Përcaktim mandati politik për të stabilizuar shtetin

Nga Hajro Limaj/ Drejtor i Institutit të Politikave të Sigurisë Kombëtare, botuar në 2 shtator 2013

Nga pikëpamja e të drejtës publike, shteti dhe pushteti (qeveria) janë koncepte me shumë ndryshime nga njëri-tjetri. Kur një shtet njihet ndërkombëtarisht apo njihet nga një grup i caktuar shtetesh, do të thotë se me këtë veprim realizohet njohja e formës së organizimit politik të një kombi, i cili ka krijuar pjekurinë e nevojshme për drejtimin e vetvetes. Pra, kjo do të thotë se çdo komunitet, pasi plotëson zhvillimin e tij brenda një periudhe të qartë historike, mbërrin në etapën e qenies shtet dhe me statusin e një kombi të caktuar drejton shtetin në kuptimin e pavarur politik. Shembulli më i freskët për këtë koncept janë zhvillimet që kaloi Kosova gjatë 9 viteve të fundit për marrjen e statusit të shtetit të pavarur, e cila pas pasurisë politike që siguroi në këtë periudhë kalimtare, në përfundim arriti të marrë emrin e shtetit të Kosovës me kombësi shqiptare, që deri tani njihet zyrtarisht nga 65 vende të botës. Ose të kalojmë te vendi ynë, i cili njihet si shtet i pavarur që prej vitit 1912. “Republika e Shqipërisë” është emri i shtetit të vendit ku jetojnë shqiptarët. Për këtë arsye, shteti shqiptar apo Republika e Shqipërisë përfaqëson emrin e ndërtesës shtetërore që ekziston në Shqipëri, pasi të vlerësohesh “shtet” do të thotë të jesh i organizuar me institucionet politike, ligjore, ekonomike dhe sociale në tërësinë territoriale që përmban ky shtet. Ndërsa koncepti “qeveri” në shtetet demokratike, ashtu siç shprehet edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, përfaqëson një pushtet politik, i cili formohet nga partia ose koalicioni i partive politike që përbëjnë shumicën ose mazhorancën në Kuvend në përfundim të zgjedhjeve të përgjithshme. Pra, me këtë organizim kushtetues pushteti politik, pra qeveria, është kabineti, Këshilli i Ministrave, organi kompetent që siguron realizimin e detyrave të shtetit. Koha maksimale e qëndrimit të këtij pushteti, sipas Kushtetutës sonë është 4 vjet, por ai mund të jetë edhe më i shkurtër, si rezultat i mungesës së stabilitetit politik me të cilin mund të përballet vendi. Për shembull, moszgjedhja e Presidentit nga Kuvendi e çon vendin në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme. Pra, i shkurton kohën pushtetit nga 4 vjet. Prandaj në kulturën politike përdoret shprehja “qeverisja është e shkurtër, ndërsa jeta është e gjatë”.

Pra, me jetën nënkuptohet shteti, i cili është i përhershëm, pasi nëpërmjet pushteteve dhe institucioneve të pavarura në shoqëritë demokratike ai siguron vazhdimësinë e tij. Shtetet me demokraci të konsoliduar, nga përvoja që siguruan nga përplasjet e pushteteve, u detyruan të ndërtojnë funksionimin e shtetit me konceptin e demokracisë kushtetuese, duke vendosur raporte ligjore midis tri pushteteve dhe institucioneve të pavarura. Nëpërmjet shtetit të demokracisë kushtetuese përcaktuan qartë dhe prerë të drejtat dhe detyrimet ligjore të çdo pushteti dhe institucioni, duke i dhënë kufijtë secilit. Prandaj në Evropën e zhvilluar dhe në Amerikë pushtetet janë realisht të ndara nga njëri-tjetri dhe nëpërmjet ligjeve janë përcaktuar rrugët e bashkëpunimit dhe koordinimit ligjor. Shembulli më i mirë i këtij sistemi shprehet në shtetet e zhvilluara të Bashkimit Evropian, siç janë Gjermania, Anglia, Franca etj. Ndërsa në vendet në zhvillim ose në vendet kandidate e aspirante, që punojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, ndryshimi i pushteteve politike sjell përplasjet midis pushteteve të piramidës shtetërore, të cilat shpesh tronditin rëndë stabilitetin politik, ekonomik dhe shoqëror të vendit. Dhe këto përplasje kryesisht krijohen nga pushteti politik, qeveria, përplasje të cilat mbërrijnë ndonjëherë deri në hartimin dhe miratimin e ligjeve antikushtetuese. Shkak i këtyre përplasjeve të lindura dhe të ushqyera nga qeveritarët është koncepti dhe mentaliteti i partisë-shtet, i mentalitetit se partia që fiton zgjedhjet politike dhe siguron qeverisjen e vendit duhet të drejtojë dhe kontrollojë të gjitha pushtetet dhe institucionet e piramidës shtetërore. Me këtë koncept dhe praktikë pune, vorbulla politike përqendrohet në përplasjet e qeverisë, pra të pushtetit ekzekutiv, me pushtetet e gjyqësorit, me pushtetin legjislativ ose me institucionet e tjera të piramidës mbi të cilën është ngritur dhe qëndron shteti, siç janë Presidenca, opozita parlamentare, Gjykata Kushtetuese, Prokuroria e Përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Këshilli Kombëtar i Radiotelevizionit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Shërbimi Informativ Kombëtar, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura etj.. Këto qëndrime konfliktuale dhe përplasje midis pushteteve dhe institucioneve të pavarura kanë shoqëruar gjithë periudhën e tranzicionit shqiptar dhe vazhdojnë të jenë të pranishme edhe sot. Të gjitha pushtetet politike që kanë ardhur në qeverisje, të djathta apo të majta, kanë realizuar marrjen ose kontrollin e plotë të të gjitha pushteteve dhe institucioneve të pavarura, duke shkarkuar drejtuesit dhe kuadrot e tyre e duke i zëvendësuar të gjithë me “besnikët” e partisë së vet. Kjo vërteton se Shqipëria nuk ka akoma shtet me demokraci të konsoliduar dhe pushteti ekzekutiv drejtohet nga politikanë me bindje dhe formim totalitar, me konceptin komunist të partisë-shtet. Kjo përbën edhe sëmundjen më të rëndë dhe më të vështirë të politikës aktuale shqiptare, sëmundje e cila është trashëguar nga të gjitha qeverisjet e majta dhe të djathta të deritanishme.

Qeveritë, pra pushteti ekzekutiv, kanë qenë dhe janë në konflikt të vazhdueshëm me shumicën e pushteteve dhe institucioneve të pavarura të shtetit, kur mbi autoritetin e shtetit nuk duhet të ketë asnjë autoritet tjetër. Kur koalicioni i majtë erdhi në pushtet, ndryshimet dhe shkarkimet që bëri në të gjitha pushtetet dhe institucionet e pavarura i justifikoi me rënien e shtetit në krizën e vitit 1996-1997. Por koha tregoi se këtë luftë ai e vazhdoi edhe gjatë kohës që qeverisi vendin, siç ishte shkarkimi i Prokurorit të Përgjithshëm, shkarkimi i Drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar dhe shumë të tjerëve, që nuk u bindeshin interesave të kryetarit të Partisë Socialiste. Pavarësisht demagogjisë që përdor partia që është në pushtet, pra Partia Demokratike, qëllimi final i projektligjeve të përshpejtuara për pushtetin e drejtësisë, ka hedhjen në dorë të të gjitha pushteteve dhe institucioneve të pavarura të shtetit, siç mori kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, drejtorin e Përgjithshëm të Radiotelevizionit, kryetarin e Këshillit Kombëtar të Radiotelevizionit, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe së fundi Presidentin e Republikës. Pra, partitë politike që marrin pushtetin politik në Shqipëri, vënë interesat e partisë mbi interesat kombëtare, pasi institucionet e mësipërme emërtimin e tyre e kanë “kombëtare” ose “të shtetit”, që do të thotë se përfshijnë interesa më madhore në krahasim me partitë që vijnë dhe ikin nga pushteti. Prandaj ky është shkaku kryesor i tronditjeve dhe mungesës së stabilitetit politik. Por mungesa e stabilitetit politik është faktori kryesor që pengon zhvillimin e ekonomisë, jetën e qytetarëve dhe sigurinë, pasi Qeveria, në vend që të gjitha energjitë e saj t’i harxhojë në shërbim të qytetarit për sigurimin e dritave, të ujit, të rendit, të ambientit, të punësimit, të shërbimeve shëndetësore dhe arsimimit kualitativ dhe bashkëkohor, angazhohet në të gjitha nivelet me përplasjet politike të pushteteve të tjera dhe institucioneve të pavarura. Deri tani çdo parti që ka ardhur në pushtet, madje edhe me ndryshimin e ministrave të së njëjtës qeveri, heq dhe ndërron të gjithë administratën e lartë, madje shkon deri te niveli i specialistit, dhe në vend të tyre sjellin njerëzit e afërt, duke e privatizuar qeverisjen me partinë që vjen në pushtet. Ekspertët me informacion të nivelit të lartë, me  eksperiencë, në çdo 4 vjet ndërrohen. Kjo ndodh në administratën doganore, tatimore, strukturat e policisë, të bashkive dhe komunave, të ministrive etj. Kur në fakt burokracia shtetërore është mekanizmi që siguron vazhdimësinë e shtetit. Te ne kjo lidhje shkëputet. Prandaj Shqipëria kthehet në vendin që ka filluar nisjen, si malësori, që një më dy këput litarin. Prandaj edhe në reformat që mendohet të bëhen është e domosdoshme që të gjithë titullarëve të institucioneve të pavarura t’u përcaktohet koha e qëndrimit në detyrë, gjë që për shumicën është përcaktuar. Ashtu si Presidenti, që e ka të përcaktuar 5 vjet, apo kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit 7 vjet, edhe Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit të Shërbimit Informativ iu përcaktua koha 5 vjet. Kjo duhet bërë edhe për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe drejtorët e qarqeve, si dhe funksionet e tjera të këtyre niveleve. Realizimi urgjentisht i kësaj reforme do ta qetësojë luftën politike dhe secili pushtet apo institucion do të kryejë detyrat ligjore më i pavarur nga politika.

Reformën ligjore në këtë drejtim më mirë e kanë realizuar Forcat e Armatosura , që kanë përcaktuar mjaft qartë qëndrimin në detyrë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, 3 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë, apo të Komandantëve të Forcave sipas gradës që përfiton dhe kohës së qëndrimit në këtë gradë. Kjo reformë duhet të shtrihet edhe në forcat politike, ku me status duhet të përcaktohet koha e qëndrimit të kryetarëve të partive dhe të degëve të partive. Madje, kjo reformë në politikë është parësore, pasi me praktikën që kanë partitë shqiptare, drejtuesit e partive po kthehen të përjetshëm dhe mungesa e vizioneve të tyre përbën një nga shkaqet e dështimeve të politikës shqiptare. Pra, sa më të shpejta dhe sa më bashkëkohore të jenë këto reforma, aq më shumë forcohet dhe konsolidohet shteti demokratik ligjor. Këtë bënë pothuajse të gjitha vendet e Lindjes, që u anëtarësuan në Bashkimin Evropian. Ky është edhe shkaku që lidershipi politik i Bashkimit Evropian nënvizon se anëtarësimi në BE është në varësi të zhvillimeve dhe stabilitetit politik të vendit, pra të shtetit. Koncepti i partisë-shtet, që fatkeqësisht vazhdon të jetë vendimtar në këtë klasë politike që drejton vendin, shprehet mjaft qartë në ngërçet e zgjedhjes së Presidentit, ku çdo palë kërkon të vendosë në karrigen e Presidentit të besuarin e saj, kur Presidenti është kryetari i shtetit, komandant i Forcave të Armatosura dhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pra, ai është mbi partitë, përfaqësuesi i shtetit dhe jo i partive të veçanta. Prandaj vazhdimi për 19 vjet i të njëjtëve politikanë në krye të partive dhe qeverisjen e vendit është pengesa kryesore e konsolidimit të demokracisë kushtetuese dhe të shtetit demokratik ligjor. Pikërisht se vendet e Lindjes realizuan këto ndryshime në lidershipin politik, ecën më me shpejtësi se Shqipëria dhe u integruan në BE dhe në NATO, siç janë edhe vendet ballkanike me Rumaninë dhe Bullgarinë. Pra, zhvillimi dhe fuqizimi i shtetit në radhë të parë është i lidhur me nivelin e politikanëve të vendit, të cilët nëpërmjet pushtetit ligjor realizojnë reformat e nevojshme dhe nëpërmjet pushtetit ekzekutiv drejtojnë vendin.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi