Do të dominosh botën? Përmasat kanë rëndësi
Richard N. Rosecrance, The New York Times, botuar në Mapo Online, 31 korrik 2013
Horace Greeley, Napelon Bonaparte dhe Cecil Rhodes ishin të një mendjeje në atë se madhësia ekonomike, politike dhe territoriale ishte kritike për suksesin e një shteti. Ata donin më shumë tokë – në Perëndim, në Europë, ose edhe përtej deteve. Në vitin 1904, Halford Mackinder, një gjeograf nga Oksfordi, i kishte thënë një audience auguste në Shoqërinë Mbretërore të Gjeografëve se shteti që kontrollonte “zemrën” ruse, një pjesë mes stepash në Azinë Qendrore, do të dominonte “ishullin botëror” – territorin e kombinuar të Europës dhe Azisë Veriore – dhe me kalimin e kohës do të sundonte botën. Një copë territori e vendosur në qendër sikurse rrafshulta ruse, argumentonte Mackinder, do të mund të zgjerohej në Lindje dhe Perëndim pa pasur nevojë për përdorim të forcës detare.
Siç e desh fati, Rusia atëherë po përballej me luftë dhe revolucion, dhe nuk mund ta kontrollonte plotësisht qendrën e saj, e lëre pastaj kontrollin e mbarë botës. Por fjalët e Mackinderit e vinin theksin në rolin kritik të madhësisë ekonomike dhe territoriale në konkurrencën ndërmjet shteteve.
Pa cituar Mackinderin, presidenti amerikan, Barack Obama dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, së fundi kanë kërkuar të formojnë një zonë të gjerë të tregtisë së lirë që do të bashkonte Europën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një Partneritet të ri transatlantik të tregtisë dhe investimeve, me qëllim krijimin e një fuqi ekonomike me pothuajse gjysmën e prodhimit të brendshëm të botës. Më 19 qershor, së bashku me Merkelin në Berlin, Obama deklaroi se Europa dhe Shtetet e Bashkuara do të ishin “makinë e ekonomisë botërore” dhe se ato duhej ta konsideronin veten “si diçka më të madhe” në kërkesën e botës për liri, drejtësi dhe paqe.
Afërmendsh, bashkimi i dy kontinenteve do të rriste tregtinë dhe punësimin, do të lehtësonte qëllimin e Obamas për dyfishimin e eksporteve dhe rritjen e investimeve dhe konsumit. Merkel do të buzëqeshte teksa makinat dhe pajisjet mjekësore gjermane do të mbushnin tregjet amerikane, dhe Washingtoni do t’ia kthente nderin me mikroprocesorë, pajisje bioteknike dhe gaz të lëngshëm natyror. Nëse marrëveshja do të finalizohet vitin e ardhshëm, sikurse është planifikuar, ekonomistët thonë se do të mund të krijoheshin së paku një milion vende të reja pune në dhjetë vitet e ardhshme, dhe rreth 0.5 për qind rritje të GDP-së në të dyja anët e Atlantikut. Pakti i ri do të bashkonte 259 kompani që bëjnë pjesë në Fortune 500. Investimet dhe turizmi do të përjetonin një ‘flluskë’ të re.
Por arsyeja e nëndheshme për urën mbi ndërkohë të ngushtin “Kanali Atlantik” është se fuqia po shmanget drejt Lindjes, dhe ka një nevojë për rikonsolidimin e Perëndimit. Paradoksalisht, marrëdhëniet më të afërta me Europën do të jenë se si Obama do të zbatojë politikën e tij “boshti është Azia”, teksa Amerika dhe Gjermania bashkojnë industritë e avancuara dhe një popullsi të paanë punëtorësh të kualifikuar.
Në planin afatshkurtër, Kina do të kundërpërgjigjet (dhe tashmë është kundërpërgjigjur) ndaj këtij kombinimi transatlantik duke fuqizuar lidhjet e veta me botën e jashtme. Me dumping-un e dollarit dhe blerjen e eurove, Kina ka nisur t’i shndërrojë bondet e veta amerikane në aksione në korporatat amerikane. Kina tani ka nisur t’i zhvendosë paratë e veta në tregjet londineze të financave dhe ka investuar shumë në mbarë Afrikën. Sidoqoftë, asnjë prej këtyre veprimeve nuk ka krijuar një njësi politike alternative.
Shtete si Sudani, Zimbabveja dhe Koreja Veriore asnjëherë nuk do të jenë shtylla të një rendi të ri ndërkombëtar ekonomik. Nuk ka asnjë kundërpeshë në shpërthim politik dhe ekonomik përkundër koncernit të shteteve demokratike të Perëndimit, që në fillim të muajit bëri Kroacinë anëtaren e 28-të të Bashkimit Europian.
Qasja e Obamas dhe Merkelit për një strategji të madhësisë demokratike nuk është objektiv i ri. Analistët gjithnjë e kanë ditur se shtetet me më shumë popullsi, pasuri dhe hapësirë ekonomike mund të prodhojnë dhe tregtojnë më shumë si një rajon më i gjerë. Heqja e tarifave botërore ka dështuar: çka do të ishte më e përshtatshme për Obaman dhe Merkelin se sa kërkimi i një hapësirë më të gjerë alternative në të cilën tregtia e lirë do t’i fuqizonte industritë e tyre në konkurrencë me shtete në rritje të Lindjes?
Strategët e epokës së pasluftës arritën përfundime të ngjashme. Shefat legjendarë të planifikimit të politikave të Departamentit amerikan të Shtetit, George F. Kennan dhe Paul H. Nitze, pranuan se “një kombinim i burimeve fizike të Rusisë dhe Kinës me shkathtësitë teknike dhe veglat mekanike të Gjermanisë dhe vendeve të Europës Lindore mund të nxjerrin një formulë ushtarake më të fuqishme se çdo gjë që do të mund të mobilizohej kundër saj”. Kështu nisi akumulimi i ngadalshëm i shteteve aleate rreth asaj që u quajt Organizata e Traktatit Veriatlantik (NATO), që ishte mbështetur nga konsolidimi ekonomik i Tregut të Përbashkët Europian dhe pastaj Bashkimit Europian.
Nën Mikhail S. Gorbachev dhe veçanërisht nën Boris N. Yeltsinin, Rusia donte t’i bashkohej Perëndimit dhe Bashkimit Europian. Zgjedhjet e vitit 1996 i kishin bërë disa të besonin se Moska do të mund të bëhej eventualisht një përafrim i demokracisë perëndimore. Sidoqoftë, kur Vladimir Putini pasoi Yeltsinin, kjo ëndërr u shua derisa skenën nisën ta dominonin ish-agjentët e KGB-së. Dhe kur u rrit çmimi i naftës, Rusia mendonte se nuk kishte nevojë për Perëndimin, e as nuk kishte nevojë të demokratizohej.
Më në fund, triumfi në Luftën e Ftohtë erdhi prej një grumbullimi të fuqisë vendimtare ekonomike dhe industriale të Perëndimit. Nuk ishte barazimi i fuqisë që e gjunjëzoi Bashkimin Sovjetik, por fuqia e tepërt, ose një “mbibalancë” në duart e Perëndimit.
Ky nuk është deklarim i luftës ekonomike kundër Lindjes. Më shumë është një reflektim i një ndërgjegjësimi se Kina dhe të tjerët duhet të afrohen nga Perëndimi, duke bashkuar dy gjysma të botës. Një kombinim më i madh amerikan dhe europian do të mblidhte sot 32 trilionë dollarë dhe shumë më shumë nesër. Baraspeshimi i fuqisë çon në konflikt. Por mbibalanca i josh të tjerët te bërthama e vet ekonomike.
Dhe Kina është e varur prej asaj bërthame. Ndryshe prej Rusisë, Kina duhet të importojë shumicën e naftës, dhe Kina po përdor tani 9.7 milionë fuçi në ditë. Paratë për ta blerë naftën dhe gazin natyror duhet të vijnë prej eksporteve, kryesisht eksporte në Perëndim. Këtu Perëndimi ruan një epërsi të vazhdueshme, sepse Kina merr vetëm pesëdhjetë për qind të “vlerës së shtuar” të eksporteve të veta. Pjesa tjetër shkon në llogari të kompanive europiane dhe amerikane, të cilat promovojnë kërkime dhe zhvillimin, dizajnin, marketingun, dhe financojnë shumicën e eksporteve të Kinës.
Në dekadat e ardhshme Kina do të duhej të shiste në Perëndim për të fituar para, dhe të ketë akses në teknologji që ende nuk i ka. Konsolidimi i njësitit ekonomik euro-amerikan do ta detyrojë Kinën t’i bashkohet gjithashtu, kur të bëhet më e hapur, më liberale dhe me një qeverisje më të butë.
Skeptikët do të argumentojnë se kjo është vetëm një avancim në rritje e një lidhjeje ndërkohë të fortë, dhe se Perëndimi mund ta tërheqë Kinën pa këtë marrëveshje të re tregtare. Por Amerika ka provuar dhe ka dështuar. Ka provuar të formojë një bllok dypalësh me Kinën, G-2shin në vitin 2009, por liderët kinezë refuzuan dhe frustruan planet e Obamas për të bashkëpunuar në adresimin e ndryshimit klimatik. Ishte bërë e qartë se Amerikës i duhej një Perëndim më i fuqishëm për të pasur vëmendjen e Kinës. Avantazhi kyç i një partneriteti të ri me Europën është se ai ka një themel të fuqishëm politik dhe sigurie. Do të jetë një aleancë paqësore, por e fuqishme, që do t’i shtohen elemente teknologjie, fuqie ushtarake dhe vullneti politik për ta ringjallur Perëndimin në marrëdhëniet me pjesën tjetër të botës.
Në fund, tregtia – jo lufta – do t’i joshë të tjerët t’i bashkohen bërthamës ekonomike të Perëndimit.
*Autori është profesor i Politikave Publike në Kennedy School of Government në Universitetin e Harvard-it.