Vota për 1 mandat dhe kurthi i sistemit rajonal
Nga Afrim Krasniqi, botuar në Tama, 12 gusht 2013
Sistemi proporcional rajonal ofron kalkulime të tjera elektorale nga ai kombëtar. Çdo votë në një qark që nuk përkthehet në mandat nuk ka vlerë kombëtare, ndaj suksesin kryesor varet nga forca lokale e partive. Në gjuhën politike raporti midis një mandati dhe mesatares së votës përcakton ndershmërinë e votimit. Le të shohim rastin aktual të zgjedhjeve 2013.
Vlera e një mandati tek PS arrin 10.9 mijë vota nga 9.5 mijë vota që ishte më 2009. Vlera e një mandati tek PD (2013) shkon në 10.5 mijë vota rreth 400 vota më pak sesa një mandat i PS, nga 8.9 mijë vota më 2009. Pra vlera e një mandati tek PD ka lëvizur plus 1.6 mijë vota nga 2009 në 2013. Vlera e një mandati tek LSI më 2009 ishte 18.4 mijë vota, më 2013 u bë 11.2 mijë vota. Siç shihet, i njëjti sistem zgjedhor e favorizoi shumë më tepër LSI në koalicion (me PS më 2013) në krahasim me daljen më vete më 2009. Mandati për LSI më 2013 shkon 700 vota më shumë sesa një mandat për PD dhe 300 vota më shumë sesa një mandat i siguruar nga PS.
Për partitë e tjera politike mandatet luhaten sipas koalicioneve: për PR një mandat ka vlerën e 17.3 mijë votave, për PDIU një mandat merr mesatarisht 11.2 mijë vota, për PBDNJ 14.7 mijë vota, si dhe për PKD 7.9 mijë vota. Mesatarja kombëtare e votave për një mandat parlamentar ishte 12.319 mijë vota, e përafërt vetëm në rastin e PDIU, dukshëm më e lartë sesa mesatarja e votave për mandat të PD, PS, LSI, etj, dhe dukshëm më pak sesa në rastin e PR-së dhe PBDNJ-së.
Në një sistem të pastër proporcional kombëtar, humbësit më të mëdhenj nga mandatet e fituara aktuale do të ishin partitë e mëdha politike PS dhe PD, secila me të paktën 4-7 deputetë më pak sesa fituan me 23 qershor. Votat e partive nën kufirin llogaritës do të shkonin përsëri për partitë më lart, duke minimizuar mandatet e humbura siç tregon tabela, numrat në kllapa. Në total do të kishim 17-25 deputetë që do të ndryshonin nga përbërja aktuale e parlamentit. Përfituese e sistemit proporcional lokal rezulton edhe LSI dhe PBDNJ, ndërkohë që më e dëmtuara rezulton FRD si dhe tri partitë e tjera, PDS, PSD, PDK të cilat do të siguronin mandat parlamentar. Duke krahasuar tabela të tilla, del më në pah arsyeja strategjike sesi partitë e mëdha mbajnë me konsensus një sistem votimi që u jep atyre më shumë mandate sesa vota popullore.
Në fushatën elektorale dy partitë e mëdha janë angazhuar për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Kanë premtuar (PS) pjesëmarrjen e votës së emigrantëve, balancimin e përfaqësimit kombëtar të votës për çdo parti, siç ka pasur edhe premtime (PD) për rikthim në sistem mazhoritar. Në çdo rast do të duhet të ketë ndërhyrje në kushtetutë, gjë që kërkon konsensus, – kërkesë që e bën edhe më të vështirë realizimin e saj. Sepse kanë ndryshuar balancat dhe interesat: PD nuk ka më interes për sistem mazhoritar, PS nuk ka më interes për sistem proporcional dhe LSI ka interes të mbetet ky sistem që është tani. Dhe kur ndryshojnë interesat…. sipas traditës, distanca midis premtimeve dhe realizimeve bëhet gjithnjë e më e madhe!