50 vjet më parë: “Unë kam një ëndër”
28 gusht 1963 – 28 gusht 2013
Progresi i lëvizjes së të drejtave të njeriut në Shtetet e Bashkuara u demonstrua kur 200 mijë marshues u grumbulluan në Washington D.C. Marshimi qe përgatitur me kujdes nga drejtuesit e lëvizjes për të tërhequr mbështetës të bardhë dhe zezakë dhe u bë çmos që Partia Komuniste apo organizata të tjera të majta të mbaheshin larg. Pjesëmarrja bëhej me ftesë “‘vetëm nga organizatat e njohura të të drejtave të njeriut, fetë e mëdha dhe grupet e vëllazërimit, si dhe nga sindikatat”. Plani ishte që Martin Luter King Jr. dhe liderët e tjerë, gjashtë zezakë e katër të bardhë, të ecnin drejt memorialit “Lincoln” në krye të marshuesve. Aty do të mbanin fjalimet e tyre para se të shkonin në Shtëpinë e Bardhë, për një takim kokë më kokë me presidentin Kennedy.
Kopje të fjalimeve të liderëve i qenë dhënë shtypit që në krye të herës, por në çastin e fundit Kingu e hodhi tej fjalën e përgatitur dhe u foli demonstruesve drejtpërdrejt. Tema e tij e përsëritur ishte “Unë kam një ëndërr”, e cila përshëndetej deri në jehonë sa herë që thuhej nga turma e stërmadhe. “Ju them sot, miqtë e mi, që, megjithëse përballemi me vështirësitë e të sotshmes dhe të së ardhmes, unë prapë kam një ëndërr. Është një ëndërr e rrënjosur thellë në ëndrrën amerikane. Unë kam një ëndërr, se një ditë ky komb do të ngrihet dhe të jetojë kuptimin e njëmendtë të kredos së vet- ne i mbajmë këto të vërteta si vetëdëshmuese, se të gjithë njerëzit janë lindur të barabartë.” Kingu parashikoi një Amerikë, ku të bardhët dhe zezakët ishin vëllezër dhe se të gjithë fëmijët e Zotit do të ishin “të lirë më në fund, të lirë më në fund, falë Zotit të Plotfuqishëm, ne jemi të lirë më në fund”.
Dëgjuesit e tij reaguan me entuziazëm gjithnjë e më të madh ndaj një prej fjalimeve më të famshme të të gjithë shekullit. Pavarësisht asaj që do të ndodhte, Kingu e la shenjën e vet.