Autoriteti i qeverisjes qëndrore dhe zhvillimi i territorit

Nga Reis Mulita, botuar në gazetën Shqip, 28 gusht 2013

Duhet të rritet autoriteti i qeverisjes qendrore mbi territorin shtetëror. Suksesi i programit qeverisës të mazhorancës së re, në një masë të konsiderueshme varet edhe nga mënyra se si do të qeverisin institucionet e qeverisjes vendore në ndarjet territoriale administrative të vendit, si edhe nga shkalla e bashkëpunimit midis niveleve të qeverisjes përgjatë hapësirës territoriale të vendit. Çdo shqiptar është dëshmitar i një realiteti të dukshëm, të prekshëm dhe të përjetuar negativisht, të shkaktuar nga veprimi, mosveprimi dhe mungesa e bashkëpunimit midis niveleve të qeverisjes në shumicën e territorit të vendit. Një sjellje e tillë ka reflektuar tregues të drejtpërdrejtë në shoqërinë, ekonominë dhe mjedisin natyror të vendit.

Mbështetur në këtë realitet, vlerësoj se fillimi i qeverisjes së mazhorancës së re, duhet të demonstrojë rritje të autoritetit të ekzekutivit qendror në të gjithë territorin shtetëror. Rritja e autoritetit të qeverisjes qendrore është më se e domosdoshme, njëherazi legjitime, jo vetëm politikisht. Sigurisht, kur shtroj idenë e rritjes të autoritetit të ekzekutivit qendror, nuk kam parasysh modelin e autoritetit, sipas të cilit autoritetet vendore mësojnë për zhvillime të infrastrukturës, koncesioneve dhe ndërhyrjeve të tjera në territorin ku administrojnë, vetëm kur fillojnë gërmimet, shpërthimet dhe flaka, ose mësojnë për konfrontime të investitorëve me komunitetet, nëpërmjet ekraneve televizive.

Në vendin tonë, devolimi apo transferimi i pushtetit qeverisës nga niveli qendror në atë vendor është ngritur në institucion pas ratifikimit në parlament të “Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore”, miratimit të ligjit “Për organizmin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, Ligjit “Për sistemin e taksave vendore”, si edhe udhëzimeve të ministrave respektivë në periudha të ndryshme pas vitit 2000. Ato u kanë dhënë fuqi politike, qeverisëse dhe administrative institucioneve vendore të nivelit të parë (bashkive dhe komunave) dhe atyre të nivelit të dytë (qarqeve).

Në zbatim të legjislacionit të miratuar, qeverisja vendore mund të ushtrojë të drejtat në fushën e infrastrukturës dhe të shërbimeve publike, shërbimet me karakter social, kulturor e sportiv, zhvillimi ekonomik vendor, të rendit dhe mbrojtjes civile, si edhe kompetencat e funksionet e veta apo të përbashkëta. E thënë ndryshe, legjislacioni ka krijuar mundësinë dhe hapësirat që pushteti vendor të ndiejë “frymëmarrjen” e shoqërisë dhe çdo prekje mbi territoret administrative që qeverisin. Përballë mundësive të mëdha, vërehet se qeverisja vendore ndien vetëm kur përmbytet, kur del flaka, kur fëmijët e shkollës dhe grupe familjare rrëmbehen nga lumenjtë, kur për çështje pronash njerëzit ngrenë dorë brenda familjes etj. Ndonëse përjetojmë situata të tilla në shumë raste ndeshemi me etjen e vendorëve për pushtet të pakufizuar nën “feudin” e kufijve administrativë ku janë zgjedhur. Filozofia në fjalë, së bashku me mungesën e kapaciteteve administrative, dijes dhe izolimin nga rrjetet profesionale, kanë ndikuar maksimalisht në profilin aktual të territorit të vendit. Përmbytjet në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës kanë ndodhur si rrjedhojë e keqadministrimit të territorit, rrjetit kullues e bonifikues në nivel vendor. I njëjti argument duhet shtruar edhe në rastet më të shumta se si janë kryer zhvillimet urbane e industriale mbi territor, jo vetëm në zonat bregdetare, mënyra se si është aplikuar ligji 7501 mbi tokën bujqësore, mënyra se si janë trajtuar zonat e trashëgimisë historike e kulturore, parqet kombëtare e turistike etj. Evidentimi është i qartë. Në masën dërrmuese pasojat janë produkt i sjelljes së autoriteteve, strukturave administruese dhe komuniteteve vendore në ndarjet territoriale e administrative të vendit. Për rrjedhojë aktualisht territori kombëtar është i copëzuar dhe fragmentarizuar, i qeverisur ndryshe nga njëra komunë e bashki në tjetrën, me standarde të ndryshme të përdorimit të burimeve natyrore e humane të trashëgimisë, edukimit, shërbimit shëndetësor, emergjencave civile etj. Ja përse kërkohet ndërhyrje e menjëhershme, ndërkohë modeli për t’u aplikuar është i gatshëm, ai i qeverisjes së mirë territoriale të hartës politike të BE-së përgjatë hapësirave të shteteve të ndryshme të atij territori.

Modeli europian dhe Shqipëria

Territori në hapësirën e Bashkimit Europian konsiderohet si element efikas për të mundësuar kohezionin social dhe ekonomik, ndërsa autonomia e qeverisjes vendore dhe politikat rajonale kontribuojnë dhe i shërbejnë afrimit, integrimit dhe kohezionit social të shoqërisë nën të njëjtën hartë politike e territoriale, atë të BE. Elementi që e ofron dhe mundëson kohezionin, përveç legjislacionit dhe principeve mbi bazën e të cilës arrihet kohezioni është sjellja qeverisëse nën të njëjtin standard, mbështetur në parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, ku spikatin përdorimi eficent dhe racional i burimeve natyrore, duke njohur, ruajtur dhe kultivuar vlerat e trashëguara dhe nevojat perspektive të brezave shoqërorë. Ndërsa sjellja miqësore me mjedisin human e natyror aplikohen nën harmoninë dhe ndërvarësinë e zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe mjedisor. Dokumenti jo normativ i zhvillimit hapësinor të BE, si edhe Pakti Territorial i BE-së, artikulojnë qartësisht modelin aktual dhe perspektivat e zhvillimit të territorit europian nën standarde që gjenerojnë kohezionin edhe kur kufijtë administrativë dhe rajonalë funksionojnë më së miri.

Modeli shqiptar i zhvillimit të territorit është unikal dhe më i keqtrajtuari se në çdo vend tjetër të rajonit. Për ta “kuruar” gjendjen që trashëgohet kërkohet një “terapi” e veçantë e drejtuar, koordinuar dhe bashkëpunuese, e cila mund të realizohet vetëm nga ekzekutivi qendror dhe të jetë larg modelit të deritanishëm të “Shqipërisë së Zhvilluar”. Qeverisja e ardhshme territoriale duhet të jetë e një modeli ndryshe nga e mëparshmja: të ketë karakter koheziv nga pikëpamja territoriale, gjithëpërfshirës për shoqërinë dhe racional e eficent për mënyrën se si do t’i përdorë burimet dhe mjedisin natyror.

Nëpër territorin e vendit duhet të gjenerohet një model rritje ekonomike, matshmëria e të cilit shkon përtej shifrave të rritjes ekonomike, sepse ato shifra mund të përfundojnë vetëm në një pjesë të shoqërisë, ndërsa duhet model që ofron shanse gjithëpërfshirëse, për çdo shqiptar që jeton në territorin e vendit. Qeverisja qendrore duhet të shpërndajë e rishpërndajë flukset e investimeve nëpër të gjithë territorin dhe gjithë sektorët e vendit, të mundësojë një përkujdesje qe shkon për gjithë Shqipërinë, ndërsa bizneset, nisma e lirë, punësimi dhe mirëqenia të shkojë te çdo banor dhe pjesë e territorit kombëtar. Po kështu, qeverisja qendrore duhet të garantojë përdorim racional të çdo burimi natyror, duke vlerësuar edhe nevojat e brezave të ardhshëm dhe ekuilibrat e sistemeve eko-natyrore, e thënë ndryshe jo në çdo territor që ka burime të përshtatshme për çimento dhe gëlqere, të ndërtojmë biznese, ashtu sikundër është vepruar me fabrikat e çimentos në vargmalet kurore të ultësirës që lidh Tiranën me Lezhën e Shkodrën.

Autoriteti i ekzekutivit qendror duhet të mbështesë dhe incentivojë diversitetet humane e natyrore të vendit, t’i shndërrojë ato në burim të zhvillimit dhe rritjes ekonomike, integritetit dhe harmonisë shoqërore, si edhe të bëhet garant i zbatimit të legjitimitetit shtetëror deri në ruajtjen e çdo pëllëmbe të territorit shqiptar. Më duhet të theksoj gjithashtu se autoritetin në rritje të qeverisjes qendrore, në çdo rast e gjej në principet e qeverisjes europiane: të shpërndarjes së pushtetit, si edhe partneritetit e pjesëmarrjes së aktorëve në një qeverisje bashkëkohore.

Një rritje e tillë e autoritetit të ekzekutivit qendror nën principet e qeverisjes europiane, do ta bëje Shqipërinë më pak periferike ndaj Brukselit, njëherazi do ta përfshijë territorin dhe shqiptarët nën autoritetin e destinacionit të vet human dhe natyror.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi