Zgjedhjet më të mira?

Nga Artan Hoxha, botuar në Panorama Online, 8 gusht 2013

KUR ZGJEDHJET JANE TE MIRA?Përkufizimi më i saktë i zgjedhjeve më të mira është ai që përcaktohet nga shkalla e kënaqjes së standardeve të mirënjohura ndërkombëtare, ndryshe të quajtura “Angazhime kundrejt OSBE/ODIHR”, të cilat mbikëqyren e vlerësohen nga kjo organizatë dhe i jepen publikut përmes raporteve dhe konferencave për shtyp. Edhe për zgjedhjet 2013 do të dalë së shpejti një raport dhe leximi krahasimor i raporteve i jep, me përafërsi të kënaqshme, përgjigje pyetjes së shtruar, ndaj përgjigjja sipas kësaj metode nuk është objekt i këtij shkrimi. Një tjetër përkufizim, mjaft praktik, me të cilin merrem në këtë shkrim, është ai që lidhet me pretendimet për manipulime të këtilla që: i) kanë ndërruar kahen e fitores duke e bërë humbësin fitimtar dhe fitimtarin humbës, apo se ii) edhe pa ndërruar kahen kanë shkaktuar modifikime të numrit të mandateve parlamentare mes subjekteve kundërshtare, e së fundmi, iii) edhe pa ndërruar kahen e fitores kanë shkaktuar modifikime të mandateve mes subjekteve të të njëjtit koalicion dhe/ose subjekteve jashtë koalicioneve kryesore. Analiza, për shkak të interesit, do të kufizohet vetëm në periudhën 2009-2013, pasi për zgjedhjet 2000-2007, ndonëse ka pasur shumë parregullsi dhe pretendime për manipulime, nuk mund të vihet në dyshim kahja e fitores, por veçse gjerësia e saj si në rastin e zgjedhjeve 2001 në shkallë kombëtare dhe ato 2003 në Bashkinë Tiranë. 

A KA NDRYSHUAR NDONJEHERE KAHJA E FITORES?
Zgjedhjet 2009 u kontestuan fuqishëm nga Edi Rama dhe PS. Pretendimi i tyre ishte se manipulimet zgjedhore kishin shndërruar thellësisht rezultatin duke e bërë humbësin – PD të Sali Berishës – fitimtar dhe fitimtarin – PS të Edi Ramës, humbës. Pretendimi u shfaq në dy drejtime: i) përmes votimit fiktiv të një ushtrie të padukshme demokratësh që në ditën e votimit kishin shtuar të paktën 75 mijë vota duke e rritur me të paktën 5% rezultatin e koalicionit demokrat; ii) në procesin e numërimit gjatë të cilit numëruesit dhe komisionet zgjedhore kishin kryer dhe/ ose lejuar modifikime thelbësore të rezultatit të paktën në qarqet Berat, Tiranë, Shkodër, për të cilat u kërkua edhe rinumërimi i plotë. Po kështu u pretendua nga Edi Rama publikisht si dhe në librin e tij “Kurban” se në Bashkinë Tiranë 2011, ditën e votimit ishin shtuar afro 10 mijë vota, ndërsa votat në kutinë tjetër ishin manipuluar në bodrumet e KQZ para rinumërimit prej saj. Më poshtë jepen fakte dhe analiza që rrezojnë secilin nga këto pretendime. 

PRETENDIMET PER MANIPULIME NE VOTIM
Lidhur me pretendimin e manipulimeve në votim, i vetmi rast në 2009-n ishte ai i komunës Ruzhdie në Fier, ku pas largimit, me apo pa qëllim, të komisionerëve socialistë, ata demokratë, në mungesë të kontrollit reciprok, duket se votuan edhe në emër të emigranteve, por ky rast u denoncua brenda ditës së zgjedhjeve dhe rezultati në Ruzhdie nuk u përfshi në rezultatin zgjedhor. Sistemi funksionoi. Pretendimi i Edi Ramës për një manipulim tërësisht perfekt – i padukshëm e në shkallë të gjerë me efekt prej mbi 75 mijë votash apo mbi 5% – rrëzohet nëse i vihen përballë të gjitha shifrat dhe faktet. Po kështu rrëzohen edhe pretendimet për manipulime të ndonjë mandati mes koalicioneve, apo mbi subjektet brenda të njëjtit koalicion apo jashtë tyre.
i) Sondazhet parazgjedhore 2009, kujtoj ato të Top Channel/Zogby apo Ora News/ IPR Marketing, dhanë një barazim mes dy koalicioneve dhe një peshë prej 5% të LSI. Thuajse barazim doli edhe rezultati zgjedhor me aleancën demokrate veç 1.7% para dhe vetë PS afro 0.7% para vetë PD. Diferencën e bënë aleatët më të shumtë të PD. Ndërkaq, LSI mbeti te niveli prej 5%.
ii) Rezultati zgjedhor 2011 për votën e partive/ këshillave konfirmon “gjysmëngrirjen e elektoratit”, pasi aleanca demokrate, përfshirë LSI, kishte afro 100 mijë vota më shumë se ajo socialiste, po aq sa kishte edhe në 2009- n, kur në të dyja zgjedhjet kishte një numër thuajse të njëjtë votuesish, pra situata ishte e njëjtë edhe në përqindje të votave. Do të ishte absurde të mendohej se ushtria e padukshme demokrate në ditën e votimit 2011 paska marrë mundimit të shtojë përsëri të paktën 75 mijë vota vetëm për partitë/këshillat, dhe jo edhe për kandidatët për kryetarë bashkie/ komune, ndërsa rezulton se diferenca në vota mes dy kampeve për kandidatët për kryetarë ishte veçse 30 mijë vota në favor të aleancës demokrate, përfshirë LSI.
iii) Rezultati 2011 është i barabartë me saktësinë e së mijtës edhe në Bashkinë Tiranë 2009 dhe 2011 – diferenca mes dy kampeve është veç disa dhjetëra vota për kandidatët për kryetarë dhe veçse disa qindra vota mes subjekteve përkatëse për këshillin në një total prej 250 mijë votuesish në të dyja zgjedhjet. Në Tiranë shkalla e politizimit antagonist ishte totale, ndaj edhe “ngrirja” u shfaq për të dyja llojet e votave – këshill e kryetar – e thuajse e këtillë edhe për dy votat për njësitë bashkiake.
iv) Sondazhet në periudhën janar – prill 2013, edhe ato të vetë PS, vetë LSI e vetë PD, por edhe ato publike qoftë i Ora News/IPR Marketing e qoftë ai i Vizion Plus/Piepoli, apo indirekt edhe ai i fondacionit “Soros”, treguan përsëritjen, me ngjashmëri të kënaqshme të fotografisë 2009 në kuptimin që barazimi i dy koalicioneve dhe LSI në mes me peshë rreth 5% në vitin 2009 prishej për shkakun se AK dhe FRD, me kuotë në pikënisje në nivelin e 4%, e para me mbështetje thuajse tërësisht majtas dhe e dyta me mbështetje të përzier, duheshin vënë në krahun opozitar, por e gjitha mbeti një aritmetikë shifrash, që nëse ktheheshin në origjinë, konfirmonin rezultatin 2009. Jo më kot, si në një lojë dam me detyrim-përcaktim, Edi Rama kërkoi aleancë me Ilir Metën, që vazhdonte të rezultonte “mbret-bërësi” edhe nëse PS i bashkoheshin AK dhe FRD. Ilir Meta e shfrytëzoi mjaft mirë rastin.
