Rishpërndarja e popullsisë, një model i ri zhvillimi
Nga Gentian Kaprata, botuar në Mapo Online, 5 gusht 2013
Një nga debatet e rëndësisë së veçantë të botës moderne është debati mbi origjinën e krijimit të qyteteve. Pyetjes se “si dhe kush origjinalizoi veprime për stabilizimin e njerëzve në territore të caktuara?”, i janë përgjigjur shumë kërkues. Përgjigjet kanë qenë të shumëllojshme, por ato mund të grupohen në dy rryma kryesore mendimi. Rryma e parë, që është edhe rryma që mbështetet gjerësisht, është “Dominanca e bujqësisë”. Kjo rrymë thekson se ishte zhvillimi i bujqësisë që nxiti instalimet fillestare të përhershme të popullsisë dhe pak e nga pak krijimin e qendrave të mëdha të banuara. Dhe në vazhdim krijimin e qyteteve. Ndërkohë, rryma tjetër kundërshton këtë “skenar” dhe formulon tezën se, ishin gjuetarët ata që iniciuan grupimin në qendra të ndryshme me qëllimin e shkëmbimit dhe tregtimit të produkteve të gjuetisë me mallra të tjera të nevojshme. Apo se ishte, nevoja e njerëzve për organizim të mbrojtjes kolektive nga sulmuesit e ndryshëm, nxitësi për krijimin e qendrave të para me banime të përhershme. Kjo rrymë u quajt “Dominanca urbane”. Përtej këtyre kundërshtive apo të tjera si këto, ka një gjë që i bashkon këto rryma, praktika logjike për t’u instaluar në ato territore që ishin të pasura me burime natyrore. Për rrymën e parë në troje të sheshta e produktive për kultivime të bimëve bujqësore dhe pranë lumenjve apo baseneve ujorë. Ndryshe, për rrymën e dytë pranë kryqëzimeve të rrugëkalimeve, ku mundësoheshin takimet me udhëtarë, pra edhe shkëmbimet e produkteve. Pra, me një fjalë të vetme, paraardhësit tanë disa mijëra vjet më parë janë vendosur pranë burimeve. Në ato territore ku mund të siguronin jetesën por edhe t’iu mbetej diçka nga prodhimet e tyre, për t’i shkëmbyer me të tjerë.
Duket se të njëjtat parime ndoqi edhe Shqipëria e pas-Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht, të kontekstualizuara. Zhvillimi i qendrave të banuara u ndikua nga politikat e urbanizimit dhe industrializimit të vendit, të cilat u zbatuan në kushtet e pronës shtetërore dhe planifikimit të centralizuar. Si rrjedhim, gjatë viteve 1950-1960 urbanizimi i vendit u rrit me ritme më të larta. Politikat e industrializimit dhe urbanizimit të vendit u mbështetën në parimin e zhvillimit të barabartë dhe përpjesëtimor të territoreve dhe degëve të ekonomisë. Dhe jo kot. Çuditërisht, edhe në kushtet e deformimit socialist, ekonomia tentoi të përfshinte të gjitha burimet natyrore. Tentoi dhe megjithëse në anemi burimesh financimi dhe teknologji prodhimi të prapambetura, duket se ia doli. Si rrjedhim, ndryshoi hierarkia e qyteteve. Qytetet që kishin lulëzuar para Luftës së Dytë Botërore, tashmë filluan të binin, si p.sh. Shkodra, Korça, Gjirokastra. Qytete të tjera si Durrësi, Tirana, Fieri, Vlora, Elbasani filluan të ngrihen në hierarki. Synimi i urbanizimit dhe i zhvillimit rajonal ishte rritja e numrit të qyteteve të vogla (5 000- 20 000 banorë) dhe si produkt i këtij qëndrimi u krijuan 39 qytete të reja. Por sistemi socialist, sikurse ishte e pritshme në mungesë të vazhdimësisë së kreditimeve sovjetike, dështoi në dimensionin ekonomik. Në fakt, në dimensionin ekonomik, vetë sistemi socialist e ka karakteristikë të vetme dështimin. Dhe dështimi ekonomik paraprin dështimet e gjithë fushave të tjera. Për konsekuencë, pas viteve 1960 ritmet e urbanizimit pësuan rënie. Ndërkohë, politikat ndryshuan kahun e imigrimit në, nga qyteti në fshat. Jam i sigurt se shumicës nga ne i kujtohen parullat dhe sloganet e propagandës por edhe veprimet shtrënguese dhe detyruese që “frymëzonin kuadrin e arsimuar” të kontribuonin në “kthimin e fshatit në qytet”.
