Pikëpyetjet e modeleve të rritjes ekonomike?
Nga Prof. Dr. Ardian Civici, botuar në Panorama Online
Ritmi i lartë i zhvillimit të shumë vendeve të botës të konsideruara deri tani thjesht si “vende në zhvillim” po përmbys krejtësisht si modelet klasike të zhvillimit, ashtu edhe mitin e avantazheve krahasuese të vendeve të zhvilluara, bazuar në industrializimin dhe teknologjitë moderne. Në këtë kontekst duhet parë e vlerësuar edhe debati i sotëm në Shqipëri në lidhje me gjetjen e një modeli të ri të rritjes ekonomike, që shumë raste barazohet pa të drejtë me një nocion shumë më të gjerë, siç është ai i modelit të ri ekonomik. Në këtë zgjedhje duhen ekuilibruar në mënyrë efektive dy vektorë: nevojat dhe specifikat ekonomiko-financiare e sociale të Shqipërisë në këtë periudhë “post-tranzicion”, me tendencat apo eksperiencat e vendeve të tjera në këtë drejtim; duhen përputhur strategjitë dhe prioritetet tona sektoriale e kombëtare me rregullat dhe filozofinë me të cilën po zhvillohet ekonomia botërore sot. As zgjidhja “tërësisht shqiptare” dhe as ajo “tërësisht eksperiencë ndërkombëtare” nuk është më e përshtatshmja.
Paradigmat dhe “recetat” klasike të rritjes po ndryshojnë me shpejtësi
Në këtë fillimshekulli të ri ekonomia botërore po pëson ndryshime radikale jo vetëm në ritmet marramendëse të zhvillimit dhe pasojat po aq marramendëse të krizës, por njëkohësisht edhe në mekanizmat e funksionimit dhe filozofinë e saj. Futja masive në këto 10-15 vitet e fundit në “tregun botëror” të popullsive disamiliardëshe të Kinës, Indisë, Rusisë, Brazilit dhe vendeve të ish-Bllokut Lindor etj., po lëkund fort ekuilibrat, rregullat e lojës dhe standardet e ekonomisë botërore. Shumë nga postulatet apo “rregullat” klasike që deri tani kanë pasur vlerën e “Biblës”, për ekonomistët kanë filluar të vihen në diskutim. “Teoria e avantazheve krahasuese”, “modelet klasike të zhvillimit”,“teoritë standarde të rritjes ekonomike”,“teoria e avantazheve teknologjike”,“lidhja ndërmjet zhvillimit ekonomik dhe kapitalit social”, “relacioni: kapital/popullsi aktive si determinante e zhvillimit” etj., po rivlerësohen në nivele kontinentale, rajonale e kombëtare nën optikën e zhvillimeve të reja të ekonomisë botërore.
Analizat “makro” dhe “mikro”, si dhe politikat ekonomike që po propozohen apo kanë filluar të aplikohen si në shkallë ndërkombëtare, ashtu dhe në nivele nacionale, po e ndiejnë nevojën e përfshirjes së këtyre ndryshimeve “konceptuale” në përmbajtjen e tyre. Institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare, si Banka Botërore, FMN, OBT, BERZH etj., qendrat kërkimore shkencore dhe universitetet prestigjioze, organizatat e shoqërisë civile, qeveritë e shumë vendeve të zhvilluara apo në zhvillim, masmedia e specializuar dhe ajo qendrore etj., kanë filluar të reagojnë konkretisht në përgjigje të kësaj situate të re, të quajtur në mënyrë të përgjithshme “globalizim i ekonomisë botërore”. Çfarë po ndodh dhe cila është perspektiva e afërt dhe e largët? Cilat janë pasojat e mundshme dhe si mund të përballohen ato nga shtete e qeveri të ndryshme, qofshin këto vende të industrializuara, vende në zhvillim apo shtete të varfra?
Ne nuk jetojmë në një botë homogjene. Aktualisht evidentohen të paktën 6 nivele të ndryshme zhvillimi për vendet e planetit: vendet e industrializuara; ekonomitë në tranzicion; vendet me zhvillim të shpejtë të quajtura edhe si “ekonomi emergjente”; vendet në zhvillim; vendet e varfra dhe ato me konflikte permanente. Vendet e veçanta dhe grupet e ndryshme sociale të tyre nuk kanë të njëjtën forcë e mundësi për të përfituar nga tendencat globale dhe avantazhet e globalizimit. Humbjet po iu faturohen gjithnjë e me shumë atyre vendeve apo grupeve sociale që nuk janë në gjendje të reagojnë me politika cilësore publike apo veprime konkrete “mbrojtëse”, dhe kryesisht vendeve të grupit të katërt, të pestë e të gjashtë. Është e rëndësishme të kuptohet se politikat e rritjes ekonomike duhet të konceptohen e hartohen duke e pasur të qartë se në cilin grup vendesh bën pjesë, dhe njëkohësisht në cilin prej tyre synon të shkosh. Në rastin e Shqipërisë, mendoj se ne bëjmë pjesë në grupin e katërt, atë të vendeve në zhvillim dhe synimi ynë kryesor në 10-15 vitet e ardhshme duhet të jetë kalimi në grupin e tretë, atë të ekonomive emergjente. Megjithëse, për nga madhësia e popullsisë, ekonomisë dhe territorit, vendet me ekonomi emergjente personifikohen sot nga pesë shtete shumë të mëdha. Filozofia dhe rruga e tyre e zhvillimit vlerësohet se është eficente edhe për vende të vogla, por që dinë të integrohen si duhet në ekonominë botërore.
BRICS, shembull për t’u ndjekur apo kërcënim për ekonominë botërore?
BRICS, Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, konsiderohen si “fuqitë e mëdha emergjente”, pasi ato bëjnë pjesë në 25 ekonomitë më të mëdha të botës: kanë mbi 40% të popullsisë së globit dhe japin mbi 60% të rritjes ekonomike të planetit. Sipas R. Freeman, ekspert i ekonomisë në Cambridge, “komuniteti ekonomik ndërkombëtar dhe hartuesit e politikave ekonomike nuk e kanë kuptuar akoma krejtësisht atë që po ndryshon në epokën tonë të globalizimit: me hyrjen në ekonominë e tregut të gjigantit “Cindia” (Kina, India) dhe Bllokut ish-Sovjetik (Rusia), popullsia aktive botërore është dyfishuar”. Këto vitet e fundit, me përfshirjen e Brazilit dhe Afrikës së Jugut në këtë grup, po flitet për “përbindëshin ekonomik BRICS”. Gjatë viteve 1980, popullsia aktive botërore përbëhej kryesisht nga vendet e zhvilluara si SHBA, Kanada, Japoni, Australi, vendet europiane, vende të Amerikës Latine etj., por ajo nuk ishte më shumë se 1 miliard persona. Rritja e popullsisë së këtyre vendeve gjatë 20 viteve në vazhdim, kryesisht në vendet e varfra e në zhvillim, e rriti numrin e personave të punësuar në këtë grup ekonomish në rreth 1.4 miliardë. Por në fillim të viteve 1990-të e në vazhdim, në këtë treg u futën në mënyrë të shpejtë dhe 1.5 miliardë punonjës të rinj të ardhur nga Kina, India, ish-Blloku Sovjetik, Brazili e Afrika e Jugut. Këta punëtorë ekzistonin edhe më parë, por në këtë periudhë ekonomitë e tyre u futën dhe u integruan në sistemin botëror të prodhimit dhe konsumit. Në vitin 2000, ky grup vendesh kishte kontribuar në dyfishimin e masës së popullsisë aktive botërore.
Sipas A. Harrison dhe J. Scorse (The impact of Globalisation on Compilance with Labor Standarts),“të sapoardhurit në ekonominë dhe tregun botëror, megjithëse të shumtë në numër, sollën shumë pak kapital, qoftë si pasojë e varfërisë së tyre, qoftë si pasojë e vlerës së ulët ekonomike të kapitalit të tyre”. Hyrja e Kinës, Indisë, Rusisë dhe Brazilit shkaktoi një përmbysje radikale e zvogëlim të dukshëm të raporteve “kapital/fuqi punëtore”, duke e ulur atë nga 91% në 57%. Por si teoria, ashtu dhe praktika ekonomike e provojnë qartë se niveli i këtij raporti përcakton si nivelin e pagave, ashtu edhe fitimet nga kapitali. Sa më i madh të jetë niveli i kapitalit për një punonjës aktiv, aq më i madh është produktiviteti i tij dhe, po kështu, aq më e madhe është rroga apo të ardhurat e tij. Raportet e forcës dhe fuqisë ekonomike ndërmjet shteteve përcaktohen pikërisht nga ky raport. Ky duhet të konsiderohet si një nga indikatorët më të rëndësishëm në objektivat dhe politikat ekonomike në Shqipëri, në kuadrin e diskutimeve për modelin më të mirë të rritjes ekonomike.
Një zvogëlim i raportit botëror kapital/fuqi punëtore modifikon dhe ekuilibrin e fuqisë në tregjet botërore në favor të kapitalit, sepse në rrethanat e reja, një numër gjithnjë e më i madh popullsie aktive është në konkurrencë për përdorimin e kapitalit. Sipas kushteve të sotme, edhe pse Banka Botërore vlerëson se vendet e reja, si Kina, Brazili dhe India kanë një nivel të lartë kursimesh të brendshme, që arrin deri në 40% të PB-së së tyre, do të duhen të paktën edhe 30 vjet që bota të arrijë nivelin 91% të raportit kapital/fuqi punëtore, nivel që ekzistonte para hyrjes në tregun botëror të këtyre vendeve të reja. Dyfishimi i fuqisë punëtore dhe qëndrimi pothuajse në vend i sasisë së kapitaleve po i vendosin nën një presion shumë të madh tregjet e punës në të gjithë botën. Ky presion po bëhet më i fortë sidomos në vendet në zhvillim, që tashmë bëjnë pjesë në ekonominë globale. Meksika, Kolumbia, Nigeria, Kili, Argjentina, Zelanda e Re etj., nuk mund ta konkurrojnë Kinën apo Indinë në fushën e industrisë tekstile, elektronikës, përpunimit të lëndëve të para etj., në kushtet kur rroga e një punonjësi kinez apo indian është 4 herë më e vogël se ajo e këtyre vendeve, ndërkohë që produktiviteti i punës është pothuajse i njëjtë.
Pikëpyetjet e modelit klasik të zhvillimit
Vendet e zhvilluara po ndiejnë presione të forta si pasojë e hyrjes së kësaj mase gjigante 1.5 miliardëshe në treg. Tradicionalisht, shumica dërrmuese e punonjësve të vendeve të zhvilluara, si pasojë e nivelit të lartë të kualifikimit të tyre, kanë përfituar nga tregtia dhe shkëmbimet me vendet në zhvillim. Por investimet masive që BRICS po bëjnë në kapitalin e tyre human, po i japin fund këtij përfitimi. Kina dhe India “prodhojnë” sot me një kosto shumë më të ulët, me miliona të diplomuar të aftë që të rivalizojnë me kolegët e tyre të diplomuar amerikanë, japonezë, anglezë, gjermanë apo francezë. Në dekadën e dytë të shek. XXI, sipas Freeman, “në Kinë dhe në Indi do të ketë respektivisht më shumë doktorë shkencash dhe inxhinierë se në SHBA. Ky eksplozion i fuqisë punëtore të kualifikuar do të prishë skemën tradicionale të tregtisë, sipas së cilës, zona më e avancuar disponon një fuqi punëtore të kualifikuar dhe kapacitete kërkimore e shkencore zhvilluese për të propozuar prodhime dhe shërbime të reja në treg, ndërkohë që zona më e pazhvilluar nuk është konkurruese në këtë fushë”.
Sipas kësaj skeme, Veriu prodhon produkte të reja dhe i tregton ato në Jug, ndërkohë që ky i fundit vazhdon me prodhimin e produkteve të vjetra dhe mund t’i përmirësojë ato vetëm në funksion të shpejtësisë së adoptimit të teknologjive të reja, të cilat mbeten një “pronë” e vendeve të zhvilluara. Në fushat dhe sektorët ku të dyja grupet e vendeve kanë akses në të njëjtën nivel teknologjik, Jugu, duke pasur paga më të ulëta, është më konkurrues. Sipas modelit ekonomik klasik, për vendet e Veriut që kanë avantazhe të dukshme teknologjike, nuk ka asnjë rrezik eminent konkurrence nga Jugu. Por, për të kuptuar atë që po ndodh aktualisht dhe atë që do të vijë në të ardhmen, duhet të fillojmë të pranojmë dhe operojmë me një koncept të ri, i cili korrespondon me një “zhvendosje të avantazheve krahasuese të Veriut drejt Jugut”.
Që ky fenomen të ndodhë, duhet të veprojnë tre faktorë: (a) duhet që popullsia aktive e vendeve të Jugut të nxjerrë një sasi të konsiderueshme shkencëtarësh e inxhinierësh; sot për sot, vetëm Kina dhe India mund të zhvillojnë një sektor të madh “kërkim-zhvillimi” më të rëndësishëm se ai i SHBA-së, çka po e dëshmon më së miri avancimi i universiteteve dhe qendrave kërkimore-shkencore të këtyre dy vendeve në majat më prestigjioze të klasifikimit botëror, deri tani domen vetëm i amerikanëve dhe britanikëve; (b) produktiviteti i çdo sektori do të varet nga numri i shkencëtarëve dhe inxhinierëve që punojnë për zgjidhjen e problemeve të tij; (c) produktiviteti final varet gjithashtu nga cilësia e organizimit të “kërkim-zhvillimit”, si dhe lidhjes ndërmjet universiteteve e qendrave të kërkimit dhe botës së biznesit, në aftësinë për të transformuar një “produkt shkencor në një produkt tregtar”. Në thelbin e saj, kjo “formulë” është më e përshtatshmja edhe për modelin e rritjes ekonomike në Shqipëri, për politikat me kapitalin human, cilësinë e universiteteve dhe qendrave kërkimore, për strategjitë e zhvillimit.
Aktualisht, vendet e Jugut, edhe pse popullsia e tyre aktive është më pak e diplomuar se ajo e vendeve të Veriut, disponojnë një nivel të rëndësishëm kompetencash në fusha të prodhimit dhe shërbimeve dhe vazhdojnë të hedhin në tregun botëror produkte të cilësisë së lartë. Në një vend të populluar është më kollaj si të rekrutosh punonjës që disponojnë formimin profesional të kërkuar, ashtu edhe të zhvillosh infrastrukturat e nevojshme për të zhvilluar me përparësi një sektor të dhënë. Në këto kushte, një vend në zhvillim me shumë popullsi aktive mund të bëhet konkurrues edhe në sektorët e teknologjisë së lartë dhe të realizojë atë që modeli tregtar tradicional Veri-Jug e ka konsideruar si të pamundur: të krijojë industrinë e teknologjisë së lartë dhe institucione cilësore të kërkim-zhvillimit. Kina, Brazili dhe India janë shembujt më të mirë të konkretizimit të këtij zhvillimi të ri në ekonominë dhe zhvillimin global. Por, edhe vende “të vogla”, si Irlanda, Sllovakia, Sllovenia etj., duket se janë mjaft afër kësaj filozofie zhvillimi.
Diferenca e pagave – çelësi i suksesit
Avantazhi kryesor i vendeve në zhvillim në fushën e kërkimeve teknologjike qëndron te pagat e vogla të kërkuesve dhe inxhinierëve. Vendet e zhvilluara, si pasojë e këtij fenomeni, për momentin kanë interes t’i zhvendosin laboratorët dhe kapitalet e tyre të destinuara për teknologjitë moderne drejt vendeve në zhvillim. Por, shumë vende në zhvillim, të ndërgjegjshme për potencialet e tyre të mëdha humane, po i kushtojnë rëndësi primare formimit dhe zgjerimit të kapitalit të tyre social. Në librat “Shekulli kinez” dhe “Cindia”, gazetari italian Federico Rampini, një nga njohësit e mirë të Kinës dhe Azisë, shkruan se “tashmë kinezët po krijojnë gjigantët e tyre të super-teknologjive të tipit “microsoft”,”apple”, “general motors”, “monsanto”, “silicon valley” etj.”. Rampini e vlerëson të rëndësishëm momentin kur “këta shkencëtarë dhe inxhinierë në vendet në zhvillim do të fillojnë të drejtojnë sektorë qëpunësojnë masivisht fuqinë punëtore dhe që kanë impakt tëkonsiderueshëm në ekonominë rajonale e botërore”. Ky do të jetë dhe momenti më i vështirë për vendet e industrializuara, pasi ato do të humbin një pjesë të aftësive të tyre konkurruese, si pasojë e humbjes së përparësisë në teknologjitë e reja.
Nëse pranojmë se një nga arsyet kryesore që justifikon diferencën e pagave ndërmjet Veriut dhe Jugut, është monopoli i vendeve të zhvilluara në fushën e produkteve dhe teknologjive të reja, atëherë duhet pranuar arsyetimi se përvetësimi i këtyre teknologjive nga vendet në zhvillim do të shkaktojë gjithashtu edhe një ndryshim në diferencën e pagave ndërmjet tyre. Kështu, pagat në vendet e Jugut kanë tendencën që t’u afrohen atyre të Veriut. Kjo pritet të jetë edhe një nga përmbysjet e mëdha në ekonominë botërore, përmbysje që do të shoqërohet me shumë elemente e fenomene të reja në ekonominë, financat dhe tregtinë botërore. Richard Freeman, në librin “What Really Ails Europe and America”, shprehet: “Bota duhet të përgatitet për një periudhë tranzicioni të gjatë dhe të vështirë, gjithsesi akoma më të veçantë se ajo e krijuar nga rikthimi i Europës dhe Japonisë në skenën ekonomike botërore mbas Luftës së Dytë Botërore”.
Ndryshim global – përgjegjësi globale
Deri tani, institucione si FMN, Banka Botërore dhe OBT kanë insistuar shumë në kritikat ndaj “mungesës së fleksibilitetit të tregut të punës”, ndaj“papërgjegjshmërisë buxhetore të qeverive për të rritur shpenzimet sociale”të tyre, ndaj “ndërhyrjes së qeverive dhe sektorit publik në funksionimin e tregut të lirë” etj. FMN-ja ka kërkuar vazhdimisht të mbrojë kapitalin dhe sidomos kapitalin e huaj. Por, me një popullsi aktive botërore të dyfishuar, kapitali duhet të jetë në gjendje të mbrohet vetë. Në vend që të kërkojnë të mbrojnë kapitalin, FMN dhe Banka Botërore duket se po synojnë të ndihmojnë më shumë vendet ku ato janë prezente që të hartojnë e aplikojnë politika specifike për zvogëlimin e kostove dhe rritjen e efikasitetit dhe fleksibilitetit të tregut të punës dhe ristrukturimit të njohurive profesionale të punonjësve të tyre në përputhje me zhvillimet e pritshme. Duhet të garantohet që efektet pozitive dhe përfitimet nga globalizimi të shpërndahen në mënyrë më të barabartë ndërmjet vendeve e popujve që tashmë janë pjesë e tij. Tendenca e tregut dhe ekonomisë botërore për t’u globalizuar dhe për t’u përfshirë në vorbullën e saj, në shumë vende e popuj duhet të bashkëshoqërohet me tendencën e një shpërndarjeje sa më të barabartë të fryteve të saj.
Ndryshe, globalizimi mund të kthehet në të kundërtën e tij dhe në vend që të prodhojë progres e zhvillim, mund të shkaktojë konflikte e kriza të rrezikshme rajonale apo botërore. Sipas Aon Hewit, aktualisht bota sot ka nevojë të shtojë sa më shumë dhe sa më shpejt nivelin e kursimeve dhe ristrukturimin e një stoku të mjaftueshëm kapitalesh botërore, ndërkohë që Freeman nënvizon si shumë të rëndësishme postulatin se “SHBA-të shumë shpejt do të detyrohen të kalojnë nga gjendja aktuale si një nga debitorët më të mëdhenj botërorë, në gjendjen e njërit nga kreditorët më të mëdhenj të ekonomisë botërore”, çka duket se po fillon ta bëjë.
OKELJO:
Shumë nga postulatet apo “rregullat” klasike që deri tani kanë pasur vlerën e “Biblës” për ekonomistët kanë filluar të vihen në diskutim. “Teoria e avantazheve krahasuese”, “modelet klasike të zhvillimit”, “teoritë standarde të rritjes ekonomike”,“teoria e avantazheve teknologjike”,“lidhja ndërmjet zhvillimit ekonomik dhe kapitalit social”,“relacioni : kapital/popullsi aktive si determinante e zhvillimit etj., po rivlerësohen në nivele kontinentale, rajonale e kombëtare nën optikën e zhvillimeve të reja të ekonomisë botërore.
Sa më i madh të jetë niveli i kapitalit për një punonjës aktiv, aq më i madh është produktiviteti i tij dhe po kështu, aq më e madhe është rroga apo të ardhurat e tij. Raportet e forcës dhe fuqisë ekonomike ndërmjet shteteve përcaktohen pikërisht nga ky raport. Ky duhet të konsiderohet si një nga indikatorët më të rëndësishëm në objektivat dhe politikat ekonomike në Shqipëri në kuadrin e diskutimeve për modelin më të mirë të rritjes ekonomike.