Në emër të zhvillimit – ekonomistët përballë ambientalistëve (III)
Nga Prof. Dr. Ardian Civici, botuar në Mapo Online, 10 gusht 2013
Përballë “hakmarrjes” së natyrës -të gjithë në të njëjtën anije
Tashmë paralajmërimet për të ardhmen e planetit tonë janë vërtet alarmuese dhe jo vetëm “konstatime shkencore”. Thjesht të shqetësohesh dhe të sensibilizosh për rreziqet nuk mjafton më. Përkundrazi, këmbanat po bien jo vetëm për vitin 2100 apo 2200, që gjithsesi, mund të duken të largët për gjeneratat tona, por edhe për vitet 2030 e 2050. Duke realizuar një punë kolosale, Grupi Ndërqeveritar i Ekspertëve mbi Evolucionin e Klimës analizoi dhe përpunoi kërkimet e mijëra shkencëtarëve dhe kërkuesve nga mbarë bota. Raportet dhe konkluzionet e tij, të cilat shpesh kanë shkaktuar dhe përplasje ndërmjet qeverive apo vendeve pjesëmarrëse, konsiderohen se përbëjnë tashmë një bazë solide njohurish e informacionesh në ndihmë të vendimmarrësve politikë lokalë, kombëtarë e ndërkombëtarë. Përfundime të tilla si: “rritja e temperaturës mesatare të planetit me 2–4gradë C deri në vitin 2100; lidhja e kësaj rritjeje me aktivitetin njerëzor sidomos me hedhjen në atmosfere të gazit karbonik CO2; mundësia për ta ulur deri në 2 gradë C këtë ngrohje globale në qoftë se vendet e botës dhe kryesisht ato të zhvilluara pranojnë ta ulin vetëm me 0.12% rritjen e Prodhimit të Brendshëm Brut të tyre duke filluar nga viti 2030!”.
Duke pranuar çmimin Nobel për paqe në emër të Grupi Ndërqeveritar të Ekspertëve mbi Evolucionin e Klimës fitojnë, presidenti i Grupit, indiani Rajendra Pachauri u shpreh se “unë nuk jam veçse një simbol…i laureuari i vërtetë i këtij çmimi është komuniteti shkencor botëror që me punimet e tij ndihmoi grupin të nxirrte konkluzionet e tij, janë qeveritë e mjaft vendeve që e përkrahën këtë aksion”. Atribuimi i çmimit Nobel për grupin e mbrojtësve të mjedisit dhe klimës krijon një “ndjenjë urgjence përballë pasojave të ngrohjes globale”. “Ne jemi tashmë të gjithë në të njëjtën anije”, askush nuk mund të ndihet i sigurt apo më i mbrojtur se të tjerët, konkludon Panchauri.
Edhe SHBA, përgjithësisht indiferente ndaj konkluzionit se efekti serrë dhe ngrohja globale janë produkt i aktivitetit njerëzor, duket se kanë ndryshuar mendim dhe qëndrim. Sipas ministrit amerikan të energjisë Samuel Bodman në periudhën 2005-2009, “SHBA është në favor të konkluzioneve të grupit ndërqeveritar të ekspertëve mbi evolucionin e klimës…dhe vendi jonë ka luajtur një rol të rëndësishëm në lidhje me garantimin e të dhënave shkencore mbi të cilat janë bazuar konkluzionet dhe rekomandimet e grupit”. Edhe ish-Presidenti Bush e ka evidentuar qartë se SHBA është për një “reduktim të konsiderueshëm të konsumit të hidrokarbureve dhe zhvillimin e teknologjive të reja”. SHBA, thekson Bush “janë duke bërë progres të vazhdueshëm teknologjik që do t’u lejojë atyre të mos jenë të varur nga nafta dhe nënproduktet e saj në jetën e përditshme, duke avancuar kështu në administrimin më të mire të mjedisit dhe përballimin e problemeve të mprehta që shkakton ndryshimi klimatik në botë”. Në të njëjtën linjë qëndron dhe Presidenti Obama kur deklaron se “amerikanët paguajnë çdo ditë çmimin e ndryshimeve klimaterike…pyetja është nëse ne kemi kurajën e duhur për të vepruar përpara se të jetë shumë vonë, dhe mënyra se si ne do t’i përgjigjemi kësaj pyetje do të japë një ndikim të thellë në botën ku jetojmë dhe në atë që do lemë pas.” Natyrisht që angazhimi dhe filmi i Al Gore ishte një faktor i fuqishëm në ndryshimin e opinioneve dhe qëndrimeve të amerikanëve, por dhe të shumë vendeve të tjera të botës në këtë fushë.
Ngrohja globale na kushton 5500 miliardë euro !
Një nga ekonomistët ekologjistë më të shquar të botës, ish shefi i sektorit ekonomik të Bankës Botërore, Nicholas Stern ka studiuar inpaktin afat-shkurtër të ngrohjes globale mbi ekonominë botërore duke arritur në konkluzionin se, “në qoftë se shtetet dhe qeveritë nuk marrin masa të shpejta, ndryshimet klimatike mund të provokojnë pengesa gjigante në zhvillimin ekonomiko-social të botës”. Në studimin e tij prej 700 faqesh të porositur nga Ministria Britanike e Ekonomisë, Nicholas Stern evidenton faktin se “në qoftë se qeveritë nuk preokupohen seriozisht me këtë problem në 10 vitet e ardhshme, ndryshimi klimatik mund të provokojë i vetëm krizën ekonomike e financiare më të madhe të njohur deri tani në botë. Ai mund të provokojë zhvendosjen e menjëhershme të mbi 200 milion personave, zhdukjen e 40 % të qenieve të tjera të gjalla, pa folur për thatësira apo përmbytje të mëdha.” Kostot më të rënda pritet t’i paguajnë vendet e varfra dhe ato në zhvillim që janë shumë të varura nga prodhimi bujqësor, ushqimi dhe eksportet e lëndëve të para natyrore, aq më tepër që të ardhurat e tyre të ulëta nuk iu krijojnë mundësi që të “paguajnë” për të përballuar pasojat e ngrohjes globale. Edhe në Europën jugore dhe rajonin e Mesdheut, p.sh., një rritje prej 2 gradësh e temperaturave pritet të shoqërohet me 20% ulje të disponibilitetit të ujit dhe rendimenteve të kulturave të ndryshme bujqësore. Dëmtimet me natyrë klimaterike pritet të prekin rëndë dhe tregjet financiare, veçanërisht ato të sigurimeve etj.
Kosto totale e kësaj fature : 5500 miliard euro e barabartë kjo me koston e dy luftërave botërore bashkë, më e madhe se kriza e tmerrshme e viteve 1929-1933, shumë më e vështirë për t’u përballuar se kriza financiare globale e viteve 2008-2012. Sipas Stern, situata është aq e agravuar sa edhe sikur të arrihet një ndalim i menjëhershëm i ndotjes me CO2, bota nuk do kishte mundësi t’i shmangte efektet e ngrohjes globale: ngrohja klimatike do vazhdonte akoma dhe për 30 vite të tjera dhe niveli i deteve do të vazhdonte të rritej dhe për një shekull në vazhdim!. Por Stern mendon se ka një zgjidhje për këtë dukuri, natyrisht, në qoftë se veprohet menjëherë. Ai sugjeron që njerëzimi duhet të shpenzoje rreth 1% të PBB botëror, ose rreth 300-400 miliard euro në vit për përballimin e këtij problemi. Duhet që vendet më ndotëse të planetit si Kina dhe SHBA të pengohen të vazhdojnë të ndotin akoma më shumë duke iu reduktuar të drejtën e hedhjes në atmosferë të CO2 dhe njëkohësisht duke i “detyruar të paguajnë çmimin” e kësaj ndotjeje. Sipas tij duhet vepruar intensivisht për të patur një marrëveshje të re botërore për reduktimin e hedhjes në atmosfere të CO2. Ratifikimi i Protokollit të Kioto-s në vitin 2011 është përgjigja më imediate që po i jepet këtij shqetësimi. Një vend të veçantë, “Raporti Stern” i kushton domosdoshmërisë dhe urgjencës së përdorimit të “energjive të pastra” si energjia diellore, ekokarburanteve, energjisë së erës, vendosjen e “taksave të gjelbra” etj.
Përtej këtyre konkluzioneve, e reja tjetër e raportit Stern sipas Beverley Darkin (Qëndra kërkimore Chatham House ne Londër për problemet e efektit serrë) është konkluzioni se “ngrohja globale e planetit nuk është më vetëm objekt i punës dhe preokupimit të specialisteve apo shkencëtareve të mbrojtjes së mjedisit, por gjithashtu një përgjegjësi direkte e politikanëve dhe ekspertëve të politikës së jashtme dhe atyre të ekonomisë e financave”. Stafeta po kalon gjithnjë e më tepër në duart e politikanëve dhe ekonomistëve të cilët po bëhen për ditë e më të ndërgjegjshëm për rëndësinë dhe peshën e kësaj dosjeje të nxehtë. I tillë mund të konsiderohet rasti i Britanisë së Madhe, ku aktualisht, dosja mbi efektet e fenomenit të ngrohjes globale ka një konsensus të plotë politik ndërmjet konservatorëve dhe laburistëve, fenomen ky tepër i rrallë në këtë vend.
