Mësime nga falimentimi i Detroitit

Nga Prof. Dr. ANASTAS ANGJELI, botuar në Panorama Online, 31 korrik 2013

Detroiti u bë qyteti i parë i madh në SHBA që krijoi një precedent me dorëzimin e dosjes për mbrojtje nga bankrutimi dhe, sipas një vendimi gjyqësor, qyteti Detroit është shpallur i falimentuar.
Me gjithë përpjekjet e bëra për një periudhë të caktuar, për të shpëtuar “krenarinë” e dikurshme të industrisë së prodhimit të makinave, ku para katër viteve në një situatë të përafërt shteti ndërmori masa për të ndihmuar qytetin dhe në një pjesë edhe vetë industrinë e prodhimit të makinave, “Detroiti u dorëzua”. (Pa dyshim që me termin “falimentim” nuk nënkuptohet shuarja, shkatërrimi, humbja e identitetit të shtetit-qytetit në rastin e Detroitit.) Natyrisht, vetë qyteti do të vazhdojë të ekzistojë si i tillë, por ai tashmë ka humbur pavarësinë e vet ekonomike, i zhytur në pamundësi të kryerjes së pagesave që detyrohej.
POR ÇFARE DHE SI NDODHI?
1-Edhe një herë për falimentimin e shtetit.
Në momentet e para të krizës ekonomike në Greqi, shumë studiues të fushës ekonomike e financiare u habitën me ritmet e shpejta të përhapjes së saj. Bëhet fjalë për një shtet i cili kish një sistem të tipit “tax-dodgers” (liberal të taksimit e që ka të detyrueshëm një taksim të ashtuquajtur për 300 ditë në vit), por që nga ana tjetër kish marrë për vite me radhë ndihma e kredi e ndërkohë niveli i shlyerjes për vlerat principale të tyre kish qenë pothuaj zero. Për shumë prej këtyre detyrimeve shtesat kishin mbetur të pashlyera e me ritme të shpejta të rritjes. Ndërkohë, Portugalia, Spanja e Italia këmbëngulnin se financat e tyre ishin krejtësisht të shëndosha, e gjermanët mrekulloheshin me rritjen e tyre. Ekonomia e Europës ishte në këtë periudhë e fuqishme dhe i mbulonte me rritjen e saj shumë probleme. Por më pas ngjarjet ndodhën ndryshe. Greqia u përfshi në krizën e saj më të madhe të paparë ndonjëherë, Portugalia, Spanja, Italia, Islanda, Qiproja dhe vetë vendet e eurozonës u tronditën thellë nga e ashtuquajtura “kriza e borxheve, e cila vazhdon t’i stërmundojë edhe sot”. Tronditja ishte aq e madhe, sa çështja e falimentimit të ndonjë shteti të eurozonës (Greqia, Spanja etj.,) u vunë në rend të ditës. Atëherë, në një shkrim timin, “Kriza e borxheve dhe falimentimi i shtetit”, falë dhe përvojave të falimentimeve të disa shteteve nga krizat e mëparshme {shembujt historikë janë të shumtë. Që nga viti 1750 dhe në vazhdim, 64 vende kanë falimentuar në 70 raste të ndryshme – disa shtete më shumë se një herë. Mes këtyre vendeve janë Gjermania (2 herë, 1923 dhe 1948), Austria (1811), Danimarka (1813), Perandoria Osmane (1876), Bashkimi Sovjetik (1918, në këtë rast BS nuk pranoi të paguante borxhet e Rusisë Cariste), Rusia (1998), Argjentina (2002) Islanda (2007). Në rastin e Islandës u shtetëzuan tri bankat më të mëdha të vendit, të cilat kishin borxhe të barabarta me 900% të GDP-së}, m’u desh të sqaroja diçka për falimentimin e shtetit dhe rrjedhojat nga ky proces, së cilës po i rikthehem shkurtazi.
2-Çfarë është dhe cilat janë arsyet e falimentimit të shtetit? Falimentimi i një shteti është në thelb një njoftim zyrtar i qeverisë, gjë që e bën të njohur ndërkombëtarisht pamundësinë për të paguar borxhet e vendit (në tërësi, një pjesë apo interesin).
Më tej, shkaku kryesor i falimentimit të një shteti (ashtu si dhe i një qyteti apo një biznesi) është pa dyshim mbidebitimi i tij, mbidebitimi që mund të shkaktohet:
(A) nga një sulm spekulativ ndaj monedhës kombëtare;
(B) nga kushtet negative ekonomike në tregjet financiare, të cilat mund të bëjnë të pamundur edhe debitimin e shëndetshëm;
(C) si rezultat i një serie vitesh deficite buxhetore, gjatë të cilave shteti shpenzonte më shumë se sa fitonte dhe njëkohësisht financonte deficitin e tij me kredi gjithnjë e në rritje nga qytetarët, investitorët apo shtetet e tjera, shteti apo qyteti ndaj qeverise federale (rasti i Detroitit);
(D) nga kombinimi i gjithë faktorëve të mësipërm.
3-Falimentimi i Detroitit. Atë që dikur ishte qyteti i katërt më i populluari, cili u rrit si një i tillë vetëm si pasojë e instalimit gradual të një industrie e cila përbënte një gjigant për llojin e vet në botë. “General Motors”, “Ford “dhe “Chrysler” u bënë për një periudhë të gjatë shitësit e pothuajse të gjitha makinave të shitura në Amerikë, tani, në sajë të konkurrencës nga markat e huaja të ndërtuara në vende të tjera, ata shesin më pak se gjysmën. Popullsia e Detroitit ka rënë me 60%   që nga viti 1950 dhe 26% nga viti 2000.  Borxhet e grumbulluara nga periudha kur Detroiti ishte i madh dhe i pasur janë tashmë të papagueshme në vendin që tani është më i vogël dhe më i varfër.
Situata financiare e qytetit me një borxh afatgjatë, i cili vlerësohet në 17 – 20 miliardë USD dhe deficit buxhetor që kalon 380 milionë USD, 100 000 kreditorë, 700 000 banorë dhe 21 000 pensionistë, nuk u krijua brenda ditës, por erdhi e tillë nga ndikimi i një sërë faktorësh, të cilët të ndërlidhur me njëri-tjetrin, në harkun kohor të 50 viteve, çuan në falimentimin e një prej qyteteve më të mëdha të SHBA.
Vështirësitë e pjesës më të madhe të Detroitit vijnë si pasojë e premtimeve të pambajtura mbi pensionet dhe shërbimin shëndetësor që i bëhet pjesës aktive të popullsisë kur ata dalin në pension. Shtetet amerikane dhe qeverisjet lokale në qytete iu ofrojnë punëmarrësve përfitime të paracaktuara nga pensionet, që bazohen mbi vitet e punës dhe pagën përfundimtare. Këto të fundit presupozohet se duhet të mbulohen nga fonde të posaçme. Fondet e pensioneve, nga një përllogaritje e bërë nga vetë qeverisjet lokale, janë të financuara vetëm 73%. Sikur të mos mjaftonte, gati të gjitha shtetet aplikojnë mbi detyrimet e tyre një vlerë më optimiste, duke bërë që detyrimet e tyre të duken më të vogla se ç’janë në të vërtetë. Në qoftë se një vlerë pak më afër së vërtetës do të aplikohej, atëherë ajo do të ishte 48%. Një situatë e ngjashme shihet edhe në shumë shtete të tjera. I gjithë fondi i pensioneve të Ilinois është i barasvlershëm me 241% të të ardhurave vjetore nga taksat: për Connecticut kjo vlerë është 190%; për Kentucky 141%; për New Jersey 137%.
Nga një vlerësim i bërë në Shtetet e Bashkuara, totali i boshllëkut të pensioneve është 2.7 trilionë USD, ose e shprehur ndryshe, 17% e GDP-së. Kjo situatë shpjegohet me faktin se fondit të pafinancuar të pensioneve i shtohet edhe premtimi i bërë gjithë kategorisë së nëpunësve të shtetit të dalë në pension për sigurim shëndetësor falas. Në rastin e Detroit fatura për këto shërbime mjekësore (5.7 $ bilionë) ishte edhe më e madhe se totali i pensioneve (3.5 $ bilionë).
Ritmi i zhvillimit të industrisë së prodhimit të makinave dhe përqendrimi i saj në Detroit, e bëri Detroitin një nga qytetet më të mëdha amerikane në vitet ’50, me rreth 1.8 milionë banorë. Por, në fillim të viteve ‘60 kompanitë prodhuese të makinave filluan të hapin fabrika prodhimi edhe në qytete të tjera. Kriza në industrinë e prodhimit të makinave, ku vlerësohet edhe rritja e importit të makinave nga Japonia, patën ndikim të vazhdueshëm në zhvillimin e qytetit, shoqëruar me tkurrjen drastike të popullsisë së qytetit dhe ndryshimet demografike të banorëve të tij, tërheqjen e bizneseve, uljen e vlerës së pasurisë së paluajtshme, i dha një goditje të pariparueshme të ardhurave të qytetit nga tatimet dhe taksat. Qyteti nuk arriti dot të dalë nga spiralja e krizës. Të gjitha masat që u morën për parandalimin e “falimentimit” të qytetit, që nga përpjekjet për ristrukturimin radikal të borxhit të qytetit e deri tek “dieta sociale” që çoi në rritjen e kriminalitetit në qytet, përkeqësuan në vazhdimësi situatën financiare të qytetit, duke e futur qytetin në statistika negative nga dekada në dekadë. Sipas një analize të ekspertëve të obligacioneve bashkiake, situata dhe statistikat për qytetin janë shokuese: Niveli i papunësisë arriti rekordin prej 27.8% në vitin 2009 dhe është 16% në prill 2013; edhe pse popullsia është tkurrur me 63% nga viti 1950, forca punëtore në qytet është vetëm 40%, gjë që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe rrit problemet e financimit  publik; shërbimet publike janë të reduktuara në nivele minimale, duke përfshirë këtu mungesa qenësore në shërbimet e policisë, zjarrfikësit, ambulancës, ndriçimit të rrugëve, ruajtjen e godinave etj.
“Motor City”, sipas parashikimeve të ekspertëve, mund të dalë nga situata e bankrutimit në fund të vitit 2014, nëse do të merren masa drastike për ristrukturimin e borxhit publik dhe duke hartuar tashmë plane zhvillimi për qytetin, bazuar në “realitetin” e ri të tij.
 MESIME PER SHQIPERINE
Ekonomia shqiptare, rrjedhojë e politikave të munguara ekonomike e financiare dhe e ndikimit të krizës globale, veçanërisht të eurozonës, është nën kërcënimin e trefishtë, krizës ekonomike, financiare e sociale. Duket se kriza financiare nuk është thjesht vetëm krizë e borxheve dhe evazionit fiskal, por edhe krizë e pensioneve (buxheti i sigurimeve shoqërore).
1-Kriza e borxheve në vendin tonë është në themel të krizës aktuale financiare. Në përmasat e një niveli 63,8% e GDP (borxhi i brendshëm dhe i jashtëm) dhe rreth 100% e GDP (borxhi ekonomik = borxhi financiar i brendshëm + borxhi ndaj biznesit + TVSH e rimbursishëm + detyrimet ndaj vendimeve gjyqësore etj.), tashmë ajo përbën një çeshtje vendimtare për të ardhmen e financave publike dhe të zhvillimit të vendit.
2-Kriza e pensioneve kërcënon dukshëm edhe Shqipërinë. Të dhënat e moshimit (jetëgjatësisë) të popullsisë së vendit tonë provojnë se janë shumë të pritshme në dukje, implikimet negative që mund të vijnë në vitet e ardhshme në stabilitetin financiar të vendit, nëse ky fenomen nuk konsiderohet me vëmendje që tani.
Nga analiza e këtij fenomeni është arritur në përfundimin se:
– skema e ciklit të jetës së njerëzve në vendin tonë po ndryshon: rritet pesha e fazës së kohës së jetës në pension dhe ulet kohëzgjatja e fazave të tjera ciklitit të jetës;
– po ulet raporti i numrit të punonjësve aktivë  ndaj numrit të pensionistëve. – Sistemet e sigurimeve shoqërore të pensionimit dhe të kujdesit shëndetësor janë tronditur thellë dhe po influencojnë dukshëm në rritjen e deficiteve buxhetore dhe të borxheve publike. (Kjo duket në shqetësimet aktuale të krijuara edhe së fundi në këtë sistem). – Pasoja të dukshme gjithashtu në aspektin social, në fushën e ofertës të punës, të tregtisë, të kursimeve, të financave publike dhe të ekonomisë së vendit.

3- Pasojat që vijnë nga falimentimi i shtetit. Falimentimi i një shteti (qyteti) rëndon të gjithë kreditorët e tij, vetë shtetin, ekonominë e tij dhe qytetarët. (Kujtojmë këtu që shumë bashki e komuna në vendin tonë ndodhen në vështirësi financiare deri në mungesën e fondeve financiare për pagesat e pagave të punonjësve).
Rekomandim: Realizimi i reformave në fushën e financave publike, kontrollit të situatës makroekonomike, të deficitit dhe borxhit (riskedulim i borxhit ndaj biznesit), të sigurimeve shoqërore, pensioneve (funksionimin real të fondeve apo shoqërive private të pensionit, reformës së kujdesshme, pjesë-pjesë dhe sipas profesioneve të moshës së pensioneve etj.), sigurimeve shëndetësore si dhe trajtimeve të reja në fushën fiskale, në funksion të zhvillimit ekonomik e punësimit, kryerja e një reforme radikale administrativo- territoriale etj., janë instrumentet e shpëtimit nga falimentimi.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi