Dilema “e fundit” e reformimit të sektorit energjetik shqiptar

Nga Lorenc Gordani, botuar në Mapo online, 30 gusht 2013

Javët e fundi opinioni publik është njohur gjerësisht me rezultate e raportit 6-mujor të Bankës Botërore, ku për sektorin energjetik vlerësohet së fokusi duhet të jetë plotësimi i reformës së tregut energjetik. Njëkohësisht, edhe duke iu referuar të njëjtit raport, rikujtohet se të paktën vetë procesi i ndarjes së kompanisë shtetërore u plotësua në vitin 2008. Si rrjedhim, shihet e nevojshme të kuptohet cili është thelbi i reformës e cila kërkohet të arrihet. Drejtim që në këtë shkrim do të mundohemi ta vendosim nën dritën e analizës ekonomiko-juridike, ndoshta disi shkurtazi për kompleksitetin që ajo mbart, duke u mbështetur në profilet kryesore, por mbi të gjitha në logjikën e përgjithshme që përçon.

Për këtë kuadër, thelbësore bëhet arritja e synimeve, që nga njëra anë synojnë hapjen e plotë të tregut dhe, nga ana tjetër, formimin e çmimeve sipas logjikës ekonomike. I pari do të nënkuptonte që prodhuesi publik të jetë i lirë të shesë në platforma telematike të tregut të brendshëm dhe atij rajonal në kohë reale (fillimisht për ditën e nesërme ose Day-Ahead Market – DAM). Kjo bëhet e mundur duke hequr kufizimet ligjore për furnizuesin publik për të blerë ekskluzivisht nga një gjenerator i përcaktuar dhe, nga ana tjetër, me kufizimin e roli të tij me konsumatorët e vegjël. Targete që do të duhet të përmbushen me transpozimin e plotë të Paketës së Tretë të Energjisë me afat të fundit 1 janarin 2015.

Aspekte këto, të cilat siç kuptohet, do të kenë implikime të rëndësishme për të gjithë konsumatorët finalë. Në fakt, për sa u përket konsumatorëve jofamiljarë me reformën e dytë rregullatore të BE-së e më saktësisht me artikullin 21 të direktivës 2003/54/EC, është përcaktuar njohja e plotë e së drejtës për të zgjedhur furnizuesin. Proces që mbetet të përmbyllet tashmë me përfshirjen edhe të konsumatorëve familjarë brenda 1 janarit 2015. Pra, nëse për kategorinë e parë tashmë afati ka kaluar, masa të shpjeta do të duhet të ndërmerren për kategorinë e dytë, nisur dhe nga vetë gjerësia dhe kompleksiteti i përbërjes së saj.

Në lidhje me këtë aspekt, më 22 qershor 2013 u plotësua me rregullat e funksionimit Komiteti Këshillues (Advisory Committee – AC) për Procedurat e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve. Me këtë hap, komiteti u bë plotësisht funksional dhe është i gatshëm për të nxjerrë një opinion ligjor për çdo rast mospërmbushjeje të acquis communautaire, që do t’i referohet nga Këshillit Ministror (MC). Konkretisht, në maj 2013 u regjistrua edhe rasti i parë, ku sekretariati i Komunitetit të Energjisë (ECS) paraqiti kërkesën e arsyetuar të Këshillit Ministror (ECS-8/11) në lidhje më legjislacionin e gazit të Bosnjë-Hercegovinës, i cili do të vendoset për t’iu kaluar apo jo AC-së nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e 24 tetorit të po këtij viti.

Pra, nga kjo pikëpamje, thelbësor bëhet të kuptuarit e motiveve që bëjnë që shtetet pjesëmarrëse (CP) të kenë vështirësi për t’u raportuar në përmbushjen e objektivave të ndërmarra prej tyre. Shkaqet, të cilat janë të shumta dhe jo pak objektive dhe mund të përmblidhen në aftësinë e kufizuar në governance politike dhe financiare, sidomos në vendet e EJL-së, për ndërmarrjen e reformave jo pak të vështira edhe për ato vende më me traditë në tregun e liberalizuar. Thelbi i të cilit përkon me rregullimin e çmimeve të energjisë sipas logjikave ekonomike, ose e thënë më qartë, rregullimi i tij t’i kthehet tregu (art. 3 i direktivës së elektriciteti dhe gazit). Por nga sa është vërejtur deri më tani, në jo pak raste edhe konsumatorët e mëdhenj kanë vështirësi t’i përmbahen kësaj paradigme dhe ngulmojnë të mbeten në kategorinë e rregulluar/mbrojtur. Madje për të evituar këtë ECS, kërkoi që brenda 31 korrikut t’u dërgohet nga shtete anëtare lista e plotë dhe e azhurnuar në vazhdimësi e kompanive që do të duheshin të konsideroheshin “të çliruara/emancipuara”.

Për sa i përket grupit të dytë të konsumatorëve familjarë dhe atyre të vegjël, çmimet e rregulluara të energjisë elektrike duhet t’i përmbahen kuadrit të përcaktuar për qëllime të sigurimit të shërbimit universal (art. 3 (3) i direktivës së energjisë elektrike) në përputhje me mbulimin e kostove. Aspekt që nënkupton mbulimin e të gjitha shpenzimeve reale të furnizimit më energji elektrike, duke përfshirë: kostot e prodhimit, koston për prokurimin nga prodhimi i brendshëm ose importi, investimet e nevojshme/një normë të përshtatshme fitimprurëse, kostot e shërbimeve të furnizimit dhe madje borxhet e këqija.

Njëkohësisht, edhe në filozofinë e tyre, të gjitha çmimet e rregulluara duhet të jenë të kufizuara në kohëzgjatje për atë që është e domosdoshme, për arritjen e objektivave të shërbimit publik të ndjekura, duke iu përmbajtur frymës së nenit 3 (2) të Direktivës së Energjisë Elektrike (pra, të definuar në mënyrë të qartë, transparente, jodiskriminuese, të verifikueshme dhe garantuese të barazisë së aksesit). Njëkohësisht, Autoriteti Kombëtar Rregullator (në bashkëpunim me Autoritetin e Konkurrencës) duhet të ngarkohet me kryerjen e raportimeve vjetore të metodologjive dhe nivelin e çmimeve të miratuar për klientët finalë.

Në mbyllje, e gjitha e “shpëton sektorin”, siç theksohet edhe në raportin e BB-së, pasi e kthen në dinamikat e eficiencës së konkurrencës te tregut. Logjikë që detyron sigurimin e mbrojtjes së kategorive të cilësuar të dobëta nëpërmjet përcaktimeve të qarta normative dhe adresimin real të nevojave të tyre ekonomike. Madje forcon në përputhje me parashikimet e acquis edhe qëndrueshmërinë e sistemit me anë të “Furnizuesit të instancës së fundit”. Pra, siç ka treguar edhe eksperienca e deritanishme, përqasja me logjikën e tregut të këtyre nevojave i plotëson ato më së miri, por se cilat do të jenë kostot me të cilën do të jemi në gjendje ta arrijmë këtë, ndoshta është dilema vërtet e fundit, së cilës do të duhet t’i përgjigjemi tashmë edhe brenda kornizës së afateve të mirëpërcaktuara të 31 dhjetorit 2014.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi