Shoqëria shqiptare dhe statistikat zyrtare mbi indikatorët socio-ekonomikë
Prezantim nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim i rezultateve të një testi
Në muajin maj 2013 në kuadrin e aktiviteteve të portalit Shtetiweb.org, Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim organizoi një matje test të njohurive mbi indikatorët socio-ekonomikë të një grupi prej 140 studentësh të një universiteti në Tiranë.
Anketa ka 12 pyetje, bazohet mbi metodologjinë e përdorur nga Eurobarometer dhe OCDE, dhe është përshtatur kontekstit shqiptar. Ajo synon të masë njohuritë mbi disa indikatorë të rëndësishem socio-ekonomikë, të identifikojë burimet kryesore nga merret ky informacion, dhe të vlerësojë perceptimin e dobishmërisë së statistikave në formësimin e opinionit të grupit shenjë. Indikatorët kryesorë te zgjedhur në këtë test i përkasin vitit fiskal 2012 dhe përfshijnë rritjen e PBB, shkallën e inflacionit, shkallën e papunësisë, raportin e borxhit publik mbi PBB, etj. Përsa i përket njohurive për indikatorët e propozuar, me metodologjinë e zgjedhur janë konsideruar si “të sakta” përgjigjet që vendosin indikatorin në +-20% te vlerës zyrtare të publikuar.
Qëllimi kryesor i kësaj faze është testimi i pyeteësorit duke përfshirë indikatorët e zgjedhur, terminologjinë dhe metodologjinë, për të mundësuar përmirësimin e tyre për rezultate optimale në një anketë në shkallë të gjerë në të gjithë vendin. Edhe pse nuk u konceptua si një instrument për të matur njohuritë e popullatës shenjëe dhe pa pretendim përfaqsueshmërie, disa nga të dhenat e marra pas trajtimit me SPSS janë kaq interesante saqë ne menduam ti bënim publike, si më poshte:
- Disekuilibër në njohjen e indikatorëve. Ndërsa 91% e grupit dha përgjigjen e duhur për numrin e popullsisë sipas Censusit të vitit 2011, vetëm 8.6% të studentëve dhanë përgjigjen saktë për shkallën e inflacionit.
- Burimet kryesore të informacionit statistikor. Së dyti, media, Instat dhe Banka e Shqipërise citohen si burimet kryesore nga merret informacioni socio-ekonomik. Me mbi 30% te përgjigjeve pozitive, mediat televizive (kryesisht nje kanal) ngelen burimi kryesor nga i cilit merren njohuritë mbi indikatorët socio-ekonomikë, ndërsa “shkolla” citohet vetëm nga 1.4 % e të pyeturve. Eshteë interesant fakti që më tepër se gjysma e tyre nuk mendojnë ose nuk besojnë fare që politikanët shqiptarë i bazojne vendimet e tyre në informacionin statistikor. INSTAT citohet si burim i besueshëm per inflacionin, papunësinë dhe Censusin, Banka e Shqipërisë për rritjen e PBB, borxhin publik dhe kursin e këmbimit. Por bie ne sy fakti që mbi 1/3 e studentëve ose nuk e dinë cilin burim të cilësojnë si të besueshëm, ose thjesht nuk konsiderojnë të tillë asnjë prej tyre.
- Njohuri jo konforme versionit zyrtar. Së treti rritja e PBB, shkalla e inflacionit dhe shkalla e papunësise rezultojnë të mbi-vlerësuara në krahasim me të dhënat zyrtare. Respektivisht 55.4%, 74.1% dhe 58.3% të popullsise së pyetur i vlerëson ndjeshëm më te larta nga shifrat zyrtare. Njohuritë më të sakta janë mbi kursin e këmbimit ALL / EUR ku 9 studentë nga 10 dhanë përgjigjen e duhur.
- Statistikat zyrtare kanë shkallë besueshmërie shumë të ulët. Por informacioni më interesant rezulton nga pyetja: “U besoni statistikave zyrtare shqiptare, si psh indikatorëve të papunësisë, të inflacionit ose të rritjes ekonomike ?”. Vetëm 16.6% deklaron që u beson ndërsa 61.87% shprehen negativisht mbi besueshmërine e informacionit zyrtar (17.99% nuk kanë opinion dhe 2.88% nuk përgjigjen).
Në përfundim, theksojmë dhe një herë që për nga metodologjia e përdorur dhe nga madhësia e kampionit, të dheënat e mësipërme paraqiten vetëm si subjekt diskutimi dhe nuk pretendojnë të japin rezultate shkencore. Këto të dhëna do të shërbejnë për të përmirësuar Anketën Statistikore me të njëjtin titull, qëllimi i së cilës është të mësojë se si shqiptarët i konsiderojnë statistikat zyrtare mbi indikatorët socio-ekonomike, nga cilat burime i marrin ato dhe si i përdorin në jetën e përditshme.