Dita që tranzicioni u la pas!

Nga ARTAN XH. DUKA, Prof. As. Dr., botuar në Respublika, 25 gusht 2013

Një datë ku u bënë të gjithë bashkë

Më 23 qershor votuesi bëri histori dhe tani shansi i jepet qeverisë së rilindjes të bëjë të njëjtën gjë. Sikurse 22 marsi, edhe 23 qershori do të mbahet mënd gjatë dhe nga të gjithë, sepse shoqëria foli me një zë. Rëndësia e një evenimenti në demokraci nuk mund të matet me ‘metrin’ partiak ndaj dhe kur ambasadori i respektuar Arvizu analizon 23 qershorin si i dërguari i Perëndimit në këtë tokë, përdor mirëfilltazi metrin ‘demokratik’ (dhe kush më mirë se amerikanët di ta lexojë atë). Komenti i tij, duke iu adresuar dhe patur në fokus interesin më të mirë të demokracisë dhe mirëqënies së popullit shqiptar, është apriori objektiv dhe i paanshëm dhe nuk ka përse të paragjykohet se synon të gëzojë më tej të gëzuarit apo të trishtojë më tej të trishtuarit e politikës së pas 23 qershorit. Anatemimi deri në ironi i deklaratës në fjalë dhe qasja ‘hajde baba të të tregojë arrat’ nga syresh në politikë të sapo rënë nga ‘fiku’ apo me ‘mizë’ nën kësulë, është trishtues dhe në kësi rastesh, në mos heshtja flori, fjala duhet matur mirë. Sepse 23 qershori bëri vërtet histori teksa:

a)      Më 23 qershor, sikurse më 22 mars, verdikti plebishitar dhe panideologjik ritheksoi paekuivok aspiratën për themelet e shtetit të së drejtës dhe normalitetin demokratik – vota e lirë, prona tek i zoti, zbatimi i ligjit pa dallim etj të nëpërkëmbura aq gjatë;

b)      Më 23 qershor, sikurse më 22 mars, u thye një tabu duke larguar një kastë idhujsh të rremë që po uzurponin çdo pushtet dhe projektonin përjetësi për veten dhe rrethin e tyre duke i dhënë fund reminishencës së monizmit të dikurshëm të partisë-shtet dhe krijuar premisa për pushtete dhe media të pavarura në vënd;

c)       Më 23 qershor, sikurse më 22 mars, verdikti elektoral, duke zhbllokuar statukuonë, përmbushi pritshmëritë e perëndimit dhe në rradhë të parë SHBA mike, ndaj perspektivës së zhvillimeve demokratike në vend përballë rasteve të shumta të ‘plangprishjeve’ dhe testimit të durimit perëndimor në të shkuarën prej ‘akrobacive’ të pushteteve;

d)      Më 23 qershor, sikurse më 22 mars, rishfaqet sërisht shansi i ngjizjes të së djathtës perëndimore në vënd dhe normalizimi i vetë tregut politik;

e)      Më 23 qershor, sikurse më 22 mars, u ndal një spirale e rrënimit ekonomik (humnera buxhetore, konçesione dhe privatizime jo transparente, denatyrim pakthim i pasurive natyrore dhe habitatit urban etj) dhe ofrohen shanse për hartimin e strategjive afatgjata dhe efektive për mirëqënien e mbarë shoqërisë etj.

Fillimi i mbarë i marrë peng gjatë

Përtej paralelizmave me 22 marsin, 23 qershori ka dhe domethënien e tij specifike historike sepse:

a)      Në dallim nga 22 marsi kur u mposht thjesht formalisht e shkuara, më 23 qershor u mposht ‘fantazma’ e saj apo ndryshe mentaliteti që u trashëgua në politikë prej së shkuarës dhe që mbijetoi 20 vjet nën petkun ‘demokrat’ duke marrë peng vetë fatin e të djathtës në vënd. Gjë që krediton votuesin dhe ilustron emancipimin demokratik për të refuzuar mentalitetin e së vjetrës sado llamburitës shfaqet ai;

 b)      23 qershori mbylli ciklin e filluar në dhjetor 1990 duke ‘çkatovicuar’ formalisht politikën shqiptare që në dy dekada, u mor peng prej syresh të konvertuar, me sforcim apo qëllimisht në ‘demokrat’ (shpjegon dhe retorikën agresive ndërkohë që demokrat nuk të bën domosdoshmërisht histeria antikomuniste në ekstrem), relikja e fundit e të cilit ruhet si ujë i pakët ende në PD. Më 23 qershor, ndryshe nga 22 marsi 1992 apo 2005, e ashtuquajtura politikë e ‘katovicës’ dhe protagonistët simbolik të saj u gjëndën së toku dhe njëkohësisht jashtë qeverisjes pas dy dekadash rrokade reciproke dhe kjo, sepse PS e sotme në pushtet është produkt i rinovimit real pas humbjes së 2005, pjesë e së cilës ishte izolimi pakthim i trashëgimisë problematike të së shkuarës së saj. Gjë që nuk ndodhi me PD e 1997 që humbi shansin historik të rinovimit duke e reduktuar rikthimin në pushtet më 2005 thjesht në një kalim stafete të politikës të shumëpërfolur të ‘katovicës’ të pranishme deri atëhere në të dyja krahët e politikës në vënd. Në këtë kontekst, ‘rinovimi’ formal në PD pas 23 qershorit duke mos braktisur trashëgiminë ‘katoviciane’, lë tharmin e saj nëpërkëmbë dhe sa kohë e djathta mbahet peng prej saj apo vetë PD vuan sindromën e lugës së ‘çorbës së prishur’, ‘katovica’ në politikë ende nuk mund të konsiderohet kapitull i mbyllur dhe normaliteti demokratik nuk mund të merret ende i mirëqënë.

c)       Më 23 qershor u ndërpre një realitet i ‘litarëve përjashta’ dhe i shpërfilljes së sovranitetit dhe interesit kombëtar – ‘vorioepirizim’ në revan, kufiri detar, ‘mbjellje’ varrezash greke, harresë e çështjes çame, vasalitet ekonomik dhe tendera jotransparentë me efekte gjeopolitike negative në rajon, landfill i plehrave të botës etj që, aq sa barrë e madhe janë për qeverinë e re, mund të ishin dhe më keq etj.

Polistori dhe histolitikë

‘Metri’ partiak jo domosdoshmërisht është ‘metër’ demokratik, pale më historik. Polistoria (politikani megaloman që pretendon se mund të rishkruajë historinë) dhe histolitika (historiani që degradohet në funksion të politikës së ditës) janë atavizma të së shkuarës që bien ndesh me pritshmëritë në demokraci. Në këtë sens, refreni i ‘arritjeve’ që citojnë syresh që kuturisen dhe përgojojnë një ambasador të nderuar, mik personal dhe përfaqësues i një vëndi mik për kokë për shqiptarët, tingëllon patetik dhe nuk zhbën dot faktin se ato janë shumë pak, shumë vonë dhe shpesh formale ndaj pritshmërive pas 20 vitesh pluralizëm. Që më shumë se për meritën, hap debat për përgjegjësinë e zvarritjes apo bërjes sa për sy e faqe, deri sabotimin e një sërë reformash në dobi të një shoqërie homogjene në aspiratën properëndimore të saj.

Ndonse jemi në NATO, jemi qeverisur larg standarteve që nënkupton ajo. Gërdeci, 21 janari, batërdia me pronën, intimidimi i votës, ‘zonat e lira’ të hashashit, krimi që nuk frikë, korrupsioni kapilar dhe elitar etj nukjanë simptoma NATO dhe nëse na ra ‘telebingo’ për të qënë pjesë e saj, kjo nuk është aspak për meritë të qeverisjes, veçanërisht kur për ironi përkoi me Gërdecin (në këtë rast meritë ndoshta pati opozita që nuk u tundua për ta shfrytëzuar politikisht).

23 qershori nuk është vetëm një shans për të kthyer kokën pas dhe quajtur gjërat me emrin që u takon por dhe për të testuar rilindjen dhe mos marrë më asgjë të mirëqënë. Një shoqëri skeptike në demokraci, i bën një favor vetvetes dhe në finale edhe politikës në evolucionin drejt standartit perëndimor. Përgjegjësia epokale përballë qeverisë së rilindjes, është sfidë për ata që duan të bëjnë histori dhe pjesë e saj nuk bëhesh me vitet në pushtet por vendimmarrjet dhe kurajon që dëshmon. Pritshmëritë janë të mëdha dhe po aq sa realizimi i tyre, ka rëndësi përkushtimi ndaj tyre dhe shëmbulli personal në përballimin e kostos së reformave pa të cilat rilindja mbetet iluzion.

Ndërsa më 22 mars, në udhëkryqin e historisë, zgjodhëm rrugën e duhur por ecëm në buzë të saj duke rënë në ‘kanal’ kaq herë e xhiruar në vënd me BE shndërruar në mirazh për një brez të tërë, më 23 qershor  shoqëria ka shansin e rendjes në ‘asfaltin’ demokratik duke mbyllur kësisoj ciklin e rrethit vicioz të tranzicionit absurd pafund dhe fituar kohën e humbur drejt integrimit europian. Dhe nëse kjo nuk është po aq historike sa dhe 22 marsi, çfarë mbetet të jetë!

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi