Lidershipi i ri: Progres dhe jo pushtet

Nga Eduart Gjokutaj, botuar në gazetën Shqip, 24 gusht 2013

Në jetën e shqiptarëve, sot nuk ekziston vetëm një pushtet dhe lidership i fortë, i cili dikton jetën politike dhe ecurinë e vendit drejt zhvillimit ekonomik. Lidershipi i brezit të ri, që i përket më së shumti shtresës së mesme po merr legjitimitetin e vet nëpërmjet kapaciteteve dhe aftësive kulturore dhe edukative, që mbart gjenerata e re në çdo vend. Ky brez i ri lidershipi është në gjendje tashmë të ndikojë me debatin e vet përballë lidershipit të vjetër dhe të konsumuar përgjatë historikut të lodhshëm dhe të mërzitshëm të këtyre dy dekadave.

Modeli i ri i lidershipit, që të rinjtë duan të zbatojnë është progresi dhe jo pushteti. Kjo sfidë e fuqishme dhe delikate për të gjithë shqiptarët mbështetet te vizioni për një të ardhme ku jeta të ketë markën e dinjitetit personal dhe profesional, e krahasueshme me vlerat e jetës në shtetet që e kanë konsoliduar dhe janë duke e zhvilluar këtë standard. Ky model, që besohet se ka një depërtim në jetën politike dhe ekonomike të vendit do të mund të zhvillojë me hapa të tjerë demokracinë e vendit dhe të forcojë integritetin e vlerave të saj.

Lidershipi i ri, i cili do të duhet të përballet që sot me problemet e pabarazisë sociale dhe ekonomike do t’i duhet të ketë një rol kyç në adresimin e zgjidhjes së çështjeve më imediate sociale dhe ekonomike. Pra, një radhë veprimesh dhe programesh për veprim do të jetë e nevojshme të bëhen prezent për shtresat shoqërore, për të dhënë shpresë dhe besim për zgjidhje të tyre, por edhe për të angazhuar gjithë burimet në dispozicion në favor të zgjidhjes së problemeve, sipas prioriteteve të përcaktuara sipas riskut, aty ku ai është më i madh. Kjo do të thotë se çfarëdo zgjidhjeje që në fund do të zërë vend do të lidhet me faktin, nëse arrin të zgjidhë efektet e krizës ekonomike (kujdes hapjen e vendeve të punës për rininë) dhe problemet me varfërinë. Pritshmëria bazohet mbi shpresën për të besuar te ndryshimi pozitiv, që vjen nga lidershipi i ri.

Hapja ndaj ekonomive rajonale, distancimi nga nacionalizma për interesa grupesh apo individuale do të ndihmojë bashkëpunimin midis lidershipeve të rajonit. Nga ana tjetër, garantimi i pronës fizike dhe intelektuale, me një sistem administrimi fiskal dhe ekonomik që duhet të përshtatet sipas situatës ekonomike, natyrisht të qartë, të besueshëm dhe të zbatueshëm do të jetë testi kryesor i lidershipit të ri. Rrjedhoja kryesore pas zbatimit të këtyre parimeve do të përbëjë paketën më efektive të ofertës politike për komunitetin ekonomik dhe shtresat shoqërore për një të ardhme pozitive. Natyrisht, që gjithë ky vizion nuk ndryshon nga vizioni i mëparshëm nëse nuk përfshin bashkëpunimin e lidershipit të ri me atë të vjetrin, duke krijuar një “fjalor” me një gjuhë të përbashkët, si një bazë për një zhvillim më të fuqishëm sesa ai që kanë fqinjët.

Edhe nëse duket sikur lidershipi i ri po lufton për pushtet dhe jo për zhvillimin e vendit, të gjithë duhet të kuptojnë se status quoja e mëparshme ka ndryshuar dhe nuk rikthehet. Ne e dimë se vendi është drejtuar në të ardhmen drejt Europës së bashkuar. Edhe pse deri më sot ne nuk jemi ndikuar thellësisht nga ky model politik dhe ekonomik, në të ardhmen e afërt progresi do të mbizotërojë mbi luftën për pushtet.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi