Fillimet e Liberalizmit dhe zhvillimet e tij (II)
Nga Milton Friedman, botuar në MapoOnline, 30 korrik 2013
Tashmë, gradualisht, po futemi në një cikël ekzaminimi më të detajuar të përmbajtjes së liberalizmit, veçanërisht të liberalizmit ekonomik dhe rolit që ky dikton për shtetin.
Ky ekzaminim ka të bëjë kryesisht me principet që liberalizmi siguron për gjykimin e aksioneve sociale. Çdo grupim propozimesh konkrete që na shtyn të mendojmë se një liberal ka favore dhe avantazhe, do të duhej të përballej me rrethana specifike sipas vendit dhe kohës dhe me faktin që konsekuencat do të ishin më pak fondamentale e më shumë devijuese se principet në vetvete. Këtu nuk do të kemi shumë mundësi që të jemi gjithëpërfshirës dhe të arsyeshëm deri në fund në lidhje me një grup propozimesh konkrete.
Principet për aksione sociale duhet të bazohen në dy drejtimet kryesore, në atë të ruajtjes së vlerave universale bazale dhe në atë të natyrës njerëzore e të botës që na rrethon. Liberalizmi e konsideron lirinë e individit reale, dhe atë të familjes, si një vlerë themelore. Ai e koncepton njeriun si një individ përgjegjës dhe egocentrik, jo në sensin e të qenit vetëm për vete apo që bota rrotullohet rreth tij, por që mbështetet dhe vlerëson veten më tepër se fqinjin. Liberalizmi e konsideron problemin më të madh të shoqërisë moderne atë të arritjes së lirisë dhe përgjegjësisë individuale në një botë që kërkon një koordinim të prodhimit e shkëmbimit të miliona njerëzve duke zbatuar arritjet e shkencës dhe të teknologjisë. Sfida është që të bashkërendojë e harmonizojë lirinë individuale me ndërvartësinë universale të kudondodhur.
Përgjigja e Liberalizmit derivon nga një element bazal, që akoma edhe sot është kuptuar nga shumë pak njerëz që është -propozimi për të cilin të dy palët e një transaksioni ekonomik mund të kenë përfitim nga ky. Më tej, që një fitim i mundshëm nga blerësi nuk duhet të jetë i bazuar në humbjen apo shpenzimet e shitësit. Nëse transaksioni bazohet në vullnetin e palëve dhe me dijeni të plotë të tyre, të dyja palët përfitojnë. Blerësi fiton diçka që ai e vlerëson më shumë se ajo që ai jep, dhe po ashtu pala shitëse. Si rrjedhojë, një shkëmbim me vullnet të plotë është mënyra për të patur kooperim ndërmjet individëve pa rrethana shtrënguese e detyruese. Të bazuarit në shkëmbimin vullnetar që është thelbi i mekanizmit të një tregu të lirë, përbën idenë themelore të kredos liberale.
Modeli funksional i cili mishëron këtë vizion, të një shoqërie të organizuar nëpërmjet një shkëmbimi me vullnet të lirë, përcakton si të tillë një sipërmarrje ekonomike, shkëmbim privat dhe të lirë.
Familja apo shtëpia, si njësia elementare sociale, është në përgjithësi shumë e vogël për një përdorim eficient të teknikave moderne të prodhimit. Bazuar në këtë, njësia bazë prodhuese duhet të ketë formën e një sipërmarrjeje ku lënda e parë, shërbimet, forca e krahut apo puna e gjallë, përdorimi i kapitalit e kështu me radhë, të realizuara në kushtet e njësisë prodhimit apo shërbimit si dhe shitja e tyre në tregun e lirë, realizojnë ciklin ku njësi të tjera prodhimi apo konsumatore i blejnë ato.
Paraqitja si të tilla të sipërmarrjeve nuk ndryshon aspak karakterin krejtësisht individual dhe volutativ të kooperimit, me kusht që dy kondita të jenë plotësuar: e para, që sipërmarrja të jetë private, që do të thotë se autoriteti final dhe përgjegjësia i përket një personi apo grupi personash, dhe e dyta, individët janë të lirë të shesin apo të mos shesin prodhimet apo shërbimet e tyre, apo të blejnë ose mos blejnë produkte nga sipërmarrje të tjera specifike, që do të thotë që ata janë të lirë të ndërtojnë sipërmarrje të tjera.
Argumenti i fundit meriton një vëmendje të veçantë pasi akoma ka moskuptim të tij. “E lirë” për të ndërtuar një sipërmarrje që bën çfarëdo që ajo dëshiron. Ky është një nga ato raste tipike në të cilat liria absolute është e pamundur sepse liria pa kufij e disave kufizon lirinë e të tjerëve. Liria e një sipërmarrjeje të ndërtuar tashmë për të bërë atë çfarë dëshiron, përfshirë këtu kombinacione e makinacione për të bllokuar hyrje të tjera në treg, apo fiksim të çmimeve si dhe ndarje të tregjeve monopol, kufizon lirinë dhe futjen e sipërmarrjeve të tjera për të bërë të mundur që edhe këto të përfitonin. Kur konflikte të tilla ndodhin, tradita Liberale e konsideron lirinë e futjes në market dhe kompeticionin si çështje themelore. Në këto raste ndërhyrja e shtetit është e justifikueshme për të patur një hapësirë kompeticioni real, ku çmimi i produktit dhe kualiteti i tij të jenë normale për konsumatorin. Problemi praktikisht më i vështirë dhe më delikat rreth të cilit Liberalët kanë folur shumë, është ai i kombinimit kompleks ndërmjet punonjësve dhe sindikatave të tyre.
Në kushtet e një ekonomie të tregut të lirë dhe të shkëmbimit të ndërsjelltë ndërmjet sipërmarrjeve, sipas Liberalëve, roli i shtetit është ai i ruajtjes së rregullave të lojës duke u dhënë fuqi kontratave dhe marrëveshjeve ndërmjet palëve, parandalimin e forcës e presionit ndërmjet palëve, sigurimin e një sistemi të stabilizuar monetar dhe atë që sapo theksuam, mirëmbajtjen e një tregu të lirë. Përtej kësaj, ka vetëm tri fusha kryesore ku ndërhyrja e shtetit është e justifikuar. Së pari, në mbajtjen e një ‘monopoli natyral’ funksional të një tregu të lirë. Së dyti, në rastin e ekzistencës së një efekti substancial të ‘efektit zonal’ dhe së treti, në mbrojtjen e fëmijëve dhe individëve të papërgjegjshëm nga ana fizike dhe mendore.
Një shkëmbim konsiderohet i vullnetshëm, vetëm në rast se një alternativë tjetër ekuivalente ekziston, atëherë kur një individ mund të zgjedhë të blejë nga një sipërmarrje apo nga një tjetër, apo të punojë për njërën apo tjetrën. Monopol do të thotë mungesë të alternativave të tjera, dhe kur në kushte të tilla nuk kemi mundësi për zbatim të rregullit të shkëmbimit të lirë e të vullnetshëm. Monopolet mund të krijohen e lulëzojnë nga kombinacione të bëra ndërmjet sipërmarrjeve në rrethanat kur ai gjen hapësira. Ashtu siç e thamë më lart, tradicioni Liberal justifikon ndërhyrjen e shtetit për të rivendosur kompeticionin normal në të tilla raste. Por nga ana tjetër, Monopoli mund të jetë edhe “Natyral”, ashtu siç është shprehur në tekste shkollore, në rastin e një burimi të vetëm të ujit të pijshëm natyror, ose të një produkti me një shkallë përdorimi aq të gjerë, saqë i gjithi ky produkt është shumë eficient dhe me sasi të mjaftueshme për të mbuluar të gjitha nevojat e tregut. Të gjitha alternativat e tjera janë më të këqijat e mundshme, përfshirë këtu shtetin me politikat e tij ndërhyrëse gjoja rregullatore, pronat shtetërore, si dhe monopolet private. Në këtë rast problemi shtrohet se si të zgjidhet opsioni më pak i keq i mundshëm nga këta djaj. Ashtu siç pritet, Liberalët nuk kanë një përgjigje të qartë e të prerë rreth kësaj çështjeje. Henrz Simons, pas një observimi në SHBA rreth konsekuencave të politikave rregullatore të shtetit në fushën e monopoleve natyrale si ato të hekurudhave, konkludoi që shteti pronar ishte një nga djajtë më të vegjël të mundshëm. Valter Eucken, pas një observimi në Gjermani lidhur me pasojat e pronësisë së shtetit, kishte konkluduar gjithashtu që kontrolli i shtetit në këtë rast, ishte masa më e mirë e mundshme. Ndërkohë që disa kanë argumentuar që një monopol privat dinamik mund të pranohet si i tillë, referuar këtu rastit të industrisë së transporteve në vend. Komisioni Shtetëror i Tregtisë ishte ngritur për të mbrojtur publikun nga efektet e sistemit të hekurudhave si një formë me elementë të një monopoli natyral. Zhvillimi i fuqishëm i transportit automobilistik dhe atij ajror ka eliminuar gjerësisht elementët të këtij monopoli natyror. Por, në vend që qeveria të eliminonte këtë komision, ajo i ka dhënë asaj fuqi të tjera për ta shtrirë kontrollin e saj edhe në këto fusha të tjera të industrisë së transportit. Ky institucion është kthyer tashmë në një instrument që mbron industrinë hekurudhore nga konkurrenca e atij automobilistik, në vend që të mbrojë interesat e publikut nga një mungesë e kompeticionit. Fatmirësisht për shoqërinë liberale, hapësirat e zgjerimit të monopoleve janë ngushtuar së tepërmi, kështu që praktikisht nuk nevojitet më që shteti të ndërhyjë më tepër. Praktikisht, pretendimi për mbajtjen nën kontroll të monopoleve natyrale, është thjesht një shkak për të justifikuar ndërhyrjen e shtetit në hapësira të panevojshme.
Një formë krejt e ndryshme që rrezikon një shkëmbim normal në treg, është ai i “efektit zonal”
Kjo shprehet kur një veprim i një subjekti vendos një kosto të lartë në shkëmbim ndaj individëve të tjerë për të cilët nuk ka kushte të tjera dhe mundësi ekonomike për ta zgjidhur. Një shembull i thjeshtë mund të ishte ai kur një individ devijon rrjedhën e ujit duke e ndotur atë dhe duke influencuar në cilësinë e ujit për individë të tjerë. Në këto rrethana, personi ka detyruar forcërisht persona të tjerë të përdorin ujë të ndotur në vend të ujit të pastër. Këta persona ndoshta do të ofronin një zgjidhje të arsyeshme me një kosto të përballueshme, por atyre nuk u ofrohet kjo mundësi. Një tjetër shembull, por jo i ngjashëm, është ai i edukimit. Edukimi i një fëmije është konsideruar si një e mirë që prek jo vetëm atë fëmijë, familjen e tij por edhe pjesëtarë të tjerë të komunitetit, pasi në fund të fundit, një nivel edukimi më i lartë krijon një parakusht pozitiv për zhvillim social-demokratik më të mirë të shoqërisë. Nga ana tjetër nuk është e mundur të përcaktohet se cili fëmijë e në çfarë mase do të influenconte në shoqëri kjo kosto edukimi. Si rrjedhojë, është e justifikueshme që në argumentin Liberal, të kërkohet nga shteti që të bëhet e mundur një minimum investimi për edukimin duke taksuar arsyeshëm individë të tjerë të shoqërisë për koston e edukimit.
Është e natyrshme që veprimet e individit janë të shoqëruara me disa ‘kosto të pashfaqura’ apo ‘benefice të pamerituara’ për disa individë të tjerë. Kjo përbën gjithmonë një çështje gjykimi, nëse janë apo nuk janë të justifikuara ndërhyrjet e shtetit në këtë raste. Këtu rast pas rasti, për të gjykuar e justifikuar ndërhyrjen e shtetit, duhet të merren kurdoherë në konsideratë efektet e përgjithshme pozitive në jetën e zonës apo rajonit, por gjithnjë duke mbrojtur liritë individuale. Liberalët e shikojnë këtë si kundërpërgjigje për çdo rast të ndërhyrjes së shtetit, e shoqëruar kjo kurdoherë me një balancë të kostos dhe beneficeve që përfitohen nga individët në atë moment e kohë.
Argumenti i tretë me të cilin Liberalët justifikojnë ndërhyrjen e shtetit, derivon nga fakti nëse atje ka një ambiguitet në përcaktimin e objektivit final të ndërhyrjes krahasuar kjo me moscenimin e principit të shkëmbimit të vullnetshëm. Besimi te liria është ai i ‘përgjegjshmërisë’ të individit, ndërkohë që fëmijët dhe njerëzit e paaftë, nuk mund të konsiderohen si të tillë. Në përgjithësi, ky problem do të zgjidhej me lehtësisht nëse do të konsiderohej familja si njësia bazë e shoqërisë, ku si e tillë, prindërit do të konsideroheshin si përgjegjës për fëmijët e tyre. Sidoqoftë, ky problem është i perceptuar më shumë si një përshtatshmëri se sa një princip. Shtrimi i problemit në formë të një linje ndarëse midis arsyes dhe aksionit për të justifikuar principin paternalist që konflikton me lirinë dhe përgjegjësinë prindërore, është diçka që asnjëherë nuk ka gjetur zgjidhje përfundimtare e të kënaqshme.
Disa shembuj të tjerë mund të qartësonin më tej konsiderimin e principeve në gjykimin rreth efekteve të politikave sociale. Konsideroni në fillim një grup masash të cilat konfliktojnë qartësisht me principet liberale si tarifat, kontrolli direkt i eksportit dhe importit, kontrolli i kursit të këmbimit valutor, kontrolli i përgjithshëm i çmimeve. Asnjëra nga këto masa nuk mund të justifikojë ndërhyrjen e shtetit për sferat e mësipërme. Ndërhyrja në secilën prej tyre do të interferonte me lirinë e individëve të angazhuar në to dhe në transaksionet e bëra dhe të pritshme, ndërkohë që asnjë ndërhyrje nuk do të sillte benefice për një palë të tretë. Rrjedhimisht, kjo do të sillte një interferencë me liritë themelore.
Një rast tipik që nxjerr dukshëm në pah këtë aspekt është “Lejet turistike”, një politikë kjo e rregulluar me një sërë procedurash për vende të ndryshme ku turistët kërkojnë të shkojnë. Revista The Economist e ka përshkruar atë si një grup kushtesh që limitojnë në kohë-zgjatje qëndrimet e turistëve në shtete të ndryshme, duke kufizuar shumë njerëz për të kaluar pushimet e tyre atje dhe për aq kohë sa ato duan pa patur nevojë për miratimin nga një grup burokratësh. Pra, shumica e këtyre masave preventojnë marketet të operojnë lirshëm dhe me efektivitet, gjë që godet direkt në zemër të sistemit liberal. Një shembull tjetër, nëse do të vendosej një çmim maksimal artificial që është poshtë nivelit të tregut në momentin e dhënë, kjo do të sillte pa dyshim si pasojë një mangësi, ashtu si në rastin e vendosjes së një kontrolli të qirasë për shtëpitë.
Një shembull tjetër, por disi i ndryshëm është ai i mjekësisë. Siç e kemi parashtruar më lart, efekti zonal justifikon një shërbim shëndetësor me aktivitet substancial, si në rastin e sigurimit të një uji të pijshëm të pastër, sigurimi i një miradministrimi të plotë të mbeturinave dhe plehrave, si dhe ai i kontrollit të rreptë të sëmundjeve ngjitëse. Këtu kemi pak ose aspak arsye të pranojmë ndërhyrjen e shtetit në mjekësinë private për trajtimin e individëve. Në principet liberale, ky është pikërisht lloji i tregut që duhet të funksionojë. Lidhur me argumentin rreth mjekësisë të socializuar, ku bëhet fjalë për një kosto shumë të madhe të saj, liberali do të replikonte që tregu është krejtësisht i aftë për të siguruar një shërbim dhe siguracion shëndetësor krejtësisht të pranueshëm dhe normal. Nëse njerëzit nuk duan të paguajnë një premium, kjo gjë duhet të jetë krejtësisht një zgjedhje e tyre e lirë. Argumentit që njerëzit nuk kanë mundësi të kenë akses në shërbim mjekësor të nevojshëm, liberalët do t’i përgjigjeshin që çdo njëri duhet të gjykojë për veten e tij, jo në kuptimin që ai apo ajo është gjykuesi më i mirë, por edhe në atë se mund të bëjë gabime, pra ne nuk kemi të drejtë të gjykojmë dhe të diktojmë, por edhe të mos justifikojmë veprimet e njerëzve.
Shembulli i tretë është strehimi publik. Në praktikë njihen raste e situata të ndryshme të strehimit. Për shembull distrikte me dendësi të lartë, një kosto e lartë e shërbimit policor dhe të sigurisë, si dhe kosto e lartë e taksave apo mbrojtjes nga zjarri të komunitetit. Shprehja figurative e ‘efektit zonal’, për aq kohë sa burimet janë të identifikueshme, mund të justifikohen taksa më të larta në këto lloj pronash krahasuar me prona e shtëpi të tjera, por kjo nuk justifikon aspak politikën e një strehimi nga shteti i paraqitur si një akt paternalist për atë që njerëzit duan kushte më të mira strehimi, prandaj do duhet të përdorim paratë e taksapaguesit për ta bërë të mundur këtë. Liberalët do të kundërshtonin në dy nivele të ndryshme. Nëse disa njerëz kanë nevojë të financohen, përse nuk u jepet atyre kjo shumë që ata ta përdorin lirisht sipas dëshirës në një treg të lirë? Përse u thuhet atyre që, ne po ju japim një dhuratë por që ju duhet ta shpenzoni vetëm atje ku ju themi ne? A nuk tregon kjo sadopak për një ndërhyrje në lirinë e tyre për të përdorur këto fonde? Pyetja e dytë do të ishte: a përfshin kjo rishpërndarje koston e programit, si dhe a shpjegon qartë ky program grupet e njerëzve që ndihmohen? Reduktimin e varfërisë nga qeveria do ta mirëpresë e mbështesë çdo liberal, kjo veçanërisht për përkujdesjen ndaj njerëzve fizikisht të pamundur dhe pa asnjë të ardhur. Por nën perden e kësaj, janë bërë e po bëhen shumë abuzime dhe manipulime me skema të ndryshme gjë që arrin të fshehë përgjegjësitë individuale.
Liberali do të preferonte zhvillimin dhe përsosjen e marketit të punës, por jo rishpërndarjen e të ardhurave në mënyra jo eficiente dhe që krijojnë një imazh stimulues për parazitizmin e përtacinë. Liberali është për zhvillimin e hapësirave të vlerave dhe aftësitë e të gjithë njerëzve gjejnë vend dhe zhvillohen.
Këta dy shembujt e fundit tregojnë se vlera qendrore e një shoqërie liberale përbën në të njëjtën kohë një burim kryesor për përmirësimin e tij. Një shoqëri liberale u jep njerëzve atë që ata duan, në vend që t’u japë atë që disa grupe njerëzish mendojnë se u duhet dhënë. Kjo krijon përveç të tjerash, një imazh të keq për njerëzit duke u diktuar atyre diçka që ata nuk do ta preferonin në kushte të tjera. Themeli i shumicës së argumenteve kundër tregut të lirë është mosbesimi në vetë lirinë dhe hapësirat që ajo krijon për gjithë shoqërinë dhe çdo individ të saj. Adam Smith na ka lënë një përmbledhje ekselente rreth debatit të vazhdueshëm të rolit të shtetit në një shoqëri liberale: “Çdo individ, për aq kohë sa ai nuk shkel ligjet e drejtësinë në vend, mbetet në mënyrë perfekte i lirë për të kërkuar e realizuar interesin e tij, rrugën e tij dhe për të bashkuar kapitalin dhe industrinë e tij prodhuese në një treg të përbashkët e kompetitiv me njerëz të tjerë ose grupe njerëzish. Sovraniteti i tij, tashmë i çliruar nga obligimi dhe ku në përpjekjet e tij shpesh do t’i duhet të ndeshet me rreziqe e të kapërcejë pengesa të panumërta, ai do të fitojë eksperiencën dhe urtësinë e duhur për të përmbushur detyrën ndaj individëve të tjerë të lirë, ndaj punonjësve të tij dhe detyrimeve të sipërmarrjes private që ai ka në përputhje me interesat e shoqërisë.
Sipas principeve të sistemit të lirisë natyrale, sovrani ka vetëm tri detyra për të përmbushur: së pari, detyrën e mbrojtjes së shoqërisë nga dhuna dhe pushtimi i shteteve të huaja. Së dyti, mbrojtjen sa më të plotë të çdo individi të shoqërisë nga padrejtësitë dhe shtypja nga individë të tjerë brenda saj, apo detyrimin për të vendosur një sistem drejtësie. Dhe, së treti, detyrimi për të mbajtur disa punë publike dhe institucione publike të cilat të mos përdoren kurrë për interesat e ndonjë individi apo grup individësh, sepse nuk mundet kurrë që një dëm apo përfitim i një grupi individësh të mund të kompensojë dhe të ketë vlerë ekuivalente me atë të të gjithë shoqërisë”.