v) Javë pas jave e deri një javë para 23 qershorit, sondazhet nuk tregonin asgjë tjetër veçse që rënia e mbështetjes për AK dhe FRD shkonte kryesisht si rritje për aleancën opozitare dhe sondazhet u mbyllën me një diferencë prej 6-7% të aleancës opozitare, me një PS në rendin 39-43%, PD në rendin 37-41% dhe LSI në rendin 5-7%.
vi) Edhe vetë rezultati i PS apo i ASHE/ PS pa LSI, i njëjtë në përqindje me atë 2009 dhe kombinimi i rënies së APMI/PD dhe rritjes dyfishe të LSI nga një anë dhe efektit përfundimtar i FRD nga ana tjetër, mund t’i shtohet kësaj bashkësie faktesh.
vii) Në të gjitha zgjedhjet kombëtare partitë e vogla tradicionalisht rrotull një përqindëshit, sa ç’janë vlerësuar nga sondazhet në atë nivel shumë të përafërt, kanë dalë edhe në zgjedhje. Në zgjedhjet 2009 e majta ishte thellësisht e përçarë (si në 2005 dhe 2011), por në përgjithësi konstruktive, e djathta ishte veçse e plasaritur me ndonjë parti periferike (si në 2005 edhe në 2011), e që garonte për mandatin e dytë pas një mandati të parë përgjithësisht pozitiv, ndaj dhe rezultati në vota do të ishte i ngushtë, me një avantazh të lehtë të aleancës demokrate, dhe diferencën do ta bënte formula llogaritëse e mandateve. Në vitin 2013 bashkimi PS-LSI, që nisi si një avantazh i lehtë historik majtas kombinuar me dizavantazhet e natyrshme të garës për mandatin e tretë qeverisës të demokratëve në të djathtë një copës e së cilës, FRD, ishte kundërshtare, krijoi premisa për fitoren e së majtës, fitore që u tejzgjerua përtej çdo parashikimi, për shkak të joshjes së votës pragmatiste, potencialisht të djathtë, me mjete jopolitike. 

PRETEDIMET PER MANIPULIMET NE NUMERIM
Lidhur me pretendimin e manipulimeve me mijëra vota përgjatë numërimit 2009, këto rrëzohen si nga e gjithë seria e fakteve të mësipërme mbi rezultatin zgjedhor dhe votimin, ashtu edhe nga logjika që manipulime të këtilla masive ishin bërë në sallat me 100 palë sy e veshë dhe s’kishin lënë fare gjurmë. Në kërkesën për rinumërimin e të gjitha votave të të tria qarqeve PS nuk paraqiti asnjë fakt, provë apo indicie që të krijonte dyshimin e arsyeshëm për manipulime në numërim, ndaj dhe kërkesa nuk u miratua as nga KQZ dhe as nga Kolegji. Pretendimi i PS në vitin 2009 rrezohet edhe nga faktet e procesit të numërimit 2013, ku përsëri u ngritën pretendime nga subjektet e ndryshme për manipulime. Përmbledhtazi:
i) PD, bazuar në manipulimin e dukshëm të procesverbalit të rezultatit në 10 kuti të një nga KZAZ e Lezhës, kërkoi rihapjen e tyre. Rivlerësimi i votës tregoi se rezultati ishte modifikuar në masë të madhe në këto fare pak kuti, duke i dhuruar fitoren 4:3 aleancës së majtë. Në pjesën tjetër, prej afro 250 kutish të këtij qarku, të cilat u rihapën pa ndonjë indicie të qenësishme, doli se nuk kishte ndonjë manipulim të qenësishëm. Ku kishte indicie ato u provuan e ku nuk kishte indicie nuk kishte as manipulim.
ii) PR pretendoi se në qarkun Shkodër, bazuar në vëzhgimin e regjistrimeve filmike, PD i kishte marrë vota me efekt humbjen e mandatit të saj dhe fitimin e këtij nga PD. Duket republikanët kanë parë apo kanë shfrytëzuar vetëm regjistrimet e KZAZ Nr. 1 në Shkodër, ku në fakt kishte indicie për dyshim. Mbi këtë bazë, KQZ kreu rivlerësimin e votave në të gjithë qarkun. Doli se në KZAZ Nr. 1, PR i ishin marrë vota, pra indiciet nuk gënjenin dhe kishte një farë manipulimi me peshë ku të dyja partitë e mëdha u kishin marrë vota partive të vogla aleate dhe për më tepër PS kishte arritur të merrte edhe mjaft vota nga kampi kundërshtar, por pa efekt në mandate. Në shtatë KZAZ të tjera, për të cilët nuk kishte indicie, doli se numërimi kishte qenë praktikisht korrekt. Ku kishte indicie doli manipulim, e ku s’kishte indicie nuk kishte as manipulim.
iii) LSI pretendoi se në 15 kuti në KZAZ e Tropojës në qarkun Kukës, regjistrimet filmike tregonin manipulimin e votës së saj nga PD me efekt humbjen e mandatit të saj e përftimit nga PD. KQZ nuk pranoi të rihapte kutitë për mungesë të indicieve të besueshme. Rihapjen e kutive e bëri Kolegji, nga ku doli se s’kishte manipulim. Në këtë rast, indiciet e pretenduara ishin te sajuara, rinumërimi u kërkua thjesht mbi mitin e gjithëpërhapur se diçka duhej me doemos të kishte ndodhur, por shpresat e LSI u zhgënjyen. Përsëri, mungesa e indicieve tregoi mungesën e manipulimit. Këto raste tregojnë se sistemi i numërimit funksionon mjaft mirë dhe manipulimi gjatë numërimit dhe raportimit të rezultatit s’mund të ndodhë pa lënë gjurmë, të cilat, nëse shfrytëzohen në procesin e ankimit si indicie e prova, s’ka se si të mos mundësojnë nxjerrjen e së vërtetës dhe rivendosjen e gjendjes. Në vitin 2013, në rastet kur pati fakte dhe indicie të qenësishme, u provua manipulimi dhe ku nuk pati fakte e indicie të qenësishme, u provua se s’kishte as manipulim. Në vitin 2009, PS nuk paraqiti asnjë fakt apo indicie, ndaj s’kish se si të ketë pasur manipulim, ndryshe gjurmët do të ishin të qarta e të mjaftueshme për të kryer rivlerësimin në mos nga KQZ, të paktën nga Kolegji. Diskutimi i vetëm në KQZ dhe Kolegj në vitin 2009 ishte juridik nëse a rihapen dhe a rivlerësohen votat apo materialet me kërkesë të dy anëtarëve të KQZ, në mungesë të fakteve dhe indicieve. PS ra në pretendime absurde si në vitin 2009, kur kërkonte rihapjen e kutive dhe rivlerësimin e votave pa fakte dhe indicie, e po ashtu në vitin 2013, kur kërkonte të mos rihapeshin 10 kutitë e Lezhës dhe të mos rivlerësoheshin votat, edhe pse kishte fakte dhe indicie të qenësishme që ushqenin dyshimin e arsyeshëm për manipulim me efekt në mandate, dyshime të cilat u vërtetuan qartësisht.
Së fundmi, lidhur me votat në kutinë tjetër në Bashkinë Tiranë 2011, për të cilën PS çnuk pretendoi e çnuk nxori si skenarë manipulimi me kutitë, i bërë rrugës nga komisionet e numërimit deri në selinë e KQZ e bodrumet e saj, çështja ishte e u bë e qartë se asnjë manipulim i këtillë s’kishte ndodhur. Në shumicën dërrmuese të rasteve ku kishte shënime nga komisionet e numërimit për ekzistencën e votave në kutinë tjetër dhe sasinë e tyre i njëjti rezultat u rivërtetua edhe në rinumërimin në KQZ. Gjithashtu, për çdo grup prej katër kutish të një qendre votimi numri i votave në total ishte i njëjtë, si ai i dalë nga grupet e numërimit, ashtu edhe ai i dalë nga rinumërimi në KQZ, pra asnjë votë e shtuar apo e hequr, por vetëm kthim në kutinë e duhur.
Edhe çështja e (pa)vlefshmërisë së votës në kutinë tjetër u debatua veçse juridikisht dhe vërejtja e OSBE/ODIHR ishte në thelb arsyetimi jo aq koherent i KQZ/ Kolegjit. Në fakt, këtij debati iu vu kapak edhe me Kodin e ri të miratuar në vitin 2012 si votë e vlefshme, pasi ky është edhe parimi, dhe parimi s’mund të cenohet nga procedura, aq më shumë kur procedura ishte e gabuar dhe e këtillë që cenonte parimin e, nëse kutitë do të ishin numëruar paralel, siç edhe përcakton Kodi i ri, rezultati do të dilte ai që doli, në favor me 93 vota për Lulzim Bashën. 

KONKLUZION
Më sipër u dha një tablo e shpejtë e ngjarjeve dhe fakteve të proceseve zgjedhore. Kushdo mund ta pasurojë atë me ngjarje dhe fakte të tjera dhe, nëse do të ishte objektiv, do të arrinte në konkluzionet që, pavarësisht defekteve apo tentativave për manipulim, në zgjedhjet kombëtare rezulton se: i) që nga zgjedhjet 2001 e deri më sot asgjë s’ka pasur efekt mbi kahen e fitores; ii) që nga zgjedhjet 2005 e deri me sot asgjë s’ka pasur efekt jo vetëm mbi kahen e fitores, por as edhe cenimin e ndonjë mandati në dëm të njërit kamp e në favor të tjetrit, as në dëm të ndonjë aleati brenda koalicionit përkatës a të ndonjë force politike jashtë koalicioneve kryesore. Sistemi i votimit, i numërimit dhe i ankimit, si një i tërë, ka funksionuar për bukuri dhe ka qenë i aftë të nxjerrë rezultat të pamanipuluar edhe në rastet e diferencave tejet të ngushta si ai në zgjedhjet 2009 dhe ai në zgjedhjet 2011 në Bashkinë Tiranë, e jo më në zgjedhjet 2013, ku diferenca e gjerë e bënte administrimin mjaft më të lehtë dhe mëkat që u njollos për “pesë pare spec” në 10 kuti në Lezhë nga opozita. Nga ky këndvështrim, zgjedhjet 2009 dhe ato 2011 në Bashkinë Tiranë mbeten më të mirat, ndonëse më të kontestuarat.

Ndërkaq, zgjedhjet 2013 shfaqën një problem, aspak të ri, por me përmasa tejet shqetësuese këtë herë, atë të tejzgjerimit të avantazhit përmes votës që jepet për motive të dobëta jopolitike dhe joideologjike e që joshet me mjete të forta jopolitike e joideologjike, e përdorur gjerësisht dhe me efektivitet nga PS, LSI dhe disa prej të vogla e periferike të tipit “Uo të ka lali xhan…”. Kjo është sfidë e vështirë për zgjedhjet e ardhshme. Nëse premtimet e ekzagjeruara për mbajtjen në punë apo punësim mund edhe të zhgënjehen dhe orientimi i votuesve të rivendoset në ekuilibër çështja me të vërtetë e vështirë mbetet blerja e votës, që në fakt nuk kushton kush e di se çfarë. Sa për ilustrim, me një çmim, gjerësisht të përfolur, prej 50 eurosh për votë, 50 mijë vota – mjaftueshëm për një parti kryesore – mund të blihen me 2.5 milionë euro dhe 5 mijë vota – mjaftueshëm për një parti të vogël periferike – me 250 mijë euro. Ju duket shumë apo pak? Pyesni specialistët.

 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi