Ligji i Nëpunësit civil: të shtyhet apo të ndryshohet ?

Nga Gjon Ndreja, botuar në Mapo Online, 12 shtator 2013

Të gjithë jemi në dijeni se ligji i ri i Nëpunësit civil është miratuar nën një trysni të pazakontë politike dhe nuk i është nënshtruar procedurave të diskutimit në komisionet parlamentare dhe me grupet e interesit. Për interesa të caktuara politike, ai u miratua me shpejtësi “në minutën e fundit” dhe si i tillë përmban gabime të rëndësishme në disa prej dispozitave të tij, si dhe në afatet për implementim. Për rrjedhojë, fillimi i implementimit të tij në datën e caktuar është pothuajse i pamundur. Ekspertë të administratës publike janë përfshirë në diskutime dhe janë ndarë në disa kategori. Disa mendojnë se ligji duhet të fillojë të zbatohet, ndërkohë që të tjerë mendojnë se duhet të shtyhet fillimi i zbatimit të tij, ashtu siç ka edhe mjaft syresh që mendojnë se ligji ka nevojë të amendohet në disa pjesë të tij.  Këndvështrimi im në lidhje me këtë diskutim, rrjedhojë edhe e filozofisë së re qeverisëse, konsiston në nevojën e ligjit për t’u amenduar në disa dispozita, si dhe në shtyrjen e zbatimit të tij për një kohë të përshtatshme.

            Hyrja në fuqi e ligjit duhet të shtyhet

Janë rreth 30 nene ose rreth 43 për qind e ligjit, zbatimi i të cilave bëhet i mundur vetëm me nxjerrjen e akteve nënligjore që janë vendime të Këshillit të Ministrave dhe që parashikohet të nxirren në rastin më të mirë deri në fund të vitit 2013. Qeveria e re është përfshirë në një seri ndryshimesh strukturore të administratës publike, gjë e cila e vështirëson adresimin e përgjegjësive për nxjerrjen e këtyre akteve. Nga ana tjetër, periudha deri në fund të vitit që parashikon nxjerrjen e akteve ligjore, do të thotë në fakt që ligji nuk do të jetë në fuqi realisht dhe nuk mund të bëhet asnjë veprim për menaxhimin e shërbimit civil që përfshin rekrutimin e nëpunësve të rinj, transferimin, lëvizjen paralele etj. Kjo është një pengesë serioze e mazhorancës së re qeverisëse për ristrukturimin e administratës publike bazuar në filozofinë e re qeverisëse.

Ligji duhet të shtyhet edhe për faktin se implementimi i tij kërkon krijimin e një seri instrumentesh, organizimesh dhe procedurash, të cilat praktikisht nuk mund të kompletohen deri më 1 Tetor, kohë në të cilën është parashikuar hyrja në fuqi e këtij ligji. Kështu, ligji parashikon krijimin e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, e cila duhet të drejtohet nga një Këshill Drejtues i zgjedhur sipas disa procedurave që kërkojnë angazhime të posaçme dhe kohë fizike. Nga ana tjetër, ligji e ka kufizuar pranimin e nëpunësve civilë të nivelit të lartë e të mesëm drejtues vetëm për ata që kanë kaluar nëpërmjet Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, që do të thotë se nëpunës të tillë duhet të kalojnë fillimisht procedurat e konkurrimit për pranim dhe pastaj të kryejnë programin e formimit të thelluar. Kështu, nëpunës të tillë llogaritet se mund të pranohen vetëm nga fundi i vitit të ardhshëm në administratën publike.

Që ligji të mund të jetë efektiv duhet të ngrihen edhe struktura, të tilla si Komisioni Kombëtar i Përzgjedhjes dhe Komiteti i Përhershëm i Pranimit. Po kështu edhe Komisioneri i Shërbimit Civil është një institucion tjetër i ri, i cili parashikohet të zgjidhet nga Kuvendi në përputhje me procedura të caktuara. Por që të gjitha kërkojnë kohë fizike të konsiderueshme derisa të mund të vihen në eficencë.

Funksionimi i gjykatës administrative është një pengesë tjetër serioze që dikton nevojën e shtyrjes së hyrjes në fuqi të këtij ligji. Siç dihet për shumë arsye, mes të cilave edhe emërimi i gjykatësve dhe i kolegjit përkatës në Gjykatën e Lartë, ashtu si edhe nxjerrja e akteve nënligjore nga KLD, kjo gjykatë nuk ka filluar të funksionojë, ndërkohë që Komisioni i Shërbimit Civil pushon së funksionuari më datë 1 Tetor. Në këto rrethana, nëpunësit civilë nuk mund të ushtrojnë të drejtat e tyre të ankimimit përkundrejt vendimeve të menaxherëve të tyre.

Nxitimi për të kapur afatet e ngushta, druaj se do të krijojë probleme të mëdha në menaxhimin e shërbimit civil, i cili ka impakte të drejtpërdrejta në realizimin e objektivave dhe të politikave qeverisëse.

Ligji duhet të amendohet

Në tërësi, ligji i Nëpunësit civil sido që i miratuar me shpejtësi, është një ligj i standardeve bashkëkohore. Ligji ia ka dalë që të sigurojë zbatimin e parimeve të tilla si merita, paanësia politike, transparenca dhe qëndrueshmëria në detyrë e nëpunësit civil. Instrumentet dhe organizmat e parashikuara në ligj, janë një garanci për realizimin e këtyre parimeve. Por ashtu, siç kemi vërejtur edhe më herët, dispozita të veçanta kanë nevojë të rishikohen në mënyrë që ligji i ri të mos bëhet një shtrat i ngrohtë për të ligjëruar parregullsitë dhe kundraligjshmëritë e deritanishme. Nga ana tjetër, mazhoranca e re qeverisëse po vjen në pushtet me një filozofi të re dhe me një program të qartë në lidhje me administratën publike, gjë e cila duhet të reflektohet në ligj, përndryshe këto do të mbeten vetëm një slogan.

