Gazsjellësi “TAP” dhe korridoret ekonomike të zhvillimit

Nga Prof. Dr. Leonard Agora, botuar në Shekulli Online, 30 gusht 2013

“Një nga mënyrat e mundshme për Shqipërinë për të përmirësuar gjendjen e saj, është përmirësimi i të bërit biznes dhe pagimi i taksave” (Indermit Gill – Ekonomisti Kryesor i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore). Të ardhurat nga biznesi janë një nga format më të rëndësishme të kontributit për rritjen ekonomike të një vendi. Deklaratat e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar vënë në dukje gjendjen e rënduar të Shqipërisë për sa i përket borxhit të jashtëm dhe mënyrat se si mund të zvogëlohet, duke rritur të ardhurat nga taksat dhe nga biznesi. Shqipëria duhet të bëjë progres në krijimin e kushteve në vend për të mirëpritur investitorët e huaj, ndërkohë që gjendja aktuale ka mjaft ngërçe për të zgjidhur. Shkaqet e kësaj gjendjeje, përmirësimet që duhen bërë në kontekstin e një vështirësie ekonomike, që tashmë duket se nuk ka përjashtuar as vendin tonë, faktet nga institucionet ndërkombëtare dhe rekomandimet, janë çështje kryesore që kërkojnë vëmendje me prioritet. Klima e biznesit në vendin tonë nuk renditet ndër ato të favorshmet. Duke iu referuar raportit Doing Business (Të bësh biznes) 2012, renditemi në vendin e 83-të nga 183 ekonomitë botërore për të tërë. Ndërkohë një përmirësim për t’u përmendur është fakti se vendi ynë ka bërë hapa përpara për sa i takon regjistrimit të pronave duke vendosur limite kohore për regjistrimin e tokës në zyrat përkatëse. Megjithatë, në Shqipëri është shumë e vështirë për të marrë lejet e ndërtimit, pasi autoriteti kryesor që jep lejet e ndërtimit, nuk është mbledhur që në vitin 2009. Një tjetër shkak për gjendjen e sipërmarrjes në Shqipëri shpjegohet nga fakti se ende ka probleme me aksesin për elektricitetin dhe janë shumë të përhapura praktikat në sektorin joformal. Sipas firmave në Shqipëri, duke përfshirë edhe intervistat me investitorët apo bizneset e huaja, korrupsioni, renditet si pengesa kryesore për të bërë biznes. Përqindja e bizneseve që paguajnë “nën dorë” për “rregulluar gjërat”: është 57.7%! Në këtë kontekst, kontrolli i korrupsionit, forca e ligjit apo rreziku politik i vendit nuk kanë pësuar ndryshim. Megjithatë, fakt pozitiv, është se investitorët e huaj dhe vendas kanë të drejta të barabarta në pronësinë e kompanisë në Shqipëri, përveç se në transportin ajror dhe sektorët e transmetimit televiziv, sektorë këto me të ardhura të rëndësishme. Gjithashtu ka lehtësira për hapjen e një biznesi, duke qenë se të fillosh të themelosh një shoqëri me përgjegjësi të kufizuara të huaj në Shqipëri, kërkon më pak kohë dhe procedura është më e shpejtë se sa në rajonin e Europës Lindore dhe Azisë Qendrore. Transparenca e tregut dhe mbrojtja e pronësisë nuk është ndër më të favorshmet. Aksesi në tokën industriale duket të jetë në një nivel me rajonin dhe mbarë botën, ndonëse dhënia me qira për tokën publike është e vështirë dhe për këtë shkak procesi i analizës së vlerës së tregut dhe kushteve të pronësisë është i nevojshëm, duke vërejtur se pretendimet konfliktuale të pazgjidhura që e bëjnë dokumentin apo titullin ligjor të pasigurt janë në rend të ditës.

Për sa i përket rezultateve për vitin aktual, nuk ka ndonjë ndryshim. Raporti paraprak Doing Business (Të bësh biznes) për vitin 2013, tregon se vendi ynë nuk ka bërë përmirësim në renditjen botërore për të kryer biznes (tre vende më poshtë në klasifikim). Mungesa e përmirësimeve të mëtejshme për themelimin e një biznesi të ri, regjistrimin e pronës, mbrojtjen për investitorët e huaj, tregtinë jashtë kufijve dhe zgjidhjen e falimentimeve, përbëjnë shkaqet kryesore për këtë renditje. Taksat në fushën e biznesit, por jo vetëm, janë një tjetër pengesë. Edhe këtu renditemi mjaft pesë vende më keq në pagesën e taksave se në 2012-tën. Sistemi shtetëror nuk ka efiçencën e përshtatshme në zgjidhjen e problematikave të biznesit dhe atyre tatimore. Koha që shpenzohet nëpër takimet me zyrtarët, që punojnë për sektorin e taksave dhe të gjitha çështjeve të lidhura me to, në Shqipëri, që ka një vlerë prej 4 ditësh, ndërkohë që mesatarja e rajonit është 1.6 ditë dhe ajo botërore 2 ditë. Në vendin tonë, menaxherët dhe drejtuesit më të lartë të firmave shpenzojnë rreth 18.7% të kohës së tyre të çmuar, duke u marrë me kërkesat që legjislacioni i qeverisë ka për biznesin, ndërkohë që mesatarja botërore është 9.1%, ndërsa ajo rajonale 10.5%. Përfundimi është që nevojiten Reformat strukturore për zhvillim të qëndrueshëm të biznesit në vendin tonë. Dobësitë e mjedisit të biznesit janë një pengesë për investime dhe rritjen afatmesme. Dobësitë e vazhdueshme në kuadrin ligjor, sidomos në të drejtat pronësore dhe zbatimi i kontratave, vazhdojnë të jenë probleme të mëdha. Arbitrariteti i mbledhjes së taksave dëmton efektivitetin e normave tatimore të ulëta të Shqipërisë. Punësimi i përhapur në sektorin informal bën thirrje për të bërë punësimin formal më fleksibël. Përmirësimi i saktësisë së të dhënave, veçanërisht në llogaritë kombëtare dhe të jashtme, si dhe afatet kohore do të kontribuojnë drejt një mbikëqyrjeje efikase dhe hartimit më të mirë.

**********

Zhvillimi me ritme të larta dhe të qëndrueshme i ekonomisë sonë kërkon vizionin e përfshirjes në korridoret e zhvillimit, duke filluar nga rrjetet e energjisë, naftës, gazit, infrastrukturës fizike dhe informatike. Partitë politike mund dhe duhet të kenë debat rreth cilësisë së arsimit, shëndetësisë, sistemit të taksave dhe administrimit të tyre,  por duhet të jenë unike për prioritetet kombëtare, ku përfshihen edhe projektet gjeostrategjike. Sfidat e zhvillimit ekonomik, reduktimi i prekjes nga krizat e burimeve të energjisë, e bëjnë të domosdoshme rritjen e sigurisë së furnizimit me energji; kërkojnë reduktimin dhe eliminimin e pengesave dhe vonesave ndaj çdo projekti që mundëson integrimin e ekonomisë sonë në korridoret ndërkombëtare të zhvillimit. TAP-i dhe çdo projekt që na mundëson të bëhemi pjesë integrale e korridoreve ekonomike duhen mbështetur jo vetëm duke i miratuar me një entuziazëm elektoral, por duke lehtësuar fillimin sa më parë, që të mund të japin efekte pozitive në rritjen e sigurisë për furnizimin me energji, rritjen e diversifikimit të burimeve të energjisë, rritjen e cilësisë së furnizimit dhe reduktimin e kostos së energjisë për familjet, biznesin privat dhe sektorin publik. Rëndësia rritet kur mban parasysh se ndërtimi i tij ul kostot e financimit për çdo projekt ndërkombëtar që mund të kalojë nga vendi ynë.

