Banka e Shqipërisë në ndihmë të ekonomisë

Besart Kadia, botuar në Mapo Online, 3 gusht 2013

Midis akuzave për shfrenim të shpenzimeve publike dhe të kërkesës së qeverisë së re për të rikthyer FMN-në në Shqipëri, Banka Qendrore e vendit dje mori një vendim tjetër në ndihmë të ekonomisë vendase. Norma bazë e interesit në vend është ulur sërish në nivelin më të ulët historik në 3.5%, nga 5.25% që ishte në fillim të vitit 2011. E thënë më lehtë, kjo është norma referencë për koston e marrjes hua në Lek, që shpresohet se do ulë më tej dhe koston e kredisë në monedhë vendase në bankat e nivelit të dytë. Vendimet e Bankës së Shqipërisë po gjejnë gjithnjë e më shumë hapësirë në debatin publik në vend, ndryshe themi nga 10 vite më parë. Dhe do të ishte një bast i sigurt që në dhjetë vitet e ardhshme për këdo që është i lodhur nga politika, fjala e guvernatorit të vendit do të ketë më shumë peshë se ajo e kryeministrit. Ky rol i rëndësishëm i Bankës Qendrore shoqërohet dhe me përgjegjësi të mëdha. Fatkeqësisht, gjatë kësaj periudhe media por dhe shumë politikanë vendas kanë kërkuar më shumë nga Banka Qendrore, duke injoruar tërësisht mandatin që ka kjo bankë.

Duke ndjekur reformat e bëra në fillim të viteve 1990 nga shumë banka qendrore në botë, Banka e Shqipërisë gjithashtu vendosi të shenjestrojë normën e inflacionit dhe të ndryshojë politikat monetare në reagim të këtij faktori. Shqipëria, ndryshe nga shumë shtete të tjera të Lindjes postkomuniste, ka patur një nivel çmimesh në kontroll. Por duhet të mos harrojmë se kjo nuk do të thotë që është një shqetësim që nuk mund t’i ofrohet dhe vendit tonë. Për këtë arsye, BQ në çdo vendim të saj ka qenë konservatore duke hedhur hapa të ngadaltë për të mos rrezikuar në objektivin e saj kryesor në vend, atë të ruajtjes së çmimeve.

Kjo më konkretisht nënkupton se, nëse inflacioni rritet më shumë se objektivi 3%, atëherë kostoja e parasë duhet të rritet që të ulë kërkesën për para dhe më pas të sjellë ulje të çmimeve në vend. Dhe e kundërta ndodh kur inflacioni është më i ulët se objektivi. Në këtë këndvështrim besoj se kuptohet që sipas Bankës së Shqipërisë, inflacioni nuk është shqetësim për ekonominë vendase në muajt e ardhshëm dhe për këtë arsye ajo mund të ulë normën bazë të interesit për të arritur ndoshta dhe qëllime dytësore në ekonomi.

 Nga vitet 2003-2008 bankat e nivelit të dytë rritën kreditimin në vend me ritme shumë të larta, pasi Shqipëria ishte shumë prapa krahasuar me vendet e tjera përsa i përket zhvillimit të këtij sektori në ekonomi, aq sa në disa shkrime akademike quhej “bukuroshja e fjetur”. Ritmi i shpejtë i  rritjes së kredive, sidomos në monedhë të huaj Euro, nuk mundet të vazhdonte përjetësisht dhe nga ritme të rritjes së totalit të kredisë deri në 40% në vit, totali i kredisë së re për vitin 2012 ishte vetëm 2% më i lartë se një vit më parë. Akoma më shqetësues është fakti se gjatë gjashtëmujorit të parë ajo ka mbetur në vend, në një periudhë kur totali i depozitave në sistemin bankar, pra paratë që ne qytetarët depozitojmë në banka, vazhdon të rritet, por edhe ato me ritme më të ngadalta.

Shpeshherë thuhet se mekanizmat e transmetimit të vendimit të BQ nuk ndjehen në ekonominë vendase dhe bankat e nivelit të dytë nuk reagojnë. Sipas të dhënave, kjo nuk është e vërtetë. Në vitin 2009 norma mesatare e marrjes hua 12-mujore në sistemin bankar ishte 12.5% dhe 10.6% në vitin 2012, duke treguar se bankat e nivelit të dytë kanë reaguar ndaj uljes së normës bazë të interesit dhe shpresohet që ndërhyrja e fundit të lehtësojë akoma më shumë koston e marrjes hua në vend.

Arsyeja e dytë që ulja e normës bazë të interesit do të ketë më tepër impakt në kërkesën për kredi nga ana e bizneseve është ulja e euroizimit të ekonomisë në vend. Kështu për shembull, në dhjetor të vitit 2007 totali i kredisë në euro ishte 70%, ose shtatë në dhjetë persona kërkonin kredi në euro. Ndërkohë që totali i kredisë në euro në maj të vitit 2013 është vetëm 56% dhe 35% e kredisë së bizneseve është në monedhën vendase. Sa më shumë kredi të merren në monedhën vendase, aq më e lehtë është për BQ që të influencojë në vendimmarrjen e qytetarëve dhe bizneseve vendase. Gjithashtu, rritja e kreditimit në lek mbron qytetarët nga luhatjet e kursit të këmbimit, një shqetësim që është theksuar shpesh nga BQ dhe ekspertë të ndryshëm të ekonomisë vendase.

Ndërkohë që kreditimi mundet të rritet në të ardhmen, e kundërta mund të ndodhë për nivelin e kursimit në vend. Kjo pasi norma mesatare e depozitave 12-mujore në bankat e nivelit të dytë ishte afërsisht 5.11% në muajin maj, aq sa norma e kthimit për kursim në bono thesari. Këto norma të ulëta të normës së depozitave në një periudhë kur inflacioni pritet të jetë 3% në terma vjetorë sjell një kthim real në vlerën 2.11%. Këto nivele të ulëta do e bëjnë më pak tërheqës kursimin dhe për këtë arsye shpresohet që të kemi rritje të konsumit vendas duke nxitur më pas dhe rritjen ekonomike. Bazuar në vrojtimet e BSH-së për periudhën mars-qershor vihet re se besimi i konsumatorëve është përmirësuar për të dytin tremujor radhazi, megjithëse bizneset mbeten ende skeptike. Sido që të jetë, ulja e normës bazë të interesit nga BQ është një vendim i drejtë dhe që do të ketë efektin e saj pozitiv në ekonomi.

 

 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi