Energjia, BB: Liberalizoni tregun
Raporti i Bankës Botërore për sektorin energjetik në vend, ja sugjerimet për qeverinë. “Të ulen humbjet dhe të rriten arkëtimet që të mos preket buxheti”. Sektori energjetik përbën “thembrën e Akilit” për Shqipërinë, sepse sa herë ka lëkundje ky sektor, aq herë shkundet dhe buxheti. Prandaj, Banka Botërore në programin e saj për aktivitetin në vendin tonë, në fund të bilancit 6-mujor vlerëson se fokusi tek energjetika duhet të jetë reformimi i sektorit. Kjo duhet të ecë sidomos në drejtim të përmirësimit të furnizimit me energji.
SITUATA
Në raportin e saj Banka Botërore vërën se procesi i privatizimit të CEZ Shpërndarje nuk shënoi asnjë zhvillim përpara nëse do t’i referohemi situatës ku gjendemi sot. Sipas saj, në drejtim të shërbimeve që u janë ofruar qytetarëve jemi pak a shumë njëlloj, aty ku e nisëm. “Privatizimi i shpërndarjes nuk ka dhënë rezultat sa u përket përmirësimeve të shërbimeve në shpërndarje. Duhet të bëhen më shumë përpjekje për të fituar qëndrueshmërinë e sektorit, në mënyrë që jo vetëm të ulet presioni mbi buxhetin, por të garantohet sa më shumë siguri për furnizim dhe të maksimizohet menaxhimi i të ardhurave, duke mundësuar që të ndërhyhet financiarit nga banka në këtë sektor”, thuhet në raport.
Nga ana tjetër, Banka Botërore gjykon se nivelet e humbjeve dhe të borxhit të keq janë rritur shumë, sidomos gjatë dy viteve të fundit, çka solli një shkatërrim të financave për shpërndarjen, por edhe për sektorin në total. Për situatën, BB duket se përgjegjëse bën të dyja palët, edhe çekët, edhe institucionet shqiptare, të cilat sipas saj patën pak tentativa bashkëpunimi. “Tarifat e shitjes me shumicë u miratuan për tri vite 2012 -2014, por Enti Rregullator i Energjisë dhe CEZ punuan në një mënyrë aspekt bashkëpunuese dhe nuk u përpoqën të arrinin një marrëveshje për të ardhurat që i duheshin sektorit, bazuar në rregulloren e privatizimit”, vlerëson BB.
REFORMAT
E ndërsa flasim për reformim të sektorit energjetik, Banka Botërore vlerëson se liberalizimi i tregut është zgjidhja e së ardhmes. Aktualisht, sektori energjetik përbëhet nga tre operatorë që dolën nga ndarja e kompanie shtetërore në vitin 2008. Tregu u nda në prodhim, transmetim dhe shpërndarje, por sipas BB kjo nuk mjafton edhe pse është pozitive dhe duhet të ecet drejt futjes në treg të më shumë operatorëve. E ndërsa liberalizmi është i vlefshëm, duket se më shumë theksi vihet te menaxhimi i mirë. Në raport dy cilësohen si pika të dobëta, e këto janë humbjet e larta dhe arkëtimet e ulëta, raporti i të cilave duhet të ndryshojë dhe të vijë në përmirësim si garanci për qëndrueshmërinë e sektorit