Partia Socialiste e ka shprehur qartë mbështetjen e saj për projektin “TAP” dhe për çdo projekt që ndihmon ekonominë tonë të bëhet pjesë e korridoreve të zhvillimit ku përfshihet energjia, telekomunikacioni, infrastruktura e transportit, turizmi dhe çdo mundësi tjetër potenciale. Për t’u bërë pjesë dhe për të përfituar nga korridoret e zhvillimit ne duhet të eliminojmë raste dështimi si me projektin e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, i financuar nga Banka Gjermane KfW. Një projekt me vonesa dhe pasoja negative në fushën e energjisë, ku pasiguritë dhe kostot mbetën të larta. Ato mund të ulen dhe reduktohen duke u bërë pjesë e rrjeteve europiane që lehtësojnë eksport-importin e energjisë, dhe që në rastin konkret i integrojnë më mirë të dyja sistemet energjetike midis Kosovës dhe Shqipërisë, çka sjell përfitime konkrete e reciproke. Faktori gjeopolitik në përzgjedhjen e projekteve konkurruese kërkon që qeveria shqiptare të qartësojë dhe të respektojë partneritetet e saj strategjike, të bashkëpunojë dhe harmonizojë vendimet e saj me partnerët strategjikë. Sigurisht, vendi ynë nuk ka fuqinë politike dhe ekonomike për të ndikuar apo vendosur se kush do të jetë projekti fitues në konkurrencën globale midis projekteve. Por, ne kemi një avantazh gjeografik që duhet ta maksimizojmë edhe përfitimin ekonomik. Duhet të kemi një strategji të zgjuar dhe të qartë se si ta bëjmë ekonominë tonë pjesë në garën përzgjedhëse të projekteve të tilla.

Kalimi i korridoreve të zhvillimit nga vendi ynë do të bëhet i mundshëm më shumë nga garancitë që ofrojmë sesa iniciativat që premtojmë. Garancitë e një shteti ligjor funksional, garancitë e një vendi me risk të ulët politik, një vendi që duhet t’i ketë zero risqet për konflikte sociale apo për paqëndrueshmëri politike, do të kenë një efekt shumë më të madh sesa incentivat fiskale apo marrëdhëniet e personalizuara.

Dy janë shqetësimet që meritojnë të ndahen edhe me publikun lidhur me projektin “TAP” dhe çdo projekt tjetër gjeostrategjik. E para – Projekte të këtyre dimensioneve kërkojnë studime të plota dhe implementime të monitoruara me përgjegjësi maksimale për efektet dhe risqet e tyre ndaj ambientit. Ky element nuk duhet nënvleftësuar në asnjë rast, pasi vitet e fundit kemi parë disa kriza ambientaliste nga kompani shumë të mëdha dhe në vende me institucione dhe aftësi monitoruese shumë më të mirë se vendi ynë. Kjo është një përgjegjësi e madhe po të kemi parasysh pasojat e rrjedhjeve të naftës në Gjirin e Meksikës dhe se sa herë më të mëdha mund të jenë pasojat për vendin apo rajonin tonë, ku pasuria e madhe turistike, akoma e pa shfrytëzuar, nuk duhet të cenohet nga rrsqe ambientaliste. Transparenca e gjithë kritereve dhe risqeve potenciale mbi ambientin duhet të jetë e plotë dhe oponenca e ekspertëve edhe shqiptare duhet të jetë sa më profesionale. Ekspertët duhen dëgjuar me kujdes dhe duhen respektuar deri në momentin kur oponenca e tyre synon realisht standarde të larta dhe risqe të ulëta ndaj ambientit, dhe jo vonesa apo bllokime të inspiruar nga lëvizje antiglobaliste.

E dyta – Ka të bëjë me keqpërdorimin elektoral të këtyre projekteve. Qeveria nuk duhet t’i bëjë “pis” projekte të tilla duke tentuar t’i keqpërdorë si spote elektorale ku premtohen miliarda dollarë investime dhe mijëra vende pune. Në vitin 2009, në prag të zgjedhjeve parlamentare, qeveria i detyroi kompanitë investuese në projektin e HC mbi lumin Devoll – kompani nga pikëpamja teknologjike dhe e kapaciteteve investuese shumë kredible, që të prisnin një shirit inaugurues pak ditë përpara zgjedhjeve dhe të krijonin idenë se menjëherë pas tyre do të hapeshin disa mijëra vende pune. Projekti, edhe pas 4 viteve është akoma në fazat studimore, të rëndësishme përpara fillimit të investimeve fizike. TAP-i nuk është projekti i parë gjeostrategjik. Që nga viti 1992, ndoshta me shumë shpresë u deklarua fillimi i punimeve dhe përfitimet e mëdha nga projekti “AMBO”, i cili, edhe pse ka rreth 20 vjet, nuk u realizua. Projektet gjeostrategjike duhen studiuar dhe mbështetur si elemente të rëndësishme të politikave tona kombëtare afatmesme dhe afatgjata, çka nënkupton që shumë prej këtyre projekteve, nga faza e projekt-idesë deri në implementimin e tyre mund të kërkojnë deri 10 apo 15 vjet. Kjo nënkupton që miratimi dhe implementimi i tyre përkon me qeverisjen e vendit nga mazhoranca të ndryshme politike. Opozita aktuale e ka mbështetur plotësisht dhe publikisht projektin “TAP” dhe do t’i japë atij mbështetjen parlamentare, duke shpresuar shumë që kjo ta bëjë TAP-in një projekt konkurrues me përfitime të ndjeshme për sfidat e ekonomisë sonë. Ky vizion mbetet prioritar edhe për faktin se rajoni ynë, bazuar edhe në studimet e kryera nga Banka Botërore dhe institucione të tjera, në vitet e ardhshme do të përballet me rritje të deficitit midis kërkesës në rritje për energji dhe investimeve të pamjaftueshme për të prodhuar energjinë e domosdoshme që duhet të mbështesë një rritje më të lartë ekonomike në rajon. Përfitimi më i rëndësishëm, në qoftë se ky investim do të bëhet realitet, do të jetë përfshirja për herë të parë e ekonomisë së vendit tonë në rrjetet ndërkombëtare të zhvillimit, ku energjia edhe për shumë kohë do të jetë një lëndë e rëndësishme strategjike edhe në zhvillimin tonë ekonomik.

Taksa progresive 

Vetëm ndonjë neoliberal i pandreqshëm nuk e gëlltit dot faktin se shumica ka gjithmonë të drejtë, edhe kur duket se interesat e vetë shumicës bien ndesh me idetë e saj. Unë personalisht do të propozoja madje që i gjithë buxheti i shtetit dhe sistemi tatimor të caktohej me referendum. Shumica e varfër e këtij vendi duhet të ketë në dorë të vendosë vetë sa duhet të jenë rrogat, sa duhet të jenë taksat dhe madje, pse jo, le të marrë edhe vendimet gjyqësore. Me këtë rast do të vërtetonim se për të ndërtuar komunizmin nuk ka nevojë për revolucion. Mjafton populizmi. Shqipëria vendi me çekuilibër financiar dhe borxhin publik më të lartë në Ballkanin Perëndimor.  Heqja me ligj në Shqipëri e tavanit prej 60% për borxhin publik rrezikon rritjen e mëtejshme të tij dhe daljen jashtë kontrollit. Sipas Bankës Botërore çekuilibrat financiarë pengojnë rritjen ekonomike në Shqipëri. Borxhi publik i  Shqipërisë ka arritur në muajt e parë të këtij viti në 63,8 %, të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB ose GDP) në një kohë kur vendet e rajonit e kanë më të ulët borxhin publik dhe më të lartë PBB.   Referuar të dhënave të fundit:  Serbia e ka borxhin publik 58%, Kroacia 54%, Mali i Zi 52%, Maqedonia 31% dhe Bosnja 27%. Ndërkohë që heqja me ligj në Shqipëri e tavanit prej 60% për borxhin publik rrezikon rritjen e mëtejshme të tij dhe daljen jashtë kontrollit. Përvoja e hidhur e Greqisë, me një borxh publik mbi 100 %  të GDP-së dhe cilësimi i krizës emblematike të Greqisë si “krizë e borxhit publik” ka ngjallur alarm tek institucionet financiare ndërkombëtare, të pranishme në Shqipëri. Banka Botërore (BB), në mënyrë këmbëngulëse, përmes përfaqësuesve të saj e ka paralajmëruar qeverinë e Tiranës se nëse nuk ulet borxhi publik apo kombëtar, Shqipëria rrezikon ta pësojë si Greqia. Shqetësimi artikulohet si “rritje e çekuilibrave financiarë që pengojnë rritjen ekonomike”.

