Industria e sigurimeve dhe reforma në shëndetësi
Nga Avni Ponari, botuar Panorama Online, 8 gusht 2013
Kur flasim për një sistem shëndetësor dhe reformat në shëndetësi, menjëherë na shkojnë ndër mend një sërë hapash që duhen bërë. Teksa mendojmë për të kaluarën e këtij sistemi, me të mirat dhe të këqijat e tij, shikojmë dhe lexojmë të sotmen, por duke menduar për të ardhmen, për perspektivën dhe zhvillimet strategjike, në mënyrë që ky sistem të jetë në të mirë dhe në shërbim të qytetarëve. Prej njëzet vjetësh flasim për një sistem shëndetësor të korruptuar, të prapambetur dhe të paorganizuar në një standard të caktuar, flasim për modernizimin e tij, për mundësitë, idetë, perspektivat. Në veçanti flet politika për një sistem modern, shërbim falas, shëndetësi falas, dhe jo vetëm kaq, por shërbime të specializuara falas për të gjithë qytetarët.
E gjitha kjo diskutohet gjatë fushatave elektorale dhe gjatë takimeve me elektoratin e qytetarët, por jo më pak edhe në studiot televizive ku gatuhen zhurmuesit e ideve. Është folur gjithmonë për ndryshime rrënjësore në këtë sistem, pasi ai është i prekshëm, është i përditshëm, është masiv dhe prek të gjitha interesat e qytetarëve, pa dallim moshe, seksi dhe vendbanimi. Të gjithë flasin, të gjithë konstatojnë dhe të gjithë japin ide të ndryshme, pasi vetë sistemi që jetojmë na e krijon këtë mundësi. Disa me profesionalizëm e disa të tjerë me diletantizëm, kurse disa me pragmatizëm lëshojnë në erë programe, ide dhe mendime të ndryshme. Ne vijmë nga një sistem tejet i amortizuar, veçanërisht në shëndetësi, një sistem që kujdesej për të gjithë dhe se si kujdesej e dimë të gjithë. Nga ana tjetër, në sajë të hapjes dhe krijimit të standardeve të reja dhe mundësive të zhvillimit kemi kërkesa dhe interesa të reja, duam të njohim dhe të arrijmë të përparuarën për të jetuar mirë të sotmen dhe për të garantuar të ardhmen. Në të gjithë botën, kur flitet për një sistem shëndetësor, njëkohësisht flitet për sistemin e sigurimeve dhe industrinë që ajo përfaqëson. Sot qytetarët shqiptarë përballen me standarde të ndryshme, pasi lëvizja e lirë dhe mundësitë ekonomike kanë krijuar edhe mundësinë e kontrolleve shëndetësore në klinikat më të mira të Europës dhe SHBA-ve.
Shqiptarët janë kudo prezentë, sot në klinikat më të mira të Europës janë dhe mjekët më të mirë, madje në qytete si Mynihu, Milano, Vjena, Nju Jorku, Athina, Stambolli dhe dhjetëra qytete të tjera mjekët më të mirë janë shqiptarë. Ajo që bie në sy si brenda ashtu dhe jashtë Shqipërisë, është se shqiptarët kontrollojnë shëndetin e tyre dhe vizitohen njëlloj siç blejnë rrobat në dyqan apo zarzavatet në tregun ushqimor. Por pse ndodh kjo? Reforma në shëndetësi ka ecur me hapa të mirë, por e fragmentarizuar nga shumë faktorë. Ne sot kemi një sistem farmaceutik tërësisht privat, si dhe një sistem dentar privat, kemi me qindra klinika private, janë bërë plot spitale private mjaft të mira dhe me nivel të lartë. Shërbimi në këto institucione është, natyrisht, si nata me ditën në krahasim me entet shtetërore.