Por nuk ndodhi kështu pas viteve 1990. Të çliruar nga një barrierë shumë e madhe, e njohur me emërtimin ‘leje banimi’, pjesa më e guximshme e shqiptarëve të pasrrëzimit të diktaturës komuniste, u larguan nga trojet e të parëve dhe u vendosën në periferitë e Tiranës dhe qyteteve të tjera. Shumica e imigrantëve vinin nga zona të thella malore ku vështirësitë e jetës ishin të një shkalle të papërballueshme. Rrëzimi i diktaturës kishte eliminuar detyrimin për t’u pajisur me një leje të posaçme për të ndryshuar vendbanimin, çka ishte një gjë e mirë në dimensionin e lirisë së shqiptarëve. Por, gjithashtu, edhe detyrimin e të emëruarve në zonat e thella dhe fshatare për të punuar “atje ku ka nevojë atdheu”. Gjë e cila ishte e mirë për të rinjtë që detyroheshin pas diplomimit të shërbenin në këto zona të izoluara dhe vinin nga Tirana apo nga qytete të tjera, por jo për banorët e këtyre trevave të Shqipërisë. Të cilët pas shformimit të kooperativave apo ndërmarrjeve të tjera shtetërore ku me vështirësi siguronin pagesë për mbijetesë fizike, u gjendën edhe në mungesë të shërbimeve minimale shëndetësore apo arsimore, që shteti i siguronte nëpërmjet “të shkolluarve të ardhur nga qyteti”. Jam i sigurt, askush prej tyre nuk i braktisi me qejf varret e prindërve apo të afërmve. Askujt prej tyre nuk i pëlqente rrëmuja e qyteteve të mëdha. Apo stili i jetesës së qytetarëve, që për shumicën e tyre nuk ishte gjë tjetër veçse ‘shthurje e familjes’. Por erdhën. Erdhën se kishin nevoja bazike për mbijetesës. Të mos harrojmë, të vije nga Kukësi në Tiranë duheshin 7 orë. Dhe u duhej të vinin vetëm për një mjek.
Por, të paktën në një dimension, gjërat kanë ndryshuar pas njëzetë vjetësh. Në emigracion apo si pasojë e tregut të lirë, shqiptarët nuk janë më në nevojë mbijetese. Shqiptarët janë më të pasur. Por eksodi vazhdon. Dikush ka 50 mijë euro dhe shkon në qytetin qendror të qarkut dhe blen një shtëpi. Të vjetrën e lë atje në fshat, bosh. Dikush tjetër bën 100 mijë euro dhe shkon në Tiranë e bën të njëjtën gjë. Dhe pasi kemi blerë shtëpi dhe kemi mbaruar paratë, relaksohemi. Pastaj rrimë, se nuk kemi çfarë bëjmë. Nuk kemi punë. Normale, kur nuk ke punë çfarë të bësh, veçse të rrish kot dhe të qahesh se nuk ka punë. Ndërkohë, gjërat kanë ndryshuar edhe në një aspekt tjetër. Nuk na nevojiten më 7 orë për të ardhur nga Saranda apo 4 orë nga Korça. Po kështu nuk duhet të ecësh nëpër monopate për të shkuar nga fshati ku ke shtëpinë në qytetin më të afërt. Rrjeti kryesor kombëtar është ndërtuar ose në ndërtim. Rrugë rajonale apo lokale, gjithashtu. Janë ndërtuar, janë në ndërtim apo planifikohet të ndërtohen. Tregu i lirë ka ndryshuar edhe një aspekt tjetër. Arsimi i lartë, privat apo shtetëror, s’ka më limite. Të pranon ashtu si je. Pranon paratë e tua dhe mbështet dëshirat e tua. Po me ç’para? Me një pjesë të atyre që bleve shtëpi kur e kishe një. Pra mund të bëhesh mjek, arsimtar dhe të shërbesh në fshatin apo qytezën tënde. Shumë gjëra paskan ndryshuar por jo praktika jonë e urbanizimit. Në vazhdojmë me këmbëngulje ti largohemi burimeve natyrore. Ti largohemi vendeve të punës që këto burime ofrojnë, po të shfrytëzohen, sigurisht.
Dhe së fundi, një propozim. Nëse na duhet një model i ri zhvillimi, atëherë jemi ekzaktësisht në kohë për ta ndërtuar. Rishpërndarje e popullsisë dhe burimeve të tyre financiare nëpër territor. Rishpërndarje e cila duhet të jetë sa më e njëtrajtshme dhe e balancuar. Të bëjmë bashkë burimet natyrore, burimet financiare, dhe burimet njerëzore. Sepse këto të tria janë “aksionerët” e vetëm të rritjes së zgjuar, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Shembuj që ky model funksionon, i kemi. Na i jep historia. Veçse kujdes, modelet dhe veçanërisht mjetet e mënyrat duhen kontekstualizuar.