Ekologjistët dhe ekonomistët në antagonizëm të plotë
Ndotje masive, shkatërrim pyjesh, ngrohje klimatike, efekti serre, konsum pa kthim i rezervave jetësore të planetit……tashmë ekologjistët kanë filluar të predikojnë ditën e apokalipsit…dhe kjo jo me larg se 30 vitet e ardhshme. A duhen besuar ? Debati mbarëbotëror mjaft pasionant tregon qartë se politikanët, shkencëtarët, ekonomistët, ekologjistët dhe militantët e «gjelbër» e kanë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë një gjuhë të përbashkët. Ndërkohë, një raport i OKB-se i përgatitur nga 1100 shkencëtare dhe i publikuar që në vitin 2003 e cilëson gjendjen mjaft alarmante duke konkluduar se « pa një ndërhyrje dhe ndërgjegjësim radikal…ne po shkojmë drejt një dështimi tragjik ». The Global Environment Outlook 2003, i plotësuar dhe me mjaft analiza të tjera gjatë dekadës 2003-2012, bën një bilanc të keqësimit të gjendjes së mjedisit gjatë 30 viteve të fundit – d.m.th. që pas konferencës së parë ndërkombëtare mbi mjedisin që u mbajt në Stokholm (Suedi) në vitin 1972 – si dhe parashikimet për gjendjen e planetit në vitin 2032. Konkluzioni i tij themelor : «në 30 vitet e ardhshme 70% e natyrës do të shkatërrohet, pjesa dërrmuese e specieve të gjalla do të zhduket dhe situata social-ekonomike e mjaft vendeve do të përkeqësohet ».
Ne raport shpjegohet se, n.q.s. nën presionin e frymës ekonomiko-financiare neo-liberale dhe globalizimit “të egër” dhe të pamenaxhuar në nivel global, do të vazhdoje t’i jepet prioritet vetëm tregjeve dhe financave, më shumë se gjysma e planetit do të njohë probleme të rënda në furnizimin me ujë të pijshëm. Këto do të prekin në masën 95% popullsinë e lindjes së mesme dhe mbi 65 % popullsinë e Azisë dhe Paqësorit. Sipas raportit, tashmë 1.4 – 1.5 miliard njerëz nuk kane akses në ujë të pijshëm dhe më shumë se 3 miliard të tjerë kanë sëmundje të renda si pasojë e cilësisë së keqe të ujit që përdorin (vdekjet nga sëmundjet e shkaktuara nga uji me cilësi të keqe apo jashtë standardeve janë aktualisht tre herë më të mëdha se vdekjet nga SIDA). Rajoni i Mesdheut do të mbipopullohet dhe duhet të përballohet ashpër me problemet e mbetjeve urbane, ajrit tejet të ndotur, menaxhimin e ujërave të zeza, disponibilitetin gjithnjë e më të pakët të ujit,erozionin,etj. Pyjet do vazhdojnë të dëmtohen me një rritëm alarmant dhe mijëra e mijëra hektarë tokë bujqësore pritet të degradoje me shpejtësi. Shtimi në përmasa të mëdha i popullsisë botërore po e kalon ndjeshëm disponibilitetin e ushqimeve dhe aktualisht në bote vdesin 24000 njerëz në ditë ose një person çdo 4 sekonda nga uria.
Efekti « serrë » pasojë e të cilit është ngrohja globale e planetit, jo vetëm që nuk po ndalet, por përkundrazi, po vazhdon të thellohet. Sipas CSIRO (Agjencia australiane e kërkimeve shkencore) gjatë 3-4 viteve të fundit janë hedhur në atmosferë rreth 17-20 miliard ton dioksid karboni, shifra këto shumë më të larta se mesatarja e dekadës së parë të shek. XXI, që varion në 13–14 miliard ton CO2/vit. Sipas shkencëtareve planeti po ngrohet me një shpejtësi tepër shqetësuese : viti 2003 është regjistruar si viti më i nxehtë që prej 1880 kur filluan për herë të parë të maten rregullisht temperaturat e planetit, ndërkohë që edhe vitet 2012, 2013 pritet t’i afrohen këtij rekordi. Fenomenet meteorologjike ekstreme si ngricat, thatësirat, përmbytjet, tajfunet, furtunat, shirat e fortë, tornadot, uraganet, shkrirja e akujve polare, tërmetet,etj., po shtohen progresivisht këto 10 vitet e fundit dhe shkencëtarët mendojnë se ato janë në radhë të parë pasojë e ngrohjes globale të planetit. Në shkallë botërore, vlerësohet se humbjet vjetore të lidhura me katastrofat natyrore kanë kaluar nga rreth 1 miliard dollarë në vitet 1960-të në më shumë se 40 miliard dollarë në dhjetëvjeçarin 1990-2000 me një tendencë të dukshme 3-4-fishimi për periudhën 2010-2020. Ngrohja globale që është luhatur në shifrat 0.3–0.6 gradë celsius gjatë shek.XX-të, parashikohet të rritet dhe me 3-4 gradë të tjera për 100 vitet e ardhshme nëse vazhdohet me këtë rritëm emissioni CO2 në atmosferë.. Por viktimë e ngrohjes globale nuk pritet të jete vetëm njeriu. Sipas revistës prestigjioze angleze «Nature», një ekip shkencëtarësh kanë arritur në përfundimin se evolucioni i klimës drejt ngrohjes globale do të provokojë gjithashtu dhe zhdukjen e mbi 1 milion specieve bimore apo shtazore të planetit deri në vitin 2050 !
Ambientalistët skeptikë përballë ekonomistëve optimistë
Por, a duhet konsideruar fenomeni i ngrohjes globale si “fundi i botës?”. Ekologjistë nga më të shquar të planetit si Paul Ehrlich, Lester Brown, Pamela Matson, Paul Watson etj., dhe pothuajse të gjitha lëvizjet ambientaliste botërore e kanë konsoliduar tashmë kredon e tyre katastrofike e skeptike duke i rënë vazhdimisht këmbanave të alarmit : burimet natyrore po konsumohen në mënyrë të pakthyeshme ; rritja e madhe popullsisë po bën që të kemi gjithnjë e më pak rezerva ushqimore disponibël ; shumë nga speciet bimore e shtazore po zhduken përfundimisht. Konkluzioni themelor i krahut më të ashpër të ekologjistëve : aktiviteti human po e degradon rëndë ambientin dhe njerëzimi po përgatit fundin e tij…..« kur lumenjtë të pushojnë së rrjedhuri,..kur pemët të jenë prerë…kur kafshët të jenë zhdukur…njeriu do të zbulojë që nuk mund të ushqehet vetëm me para apo flori”.
Por për ekonomistët dhe ekspertët e zhvillimit realiteti ecën në sens të kundert : bota po shkon gjithnjë e më mirë. Dhe ata kanë të gjithë kundër argumentet e nevojshme optimiste përballë tragjizmit ekologjik. Le t’i shikojmë me radhë.
Ndotja e ajrit, e cilësuar si fenomen tejet negativ e me pasoja vdekjeprurëse. Në fakt, shumë shembuj dëshmojnë se ndotja e ajrit fillon e zvogëlohet sapo një shtet apo një shoqëri e caktuar zhvillohet dhe krijon burimet të mjaftueshme financiare për t’u preokupuar për mjedisin. Shembulli i Londrës, një nga qytetet të cilësuar si më të ndotur të planetit, dëshmon për të kundërtën. Mbas ligjit specifik të vitit 1956, vit në të cilin vdiqën disa mijëra vetë si pasojë e ajrit të ndotur, sot Londra ka një nivel ndotjeje të barabartë me atë të vitit 1890 dhe në mjaft zona të saj ajri ka cilësinë dhe pastërtinë që kishte në vitin 1585 kur nuk ekzistonte asnjë lloj industrie. Ky fenomen mund të përgjithësohet dhe për vendet në zhvillim. Kur ato ta kalojnë fazën e industrializimit dhe të kenë burime të mjaftueshme financiare, mund ta luftojnë me sukses fenomenin e ndotjes së ajrit.
Katastrofa demografike tashmë po mbetet vetëm një shprehje. Sipas llogaritjeve të FAO-s dhe OKB-së, prodhimi bujqësor dhe disponibiliteti ushqimor në vendet në zhvillim është rritur 52%/person gjatë periudhës 1960–2000. Po kështu, sasia mesatare e kalorive të konsumuara është rritur nga 1932 në 2650 kalori/person me tendencën për të arritur në 3020 kalori në 2030. Edhe pjesa e popullsisë që vuan nga uria në vendet në zhvillim ka kaluar nga 45% në vitin 1949 në 18% në vitin 2000, për të arritur në 12% në 2010 dhe vetëm 6% në 2030. Maltusi dhe dishepujt e tij duket se janë gabuar kur predikonin se popullsia po rritet në mënyrë eksponenciale dhe ushqimet në mënyrë lineare dhe se tokat bujqësore kanë një limit. Realiteti i shek.XX dhe dekadës së parë të shek.XXI, përveç progresit spektakolar në teknologjitë dhe teknikat e prodhimit, tregoi gjithashtu se rritja demografike ka mekanizmin e saj rregullues : kur njerëzit bëhen më të pasur dhe më të arsimuar ata kanë tendencë të kenë më pak fëmijë. Ky fenomen tashmë është vërtetuar: rritja e popullsisë ka arritur kulmin e saj – me 2% në vit – në fillim të viteve 60-të, dhe pastaj ka ardhur gjithnjë në zbritje. Aktualisht është 1.6% me tendencë zbritje deri në 0.46% në 2050. Sipas OKB-se, rritja e popullsisë do të mbarojë praktikisht në 2100 dhe popullsia botërore do të stabilizohet në rreth 11 miliard banorë.
Frika për biodiversitetin, megjithëse reale paraqitet e ekzagjeruar. Vlerësimet e ekologjistëve mbështeten në projeksionet që lidhin reduktimin e habitatit natyror me reduktimin e biodiversitetit. Pra zhdukja 50% e pyjeve do të thoshte zhdukje 50% e faunës dhe florës së tyre ! Por studimet më të fundit në këtë fushë janë larg këtij pesimizmi katastrofik. Në SHBA, p.sh., gjatë 2 shekujve të fundit sipërfaqja e pyjeve është zvogëluar vetëm 1-2% dhe vetëm një lloj zogu është zhdukur. Por, dhe në Porto Riko, ku gjatë 4 shekujve të fundit janë zhdukur 99% e pyjeve primare, vetëm 7 lloje zogjsh nga 60 që jetojnë në këto pyje janë zhdukur ! Edhe ne Brazil, ku ka mbetur vetëm 12% e sipërfaqes origjinale të pyjeve tropikale, sipas Federatës Botërore për Natyrën dhe Shoqatës Braziliane të Zoologjisë, ekzistojnë akoma të gjitha speciet e njohura që dy shekuj më parë !
Problemi i ndjeshëm i konsumimit pa kthim të burimeve natyrore. Frikës së ekologjistëve po i kundërvihen argumentet se rezervat e tokës janë shumë më të mëdha se sa mendojnë ata. Rezervat e lëndëve djegëse me origjinë fosile dhe metaleve të rëndësishme për ekonominë janë më të rëndësishme se sa e mendonte Klubi i Romës në 1971 kur publikoi të famshmin raport « Limitet e zhvillimit ». Rezervat e naftës, edhe n.q.s vazhdohet me të njëjtin rritëm shfrytëzimi, mjaftojnë edhe për shumë dekada. Po t’i shtojmë kësaj ritmin dhe dinamikën e zbulimit dhe shfrytëzimit të burimeve të tjera alternative energjie që po evidentohen sot në botë, konkludohet se njerëzimi nuk kërcënohet nga problemi i konsumit pa kthim të burimeve energjetike. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për lëndët e tjera të para. Alumini, hekuri, bakri, ari, azoti, zingu etj. përbëjnë rreth 75% të konsumit botëror të lëndëve të para dhe megjithë rritjen e konsumit të tyre, rezervat disponibile sa vijnë dhe shtohen…..
Sipas ekonomistëve, « pesimizmi apokaliptik ekologjik duhet zëvendësuar me optimizmin e zhvillimit modern – vetëm progresi i mëtejshëm është zgjidhja e dëmeve të progresit aktual… ». Ekonomisti danez, Bjorn Lomborg i Copenhagen Busines School, i cilësuar dhe si “ekologjisti skeptik” kritikon alarmizmin e lëvizjeve ekologjike dhe provon me shumë shifra e fakte se “ndryshimet klimatike nuk janë fundi i botës, përkundrazi, ato mund të ndikojnë pozitivisht në shumë rajone të botës. Mjeti më efektiv për zvogëlimin e efektit serrë është zgjerimi dhe ulja e kostove të energjive të gjelbra. Nëse në 20-40 vitet e ardhshme investimet në Kërkim-Zhvillim dhe teknologjitë e reja energjetike në shkallë globale arrijnë në 100 miliard dollarë në vit, shumë që përfaqëson vetëm 0.2% të PBB botëror, atëherë asnjë nuk duhet të trembet më nga ngrohja globale dhe ndryshimet klimaterike.