Modeli anglo-sakson i rritjes ekonomike: A duhet të jetë më i preferuari?
Nga Prof. Dr. Adrian Civici, botuar në Mapo Online, 7 gusht 2013
Megjithëse mund të duken si debate e trajtime me natyrë intelektuale apo profesionale për një rreth të ngushtë specialistësh të ekonomisë, problemet e zgjedhjes dhe përcaktimit të një modeli të caktuar rritjeje ekonomike dhe zhvillimi janë thelbësore për politikat ekonomiko-financiare dhe sociale të çdo vendi. Platformat elektorale, programet qeverisëse, politikat e rritjes dhe zhvillimit, filozofia e punës së institucioneve kryesore dhe kapitalit financiar apo njerëzor e marrin “frymëzimin” dhe shtytjen kryesore në modele të konsoliduara teorikisht e historikisht apo duke iu referuar shteteve të ndryshme të zhvilluara që me eksperiencën dhe rezultatet e tyre kanë materializuar modele eficente.
Por, megjithëse në Shqipëri, simbioza “model teorik rritje – programe e politika konkrete ekonomike” është akoma e dobët, përsëri mund të konstatohet se në mjedisin profesional, politik apo mediatik ka mjaft sinjale pozitive për të futur logjikën e kësaj simbioze në strukturimin e paketave të politikave ekonomike, financiare apo sociale të pesë apo dhjetë viteve në vazhdim. Në debatet dhe analizat tona duhet të gjejnë vend elemente konceptuale e përmbajtësore që i japin një profil dhe karakteristika specifike modelit të rritjes ekonomike, të tilla si “produktiviteti i punës dhe lidhjet e tij me akumulimin e kapitalit fizik e human”, “raportet ndërmjet PBB/frymë dhe rritjes së popullsisë”, “raportet ndërmjet PBB dhe hapjes së vendeve të reja të punës”, “roli dhe efektet konkrete të progresit teknik dhe inovacioneve në cilësinë e rritjes ekonomike”, “ndikimi i monopoleve dhe klientelizmit në PBB”, “faktorët endogjenë dhe ekzogjenë të rritjes”, etj.
Në këtë kuadër, është me interes të trajtohen disa nga debatet dhe pikëpyetjet më të mëdha në shkallë ndërkombëtare të kohëve të fundit : cili është modeli më i mirë i rritjes ekonomike ?..a ka vërtet një të tillë që të jetë unik dhe i pranuar nga të gjithë?…modeli i rritjes ekonomike, është i lidhur me periudhën që analizohet, me specifikat e cdo vendi, apo me situatën ekonomike në përgjithësi? Dhe natyrisht, të përpiqemi të zgjedhim e të aplikojmë disa nga elementët bazë të tij në strukturimin e politikave tona të rritjes dhe zhvillimit, aq më tepër që jemi intensivisht në rrugën e kërkimit dhe gjetjes së një modeli të ri rritjeje ekonomike, që të gjithë duket se po i vëmë të njëjtin emër : “modeli post-tranzicion i rritjes ekonomike”.
Kapitalizmi përballë kapitalizmit: kë të zgjedhim?
Në librin e tij të shndërruar tashmë në një vepër klasike, “Kapitalizmi kundër kapitalizmit”, Michel Albert krahason modelin kapitalist neo-amerikan të kristalizuar nga revolucioni konservator i Ronald Reagan-it, bazuar në suksesin individual dhe fitimin e menjëhershëm, me modelin gjerman që favorizon suksesin kolektiv dhe fitimin e qëndrueshëm afat-gjatë. Por, megjithë argumentet pozitivë të autorit për modelin gjerman, në fakt, është modeli neo-amerikan që si pasojë e globalizimit të shpejtë të tregjeve dhe ideologjisë neoliberale, u imponua e u përkrah si model referues nga shumë vende e qeveri të botës, sidomos nga vendet në zhvillim në përpjekjet e tyre për t’u adaptuar sa më mirë me fenomenin e globalizimit. Dhe meqenëse ky model dominonte sidomos ekonomitë anglo-saksone (SHBA, Angli, Australi, Irlandë, Zelandë e Re), ai u quajt “modeli anglo-sakson”, “kapitalizmi i ri”, apo dhe “kapitalizmi aksioner”. SHBA mbeten si simboli kryesor i aplikimit të këtij modeli.
Tashmë, ky model evokohet në mënyre konstante nga të gjitha kategoritë e “think tanks” liberale për të kritikuar vizionin dhe modelin alternativ të tij, orientimet socio-ekonomike të mjaft vendeve e qeverive që përpiqen për një vizion më “ndërhyrës apo social-demokrat” në programet dhe politikat e tyre. Ky model ka qenë ëndrra e shumicës së vendeve të Europës qendrore e lindore post-komuniste, është gjithashtu dhe aspirata kryesore e ekonomive në mjaft vende të Amerikës latine, Azi e Afrikë. Kjo “ndeshje” ka bërë që shumë ekspertë ekonomistë apo të modeleve të rritjes të përpiqen ta analizojnë thellësisht modelin anglo-sakson si në mënyrën e funksionimit dhe rezultatet e tij, ashtu dhe në cilësimin e tij si “recetë” e padiskutueshme. Aq më tepër, që në këto momente kur kriza financiare globale është nën kontroll dhe ka filluar periudha e rigjallërimit ekonomik e financiar, kjo “recetë” e anatemuar jo pak gjatë viteve 2008-2012, si “modeli që shkaktoi krizën”, në fakt ka filluar përsëri të serviret si rruga e vetme e shpëtimit për vendet europiane, vendet e BRICS ose ekonomitë emergjente si Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut, si për ato në zhvillim apo të varfra.
Dy dekada mbas dilemës së Michel Albert-it, pyetja shtrohet : a është në fakt modeli anglo-sakson më efektivi dhe më konkurruesi sot në botë? Sipas ekonomistëve neoliberalëve “ndërhyrja shtetërore e lidhur me një shkallë të lartë fiskaliteti e çon në ulje nivelin e konkurrueshmërisë dhe rritjen ekonomike të çdo vendi….dhe për pasojë në uljen e mirëqenies kolektive e cila do të jetë më e lartë në qoftë se i jepet liri totale forcave të tregut”. Sipas kësaj logjike, vetëm niveli i ulët i fiskalitetit dhe liria pothuajse absolute e tregut duhet t’i kishte bërë ekonomitë anglo-saksone, ekonomitë më kompetitive të planetit, dhe shumë sfiduese në raport me ekonomitë apo shtetet që vazhdojnë ta preferojnë ndërhyrjen shtetërore dhe një prezencë më të madhe të shtetit në ekonomi. Dhe mënyra më e mirë për të thënë se kur një vend është më kompetitiv se një tjetër, janë treguesit që krahasojnë nivelin e kompetivitetit të vendeve të veçanta apo grupe vendesh me filozofi të njëjta në fushën e politikave ekonomike e financiare.
Në raportin e fundit “Global Competitiveness Report 2012-2013” të përgatitur nga Forumi Ekonomik Botëror, (World Economic Forum), analizohet dhe matet pikërisht niveli i shkallës së kompetivitetit të vendeve të botës. Duke u bazuar në tre indekse specifike si: shkalla e përmirësimeve teknologjike, cilësia e institucioneve publike dhe mjedisi makroekonomik, WEF i klasifikon ekonomitë e vendeve të ndryshme sipas nivelit të konkurrueshmërisë së tyre. Dhe rezultatet nuk përputhen tërësisht me teorinë dhe pretendimet neoliberale. Ekonomitë më konkurruese të botës janë: 1. Zvicra, 2. Singapor, 3. Finlanda, 4. Suedia. 5. Holanda, 6. Gjermania, 7. SHBA, 8. Britania e Madhe, 9. Tajvani, 10. Japonia. Pra, pesë nga dhjetë ekonomitë më kompetitive të botës (duke përjashtuar Singaporin për karakteristikat specifike të tij) janë ekonomi që karakterizohen nga një nivel i konsiderueshëm ndërhyrjeje shtetërore në ekonomi dhe ngarkesë të lartë fiskale. Vetëm SHBA dhe Britania e Madhe kanë mundur të hyjnë në dhjetëshen e parë, ndërkohë që ekonomitë e tjera “të modelit anglo-sakson” gjenden më poshtë në klasifikim: Kanadaja e 14-ta, Australia e 20-ta, , Zelanda e Re e 23-ta dhe Irlanda e 27-ta. Shqipëria renditet e 89-ta në listën prej 140 vendesh të analizuara, ndërkohë që vendet e rajonit të Europës juglindore renditen si më poshtë : Bullgaria e 62-ta, Mali i Zi i 72-ti, Rumania e 78-ta, Maqedonia e 80-ta, Kroacia e 81-ta, Bosnje-Hercegovina e 88-ta, Serbia e 95-ta, Greqia e 96-ta,etj.
Niveli i konkurrueshmërisë përballë nivelit të jetesës
Por niveli i kompetivitetit të një vendi duhet parë i lidhur ngushtë dhe me efektet e tij sociale, në sensin se sa rritja ekonomike e prodhuar si pasojë e nivelit të lartë të kompetivitetit përkthehet në rritje të nivelit të jetesës së popullsisë, në progres social të gjërë dhe eliminim të varfërisë në të gjitha kontekstet e saj. Gjykuar nën këtë këndvështrim, modeli anglo-sakson rezulton të mos jetë përpara në raport me vendet me tendencë social-demokrate. Kështu, sipas indikatorit të “varfërisë humane” për vendet e OCDE-së (34 vendet më të zhvilluara të botës), pesë vendet me nivelin më të ulët të varfërisë relative, për shumë vite rresht vazhdojnë të jenë : Suedia, Norvegjia, Finlanda, Holanda dhe Danimarka, ndërkohë që poshtë tyre renditen: Australia, Anglia, Irlanda dhe SHBA. Sipas eksperteve të WEF që hartojnë këto lloj raportesh e realizojnë analizat e treguesve socialë, “rritja e fortë e ekonomive anglo-saksone ka kontribuar pak në progresin social dhe eliminimin e varfërisë relative në këto vende”, ndërkohë që në vendet e “modelit gjermano-skandinav” ka ndodhur tendenca e kundërt.
Në këndvështrimin e konkurrueshmërisë ekonomike është e vështirë të pretendosh “pa asnjë diskutim” se modeli anglo-sakson është më performanti. Në të kundërtën, duket se modeli social-demokrat i rritjes ekonomike i ndjekur dhe aplikuar nga vendet Gjermania, Holanda, Austria, vendet skandinave,etj., i karakterizuar nga një ndërhyrje e dukshme shtetërore në ekonomi dhe një nivel relativisht të lartë fiskaliteti, rezulton më efektiv në aspektin ekonomik, dhe veçanërisht në efektet pozitive sociale të tij.
Kritikët e neoliberalizmit evidentojnë katër elementë të diskutueshëm të tij, duke vënë kështu në dyshim supremacinë absolute të tij: (i) ekonomitë anglo-saksone nuk janë më performante se ekonomitë me theks social-demokrat me nivel të lartë fiskaliteti, dhe aq më pak, nuk rezultojnë superiore në sigurimin e një niveli të lartë jetese e progres social të ekuilibruar; (ii) ulja drastike e taksave e “tipit Reagan” apo “Thatcher” e rivendikuar vazhdimisht nga neoliberalet ka shkaktuar një shkallë më të lartë fitimi për një grup të reduktuar social, në vend që të kontribuonte në zvogëlimin e diferencave të të ardhurave dhe progresin e kohezionin social, sidomos të grupeve të marxhinalizuara e vulnerabël; (iii) rritja ekonomike e tipit anglo-sakson ka prodhuar dhe një rritje të pabarazisë sociale duke “dërguar” pjesën dërrmuese të efekteve të rritjes në grupe të vogla interesi që dominojnë politikën, ekonominë dhe financat; (iv) tendenca mbizotëruese por dhe frymëzuese për “maksimizimin e fitimit” në vend që të stimulonte formimin e kapitalit fiks dhe investimeve në favor të punësimit dhe produktivitetit, në fakt ka privilegjuar një fenomen pa precedent të “shkrirjeve-fuzionimeve” thjesht financiare duke ushqyer lindjen e pushteteve monopolistike dhe firmave super-gjigante që kontrollojnë ndjeshëm tregun dhe financat nacionale e ndërkombëtare. Duke dashur ta bëjnë modelin anglo-sakson një model dominues për gjithë botën, partizanët e neoliberalizmit duket sikur harrojnë faktin, tashmë të provuar shumë herë në historinë ekonomike klasike e moderne, se “për të mobilizuar një popull të tërë mbrapa një modeli ekonomik, duhet që nga ky model të përfitojnë të gjitha shtresat e grupet sociale duke iu krijuar atyre një zhvillim të qëndrueshëm njerëzor e demokratik që korrespondon me vlerat tradicionale, gjeografike e historike të tyre”.