Programi elektoral i PS, tashmë i unifikuar me koalicionin fitues, parashikon krijimin e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Njerëzore me një status më të avancuar se DAP ekzistues, për të menaxhuar burimet njerëzore si një aset me vlerë për çdo qeverisje.

Ligji duhet të amendohet për t’iu përshtatur strukturës së re qeverisëse. Krijimi i Ministrisë së Inovacionit dhe Administratës Publike kërkon që DAP dhe strukturat që menaxhojnë shërbimin civil të vihen nën autoritetin e kësaj ministrie. Ndërkohë ligji parashikon shprehimisht vartësinë e  këtyre strukturave nga Ministria e Brendshme.

Saktësime të tjera kërkohet të bëhen në ligj për të shmangur diskrecionin e menaxhereve publikë. Përcaktimi i mënyrës së zgjedhjes dhe shkarkimit të Komisionerit të Shërbimit Civil nga pikëpamja e votimit me shumicë të thjeshtë apo të cilësuar duhet të përcaktohet shprehimisht në ligj. E drejta e ankimimit të nëpunësve civilë në Gjykatën Administrative kundër vendimeve të menaxherëve si dhe statusi i vendimit tyre deri në vendimin përfundimtar të formës së prerë duhet gjithashtu të përcaktohen. Praktika e deritanishme ka treguar se administrata edhe pse ka gabuar në vendimet kundrejt nëpunësve civilë dhe gjykatat kanë rikthyer në punë nëpunësit, ato nuk janë zbatuar duke krijuar kosto të panevojshme. Vendimi i administratës duhet të pezullohet menjëherë sapo nëpunësi paraqet një ankimim dhe duhet të ekzekutohet vetëm pasi vendimi të ketë marrë formën e prerë.

Një dispozitë e ligjit  parashikon se (neni 68) asnjë procedurë nuk mund të fillojë tre muaj përpara hyrjes në fuqi të ligjit. Po të kemi parasysh këtu edhe kohën që kërkon një procedurë e rregullt pas hyrjes në fuqi të ligjit, që në rastin më të mirë zgjat tre muaj, do të thotë që vakanca e pozicioneve të zgjasë një gjysmë viti, gjë e cila do të dëmtonte objektivat e subjekteve publike dhe që kërkon domosdoshmërisht amendimin e kësaj dispozite.

Neni 67 i ligjit “Statusi i punonjësve dhe nëpunësve aktualë” është një dispozitë që duhet të ndryshohet rrënjësisht. Kjo dispozitë ligjëron parregullsitë e kaluara në menaxhimin e shërbimit civil, ndërkohë që përdor dy standarde, një për anëtarët e TND të aparatit të Kryeministrisë, të cilët konsiderohen si nëpunës civilë, dhe një për anëtarët e tjerë të TND, të cilët detyrohen t’u nënshtrohen procedurave të pranimit në TND brenda një viti. Po kështu ligjërohen si nëpunës civilë të gjithë nëpunësit e tjerë civilë që janë pranuar edhe me procedura të ngjashme (!!!??) me ato të ligjit të Statusit të Nëpunësit civil, dhe janë të punësuar në të njëjtin vend pune për jo më pak se një vit. Një qëndrim i tillë duket qartë se është i sponsorizuar nga qeveria në ikje dhe ka të vetmin qëllim, të mbrojë militantët që janë punësuar me shumicë në administratën publike.

Amendimi i ligjit duhet të bëhet me anë të një dispozite tranzitore për të përcaktuar statusin e nëpunësve civilë që kanë fituar të drejtën e rikthimit në pozicionet e mëparshme të punës. Statusi i tyre është i komplikuar ndërkohë për shkak se të tjerë punonjës janë emëruar   në këto pozicione “sipas procedurave të ligjit të mëparshëm” dhe kështu largimi i tyre do të shkaktojë efekte financiare.

Hapat që duhen ndërmarrë:

  • Riorganizimi i DAP apo krijimi i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Njerëzore.
  • Organizimi i konsultave me ekspertë të fushës dhe të huaj lidhur me situatën aktuale të ligjit dhe zgjidhjet.
  • Përgatitja e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin Nr.152/2013 “Për Nëpunësin civil”, i cili të parashikojë shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit, si dhe ndryshimet përkatëse që mendohen në përmbajtjen e tij.
  • Krijimi i këshillit drejtues të ASPA (neni 8 pika 5)
  • Zgjedhja e Komisionerit  të Shërbimit Civil dhe organizimi i administratës së tij.
  • Ngritja e Komisionit Kombëtar të përzgjedhjes se TND (Trupa e nëpunësve civile të nivelit të lartë drejtues).
  • Ngritja e Komitetit të përhershëm të pranimit për nëpunësit civilë të kategorisë ekzekutive, si dhe miratimi nga KM i rregullave të funksionimit të këtij Komiteti, neni 22 pika 6.
  • Përcaktimi nga KM i rregullave për menaxhimin dhe lëvizjen e anëtarit të TND, si dhe përbërjen e Komisionit Kombëtar të përzgjedhjes se TND (neni 30 pika 6, neni 31 pika 3).
  • Inventarizimi i akteve të tjera ligjore që duhet të ndryshohen sipas këtij ligji. Ligji përcakton detyrimin e Sekretarit të Përgjithshëm të KM që brenda 7 ditëve të njoftojë Kuvendin për ligjet që duhet të ndryshohen.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi