Në emër të zhvillimit; ekonomistët përballë ambientalistëve (II)
Nga Prof. Dr. Ardian Civici, botuar në Mapo Online, 3 gusht 2013
Shkatërrimi i biodiversitetit – ose kriza e heshtur e zhvillimit
Perez de Cuellar, ish- sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, i bie fort këmbanës: “Ne duhet të ndryshojmë shpejt zakonet dhe qëndrimin ndaj natyrës, ndryshe do shkojmë drejt një vetëvrasjeje kolektive”. T’i lësh gjërat të rrjedhin “natyrshëm” duke u mbrojtur nën ombrellën e tregut të lirë apo demokracisë, është krejtësisht imorale, – nënvizon Al Gore në filmin e tij “Një e vërtetë shqetësuese”.
Sa herë që flitet apo analizohen problemet e mbrojtjes së diversitetit biologjik, apo akoma më gjerë, raportet e aktivitetit të njeriut me natyrën, mendimi i përgjithshëm konvergon në vlerësimin se «kjo është para së gjithash dhe ekskluzivisht punë e ekologjistëve e ambientalistëve». Sa herë që shoqëria civile, komunitetet lokale apo grupet e ndryshme të interesit protestojnë apo kundërshtojnë qetësisht apo dhunshëm zhvillime të ndryshme të natyrës së ndërtimeve, infrastrukturës, veprave industriale apo aktivitete me impakt serioz mbi natyrën, është bërë zakon që të gjithë kërkojnë të shikojnë në krye të tyre “ambientalistët e bezdisshëm” apo “ekologjistët grindavecë” që nuk kuptojnë rëndësinë e zhvillimit ekonomik intensiv, që nuk dinë të vënë në plan të parë eficencën ekonomike dhe paratë që fitohen nga ky aktivitet. Në shumë raste ky debat apo këto qëndrime të kundërta vendosen në kontekstin e grindjeve të përgjithshme e të përhershme ndërmjet ekonomistëve e financierëve të prirur të privilegjojnë e kërkojnë zhvillimin ekonomik, veçanërisht rritjen ekonomike, dhe ekologjistëve të orientuar plotësisht në ruajtjen e ekuilibrit të mjedisit dhe vlerave fondamentale natyrore.
Cili ka të drejtë? Debati dhe dilema aktuale “të ruajmë biodiversitetin apo të privilegjojmë zhvillimin ekonomik” vazhdon të provokojë qëndrime, interpretime e pozicione të kundërta. Liberalët dhe neo-konservatorët insistojnë se “të përpiqesh të ruash biodiversitetin thjesht se duhet mbrojtur natyra nuk ka kuptim…..është vetë zhvillimi dhe tregu ai që do ta rregullojë këtë problem”. Sipas tyre “qëndrimet ekologjiste dhe ambientaliste po përdoren si strehë e mjaft lëvizjeve të majta e ultra të majta për të gjetur një argument kundër kapitalizmit si sistem, por edhe për të qenë prezent në skenën ndërkombëtare në një kohë që e majta ndodhet në krizë idesh e platformash”. Nga ana tjetër, qëndrojnë mjaft liderë botërorë, parti e lëvizje politike, institucione kombëtare e ndërkombëtare, grupe sociale e mjedise akademike,etj., të cilët mendojnë se “planeti ndodhet në rrezik si pasojë e veprimtarisë së njeriut dhe neglizhimit të tij ndaj natyrës dhe biodiversitetit…..”. Në fund të fundit ai që është vënë në shënjestër aktualisht është “modeli aktual dominues kapitalist i zhvillimit dhe shoqëria e konsumit”; Është pyetja se : “a mund të vazhdohet kështu dhe në shekullin e XXI-të?”.
Filozofia moderne e zhvillimit po kërkon gjithnjë e më tepër një kombinim apo më mirë një shkrirje ndërmjet këtyre dy qëndrimeve. Koncepti dhe praktikat e “zhvillimit të qëndrueshëm”, ose atij zhvillimi ekonomik e social që nuk anashkalon kapacitetet ripërtëritëse të burimeve natyrore duhet të bëhet sundues. Megjithëse në mjaft raste aksioni i ambientalistëve përgjithësisht vlerësohet si pozitiv dhe i dobishëm, përgjigjja dhe reagimi kryesor i politikës dhe vendim-marrjes duket se ka si varkë shpëtimi vetëm “krijimin e sa më shumë zonave apo specieve të mbrojtura” në territorin e shumë vendeve. Në treguesit statistikorë të pasqyrimit të punës së mirë të çdo vendi apo qeverie në raport me ruajtjen e diversitetit, përqindja e territorit e shpallur “zonë e mbrojtur” është indikatori bazë i punës dhe vlerësimit.
Por, megjithëse një masë e tillë është absolutisht e domosdoshme, ekspertët e zhvillimit po japin alarmin se ky instrument “është tërësisht i pamjaftueshëm dhe nuk premton zgjidhje të qëndrueshme si në shkallë kombëtare për vende të veçanta ashtu edhe në shkallë ndërkombëtare”. Aktualisht, vetëm 10% e tokave, zonave bregdetare, maleve apo pyjeve të planetit i nënshtrohet këtij regjimi special kujdesi e mbrojtje. Ndërkohë, sipas parashikimeve në vitin 2050, në tokë do të ketë mbi 9 miliard banorë dhe nevojat për toka, bimë e specie të tjera të gjalla të të gjitha llojeve do vazhdojnë të rriten me shpejtësi. Kjo nevojë pritet të jetë akoma më e madhe dhe me pasoja direkte jo vetëm në vendet e BE-së, SHBA, Kanada, Australi, Japoni,etj., por sidomos në vendet e varfra e ato në zhvillim, përfshirë këtu dhe vendet me zhvillim të shpejtë si Kina, India, Nigeria, Brazili, Meksika, Turqia, Indonezia, Koreja e Jugut, Tajvani.
Edhe pse duket e vështirë të kuptohet në gjithë gjerësinë dhe thellësinë e saj, tronditja dhe shkatërrimi i “kapitalit tonë natyror” mund të bëhet shkak për përmbysjen e pariparueshme të themeleve të ekonomisë sonë nesër. Krizat aktuale ushqimore, çmimet e papërballueshme të ushqimeve bazë për vende e popuj të tërë, çmimi i naftës dhe kostot e energjisë gjithnjë në rritje, tensionet e mëdha në tregjet e mjaft lëndëve të para po konsiderohen nga ekspertët si “kambanat paralajmëruese të situatave akoma më të vështira që mund të vijnë nëse njerëzimi apo dhe njeriu si individ nuk tregohet i kujdesshëm në administrimin e burimeve natyrore”, qofshin këto ajri, toka, rezervat e peshqve në dete e oqeane, pyjet, burimet ujore, akullnajat, kafshët e bimët e llojeve të ndryshme,etj. Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se shumë forma të jetës në tokë dhe në ujë të cilat kanë edhe një interes të madh ekonomik e mjekësor për njeriun mund të zhduken përpara se ato të njihen apo të dihen se ekzistojnë në natyrë. Një libër mjaft i rëndësishëm i autorëve Eric Chiviandhe Aaron Bernstein i titulluar “Sustaining Life – How Human Health Depends on Biodiversity” (Të mbrojmë jetën–si varet jeta njerëzore nga biodiversiteti) po konsiderohet aktualisht si punimi më i plotë në këtë drejtim. Shtypi dhe ekspertët e shumtë e kanë konsideruar atë si “biblën e shpëtimit të natyrës”, si libri që dëshmon “përballjen e njerëzimit me sfidën më të madhe të ekzistencës së tij”.
Fakti që biodiversiteti dhe problematika e tij konsiderohen si “kriza e heshtur e zhvillimit” buron nga fakti se për të nuk ekziston akoma ndjeshmëria e duhur si në nivel ndërkombëtar ashtu dhe në nivele kombëtare e lokale. Shembulli më evident i kësaj krize dhe situatën delikate të trajtimit të këtij problemi madhor janë ndoshta rezultatet e konferencës së Kombeve të Bashkuara të mbajtur në Bon të Gjermanisë në muajin maj të vitit 2008. Më shumë se 5 mijë politikanë e përfaqësues shkencorë e ekspertë të mbledhur nga 191 vende të botës me shumë debate e qëndrime ekuivoke arritën më në fund të pranojnë hapur dhe me shqetësim atë që shkencëtarët kanë vite që e konsiderojnë “si një krizë po aq të rëndësishme për të ardhmen e planetit sa edhe kriza e naftës, ajo e ndryshimeve klimatike apo efektet e ngrohjes globale”.
Kostoja e prishjes së biodiversitetit shumë më e lartë se kosto e krizës financiare
Megjithëse është akoma e vështirë të përpunohen të dhëna globale të detajuara në kohë e hapësirë për ecurinë e biodiversitetit, ekziston gjithsesi një konsensus i padiskutueshëm që afirmon se “speciet e gjalla dhe ato vegjetale po zhduken me një ritëm ndjeshëm më të shpejtë se rritmi natyror i riprodhimit të tyre”. Zhurma dhe përpjekjet kryesisht mediatike për të shpëtuar ariun panda, balenat, tigrat, elefantët apo lloje të tjera kafshësh e bimësh në fakt minimizon apo nganjëherë dhe mbulon përmasat e vërteta të fenomenit të shkatërrimit të biodiversitetit të planetit si pasojë e veprimtarisë së njeriut. Kjo është dhe fryma e re që kërkoi të përçonte konferenca e fundit e OKB-së kushtuar ekskluzivisht këtij fenomeni. Në mënyrë shumë lakonike këtë shqetësim ndërkombëtar e ka përmbledhur ish-ministri gjerman i mjedisit Sigmar Gabriel që gjatë konferencës së OKB kushtuar biodiversitetit deklaroi se “aktualisht ne jemi duke shkatërruar “hard diskun” e natyrës…dhe këtë po e bëjmë me një rritëm të jashtëzakonshëm dhe pa asnjë shpresë se ky shkatërrim mund të rikuperohet ndonjëherë. Ne duhet të ndërgjegjësohemi dhe ta kuptojmë gjerësinë e këtij shkatërrimi në mënyrë që të ndryshojmë drejtim e sjelljes sonë me natyrën. Në mënyrë që ta frenojmë prishjen e biodiversitetit dhe t’i japim drejtim tjetër tendencës së sotme negative, ne duhet të adoptojmë masa dhe politika efikase në nivel kombëtar e ndërkombëtar”.
Tashmë të gjithë janë të bindur se përmasat e shkatërrimit të natyrës janë alarmante, ndërkohë që për këtë flitet akoma shumë pak. Autorë të ndryshëm, të cilët kanë krahasuar frekuencën e angazhimit dhe debateve në nivele të larta ndërkombëtare e mass-media ndërmjet “krizës financiare globale të viteve 2008-2012” dhe “shkatërrimit të natyrës”, kanë konkluduar se për të parën frekuenca e angazhimit dhe debateve ka qenë 20 herë më e madhe se për të dytën, ndërkohë që pasojat për njerëzimin nga shkatërrimi i natyrës mund të jenë 20 herë më të mëdha e të pariparueshme se kriza e përkohshme financiare. Kjo është arsyeja pse problemet e ruajtjes së biodiversitetit dhe ekosistemeve cilësohen tashmë si “kriza e heshtur e zhvillimit”. E njëjta situatë dhe në raport me diskutimet për “efektet e ndryshimeve klimaterike” ose “ngrohjen globale”. Komisari evropian për mjedisin në periudhën 2004-2009, Stavros Dimas, i revoltuar nga kjo gjendje shprehet se “kur shqetësohemi për diversitetin nuk është fjala vetëm për të shpëtuar disa arinj panda apo tigrat, por është fjala për të ruajtur e mirëmbajtur kapitalin tonë natyral nga i cili varet shoqëria njerëzore për ekzistencën e saj”. Edhe K.Matsura, drejtori i përgjithshëm i UNESCO-s e nënvizon me shumë forcë seriozitetin e situatës aktuale duke u shprehur pa ekuivoke se më shumë se sa krizën financiare, “ne po jetojmë krizën e parë ekologjike globale”.
Situata botërore e kërcënimit të biodiversitetit duket aq serioze sa OKB ngarkoi një ekonomist të shquar indian, Pavan Sukhdev për realizimin e një studimi global mbi këtë çështje në të njëjtat përmasa e rëndësi sa studimi i kryer nga eksperti i mirënjohur britanik Nicolas Stern “për efektet e ndryshimeve klimatike”, konkluzionet e të cilit detyruan shumë qeveri e organizma ndërkombëtare të preokupoheshin seriozisht me këtë problem. Në këtë frymë shqetësimi ndërkombëtar ishte dhe dhënia e çmimit Nobel, ish Zv/presidentit amerikan Al Gore për filmin e tij të famshëm “një e vërtetë shqetësuese”. Kur Pavan Sukhdev paraqiti rezultatet e para të studimit të tij, rezultatet dhe konstatimet ishin impresionuese: shkatërrimi biologjik do t’i kushtonte botës 2000 miliardë euro në vit, ose 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të botës. Të mos harrojmë se të gjitha llojet e ndihmave që jepen sot në favor të vendeve të varfra apo në zhvillim përfaqësojnë më pak se 0.2% të PBB botëror. Shkaqet kryesore të rrezikut burojnë aktualisht, sipas Sukhdev nga “urbanizimi i shpejtë dhe në mjaft raste i pakontrolluar, ndotja e ujërave, tokës dhe ajrit, industrializimi objektivi i vetëm i të cilit në mjaft raste është thjesht fitimi financiar, përhapja artificiale ekskluzivisht për qëllime tregtare e mjaft specieve bimore e shtazore të cilësuara si “agresore” të cilat po eliminojnë speciet natyrore, mos marrja sa duhet në konsideratë e efekteve të ndryshimeve klimaterike, etj.”.
Ja disa shifra që nuk kanë nevojë për shumë komente: 13 milion ha pyje dëmtohen çdo vit për qëllime shfrytëzimi pa kriter, ndërkohë që pyjet konsiderohen si mushkëria e planetit; ndërkohë që gjatë shekullit të fundit popullsia e planetit u rrit katër herë, konsumi i natyrës dhe lëndëve të para u rrit 10 herë; sipas M.Wackernagel “presioni i njerëzimit mbi natyrën e kalon ndjeshëm kapacitetin e planetit për të t’u rigjeneruar dhe absorbuar pasojat e aktivitetit tonë : aktualisht ne po përdorim 1.2 planetë, ndërkohë që fatkeqësisht ekziston vetëm një i tillë”; urbanizimi pa kriter, industrializimi dhe dizertifikimi do të bëjnë që në 2050 rreth 3 miliard njerëz të kenë probleme serioze me ujin e pijshëm; etj. Kjo panoramë alarmante mbyllet me deklaratën i Perez de Cuellar, ish-sekretar i Përgjithshëm i OKB-së që i bie fort këmbanës: “Ne duhet të ndryshojmë shpejt zakonet dhe qëndrimin ndaj natyrës, ndryshe do shkojmë drejt një vetëvrasjeje kolektive”. T’i lësh gjërat të rrjedhin “natyrshëm” duke u mbrojtur nën ombrellën e tregut të lirë apo demokracisë, është krejtësisht imorale, – nënvizon Al Gore në filmin e tij “Një e vërtetë shqetësuese”.
Çmimi “Nobel” kurorëzon Al Gore apo shqetësimet për “ngrohjen globale”?
Në vitin 2007, Juria e çmimit Nobel për paqe përdori një motivacion jo shumë të zakonshëm për fituesit e këtij çmimi, por që shpreh njëkohësisht dhe një nga sfidat më të mëdha për garantimin e paqes dhe sigurisë në botë, ndërgjegjësimin e të gjithëve dhe domosdoshmërinë e masave urgjente për të përballuar efektet e ndryshimeve klimaterike si pasojë e “efektit serë”. Pranimi i sfidës planetare për rreziqet dhe përballimi i fenomenit të ngrohjes globale u konsiderua si çelësi i ardhshëm i zhvillimin ekonomik e social të njerëzimit. Në këtë këndvështrim, për herë të dytë në vitet e fundit, në mënyrë kaq direkte në historinë e këtij çmimi, një politikan i veshur me kostumin e militantit ekologjik, bëhet fituesi i një çmimi prestigjioz të këtij tipi. Mesazhi është mjaft i qartë. Paqja e qëndrueshme në shumë rajone e zona të botës në veçanti apo e vetë botës në përgjithësi po varet e do të varet gjithnjë më shumë nga inteligjenca e njerëzimit për të vlerësuar efektet e vërteta, shpesh të gjykuara si katastrofike të ngrohjes globale dhe në përcaktimin e politikave e masave imediate në funksion të reduktimit të prodhimit të gazit karbonik apo siç thuhet ndryshe “fillimin e epokës së dekarbonizimit”.
Fjalët e Ole Danbolt Mjoes, president i komitetit norvegjez të çmimit Nobel, ishin të prera, të mbushura me solemnitetin, vlerësimin dhe seriozitetin që kërkon akordimi i një çmimi Nobel për paqe. Çmimi prestigjioz, mbas shqyrtimit të 181 kandidatëve iu akordua në mënyrë të përbashkët Al Gore, ish-zv/presidentit të SHBA të viteve 1992-2000 dhe “Grupit Ndërqeveritar të Ekspertëve mbi Evolucionin e Klimës”( GNEEK) për “përpjekjet e tyre për të grumbulluar dhe shpërndarë njohuritë mbi ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu si dhe për krijimin e bazave për masat e nevojshme në luftën kundër këtyre ndryshimeve. Al Gore është pa dyshim njeriu që ka bërë më shumë në mënyrë që kudo në botë të kuptohen qartë masat që duhen adoptuar”. Ish-zv/presidenti i Bill Klinton-it dhe kandidati i pafat demokrat për fronin e Shtëpisë së Bardhë në vitin 2000, Al Gore, 59 vjeç, doli përsëri në skenën botërore me librin dhe dokumentarin e tij “Një e vërtetë e hidhur”. Drita e kuqe dhe këmbana e alarmit të këtij dokumentari ishte fenomeni i “ngrohjes globale” apo “efekti serrë”, pasojat katastrofike që mund të prodhohen prej tij dhe roli i njeriut në përkeqësimin apo ndalimin e kësaj dukurie shqetësuese. I nominuar me çmimin ‘Oscar’, ky film tronditës dhe reflektues prej 96 minutash kontribuoi për shpjegimin në mënyrë të thjeshtë të një subjekti mjaft kompleks dhe mbi të gjitha kontribuoi për të sensibilizuar opinionin publik ndërkombëtar mbi kërcënimet që vijnë si pasojë e ngrohjes globale. Edhe revista e mirënjohurTime e vlerësoi Al Gore si një nga 100 personalitetet më të shquar dhe më influencues të botës.
Në udhëtimet e tij të shumta nëpër botë të cilësuara si “the slide show” për të ekspozuar filmin e tij, Al Gore hodhi dritë mbi faktin se “pjesa dërrmuese e shkencëtarëve sot janë unanimë mbi fenomenin e ngrohjes globale të tokës, debaton mbi politikat me efektive në lidhje me ekonominë dhe financat e ngrohjes globale, përshkruan konsekuencat katastrofike që ngrohja e klimës mund të prodhojë nëse sasia e gazit me efekt serrë që njerëzit prodhojnë nuk do fillojë të reduktohet në një të ardhme të afërt”.Filmi, i cili tashmë njihet dhe nga shikuesi shqiptar, paraqet mjaft aspekte katastrofike të tilla si rreziku i shkrirjes së akujve në Groenlandë, polin e veriut apo polin e jugut, ngritjen e nivelit të deteve deri në 6 metra dhe gjithë katastrofat që mund të shkaktojë një fenomen i tillë, krijimin e qindra milionë “refugjatëve klimaterikë” apo “eko-refugjatëve”, stopimin apo devijimin e rrymës së Gulf Stream-it dhe gjithë pasojat e mundshme dramatike të tij, etj. Al Gore konkludon se “n.q.s merren masa të shpejta për të kufizuar derdhjen në atmosferë të dioksidit të karbonit duke kufizuar industritë dhe aktivitetet ndotëse si dhe duke shtuar pemët dhe pyjet”, atëherë të gjithë mund të kontribuojnë në shpëtimin tokës.
Dhe së fundi, Al Gore fton të gjithë të mobilizohen dhe të ndërmarrin iniciativa në favor të shpëtimit të planetit duke filluar nga aksionet më të thjeshta në nivel lokal e kombëtar, deri tek ato në nivel rajonal e ndërkombëtar. Nga shumë gazeta, kanale televizive serioze, qarqe shkencore e akademike, Al Gore cilësohet si “një personalitet i veçantë, si e vetmja figure politike që guxoi të thoshte të vërtetën dhe që për këtë mori mbi vete gjithë mosbesimin dhe mllefin e Washingtonit për një kohë të gjatë”. Evidentimi i Al Gore dhe GNEEK i dha një mesazh shumë të fortë komunitetit dhe institucioneve ndërkombëtare, aktorëve institucionalë më të rëndësishëm, si dhe publikut të gjerë të shqetësuar për këtë problem.