Akoma më problematike paraqitet tabloja, kur drejtues të ndryshëm shtetesh apo ekspertë të ekonomisë pjesët e modeleve të zhvillimit përpiqen t’i bashkojnë në mënyrë voluntariste duke dashur të “arnojnë” aspekte delikate të një modeli me politika apo programe të një modeli tjetër pa asnjë logjikë ekonomike e financiare duke prodhuar kështu “ modele hibride” me efekte negative afat-mesme e afat-gjata. Në thelb, çdo politikë ekonomike e një vendi duhet të mbështetet në baza solide përsa i përket filozofisë së çdo modeli ekonomik dhe natyrisht duhet të vlerësojë maksimalisht kapacitetet e saj humane, politike e institucionale për ta zbatuar këtë model, të para këto nën një optikë të gjerë historike e tradicionale. Çdo veprim që prodhohet nga entuziazmi teorik apo kopjim i provokuar nga “vezullimi” i suksesit të një vendi tjetër, nuk ka shanse të jetë i suksesshëm.
Dilemat e PBB si tregues unik i rritjes së qëndrueshme
Tashmë duket si parashikim i sigurt se në vitin 2050, toka do të ketë 9 miliard banorë, nga rreth 7 miliard që ka aktualisht. Demografët japin sot një shifër impresionuese : çdo ditë planetit tonë i shtohen 200000 njerëz të rinj, shtesë absolute si diferencë ndërmjet vdekjeve dhe lindjeve të reja. Mbi 70% e kësaj popullsie ka tendencë të jetojë në qytete e qendra të mëdha urbane, ndërkohë që aktualisht mbi 1 miliardë njerëz jetojnë në kushte urie dhe 2 miliard të tjerë ushqehen me vështirësi pasi disponojnë vetëm 2 USD të ardhura në ditë. Sfida më e madhe përpara çdo vendi e rajoni është “garantimi i ushqimit”, “garantimi i energjisë”, “stabiliteti i punësimit, të ardhurave dhe shërbimeve sociale”, etj., dhe përgjigjet e pyetjeve: sa është kapaciteti real dhe mundësia që të zgjidhen këto objektiva?…A është në gjendje modeli dominues ekonomik aktual t’i japë përgjigje pozitive sfidave të mësipërme? A ka zgjidhje alternative që kënaqin ndryshimet e zakoneve ushqimore, sidomos në vendet e varfra, në zhvillim e ato BRICS ku jeton më shumë se 80% e popullsisë së botës? A e ruajmë dot raportin dhe ekuilibrin ndërmjet domosdoshmërisë së prodhimit masiv, qëndrueshmërisë mjedisore e disponibilitetit të lëndëve të para?
Në morinë e debateve për këtë sfidë spikasin dy qëndrime e këndvështrime, në dukje të kundërta, por që në thelb korrelojnë në një pikë : garantimi i ushqimeve, mënyra e të ushqyerit dhe stabiliteti e mirëqenia sociale sintetizojnë në vetvete ekonominë, financat, mjekësinë, shëndetin, sociologjinë, ambientin, politikën, kulturën, edukimin,etj. Sipas Peter A.Victor (York University of Toronto), që është një nga ekspertët e njohur në botë për efektin e modeleve të zhvillimit ekonomik në rritjen ekonomike dhe mirëqenien, “paradigma klasike e zhvillimit ekonomik bazuar vetëm në madhësinë e PBB nuk është më e vlefshme”. Sipas tij “fokusimi vetëm dhe ekskluzivisht te rritja ekonomike i ka sjellë mjaft të mira njerëzimit, por në 20-30 vitet e fundit ka krijuar dhe shumë pabarazi sociale, nuk ka zgjidhur problemin e varfërisë, ka ndikuar në destabilizimin e gjithë sistemit ekonomik botëror, ashtu siç dëshmon dhe kriza globale aktuale”.
P.Victor me teorinë e tij origjinale të “mos-rritjes ekonomike”, në librin me titullin domethënës “Managing without growth. Slower by desing, not disaster”, konteston prioritetin e vendeve të pasura që e konsiderojnë rritjen ekonomike dhe PBB si objektivin unik të politikave ekonomike e financiare. Sipas tij, “rritja e PBB nuk korrespondon detyrimisht me rritjen e kënaqësisë dhe mirëqenies së popullsisë, as me cilësinë e shëndetit publik dhe edukimit”. Kur jemi më të pasur nuk është e thënë se jetojmë detyrimisht më mirë nëse nuk bëjmë politikat e duhura të “cilësisë së jetës”. Në këtë kuadër, “Barilla Center for Food and Nutrition” ka krijuar së fundi një indeks për raportet ndërmjet rritjes ekonomike dhe “përkthimit të saj në mirëqenie” (BCFN Index), i cili mban parasysh 41 indikatorë të grupuar në 7 kategori: mirëqenia psikofizike ose shëndetësore, stili i jetës, mirëqenia materiale, ambientale, edukative, sociale, institucionale e politike. Këto kategori grupohen më tej në 3 kolona të mëdha : “Stili i jetës(Lifestyle)”, “Shëndeti dhe stabiliteti fizik e mendor (Wealth and Sustainability)” dhe “Qëndrueshmëria në punë, në pagë dhe përfitime sociale (Social and Interpersonal”. Po t’i krahasosh vendet e ndryshme të botës nga ky këndvështrim, shumë prej atyre që rezultojnë me PBB/frymë më të lartë, në fakt rreshtohen në kategoritë e poshtme të klasifikimit. Në vendet e para sipas BNCF Index edhe për vitin 2013 vazhdojnë të jenë vendet skandinave me në krye Suedinë dhe Danimarkën, të ndjekura nga Anglia, Franca, SHBA, Japonia dhe Gjermania.
Ekuilibri i vështirë i “ecjes në tel” dhe dilemat e shtetit inteligjent
Qëndrim të kundërt për “metodën por jo për rezultatin” duket se ka ekonomisti Aghion Waggoner i universitetit të Harvardit që nënvizon se “ në periudha krizash dhe sfidash për ushqimin dhe garantimin e jetesës normale për 9 miliard banorë, nuk është normale të flitet për mos-rritje ekonomike”. Sipas Howit & Waggoner që janë dhe autorë të “paradigmës së re shumpeteriane”, duke u bazuar në teorinë e rritjes dhe rolit të inovacionit në zhvillimet ekonomike, “të flasësh sot për zvogëlimin e rritjes ekonomike është e gabuar dhe jo-produktive”. Sipas kësaj paradigme, është e vërtetë ajo që ka konstatuar Shumpeteri se konkurrenca i kufizon efektet pozitive post-inovative në shumicën e degëve të industrisë apo shërbimeve, por ajo zvogëlon akoma më shumë të ardhurat nga industritë jo inovative. Në këtë kuptim, kërkim-zhvillimi, inovacioni dhe teknologjitë e reja janë mekanizmi i vetëm aktual që garantojnë rritjen e qëndrueshme dhe mund ta qetësojnë njerëzimin për sfidën e ushqimit, energjisë apo zhdukjen e varfërisë dhe diferencave të mëdha sociale që e mundojnë sot.
Pjesa më interesante në këtë teori ekonomike është qëndrimi në një linjë arsyetimi të cilësuar si “ekuilibri i vështirë i ecjes në tel”: nuk pranohet linja keynesianiste që si objektiv kryesor ka mbështetjen e rritjes ekonomike nëpërmjet ndërhyrjes masive publike; por nuk pranohet as linja neoklasike dominuese sipas së cilës zhvillimi ekonomik garantohet nga tregu dhe në kushtet e krizës aktuale duhet me çdo kusht të reduktohet niveli i borxheve sovrane, të reduktohen deficitet buxhetore dhe përgjithësisht të sundojnë politikat e rigorozitetit monetar e financiar. Gjatë vitit 2013, debatet po përqendrohen rreth tre modeleve që “ndeshen” ndërmjet tyre se cili është më efektivi : “modeli gjerman” që privilegjon rigorozitetin buxhetor (shlyej borxhet, ekuilibro financat publike, kryej reforma strukturore që rrisin kompetivitetin e ekonomisë); “modeli anglo-italian” që e pranon rigorozitetin buxhetor dhe shlyerjen e borxheve, por që fokusohet më shumë tek reformat strukturore dhe derregullimi i tregut, sidomos atij të punës; “modeli amerikano-francez” që privilegjon nxitjen e rritjes ekonomike nëpërmjet investimeve masive në energji, teknologjitë e reja, mjedis dhe industri.
Howit & Waggoner propozojnë “një rrugë tjetër” : aplikimin e politikave fiskale anti-ciklike, dmth politika që e rrisin deficitit publik dhe borxhin gjatë krizave dhe recesionit, dhe e zvogëlojnë atë gjatë fazave pozitive ekonomike, që ulin taksat dhe tatimet në periudhat e vështira që kanë nevojë për mbështetje sociale e fuqizim të biznesit, dhe i ngrenë ato në periudhat kur gjithçka shkon mirë. Për këtë kërkohet “një shtet apo qeveri inteligjente” që ndërhyn në sektorët strategjikë dhe cilësinë e kapitalit human me politika industriale inteligjente që i krijojnë kushte biznesit të këtyre sektorëve të prodhojë shumë duke qenë njëkohësisht edhe konkurrues. Mjaft vende të botës janë përfshirë tashmë në adoptimin e filozofisë së “Smart State”. Ky shtet inteligjent është përgjigjja më e garantuar për një “BCFN Index” sa më të lartë e të ekuilibruar, është ndoshta dhe rekomandimi më i mirë për shumë vende në zhvillim që kanë objektiv shndërrimin e tyre në vende të zhvilluara.
Megjithëse në Shqipëri, simbioza “model teorik rritje – programe e politika konkrete ekonomike” është akoma e dobët, përsëri mund të konstatohet se në mjedisin profesional, politik apo mediatik ka mjaft sinjale pozitive për të futur logjikën e kësaj simbioze në strukturimin e paketave të politikave ekonomike, financiare apo sociale të pesë apo dhjetë viteve në vazhdim.
Duke dashur ta bëjnë modelin anglo-sakson një model dominues për gjithë botën, partizanët e neoliberalizmit duket sikur harrojnë faktin, se “për të mobilizuar një popull të tërë mbrapa një modeli ekonomik, duhet që nga ky model të përfitojnë të gjitha shtresat e grupet sociale duke iu krijuar atyre një zhvillim të qëndrueshëm njerëzor e demokratik që korrespondon me vlerat tradicionale, gjeografike e historike të tyre”.
Gjatë vitit 2013, debatet po përqendrohen rreth tri modeleve që “ndeshen” ndërmjet tyre se cili është më efektivi: “modeli gjerman” që privilegjon rigorozitetin buxhetor; “modeli anglo-italian” që e pranon rigorozitetin buxhetor dhe shlyerjen e borxheve, por që fokusohet më shumë tek reformat strukturore dhe derregullimi i tregut, sidomos atij të punës; “modeli amerikano-francez” që privilegjon nxitjen e rritjes ekonomike nëpërmjet investimeve masive në energji, teknologjitë e reja, mjedis dhe industri.