Nga duhet filluar kthimi tek ekuilibrat fiskalë? 

Drejtorja e re e Bankës Botërore dhe Koordinatorja Rajonale për Evropën Juglindore, që sapo e ka marrë këtë detyrë, në përfundim të vizitës së saj të parë në Tiranë, e konsideroi  rritjen ekonomike të Shqipërisë në 20 vitet e postkomunizmit  “të shpejtë dhe një ndër më të mëdhatë në Europën Jug- Lindore”.  Por konteksti i vështirë global ka sjellë jo vetëm ulje të rritjes ekonomike, por edhe prishje të ekuilibrave fiskalë. Me fjalë të tjera: rritje të borxhit publik, rrezik për asfiksim të rritjes ekonomike.  “Kriza në eurozonë e ka bërë shumë të vështirë që vende si Shqipëria të kenë rritje ekonomike  dhe bashkë me faktorë të tjerë ka ndikuar në rritjen e çekuilibrave fiskalë që duhet të zgjidhen në një periudhë afatshkurtër, që Shqipëria  të ketë rritje ekonomike” tha Goldstein, në një konferencë shtypi në Tiranë.  Ellen Goldstein dhe Ksenya Lvovski nga Banka Botërore. Rekomandimi Nr 1. i BB-së është shlyerja e faturave të prapambetura të sipërmarrësve dhe investitorëve privatë, që kanë kryer punë të mëdha publike dhe nuk janë paguar nga qeveria, si një nga shkaqet e rritjes së borxhit publik.  Sa duhet të jetë borxhi publik në vende si Shqipëria që të mos rrezikojë rritjen ekonomike? Ellen Goldstein tha në Tiranë se “niveli më i përshtatshëm i borxhit për një ekonomi në zhvillim si Shqipëria është rreth 40 për qind e PBB-së. Ky është standardi global, që ekonomia të mos jetë në stres dhe në risk, por nuk ka ndonjë shifër magjike sesa duhet të jetë niveli i borxhit publik. E mira është të jetë i ulët”,  theksoi ajo. Përfitimet nga ulja e borxhit publik janë bazike: dhënia hapësirë rritjes ekonomike dhe mosasfiksimit të saj, hapje dhe rritje e vendeve  të punës, reduktim i papunësisë. Trajtimi i çekuilibrave fiskalë në Shqipëri do të jetë pjesë e studimi që Banka Botërore ka nisur të kryejë. Ksenya Lvovski, Drejtorja e Bankës Botërore në Shqipëri tha se “masat fiskale për të trajtuar çekuilibrat fiskale do të jenë pjesë e një drafti  për qeverinë, që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, duke i ofruar asaj opsione dhe alternativa për të përmirësuar situatën fiskale të borxhit publik. Cilado qeveri që do të formohet pas zgjedhjeve të 23 qershorit do të përballet me detyrën për të përmirësuar situatën e financave publike, për të përmirësuar efikasitetin e administrimit të të ardhurave  dhe rritjen e qëndrueshmërisë së regjimit fiskal”, theksoi Ksenya Lvovski. Janë të pakët politikanët e kohës së paqes që mund të pretendojnë se kanë ndryshuar botën. Margaret Thatcher, ishte një nga ata. Ajo transformoi jo vetëm partinë e saj konservatore, por dhe gjithë politikën britanike. Entuziazmi i saj për privatizimin nisi një revolucion global dhe gatishmëria e saj kundër tiranisë ndihmoi për të sjellë fundin e Bashkimit Sovjetik.Megjithese Ëinston Churchill fitoi luftën, ai kurrë nuk krijoi një “teori” siç arriti Margaret Thatcher. Thelbi i thatçherizmit për të kundërshtuar status quo dhe promovuar lirinë ishte mishërim i konservatorizmit. Ajo mendonte se kombet mund të bëhen të mëdhenj, vetëm nëse individët janë të lirë. Lufta e saj kishte si temë: Të drejtën e individëve për të drejtuar jetën e tyre, veçanërisht nga keqmenaxhimi i shtetit. Betejat e saj me të majtën, në Britani, sidomos minatorët-i dhanë asaj reputacionin e një Tory të veçantë. Ajo anashkaloj modën e vjetër konservatore. Kur papunësia kaloi 2 milion ajo u tha konservatorëve “JU mund ta ktheni atë në qoftë se ju doni,por zonja nuk është për ta kthyer.” Tony Blair përfitoi më shumë nga revolucionit Thatcher se sa pasardhësi i saj John Major.Me sindikatat e dobësuara dhe një të majtë të diskredituar, ai arriti të rimodeloj partinë e tij laburiste duke ja prezantuar atë triumfalisht klasës së mesme Angleze, duke arritur një shumicë dërrmuese në 1997, e cila qëndroi në pushtet për 13 vjet. Me përjashtim të disa masave emergjente të marra në prag të krizës financiare të 2007-08, në Britani nuk ka pasur lëvizje për rishtetëzim të industrive ose për të rifilluar një politikë tjetër nga fituesit laburistë. Prej politikës së saj, qendra e gravitetit të politikës britanike ka lëvizur në mënyrë dramatike në të djathtë. Laburistët e rinj të viteve 90 arritën në përfundimin se mund të shpëtonin Partinë Laburiste nga rrënojat vetëm me pranimin e parimeve qendrore të thatçherizmit. Prandaj Blair deklaroi se “Aktiviteti ekonomik është më mirë ti lihet sektorit privat”. As ai dhe as pasuesit e tij nuk ëndërruan kthimin e nacionalizimit të pasurive të privatizuara nga Thatçher apo dhe fuqisë pakufi sindikale.

