Banka e Shqipërisë ul normën e interesit në 3.5%
31/07/2013
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë uli sot normën bazë të interesit për lekun me 0.25 pikë përqindje duke e rikthyer atë në nivelin më të ulët historik me 3.5 për qind. Guvernatori Ardian Fullani, tha se përmes këtij vendimi banka synon t’i japë një stimul të ri ekonomisë duke nxitur konsumin dhe investimet që sipas tij mbeten në ritme të ngadalta.
Ulja e normës bazë tenton t’i bëjë më pak të leverdishme kursimet, pasi nëse ulet norma bazë edhe interesat e depozitave bien, dhe të nxisë investimet dhe konsumit përmes interesave më të ulëta për kreditë.
Sipas Fullanit, stabiliteti makroekonomik mbetet i qëndrueshëm dhe inflacioni ruan nivele të ulta, por brenda ankorimit të BSH-së.
“Politika monetare e BSH-së, ka ndihmuar në ruajtjen e shëndetit bankar në vend dhe tregueseve makrofinanciar”,- tha Fullani, i cili vuri në dukje se, inflacioni shënoi nivelin 2,2% i orjentuar nga prodhimi bujqësor, ndërsa në aspektin makroekonomik investimet e ngadalta e frenuan disi rritjen e tij. Guvernatori tha se, në 3-mujorin e parë të këtij viti rritja e ekonomisë me 1,7% u mbështet nga sektori i industrisë ndërsa, rritja ekonomike gjatë 6- mujorit të parë i detyrohet ekporteve. Fullani vuri në dukje se borxhi publik në nivelin 63,3% është një nga dobësitë e sistemit, për të cilën kërkohet marrja e masave për kontrollin e borxhit dhe primeve të rrezikut, përmes një rregulli fiskal të qëndrueshëm. Guvernatori garantoi se sistemi bankar është likujd dhe i gatshëm t’i përgjigjet kërkesave kreditore.