Kontrolli dhe qeverisja e mirë
Nga BAJRAM LAMAJ, kryeauditues në KLSH, botuar në Shqiptarja.com, 7 gusht 2013
Në ambientin tonë të nxehtë politik këto ditë vere është kthyer vëmendja tek qeveria e re që do mandatohet në filimin e muajit shtator dhe pritshmeria që kanë të gjithë për një qeverisje të mirë, përballë sfidave që ka dhe realizimin e atyre premtimeve të bërë në zgjedhje parlamentare. Të gjithë jemi koshientë se qeverisjen e re e presin sfida të mëdha, veçanërisht në administrimin e treguesve financiarë dhe të sistemit të buxhetimit, që sot qeveria i ka shumë të ulët, deri dhe të rrezikuara, kjo nga mungesa e fondeve për të përballuar shpenzimet e domosdoshme, shoqëruar me rritjen e kufirit të borxhit mbi kufirin ligjor. Në këtë situatë çdo specialist duhet të angazhohet me kontributin e tij për t’i paraprirë me debat dhe dhënien e mendimeve të vlefshme për përballimin e këtyre vështirësive që do të ketë qeverisja e re në drejtim të përmirësimit të situatës së vështirë që kalon ekonomia shqiptare.
Në debatin e këtyre ditëve është dhe prononcimi i kryeministrit të ardhshëm për një auditim ndërkombëtar të financave të qeverisë shqiptare. Në planin publicistik të gjithë e mirëpresim sepse shkalla e besueshmërisë për politikat financiare ka rënë, sigurisht duhet një vlerësim i situatës aktuale dhe dhënia e rekomandimeve për të ndihmuar qeverinë për përmirësimin e politikave të saj financiare. Por shtrohet pyetja se, përveç besimit se ky auditim do të kryhet nga një shoqëri prestigjoze ndërkombëtare, cili do të jetë besimi i shqiptarëve se ky auditim ishte i pavarur dhe i pandikuar nga faktorë, të cilët e rrezikojnë këtë auditim për të dështuar?
Duhet të jemi shumë të ndjeshëm se me çfarë tagri ligjor do të kryhet ky auditim nga kjo kompani, po auditimi çfarë fazash do ndjekë, a do ketë integritet dhe autoritet, a do të auditojë ato që ne i quajmë shumë të rëndësishme “rreziqe të zonës së kuqe”, po në dy zonat e tjera, po ngjarjet ekonomike mesatarisht “rreziqe të zonës së verdhë” apo ato më pak të rendësishme “rreziqe të zonës së gjelbërt”, a do të pranohet nga palët (veçanërisht nga qeveria në ikje) dhe produkti që do të dalë për çfarë do të përdoret? Këto janë pyetje sigurisht që kërkojnë përgjigje përpara se të ndërmarim hapa të tjerë të këtij auditimi. Duhet të jetë e qartë, më shumë për transparencë, se si çdo auditim dhe ky auditim mund të ketë rrezikun e tij të dështimit (specialistët i kanë të qarta faktorët që e krijojnë këtë rrezik) në se nuk sqarohen përpara këto pikëpyetje. Përvojën e kemi negative me Taskforcën antikorrupsion të ngritur pranë Kryeministrit, rezultatet e tij dihen se për çfarë u përdorën, “më shumë për luftë brenda llojit”, publiku nuk përfitoi ndonjë rezultat konkret dhe asnjëherë nuk u quajt me integritet dhe i pavarur.
Sipas Kushtetutës së RSH është Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) që ka tagrin ligjor të auditojë ligjshmërinë e përdorimit të fondeve publike, por është në të mirën e të gjithëve që të kuptojnë thelbësoren, se KLSH auditon zbatimin e politikave të qeverisë në se janë në përputhje me ligjin, por nuk ka tagër ligjor të auditojë dhe vlerësojë hartimin e politikave të qeverisë; kjo një e drejtë që e kanë të gjitha SAI-it e vendeve dhe është standard ndërkombëtar i pranuar dhe nga INTOSAI dhe EUROSAI. Pra, për mendimin tim, nuk duhet të ngatërrohet auditimi i fondeve buxhetore me vlerësimin e situatës financiare. Në kuadrin e bashkëpunimit me FMN, qeveria e re mund të atashojë ose kontraktojë, përveç specialistëve të FMN, dhe një kompani ndërkombëtare me përvojë në fushën e vlerësimit të politikave financiare të qeverive dhe që ka asistuar me rekomandimet e tyre qeveri të ndryshme, si partnerë të angazhuar për vlerësimin e situatës financiare dhe ndihmuar qeverinë për kapërcimin e situatës së vështirë. Kjo jo vetëm nuk ka pengesa ligjore por dhe do të shmangte dhe precedentin e zgjidhjes së problemeve tona, duke ju drejtuar ndërkombëtarëve për çdo gjë, pasi Shqipëria duhet të qeveriset nga shqiptarët dhe duhet të respektohen e vlerësohen institucionet kushtetuese që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë.
Për sa i përket auditimit të aktivitetit të Qeverisë, Parlamenti i ri e ka të drejtën ligjore dhe mund të angazhojë KLSH me auditime specifike në bashkëpunim me komisionet hetimore që mund të ngrejë për probleme të veçanta ekonomiko financiare. Përvoja është pozitive, bashkëpunimi Paralment–KLSH në vitin 1998 për pasuritë e sindikatave, ku materiali i paraqitur u vlerësua maksimalisht. Kjo, pasi ky institucion i ka kapacitetet intelektuale dhe profesionale për të përmbushur çfarëdo detyre që i ngarkohet, pasi është organ kushtetues; këtë e tregojnë dhe rezultatet e këtyre dy viteve të fundit.
Në drejtim të sigurimit të qeverisjes së mirë dhe masave që duhet të marrë menjëherë qeveria e re, si në qeverisjen qendrore dhe atë lokale, është zbatimi dhe garantimi i Menaxhimit financiar dhe kontrollit të brendshëm në përputhje me legjislacionin përkatës, kërkesat e buxhetit, si dhe me parimet e menaxhimit financiar me transparencë, efektivitet, efiçencë dhe ekonomi. Vendosja e sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit do të sjellë garanci të arsyeshme (por jo absolute) për arritjen e objektivave të kësaj qeverisje në fushën e administrimit dhe menaxhimit të financave publike, mbrojtjen e aktiveve të njësive publike. Sistemi i ngritur i kontrollit të brendshëm financiar publik (KBFP,sipas formulimit të BE) garanton fondet publike kombëtare, donatorë apo të hyra të tjera janë mirëmenaxhuar dhe kontrolluar, veçanërisht nga pikëpamja e kostos efektive.
Për një qeverisje të mirë është e domosdoshme të kihet parasysh që “menaxhim do të thotë t’i bësh gjërat siç duhet, udhëheqje do të thotë të bësh gjënë e duhur”, pra duhet që qeverisja e re të instalojë një sistem efikas të menaxhimit financiar e kontrollit, pasi drejtuesit e rinj për të realizuar misionin, qëllimin dhe objektivat, duhet të mbështeten tek kontrolli i brendshëm si në mbrojtjen e pronave, por dhe zbulimin e gabimeve dhe mashtrimeve apo veprime të tjera korruptive.
Në historinë tonë menaxhimi finaciar dhe kontrolli i brendshëm janë të reja bashkëkohore, të implementuar këto dy-tre vitet e fundi, pasi menaxhimi financiar nuk ka ekzistuar si detyrim ligjor, por nevoja e përshtatjes së ekonomisë tonë me atë europiane nxori si nevojë përgatitjen e ligjit nr.10296, datë 08.07.2010 dhe aktet nënligjore të ministrisë së Financave. Për këtë është krijuar Njësia Qendrore e Harmonizimit për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin, në MF, por në vlerësimin tonë kjo njësi duhet të ishte shumë aktive, pasi nga auditimet që kemi kryer (si KLSH) si në institucionet qendrore dhe ato lokale, implementimi dhe zbatimi i këtij ligji mund të themi me bindje profesionale që është i pazbatuar ose zbatuar në mënyrë formale, pasi vetë sistemet e ngritura të kontrollit nuk kanë dhënë rezultate të prekshme në zbulimin e mashtrimeve apo korrupsionit.
Prandaj e theksojmë se qeveria e re, duhet të marrë të gjitha masat që ky ligj të jetë funksional dhe në dikastere qendrore mos të përsëriten fenomenet negative të konstatura nga auditimet e KLSH, ku Sekretarët e Përgjithshëm të ministrive(nëpunësit e parë autorizues sipas ligjit) ose ushtronin kompetencat në bazë të këtij ligji në mënyrë formale, ose kishim raste që ministrat për interesa të tyre dhe mosnënshtrimit ndaj veprimeve me qëllim abuzimi, në mënyrë të kundraligjshme i aneksonin nga zbatimi i kompetencave, duke caktuar “njeriun e tyre”, siç kanë qenë evidente rastet në Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Emigracionit, etj. Këto shkelje të ligjit e kanë zbehur dukshëm ndikimin e këtij ligji bashkëkohor në krijimin e sistemeve të shëndosha të MFKB për të ndërmarrë detyra të rëndësishme të planifikimit, programimit, buxhetimit, kontabilitetit, raportimit, arkivimit dhe monitorimit, kjo ka dhënë dhe ndikimin e tij negativ në sistemin aspak të shëndoshë financiar të shtetit që po i transferohet qeverisë së re.
Një qeverisje e mirë duhet të mbështetet fuqishëm në përgjegjshmërinë menaxheriale të drejtuesve të saj në të gjitha nivelet, të cilët në veprimtarinë e tyre duhet të respektojnë parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar, të ligjshmërisë dhe të transparencës në menaxhimin e fondeve publike, dhënien llogari për veprimet e tyre dhe rezultatet që burojnë prej tyre, përpara organit që i ka emëruar ose u ka deleguar përgjegjësinë. Përgjegjshmëria menaxheriale është themeli mbi të cilin ngrihet dhe funksionon efektivisht sistemi i kontrollit të brendshëm në njësitë publike, qofshin qëndrore, lokale apo niveleve të tjera. Është e domosdoshme që çdo nëpunës i nivelit menaxherial dhe punonjës në stafet drejtuese apo administratë duhet të ndjejnë përgjegjësinë ligjore të moskryerjes efektive të detyrave në shkallë hierarkike deri tek titullari, duke shmangur njëherë e mirë militantizmin politik e luftuar mefshtësinë e paaftësinë profesionale që shfaqen në administartën aktuale dhe rekrutimet e reja.
Përvoja jo e mirë e deritanishme e qeverisjes duhet të kthehet në mësim për të ndryshuar dukshëm mënyrën e menaxhimit financiar dhe ngritjen e sistemeve të kontrollit të brendshëm që të pengojnë veprime të punonjësve të administratës që mbartin mashtrim, përvetësim prone shtetërore e korrupsion. Bërja aktiv e këtij ligji nëpërmjet implementimit dhe zbatimit të sistemit të MFK, i cili të përfshijë tërësinë e masave për menaxhimin dhe kontrollin e të gjitha të ardhurave, shpenzimeve, aktiveve dhe detyrimeve financiare të Qeverisë dhe shtrirja e këtij sistemi në sektorin publik do të garantojë se fondet publike janë përdorur në mënyrën e duhur dhe do të përmbushin objektivat e caktuara.
Një qeverisje e mirë përcaktohet nga lidershipi, masat dhe toni i vendosur dhe i praktikuar nga organi qeverisës/ekzekutiv, të cilat kanë një ndikim të thellë mbi mënyrën se si punonjësit zbatojnë përgjegjësitë e tyre në një njësi publike të caktuar, gjë që influencon në përmbushjen e misionit të njësisë. Objektivat e Qeverisë së re do të arrihen vetëm nëse ajo me stafet që do krijojë dhe formatimin e administratës së re, do të sigurojë: a) integritetin personal dhe etikën profesionale të nivelit menaxhues dhe punonjësve të tjerë të njësisë publike, b) politikat menaxheriale dobiprurëse, c) struktura organizative efikase, ndarje të qartë detyrash, hierakinë dhe rregulla të qarta, të drejta, përgjegjësitë dhe funksionimi realisht i linjave të rapotimit, d) politikat dhe praktikat e mira të menaxhimit të burimeve njerëzore dhe aftësitë profesionale të punonjësve.
Por, a mund të ketë një sistem të shëndoshë menaxhimi financiar pa Kontroll të Brendshëm? Sigurisht që jo, kontrolli i brendshëm është pjesë integrale e organizimit të menaxhimit financiar dhe ndihmon drejtuesit dhe qeverisjen në arritjen e rezultateve të dëshiruara në administrimin efektiv të burimeve publike. Ky kontroll në Shqipëri konsiderohet i dobët, sepse kanë munguar dhe mungojnë disa nga komponentët, elementët dhe mjetet që mundësojnë kontrollin e brendshëm efektiv. “Kontrolli” ngatërrohet me “kontroll revizionin”, i cili kuptohej si auditim apo inspektim, kjo perceptohej si përgjegjësi e audituesve apo inspektorëve dhe jo e drejtuesve, kjo ishte e përshtatur dhe në legjislacionin e mëparshëm të buxhetit dhe ato organike. Këto ligje u transformuan në koncepte moderne të menaxhimit në qeveri, duke i përafruar me ato europiane. Në SHBA është vënë në funksionim në vitin 1992, ndërsa në Europë është implementuar e zbatuar pas vitit 1998. Kontrolli i brendshëm është i nevojshëm për vetë faktin se nëpunësit publikë, ligjvënësit dhe taksapaguesit kanë të drejtë të dinë se si po i administrojnë fondet organet shtetërore dhe a veprojnë ato në përputhje me ligjet dhe rregullat, programet, shërbimet qeveritare janë realizuar në përputhje me qëllimet për të cilat ato janë autorizuar e financuar. Një nga faktorët kryesorë në përmbushjen e kësaj përgjegjësie është të sigurojmë se kontrollet e përshtatshme funksionojnë siç duhet.
Është e nevojshme të kuptojmë se : Kontrolli i brendshëm është integrimi i veprimtarive, planeve,qëndrimeve, politikave dhe përpjekjeve të njerëzve të një institucioni që punojnë sëbashku për të ofruar siguri të arësyeshme se institucioni do të përmbushë misionin dhe objektivat e tij” Nëse në një institucion kontrolli i brendshëm është i dobët ka shumë më pak gjasa që të përmbushen qëllimet dhe objektivat. Qëndrimi, veprimet dhe vlerat e drejtuesve përcaktojnë tonin e një institucioni, duke ndikuar në ndërgjegjen e kontrollit të njerëzve të tij. Kontrollet e brendshme do të funksionojnë mirë, nëse drejtuesit e institucionit besojnë se kontrollet janë të rëndësishme dhe nëse ata e përcjellin këndvështrimin e tyre për këto kontrolle tek punonjësit në të gjitha nivelet e atij institucioni. Nëse një drejtues i percepton në të kundërt si të panevojshëm, atëhere dhe punonjësit marrin mesazh negativ se kontrolli i brendshëm është ”burokraci” dhe ta “harrojmë”, kjo do t’i zbehë vlerat e këtij sistemi dhe kështu do të kemi kufizim të kontrollit në këtë njësi publike dhe do të çojnë në vjedhje, përvetësime, mungesë efikasiteti operativ, apo në dëmtim të strukturës së kontrollit të brendshëm.
Qeverisja e re duhet t’i kthehet me besim dhe të sigurojë garanci të pranueshme për veprimtarinë e saj, nëpërmjet implementimit dhe zbatimit të ligjit të MFK dhe vlerësimit të rrisqeve e shembulin personal të drejtuesve, pra të krijojnë ”modelin nga lart”, me një stil të vepruari dhe filozofi (qasje) menaxhimi ku të reflektojnë pikëpamjet kryesore të kësaj qeverisje për të përmbushur e realizuar objektivat e saj .