Në skenën botërore, gjithashtu, Thatçher vazhdon të bëj një hije të madhe. Fama e saj botërore i dha Britanisë mundësinë për të luajtur një rol të rëndësishëm në rënien e Bashkimit Sovjetik që ishte në disproporcion me peshën e saj në botë. Zj. Thatçher qe politikania e parë britanike që prej Ëinston Churchill që do të merrej seriozisht nga udhëheqësit e të gjitha fuqive të mëdha. Ajo ishte një heroinë e politikanëve të opozitës në Evropën Lindore. Gatishmërinë e saj për të qëndruar krah për krah me Reganin për të bllokuar ekspansionizmin sovjetik ndihmoi nxitjen e një mendësie të re në Kremlin. Por insistimi i saj se Mikhail Gorbaçovi ishte një njeri me të cilin Perëndimi mund të negocionte ndihmoi për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë. Vendet post-komuniste përqafuan revolucionin e saj:

1.Nga viti 1996 Rusia kishte privatizuar rreth 18.000 ndërmarrje industriale.

2.India shpërbëri licencën Raj-një trashëgimi britanike Fabianismit britanik-dhe i hapi rrugën kompanive të suksesshme.

3.Në Amerikën Latine qeveritë përqafuan liberalizimin e tregut.,sipas shembullit britanik.

Sot, lavjerrësi po lëkundet rrezikshmërisht larg nga parimet Zj. Thatçher. Në pjesën më të madhe të vendeve të pasura, është rritur ndjeshëm në vitet e fundit pjesëmarrja e shtetit në ekonomi. Rregullore të shumta, megjithëse të nevojshme, kanë lidhur sektorin privat. Biznesmenët janë nën kontroll si asnjëherë në 30 vjet. Demonstruesit protestojnë kundër ekzistencës së fortë të industrisë bankare. Me rritjen e Kinës, kontrolli shtetëror, jo liberalizmi ekonomik, është duke u përshëndetur si një model për vendet në zhvillim.

Në një botë që ka nevojë të dëshpëruar për rritje, kjo është mënyra e gabuar e drejtimit. Europa nuk mund të lulëzojë pa lirinë e tregjeve të saj. Rimëkëmbja Amerika do të mbytë në se nuk shmangen mbi-rregullimet. Kina nuk do të mbështesë për një kohë të gjatë suksesin e saj nëse nuk thellon liberalizimin.

Kjo është një kohë vendimtare për të reflektuar në perceptimin qendror të Margaret Thatçher -Që vendet të lulëzojnë, njerëzit duhet të kërkojnë më pak ndërhyrjen e shtetit. Ajo që sot bota ka nevojë tani është më shumë thatçherizëm, jo më pak.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi