Presidenti – përtej një deklarate verore

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 18 gusht 2013

Presidenti i Republikës ka reaguar për herë të parë ndaj debateve publike që lidhen me funksionin e tij. Një ditë më parë eksponentë politikë, civilë dhe media kritikuan vendimin e tij për dekretin mbi SHQUP-in, hodhën dyshime për konflikt interesi në procesin e kthimit të selisë aktuale të PD tek pronarët, si dhe lajmin për shtesa në fondin financiar të presidencës. Presidenti reagoi ashpër, tha se ndjehet nën sulme, shantazh dhe presione nga mazhoranca e re (ende pa pushtet) dhe më poshtë sqaroi pikën e tretë të kritikës, atë që lidhet me fondin rezervë. Për dy pikat e tjera nuk pati sqarim. Vendimi i Presidentit për t’iu kundërvunë publikisht frymës kritike të mazhorancës së re përbën risi, një zhvillim interesant dhe hap një kapitull të ri në marrëdhëniet institucionale midis kreut të shtetit, partive politike dhe veças, shumicës së re.
Një shoqëri serioze duhet të mendohet mirë kur e zgjedh kreun e shtetit, por pasi e zgjedh, duhet ta respektojë në integritetin dhe simbolikën e tij. Në çdo rast, si edhe këtë herë, çdo etiketim negativ, frymë denigrimi apo shprehje tjetër joinstitucionale adresuar Presidentit, meriton refuzim e injorim. Asgjë më shumë, sidomos në sjellje institucionale. Në rastin e fundit “revolta” e Presidentit përbën risi sepse vjen si zhvillim i ri, pa ndonjë përfitim afatgjatë dhe pa pritshmëri. Kur kreu i shtetit ankohet se është “kërcënuar” dhe “shantazhuar”, dy akte që përbëjnë vepra penale dhe dënohen me ligj, – në një shtet serioz ndërhyn prokuroria dhe kushdo që është fajtor, meriton hetim ligjor. Presidenti nuk ia adresoi ankesën e tij drejtësisë, por vendosi ta bëjë denoncimin në mënyrën iracionale, përmes një etiketimi e fajësimi “en bloc” politik ndaj një pale politike. I nxitur nga të tjerë, i këshilluar keq, i prekur nga fakti se fondi shtesë realisht lidhej me takimin presidencial rajonal, i ndjerë i fyer nga ndonjë metaforë arkaike të politikanëve të ditës, i prirur për një raport të ri politik, etj, etj, – thelbi i aktit mbetet i njëjtë: nervozizëm i panevojshëm, akt politik dhe si i tillë, më shumë dëmton sesa ndihmon formatin kushtetues që përfaqëson dhe duhet të prezantojnë kreu i shtetit.
Në ligjërimin politik e publik duhet bërë një ndarje e qartë midis kritikave, akuzave dhe kufirin ndarës të tyre me kërcënimin, shpifjen apo shantazhin. Kritika dhe akuza ka të drejtë të bëjë kushdo, edhe ndaj kreut të shtetit. Edhe Presidenti ka bërë me shumicë të tilla ndaj paraardhësve të tij kush ishte ministër apo politikan partiak. Nga kritikat nuk vjen asgjë e keqe. Ndodhin kudo, në çdo vend dhe përbëjnë një mekanizëm të demokracisë. Edhe kur politika e ditës në dehjen e rezultateve zgjedhore flet për komisione hetimore apo rishikim të kompetencave ligjore, nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi. Në raste të tilla vetë kreu i shtetit duhet të nxisë palët të përdorin pikërisht mekanizma të tilla kushtetues për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, pretendimeve ose përmirësimin e sistemit politik e qeverisës. Pjesa tjetër e pretendimit, që lidhet me shpifje, kërcënime e shantazh meritojnë rivlerësim dhe trajtim serioz përmes institucioneve dhe sistemit gjyqësor.
Gjithsesi, në akuzat e fundit dalin disa probleme me sjelljen publike të institucionit të Presidentit. Le të marrim çështjen e pronësisë së selisë së PD. Pjesa më e madhe e saj ka qenë Ministria e Komunales në kohën e regjimit komunist, më shumë se 50% e saj është ndërtuar nga poseduesi i ri. Ky është rasti i parë kur shteti vendos që ndërtesën e një ministrie ta kthejë tek pronarët, kur vetë Ministritë kanë mungesa të theksuara ambientesh. Rezidenca qeveritare në Vlorë i është kthyer pronarëve me vendim gjykate, por nuk zbatohet prej vitesh, – një standard i dyfishtë për të njëjtët aktor politikë e institucionalë si në rastin e shtëpisë së partisë. Nga ana tjetër, pronarët kanë të drejtë ligjore të kërkojnë kthim pronësie, dhe kushdo qoftë ai, duhet ti bëjë publike dokumentet, – jo të fshihet direkt/indirekt pas pushtetit aktual dhe imunitetit që shoqëron atë. P.sh, sipas praktikës perëndimore, në vend të deklaratës politike do të duhej të informohej publiku nëse vërtetë ka pasur konflikt interesi në këtë çështje, apo nëse vërtetë kreu i shtetit (kryekomandanti) ka firmosur pa marrë parasysh mendimin e Shtabit të Përgjithshëm. Në dy rastet mund të mos ketë vend për shkelje ligjore apo kushtetuese, por gjithnjë ka vend për transparencë publike. Mësimi që nxirret nga ky rast nuk është vullneti për të krijuar mure ndarës me konotacion të dyanshëm paragjykues dhe të dëmshëm për vendin, por aftësia për të dëshmuar sjellje institucionale dhe për të bërë transparencë publike, për gjithçka dhe në çdo kohë. Kjo vlen për Presidentin, për qeverinë në ikje, për Shtabin e Përgjithshëm, për qeverinë në pritje dhe për këdo tjetër që paguhet me taksat tona dhe është aty edhe për të përmbushur detyrimet e normat kushtetuese të një demokracie funksionale. Detyrimi për transparencë është detyrim kushtetues, normë demokratike, cilësi udhëheqjeje dhe praktikë bashkëkohore, – ndaj çdo institucion e zyrtar vendimmarrës duhet të aplikojë atë. Kur ka transparencë nuk ka vend për spekulime, kur ajo mungon, kujtdo i lind e drejta e spekulimit publik, sidomos kur bëhet fjalë për vendime që kanë ndikim direkt ose indirekt në debatin politik, stabilitetin politik, klimën politike apo interesat publikë.
Në aspektin kushtetues Presidenti aktual ka mbrojtje të fortë kushtetuese dhe me siguri, nëse gëzon shëndetin e plotë dhe s’ka ndërmend të japë dorëheqje, – do ta konsumojë plotësisht mandatin presidencial. Ai është zgjedhur për 5 vjet dhe mandati respektohet pa u lidhur me mazhorancat e radhës. Çdo nismë hetimi është pozitive, por çdo nismë shkarkimi do të ishte naive, e gabuar, jashtë çdo konteksti reformator. Madje, çdo nismë e tillë do të kthehej disfavor afatshkurtër, në dëm të institucionit presidencial e legjislativ, si dhe ironikisht edhe në dëm të interesit afatgjatë të vetë mazhorancës së re. Për shumë arsye publike e jopublike “fati” real i Presidentit aktual, vec mandatit kushtetues, është pikërisht mazhoranca e re, marrëveshjet brenda saj dhe praktikat e deritanishme.
Ngjarje të tilla duhet krijojnë hapësirë reflektimi për të gjithë, për evitimin e tyre por edhe për një fillim të ri në marrëdhëniet institucionale e politike në vend. P.sh, mazhoranca e re bëhet zyrtare në shtator, atë muaj ata do të betohen përpara Presidentit, i cili ndërkohë i ka para-akuzuar ata për shantazh e kërcënim!!! Kjo miza-skenë tranzicioni do vijojë me siguri me dekrete presidenciale për ndryshime në SHISH dhe vende vakant në disa institucione të tjera, sipas vullnetit politik real të mazhorancës së re. Në fund të fundit, bashkëjetesa e detyruar zgjat 4 vjet, dhe në kohë rotacioni politik, është një rast i mirë për të provuar nëse ne dimë të ndërtojmë vetëm parti-shtet, apo edhe të bashkëjetojmë sipas frymës kushtetuese dhe modelit të një demokracie funksionale.
Vetë kreu i shtetit ka gjithashtu vend për reflektim. Në staturën e tij publike, në cilësinë e deklarimeve, në aktet e sjelljes publike, në pozicionin e qartë jashtë partiak, në seriozitetin e akteve shtetërore, në respektin thelbësor ndaj germave dhe frymës kushtetuese, në respektin e traditave më të mira presidenciale dhe në promovimin e dialogut institucional e politik, larg notave denigruese e përçarëse të lejuara paradoksalisht të bëhen ndonjëherë edhe nga stafi i tij. Presidenti duhet tu flasë qytetarëve për shqetësimet e tyre, duket të respektojnë institucionet ndërkombëtare për kritikat dhe sugjerimet e tyre, duhet të jetë aktiv për të mbushur hapësirat përfaqësuese qytetare që nuk i arrijnë dot mazhorancat e radhës, siç duhet të dëshmojë standarde të njëjta sjelljeje, reagimi dhe vlerësimi. P.sh, kritik mbetet fakti se Presidenti aktual nuk ka komentuar deri më tani ngritjen në parlament dhe zyrtarisht mbetjen ende në fuqi të një komisioni parlamentar që akuzon paraardhësin e tij për “grusht shteti” me 21 janar, madje si deputet e ka votuar, – një akt tipik kërcënimi e shantazhi politik, siç është pranuar nga çdo raport politik e diplomatik ndërkombëtar. Kritik mbetet edhe dyzimi në rastin e premtimit e dështuar tashmë elektoral për shtetësinë masive, sjellja tej staturës republikane ndaj aksionit elektoral për rehabilitimin e monarkisë, cenimi elektoral i protokollit shtetëror në festën zyrtare të 100 vjetorit, përdorimi elektoral i një akti politik të refuzuar nga ambasada e shtetit kryesor partner me Shqipërinë, heshtja miratuese ndaj sistemit të gjobave politike mbi median kritike të qeverisë, praktika e nxituar e emërimeve në/nga KLD përmendur edhe nga raporte ndërkombëtare, injorimi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare apo kërkesave e kritikave permanente për abuzimet në Ministrinë e Mbrojtjes, hierarkinë ushtarake apo institucionet e sigurisë kombëtare, etj, etj.
Së fundi, në të gjithë këtë debat veror lexoja një ide të shprehur keq, por që mund të jetë e dobishme, e nevojshme dhe madje e detyrueshme nga Kushtetuta (1998): – nevoja për një ligj organik për Presidentin e Republikës. E nisi Presidenti Meidani më 2000, mazhoranca e refuzoi. E nisi Presidenti Moisiu më 2003, 2004, 2006 dhe dy mazhorancat e refuzuan. E nisi Presidenti Topi në fillimet e mandatit dhe përsëri u refuzua. Shqipëria është vendi i vetëm pa ligj organik të Institucionit të Presidentit dhe pa status presidencial. Ana “e keqe” e idesë ndodhet në atë nëse kjo nismë keqpërdoret për të kufizuar kompetenca kushtetuese, protokollare apo administrative të Presidentit (siç ka dashur të bëjë çdo mazhorancë). Ata e mirë e saj është se duhet bërë, sa më parë, sa më cilësor, sa më integral dhe sa më transparent. Alibia që e lidhin statutin presidencial me emra të veçantë, është qesharake dhje fyese. Statuti presidencial është i përjetshëm, nuk jep privilegje trajtimi për ata presidentë që janë aktivë në politikë, por i jep dinjitet shtetit, historisë dhe simboleve të tij. Shqipëria sot ka disa ish presidentë (Berisha, Meidani, Moisiu, Topi), ka në detyrë një President (Nishani) dhe meriton të ketë status presidencial, të ketë memorie presidenciale, ligj organik funksional si dhe sjellje serioze analize, kritike apo vlerësimi për trashëgiminë e secilit prej tyre.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi