se administrata ardhshme do të jetë e bazuar mbi profesionalizmin, e jo militantizmin e në respektimin e ligjit.

Por, nga ana tjetër, angazhimi për mospunësim të militantëve në administratë, frenimi i revanshit dhe sidomos distancimi me krimin, mendoj se mund të bëheshin më qartë e prerë dhe të artikuluara në program në mënyrë të njësuar në të gjitha segmentet e qeverisjes së nesërme. Prezantimi është një përpjekje ideale për korrigjim të çdo gjëje që është bërë e shtrembëruar në raport me praktiken e përparuar, në qeverisjet pararendëse, por vërejmë me keqardhje që krahas kësaj mungon vëmendja për disa arritje të rëndësishme të qeverisjes së djeshme, në aspektin zhvillimor infrastruktural, të progresit material në përgjithësi, të disa reformave të qenësishme në fushën e arsimit dhe në zhvillimin e një legjislacioni modern.

Fjalimit në tërësi i mungon skema dhe idetë e reformës konstitucionale që do të duhet të përbëjnë fillesën e gjithçkaje për një republikë ndryshe, dhe skema e reformave institucionale, administrative dhe e sistemit zgjedhor; i mungon, angazhimi i qartësuar për një përfshirje të të gjitha segmenteve kulturore të shqiptarëve dhe shtetasve të Republikës në qeverisje; i mungon skema plotësuese e balancimit të administrimit, garantimit të profesionistëve të administratës dhe njerëzve të ndershëm dhe të aftë në punët e shtetit; i mungon fjalia e Kërkimit të Faljes për krimet e djeshme të PPSH (pararendëse e PSSH), angazhimi serioz për të persekutuarit politikë dhe nisma për hapjen e dosjeve të diktaturës, për mbajtësit e posteve publike dhe administrative dhe njohjen e të vërtetave të krimeve të djeshme, si dhe një skemë për dekomunistizimin e Shqipërisë, proces ende i pakryer nga ndërthurja e komunistëve në të gjitha partitë politike shqiptare.

Fjalimi ishte një përpjekje modeste për njohjen e respektimin e rolit të opozitës në standardet moderne, për të njohur zhvillimin e vendit, por edhe për të vështruar realitetin e hidhur në të cilin ndodhemi, me cilësinë e lirisë dhe të shtetit të së drejtës, por që nuk u artikulua mirë me krahasimet e papërshtatshme të 22 marsit 1992 me 23 qershorin 2013. 23 qershori është një ngjarje shumë komplekse, origjina e së cilës, në segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare, ka prejardhje të ndryshme, që varion nga dëshira për më shumë liri, prosperitet dhe ndryshim cilësor në shtetdrejtim, deri te dhuna, frikësimet e përdorura nga segmente të caktuara të ish-opozitës (sot pozitë), ndaj njerëzve të thjeshtë dhe qytetarit normal, për të realizuar këtë objektiv politik.

Unë e kuptoj se Kryeministri i ri i Shqipërisë e ka të qartë se fitorja e koalicionit të tij në segmente të caktuara të Shqipërisë ka ardhur nga shkaqe të ndryshme dhe jo uniforme, por nuk e kuptoj pse zoti Kryeministër, për hir të parimeve mbi të cilat e ka ndërtuar programin e fjalimin dhe konceptuar të ardhmen e sistemit që do të krijojë, nuk distancohet dhe nuk angazhohet të distancohet nga ato shfaqje shformuese të demokracisë sonë të brishtë zgjedhore. Më duhet të përsëris se cilësia e rezultatit të 23 qershorit ndryshon nga qendra e Tiranës dhe e qyteteve të tjera të mëdha, në suborget e varfra të Shqipërisë Veriperëndimore, dhe disa pikave të Shqipërisë Qendrore, ku u përdor dhuna dhe paraja e paqartë, e derdhur sheshit dhe hapur.

Pikërisht mosreagimi ndaj këtij fakti të hidhur që e ka njollosur pastërtinë e procesit zgjedhor shqiptar, e zbeh dhe e kontraston sinqeritetin, idealizmin dhe vendosmërinë e tij, aq të domosdoshëm për një Shqipëri ndryshe: serioze, me liri dhe shtet të stabilizuar dhe me ekonomi të rimëkëmbur nga informalizmi. Qartësisht Kryeministri i ri nuk e përmend mënyrën jolegjitime që ia ka shkallmuar pastërtinë e fitores së koalicionit të tij në rastin e procesit në Shqipërinë Veriperëndimore. Atij, mendoj unë, do t’i duhet ta trajtojë me qetësi, maturi e korrigjojë me shpejtësi bazamentin e sjelljes së pushtetit të sotëm (opozitës së djeshme) atje, duke rivendosur bashkëpunimin me organet e zgjedhura të opozitës (ish-pozitës) në atë krahinë (instituti i kundërfirmës së autoriteteve regjionale për emërimet nomenklaturë centrale), me bashkësitë, me forcat intelektuale, duke shtrirë kontrollin e territorit, nëpërmjet organeve të shtetit dhe ligjit.

E gjitha kjo duke mbajtur parasysh kompozimin kulturor e krahinor, të cilin, fatkeqësisht, e ka harruar plotësisht në formimin e qeverisë që ai do të drejtojë nesër. Fjalimi përmban mjaftueshëm nota përvuajtëse, përgjegjshmërie e thjeshtësie ndaj publikut, të kujdesit sidomos ndaj opozitës dhe mendimit ndryshe. Pra pikërisht ato nota që i kanë munguar politikës shqiptare deri më sot dhe sidomos sjelljeve kryeministrore. Por duke ia përmendur thyerjet e rënda të sjelljes parlamentare dhe ekzekutive ishpozitës së djeshme, Kryeministri i ri bëri gabimin e “provokimit” të mendjeve të gatshme për t’u ngacmuar, që prisnin me padurim si dhuratë pretekstin për bojkot. Mjeshtrit e bojkotit do të duhej ta parandalonin atë që ndodhi, mbasi është një fenomen i njohur dhe i përsëritur nga të dyja krahët e politikës shqiptare në historinë e pluralizmit post-komunist të Shqipërisë.

Gjithsesi, në Shqipërinë e vitit 2013 çdo bojkot është i pajustifikuar dhe përsëritja e skenave të vjetra, të djeshme dhe të pardjeshme, është tashmë një tragjikomedi e trishtë për t’u duruar edhe më tutje në shoqërinë tonë politike dhe për zemrat e stërmunduara të qytetarëve të thjeshtë shqiptarë. Kjo ripërsëritje është tashmë po aq e panevojshme dhe e dëmshme, sa edhe vendosja në qeverinë e re e disa prej figurave me prejardhje nga ish-nomenklatura e KQ të PPSH, ashtu si edhe në krye të institucioneve e disa personazheve të mirënjohura të botës së sforcove politike e fizike dhe e korrupsionit të ministrive më të përfolura të periudhës së shkuar. Kryeministri i ri mendoj se e ka të qartë se qeveria e tij do të ndeshet patjetër me vështirësinë e ngjizjes në linjën e së mirës publike të segmenteve të ndryshme politike të koalicionit të konsideruar fitues, ose thanun ndryshe, do të përballet njëlloj si më përpara me atë që në teorinë politike njihet si principal- agency problem i një qeverisjeje.

Ky ka qenë historikisht problemi më i rëndë i qeverisjeve në Shqipëri, përfshirë edhe atë të fundit, që u fundos nga keqmenaxhimi i këtij problemi brenda koalicionit dhe sidomos kalimi i gjithë kostos nga LSI te PD-ja në tre muajt e fundit. Në qoftë se Republika nuk do t’i nënshtrohet një reforme të studiuar konsitucionale dhe institucionale me konsensus të gjerë, Principal agency problem (ngjizja në linjën e së mirës publike të segmenteve të qeverisë) do të jetë një fenomen që do ta shoqërojë edhe qeverisjen e ardhshme, për shkak të ndërhyrjes së interesave familjare brenda partive, interesave të atyre dhjetëra biznesmenëve që partitë kandiduan dhe i bënë fitimtarë në zgjedhjet e 23 qershorit dhe ndihmëtarëve të tyre të padukshëm të prapaskenës.

Pavarësisht kësaj, shqiptarët kanë një shans tjetër në histori për të bërë më të mirën që mund të bëjnë si popull europian, në një vend të ndërlikuar, në periferi të kontinentit. Kopja e ofruar si model është më e mira që unë njoh, mbasi është krijuar në Veriperëndimin e Europës. Mirëpo gjithmonë midis asaj çfarë është thënë dhe asaj çfarë është bërë, historikisht ka ekzistuar një hendek i pakalueshëm. Shpresojmë se këtë radhë shqiptarët do të ndërtojnë një shtet për të gjithë qytetarët, një shtet që nuk persekuton askënd dhe kujtohet për të gjithë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi