“Kopjo dhe perfeksiono”
Nga Artan Santosi, botuar në Panorama Online, 1 shtator 2013
Një thënie e tillë vjen nga Japonia e largët, një “dragua” tashmë në çdo fushë të jetës së saj ekonomike dhe jo vetëm, që ka praktikuar eksperienca të mjaft vendeve të tjera dhe i ka perfeksionuar, duke u bërë kështu eksportuese e krijimeve të saj të perfeksionuara.
Kemi më shumë nevojë se askurrë më pare, pikërisht tashmë, të marrim gjithçka që praktika botërore i ka tejkaluar dhe ka gjetur përshtatjet në çdo vend që është aplikuar. Nuk ka rëndësi sa të mëdhenj a të vegjël kanë qenë vendet që kanë kaluar hapat e zhvillimit dhe të ndryshimeve siç ne kërkojmë të zhvillohemi a të ndryshojmë. Pasi problematikat si për vendet e mëdha dhe për ne, shqiptarët, në këndvështrimin qeverisës, janë të njëjta. E vetmja diference është se tek ne ato janë të mëdha për ne, por në miniaturë në raport me të tjera vende. Por për nga thelbi, mjedisi, në raport me shoqërinë, përballet i njëjtë kudo ku ai është problematik. Zhvillimi ekonomik gjithashtu, papunësia dhe rendi, por edhe në tërësi vendi kanë të njëjtën qasje e kështu mund të numërohen pa fund.
Mbetet fakt që duke qenë një vend me 28 mijë km2 sipërfaqe, barazohemi lehtësisht me një nga krahinat e Italisë fqinje, apo dhe me 2,8 milionë banorë rezidentë, “konkurrojmë” lehtësisht me një “ gjimnaz” në Shangai, a me popullsinë e Milanos, a gjysmës së Athinës. Pra duhet të menaxhojmë një vend, me përmasën e një krahine për fqinjët tanë, dhe një popullsi siç praktika botërore menaxhon disa lagje apo një strukturë relativisht të vogël të tyren. Por me ndryshimin jo të vogël, se kërkohet të mirëmenaxhohet një shtet i tërë, sidoqoftë madhësia a popullsia e tij. Moria e minibashkive, komunave e njësive të tjera vendore pa fund e bën qeverisjen më pak sfidante ndaj problematikave dhe zgjidhjes së tyre hallkë pas hallke, deri në “humbje” të vetë problemit, nga ngjitja e shkallëve burokratiko-administrative. Ndaj, duhen zëvendësuar me përqendrime vendosëse të drejtpërdrejta, me struktura të thjeshta brenda njësive të mëdha territoriale, dhe jo të shpërqendruara si deri sot, çka do të kursente kohë në zgjidhje të problemeve, kërkesë të lartë ndaj strukturave dhe monitorim i drejtpërdrejtë pa ndërmjetësi hallkash shpesh konfuze. Krijohet kështu një administratë e mbledhur, e mirëkontrolluar, pa shpenzime të tepërta dhe me mundësi vendimmarrëse të shpejta.
QEVERISJE E DREJTPËRDREJTË
Kështu do të ishte plotësisht e argumentuar të kuptohej që në logjikën ceremoniale, një ministër yni a një kryetar bashkie, do të ishte i homologuar me një ministër italian, francez apo një homolog i tij përtej kontinentit. Por në kuptimin real të përditshmërisë së tij, ai apo ata duhet të jenë po kaq të vetëdijshëm se zyra duhet të jete kaq “e largët” për ata, që, në të kundërtën, duhen të jenë së bashku me strukturat e tyre në vitet e para, qëmtues aktivë të funksioneve që kanë, por ama, në terrenin praktik, aty ku “syri dhe veshi” i zyrës nuk arrin, duke ndjesuar vetë për së brendshmi, gjithçka që duhet të rikrijohet sipas standardeve, për tu mos u zhbërë më. Pra ATA vetë dhe JO nëpërmjet.
Modeli suedez i një marrëdhënieje tërësisht njerëzore i shtetarit, është i pari faktor qe duhet të ravijëzohet fort sot, çdo ditë dhe me gjithçka që drejtuesi dhe aparati funksional i institucion-it duhet të përballet. Të mos e harrojmë në as edhe një moment atë njeriun që prodhon, biznes-in e tij të vogël a të madh, pasi edhe taksën nga ai (ata) do e kërkojmë. Por përpara se të merret ajo, kërkohet të dëgjohet, shpjegohet, të ndihmohet, të kuptohet dhe më pas gjithkush në superstrukturën e shtetit e ka të drejtën e legjitimuar të kërkojë nga fryti integral i punës së individit dhe biznesit të tij, në pjesën e të ardhurave që krijon, të shlyejë korrektësisht detyrimet ndaj shtetit të tij. Por kjo ndodh kur shteti ka dhënë maksimumin ndaj individit a biznesit, mund të arrijë të ndërgjegjësojë a imponojë pagimin e detyrimeve ndaj vetë shtetit, që ky i fundit të ketë shanse për t’u mëkëmbur.
BORXHI KËRKON TRAJTESË, JO EMOCION
Në një situatë të tillë ekonomike që ndodhemi, prej shumë muajsh është debatuar ndjeshëm se borxhi publik ka tejkaluar 62 përqindëshin. Ka shumë folës që justifikojnë këtë tejkalim sadopak të vogël, ka dhe të tjerë që nuk e justifikojnë atë duke përdorur këtu edhe arsyetime të institucioneve financiare ndërkombëtare.
Por përse nuk është arritur që të krijohet një konsultë e gjerë, me palë të interesuara vendas e të huaj, me teoricienë e statistë që pasi të hulumtojnë ekonominë, perspektivat e saj dhe ku duam të arrijmë, hap pas hapi, të qartësohet dhe të bihet në ujdi nëse na duhet një politikë e tillë ku inflacioni të mos kalojë 3% dhe borxhi 60%, apo një politikë më liberale me inflacion më të rritur e borxh lehtësisht më të lartë. Kjo kërkon një de-bat tërësisht teknik, me ekspertë dhe me llogaritje të plota pro e kundër dhe jo përcaktime të tipit se borxhin e shqiptarëve do ta paguajnë brezat dhe ata do ta vuajnë këtë. Pasi në këtë kontekst fare mirë mund të thuhet se brezat e ardhshëm do të jenë shumë më të zgjuar se ne, në një ekonomi më të integruar se ne dhe me një vend që edhe në rastin më të keq do të jetë shumë më i zhvilluar se sot. Për rrjedhojë edhe borxhi i sotëm nuk do të jete handikap i papërballueshëm për brezat por një detyrim normal e korrekt për tu shlyer. Por tavolina e punës për qartësimin dhe përcaktimin e politikave makroekonomike, është alternativë e vetme përballë vetëm tavolinës së fjalës.
PRIVATIZIMET SI STRATEGJI ZHVILLIMI, JO REHABILITIMI
Shteti shqiptar ende është me një barrë të madhe përgjegjësish drejtuese. Por, ndërkohë kontrolli dhe monitorimi real i standardeve thuajse mungon tërësisht. Debatet për politikat privatizuese janë të pashtershme. Por, në një shtet të varfër, sado asete ai të mbajë nën sqetull, ato mbeten e “plaken” bashkë me shtetarët, madje humbasin edhe vlerën e tyre. Ka pasur jo pak raste që shtete të ndryshme, pronat e tyre kanë rrezikuar t’i shesin edhe për një “kafshatë” te privati, por gjallërimi që ky i fundit ka kryer, i ka sjellë vendit shumëfishin e të ardhurave që s’do të mund të realizohej kurrsesi më parë nën pronësinë shtetërore. Nga ana tjetër, lind përgjegjësia tepër e madhe e shtetit të organizojë strukturat e tij monitoruese, ku politikat e tij të mirëfunksionojnë dhe mirëdrejtohen në konformitet me ligjet, vendimet a përparësitë e tij. Lindin kështu të tjera detyrime të ndërsjella shtet-privat (biznes a individ), me rregulla veprimi të mirëkornizuara dhe të vlefshme për të gjithë njësoj. Kështu lehtësohet shteti nga barra e pamundur e shpenzimeve pa fund dhe ngarkohet privati me detyrime po kaq të mëdha, por me sjellje tjetër ndaj mirëmbajtjes dhe mirëfunksionimit të pronës së gëzuar, si dhe ndaj shtetit për detyrimet fiskale, që dita-ditës normalizojnë buxhetin.
TREG I UNIFIKUAR SHQIPËRI-KOSOVË
Në Shqipërinë e vogël dhe me popullsi të vogël, edhe ai i pasuri është “i pasur i vogël”, ndërsa i varfëri është “i varfër i madh”, krahasimisht me vendet më të mëdha. Tregu i vogël nuk të krijon hapësira të mëdha, por në të kundërt, mund të krijojë mundësi të mëdha. Atëherë, kjo Shqipëri me 2.8 milionë banorë, me mundësi për të zhvilluar një treg thuajse të njësuar ekonomikisht dhe kulturalisht me rreth 2 milionë kosovarë të Republikës së Kosovës, do të thotë një treg afro 5-milionësh. Në një kohë që aspirojmë të integrohemi në hapësirën europiane, është imperative nevoja që nga të dyja palët, vetëm duke ndërtuar dhe zbatuar politika të përbashkëta ekonomike, arrijmë të dyfishojmë tregun. Por, duket qartë se ne (shqiptarët dhe kosovarët) nuk arrijmë të bëjmë aq sa mundemi, madje herë krijojmë “luftën e çimentos”, ose atë të bllokimit të kamionëve, ose ca më keq, instalojmë luftën e heshtjes dhe asgjësë. Në vend që të vrapojmë dhe të instalojmë të përbashkëtën ekonomike, në një treg tashmë më të madh, ku edhe ai i pasuri të bëhet edhe më i pasur, por edhe ai i varfëri të mos jetë aq i varfër, po më pak i tillë. E edhe shteti të ketë hapësirë më të madhe dhe mundësi veprimi e koordinimi. Ndërkohë, ky treg miniballkanik lehtësisht mund të marrë tjetër trajtesë, aq më tepër që faktorin shqiptar e ke të pranishëm edhe në Maqedoni e Mali të Zi.
Pse s’mund të zhvillohet një takim me teknicienët dhe ministrat përkatës të Shqipërisë dhe Kosovës, e më pas më gjerë në rajon, në mënyrë që të fillohet të mendohet, të punohet e shpenzohet jo vetëm për territorin e çdo vendi, por edhe më gjerë? Përpara hartimit të buxhetit të çdo vendi, përpara bërjes së politikave ekonomike të këtyre trevave a shteteve, një tavolinë e tillë e përbashkët do të mundësonte uljen e shpenzimeve dhe rritjen e prodhimit. Sot, për të njëjtin njësi prodhimi harxhohet shumë më tepër në çdo vend, kur mund të ndodhë fare lehtë e kundërta. Zgjerimi i tregut veç përparësi do të sjellë dhe jo zona kufitare me bllokim të mauneve a kamionëve, por ta kthejmë në një mundësi që Rruga e Kombit “të bllokohet” nga trafiku i dendur mes vendeve.
BIZNESI, VETËM PARTNER I VËRTETË I SHTETIT
Bizneset ndihen të bllokuara, e për rrjedhojë krijojnë probleme për vete, tregun dhe bankat. Në aksiomën japoneze, ne gjejmë të gjithë zgjidhjet e praktikuara nga vende në mbarë botën. Dhe thuajse të gjitha të çojnë në një zgjidhje, të shpejtë, konkrete dhe të efektshme: liberalizo tregun menjëherë! Dhe është tregu ai që të rivendos parametrat e çakorduar. Të gjithë u ngjirën duke thënë: turizmi,turizmi. Nga ana tjetër, qindra e mijëra hektarë tokë rrinë nën ngërçin e mosmiratimit të planeve rregulluese, projekteve turistike a mjediseve argëtuese-sportive etj. prej vitesh. Humb individi, humb biznesi, humb arka e shtetit dhe shqiptarët fluturojnë gjetkë për të harxhuar, por jo në vendin e tyre, ashtu siç do të mundnin po të ndodhte ndryshe.
“Kopjo dhe perfeksiono”, po këtë jo e jo që s’e bëjmë, por krijojmë pengesa, për vetë shtetin, duke pasur inat individin a biznesin e tij. Deri këtu arrihet. Dhe kjo është praktikë që ka penalizuar jo pak biznese e, për rrjedhojë, tërësinë e punëve. Ndaj duhet filluar, si për shumë drejtime të tjera, edhe me njeriun, individ a biznes qoftë, në traun e doganës kur ngrihet a ulet apo për inspektorin tatimor, jo thjesht si rutinë e një nëpunësi, por si politika të mirëfillta. Që të mos eksportohet ai prodhim shqiptar i kërkuar në tregjet ndërkombëtare dhe shteti e ngre traun e doganës pa futur një qindarkë në xhep, dhe në të kundërtën, takson jashtë një realiteti produkte që i shërbejnë ndjeshëm vendit, madje jashtë çdo praktike ndërkombëtare, duke penalizuar biznese, duke rritur artificialisht çmimet e brendshme e penguar një rrjedhë normale prodhimi e konsumi.
Mirëpo, tregjet e hapura kërkojnë edhe mendje të hapura. Këto të fundit kërkojnë dëgjesa të hapura dhe veprime po të tilla, që të mos ndodhë që shteti t’i sulet biznesit dhe individit, e këta të fundit të fshihen a konvertohen për t’i shpëtuar bataresë së shtetit.