Pra, kemi një sistem pothuajse në prag të reformës, e cila duhet shtyrë që të funksionojë. Përvoja e vendeve fqinje, e vendeve të vogla si ne, është e pranishme. Por, cilat janë masat që merren dhe ku duhet të shkojmë? A mund të jetë shërbimi shëndetësor falas? Si këto ka edhe shumë pyetje të tjera që duan përgjigje. Por le të mbetemi në një ide që nuk është e panjohur, por që ka nevojë të shtrohet e diskutohet në tavolinat e vendimmarrësve. Qytetarët shqiptarë do të jenë të lirë dhe do të kenë personalitetin e duhur atëherë kur dyert e administratës shtetërore, bashkive etj., të jenë pa njerëz që presin në radhë. Kjo do të thotë që ata do të kenë fituar personalitetin e tyre, pra kur çdo gjë do të varet nga vetë njerëzit atëherë kur nuk do të kenë më nevojë t’u drejtohen zyrtarëve të administratës, por kartës elektronike apo kartës së identitetit që ka me vete, dhe me to do të kërkojë shërbimin që ka nevojë, dhe në këtë mënyrë do ta bëjë atë të pavarur dhe, natyrisht, do t’i japë më shumë personalitet.
Sot në tregun shqiptar janë mbi 30 000 veta që marrin produkte shëndetësore drejtpërdrejt nga një skemë private, e cila funksionon mjaft mirë me shërbime shëndetësore brenda dhe jashtë vendit, ndërkohë që pagesa mesatare për këto skema është vetëm 1 euro në ditë. Nga studimi i bërë del se kjo skemë funksionon shumë mirë dhe dëmi mesatar i kalkuluar shkon rreth 1000 euro. Pra, e thënë më shkoqur, nëse ndërtohet një skemë shëndetësore për të gjithë shqiptarët mbi bazën e përvojave të vendeve si ne, ku shteti merr përsipër pagesat e gjithë qytetarëve në klinika shëndetësore shtetërore dhe private me një dëm mesatar prej 1000 eurosh, atëherë kjo do të ishte dhe fillimi i skemës. Për më tepër, për vlera mbi 1000 euro mund të blihet një risigurim për çdo qytetar deri në 5000 euro, dhe në këtë mënyrë do të kemi një mbulim total të të gjithë popullsisë dhe të gjitha shpenzimet mjekësore deri në 5000 euro për çdo qytetar. Pas kësaj fillon skema e lirë apo vullnetare për këdo që dëshiron të ketë një mbulim më të madh prej 100 000 eurosh apo më shumë do të paguajë në tregun privat një shumë të caktuar, e cila është e diskutueshme me një vlerë më të vogël se 1 euro në ditë, megjithatë, një kalkulim i tillë u takon aktuarëve.
Natyrisht që një skemë e tillë ka edhe anën praktike të zbatimit, e cila ka një kosto dhe që mund të amortizohet në sajë të përdorimit të kartës së identitetit dhe ndërtimit të sistemit të regjistrimit. Karta e identitetit ka hapësirë të plotë regjistrimi të dhënash dhe me anë të lexuesve manjetikë në çdo klinikë, farmaci apo spital, mund të shihen kreditet e harxhuara dhe të grumbulluara nga skema e mësipërme. Aplikimi i kësaj skeme kërkon pak kohë dhe shumë impenjim teknik dhe bashkëpunues. A mund të ndodhë kjo dhe a është kjo një ide që mund të aplikohet? Gjithçka është e mundur nëse gjenden dhe përmbushen interesat e palëve dhe konsumatorit. Vështirësitë janë të mëdha, por nëse ato i vendosim përpara sa një mal, atëherë nuk fillohet, por nëse ato konsiderohen të kalueshme, hapat janë të sigurt.
Megjithatë, nuk duhen harruar një sërë faktorësh gjeografikë, politikë e socialë, të cilët mund të jenë pengesë sepse kjo nuk lejon më njerëz të luten e përshpirten, por të gjithë janë të barabartë në shërbim dhe në mbulimin shëndetësor të përzgjedhur. Natyrisht që mendimi im nuk është përfundimtar; përvoja dhe eksperienca e vendeve të vogla kanë rezultate të ndryshme, por që me një këshillim të përbashkët mund të japin më të mirën dhe atë që u intereson të gjitha palëve. Zgjidhja që rezulton nga eksperiencat e grumbulluara, pa kaluar në rrugë të reja, do të jetë më efektive dhe më e pranueshme dhe do të garantojë të ardhmen.