Në emër të zhvillimit – ekonomistët përballë ambjentalistëve

Nga Prof. Ardian Civici, botuar në Mapo Online, 26 korrik 2013

Mbasi janë injoruar reciprokisht për një kohë të gjatë ndërmjet tyre, mbasi janë grindur pa fund se kush kishte të drejtë në recetat dhe formulat e tij të zhvillimit, ekonomistët dhe ekologjistët duket se po kërkojnë “të pajtohen” dhe të gjejnë një zgjidhje të përbashkët që bashkon zhvillimin ekonomiko-social me respektin dhe vlerësimin ndaj mjedisit. Megjithëse në Shqipëri lëvizja e mirëfilltë ekologjike është akoma e dobët, e vogël dhe shumë e fragmentuar apo e prirur të reagojë për probleme të castit apo lokale, përsëri, qëndrimet e saj kanë filluar të “krijojnë probleme” në “grindjet” me politikanët, vendimmarrsit dhe vecanërisht ekonomistët. Megjithëse nuk kemi akoma parti apo lëvizje të strukturuara, të gjera e të qëndrueshme ambjentaliste, rezistenca për mos-ndërtimin e tecit të Vlorës, pertroliferës, kundërshtimet për ndërtimin e disa parqeve industriale, dëmtimit të shtratit të lumenjve nga shfrytëzimi i inerteve, lufta për mbrotjen e pyjeve, dëmtimin e sipërfaqeve të gjelbërta në favor të ndërtimeve urbane apo infrastrukturës rrugore, ruajtja e kopshtit botanik, mbrotja e lagunave dhe brigjeve detare, kundërshtimi i ashpër për cështjen sensitive të importit të plehrave,etj., dëshmojnë se ashtu si në shumë vende të botës, Shqipëria po përfshihet në dialogun e ashpër ndërmjet ekonomistëve dhe ekologjistëve: “si ti përgjigjemi sfidave të zhvillimit ekonomik pa shkatëruar mjedisin?”, “si të eleminojmë pozicionet ekstreme të cilësuara si eko-fashiste apo ekonomizmin e pastër neo-liberal?”,”kush duhet ti zgjidhi problemet : shteti, tregu apo individi?”, “a duhet që në cdo rast që kemi një përfitim ekonomik të injorojmë shqetësimet dhe dëmtimet e mjedisit?”,“a fshihen mbrapa lëvizjeve ekologjike interesa ekonomike e politike të caktuara”,etj..

            Ekonomistët dhe ekologjistët shquhen për raporte konfliktuale ndërmjet tyre në gjithë botën. Asgjë për tu çuditur: të parët priren nga rritja e prodhimeve duke patur për kriter themelor efiktivetin dhe koston e tyre, ndërkohë që të dytët në këtë logjikë shohin vetëm një gjueti shtrigash ndaj natyrës. Ajo që konsiderohet si prodhim të mirash materiale e pasurie për njërën palë, shikohet si grabitje e natyrës nga pala tjetër. Por, frika dhe dyshimet për pasojat e fenomenit të “ngrohjes globale” si dhe përkeqësimi i vazhdueshëm i mjedisit në botë po evidenton urgjencën për ti zgjidhur këto probleme pa prishur “makinën ekonomike”. Kjo po i detyron ekonomistët dhe ambientalistët të punojnë së bashku për të gjetur një zgjidhje të pranuar reciprokisht “në emër të zhvillimit”.

            Paraardhësit e ekonomistëve të sotëm– ekonomistë ekologjistë !

            Sado paradoksale të duket, përpara tre shekujsh, ekonomistët ishin ekologjistë megjithëse vetë ky koncept nuk kishte lindur akoma. Bëhet fjalë për shkollën e parë moderne ekonomike në botë të quajtur “ekonomistët fiziokratë”, nocion që para se gjithash nënkuptonte “fuqinë e natyrës” apo “qeverisjen nga natyra”. Filozofët e epokës, për herë të parë i dhanë atyre emrin “ekonomistë” apo më saktë “sekti i ekonomistëve”. Ata pretendonin se çdo pasuri e kishte burimin te bujqësia, sepse vetëm ajo krijonte mundësi për ushqimin e njerëzve duke i krijuar kështu mundësi shoqërisë që të prodhonte sende e produkte të tjera. Boshti i doktrinës së tyre ishte : “janë pasuritë dhe produktet e fermerëve që plehërojnë tokat, që shtojnë bagëtitë, që tërheqin dhe fiksojnë banorët e zonave rurale dhe që përbëjnë forcën dhe prosperitetin e kombeve”.

            Sot pranohet nga të gjithë se në mendimin intelektual e shkencor të shek. XVII-XVIII, fiziokratët të udhëhequr nga ekonomistë të shquar si Francois Quenay dhe Jacque Turgot ushtruan një ndikim të rëndësishëm në mendimin ekonomik dhe filozofik duke qenë të parët që patën një vizion të qartë për tendencën e konsumit të burimeve natyrore, për raportet konfliktuale ndërmjet llogjikës ekonomike dhe asaj natyrore. Paralelisht me ta, u shfaq dhe një lëvizje e fuqishme për intensifikimin e aktivitetit dhe prodhimeve bujqësore, lëvizje që R.Dumont e quajti “revolucioni i dytë agrar”: plehërimi i tokave me plehra organike, praktikë e cila zëvendësoi gradualisht lënien e tokave djerrë. Kjo praktikë i hapi rrugë përdorimit masiv të plehrave kimike e aplikimit të metodave të bujqësisë intensive produktiviste. Natyrisht, në kohën e fiziokratëve nuk njiheshin plehrat kimike dhe askush nuk mund të pohojë i sigurtë për qëndrimin dhe interpretimet e tyre nëse do ti kishin njohur ato dhe efektet e tyre, por shek. i XVII dhe gjysma e parë e shek. XVIII është periudha e vetme e “artë e qëndrimeve të njëjta të ekonomistëve dhe ekologjistëve në raport me burimet natyrore dhe mënyrën e përdorimit të tyre nga njeriu”.

             “Klasikët” : shfrytëzimi pa limit i burimeve prodhuese

            Pas fiziokratëve në skenë dolën ekonomistët “klasikë”, për të cilët “meqenëse natyra furnizonte falas dhe me bollëk burimet natyrore, i vetmi problem ishte se si ti shfrytëzoje sa më me eficencë ato”. Smith,Rikardo, bile dhe Karl Marksi u rreshtuan në këtë logjikë kur ishte fjala për raportet ndërmjet ekonomistëve dhe marrëdhënieve të tyre me natyrën. David Ricardo mendonte se “natyra është e përjetshme, e pafundme dhe e pakonsumueshme. Edhe për Malthus-in, i frymëzuar vecanërisht nga koncepti i seleksionit natyror dhe konkurrenca e Darëinit, nuk ishte natyra ajo që përbënte kufizim për shtimin e njerëzimit, por “ishte shtimi i madh i popullsisë botërore dhe pamundësia e tyre për të prodhuar ushqime e të mira materiale në sasi të mjaftueshme”, ajo që shtronte domosdoshmërinë e pakësimit të popullsisë botërore nëpërmjet luftërave, epidemive, etj. Raportet ndërmjet ekonomisë dhe ekologjisë Malthusi i trajtoi thjesht si cështje politike e sociale.      “Deklarata e parë e luftës” kundër natyrës ishte revolucioni parë industrial në gjysmën e parë të shek.XIX-të, në thelb të të cilit ishte vetëm zhvillimi ekonomik. Por, duke parë pasojat “e tmerrshme ekologjike që ky revolucion po shkaktonte”, ekonomistët dhanë alarmin. Stanley Jevons tregoi se me “këto rritme burimet energjitike, vecanërisht qymyri, do të mbarojnë shpejt”; Joseph Fourier ngriti shqetësimin se “progresi ekonomik intensiv mund të shkatërrojë tokën, ujrat, ajrin dhe të provokojë prishjen e klimës e ngritjen e temperaturave”; Francois Pouillet foli për herë të parë për mundësinë e “efektit serrë; Svante Arrhenuis provoi shkencërisht lidhjen ndërmjet zhvillimit industrial, konsumit të energjisë fosile, rritjen e përqëndrimit të gazit karbonik, krijimit të efektit serrë dhe ndryshimit të klimës globale; George Perkins Marsh, Friedrich Ratzel dhe Karl Mobius zhvilluan konceptin e “ekonomisë dhe zhvillimit shkatërrues” duke kërkuar që të ndërtohej sa më shpejt një “ekonomie ekologjike”; Patrick Geddes propozoi ndërtimin e një matrice zhvillimi që duhej të “ekuilibronte zhvillimin ekomomik me bilancin natyror”,etj.

             Ekonomistet neoklasikë : besimi te tregu, çmimet dhe konkurrenca

            Teoria neoklasike e pranonte se burimet natyrore dhe mjedisi në përgjithësi ishte një element i konsumueshëm dhe jo aq i bollshëm sa mendohej, por sipas tyre “nuk egzistonte asnjë konflikt thelbësor ndërmjet logjikës së zhvillimit industrial dhe respektit për burimet natyrore e mjedisin”. Problemet në këtë aspekt dukeshin të vështira dhe pesimiste vetëm për faktin se “administrimi i rezervave natyrore ishte jashtë mekanizmave të tregut, cmimeve dhe konkurrencës”. E rëndësishme ishte të përcaktoheshin rregullat e shpërndarjes dhe përdorimit të burimeve natyrore duke u mbështetur në cmimet e tregut. Kjo mënyrë arsyetimi i hapi rrugën lindjes së dy disiplinave të vecanta : ekonomisë së mjedisit dhe ekonomisë së burimeve natyrore. Teoria e cilësuar si “neo-klasike”, e filluar nga L.Walras, F.Isodoro Edgeworth dhe William S.Jevons në fund të shekullit të XIX-të, nuk interesohej pothuajse fare për mjedisin dhe natyrën, por vetëm për çmimet dhe konkurrencën. Për këta autorë, kur konkurrenca ishte perfekte, prodhimi arrinte në nivelet më të larta të tij dhe cmimet në nivelin optimal të tyre. Megjithatë, A.Marshall, ekonomisti i shquar anglez i fillimit të shekullit të XX-të, futi për herë të parë një dyshim në logjikën e kësaj “matematike mekanike” nëpërmjet përdorimit të konceptit të “eksternaliteteve” ose efekteve paralele. Sipas Marshallit, “ajo që unë bëj mund të ketë efekte paralele tek tjetri, qoftë pozitive (bletët e komshiut tim ndikojnë në rritjen e rendimentit dhe shëndetin e pemëtoreve të mia), qoftë negative (stalla me derra e fqinjit tim ndikon në ndotjen e ujërave të lumit tonë të përbashkët). Nga kjo pikëpamje, sipas tij, “çmimet nuk reflektojnë vetëm kënaqësinë e përbashkët të shoqërisë por vetëm plotësimin e nevojave të dy subjekteve në këtë transaksion, pra vetëm shitësit dhe blerësit”.

            Ishte A.Pigou, nxënësi i A.Marshallit, ai që në fillim të viteve 20-të të shekullit të XX-të futi për herë të parë problematikën mjedisore në optikën e logjikës ekonomike. Pigou tregoi se për të arritur “optimumin” (sadisfaksionin maksimal të tërësisë së konsumatorëve dhe prodhuesve), duhet që çmimet të korrigjohen me një sistem taksash apo subvencionesh : taksa që bëjnë të mundur eliminimin e efekteve negative paralele që prodhuesit shkaktojnë për fqinjët e tyre; dhe subvencione për të kompensuar prodhuesit për efektet e tyre paralele pozitive. Kështu lindi parimi i rëndësishëm “ndotës-pagues” i cili shkaktoi një pranim të gjerë nga ekonomistët, sepse, pa patur nevojë të përmbysë konceptet edhe mekanizmat e tregut, ai krijonte mundësi që të përputheshin apo koincidonin interesat private me interesin e përgjithshëm social .

            Një dimension të rëndësishëm mjedisor që e pasuroi akoma më tej parimin “ndotës–pagues” duke shtuar këtu ndarjen e burimeve natyrore në “burime të rinovueshme dhe të parinovueshme”, futi dhe ekonomisti amerikan Hotelling në vitet 30-të të shek. XX-të. Sipas tij, “për të arritur një ekuilibër optimal, duhej që çmimi i shitjes së burimeve natyrore të parinovueshme – p.sh. naftës, gazit, etj. – të llogaritej në funksion të sasisë së rezervave të mundshme për tu shfrytëzuar dhe njëkohësisht të reflektonte vështirësinë dhe kufizimet që do te kishin konsumatorët e brezave të ardhshëm për këto produkte”. Sa më i rrallë bëhej një burim natyror, aq më shtrenjtë duhet ta paguanin atë konsumatorët, pavarësisht nga kosto aktuale e prodhimit të tij. Hotelling justifikonte kështu ekzistencën e një rente në favor të prodhuesve (ata duhej të shisnin më shtrenjtë se sa çmimi real) në funksion të kufizimit të kërkesës për këtë burim natyror duke shpresuar në ruajtjen dhe “kursimin” për një kohë të gjatë të tij në favor të gjeneratave të ardhshme. Edhe në këtë rast, mekanizmat e ekonomisë së tregut mjaftonin për të arritur këtë objektiv, por në ndryshim nga parimi “ndotës-pagues”, në këtë rast nuk ishte e nevojshme ndërhyrja publike : renta e fituar nga prodhuesit e këtyre burimeve natyrore të parinovueshme do t’u krijonte atyre mundësi që të dispononin të ardhura suplementare të cilat mund ti përdornin ose për të gjetur produkte zëvendësuese të produktit që po shkonte drejt zhdukjes, ose për tu konvertuar në aktivitete të reja. Sipas Hotelling, shteti nuk duhej të përzihej në këtë proces, ose thjesht duhej të mjaftohej me verifikimet nëse çmimi në treg reflektonte drejt ritmin e harxhimit të burimit natyror të parinovueshëm si dhe faktin që ky çmim nuk ishte produkt i ndonjë situate monopol.

             Dyshimet mbi analizën neoklasike : tregu apo shteti?

            Dy variantet e analizuar më sipër,  ai i taksimit të ndotësve të mjedisit dhe ai i survejimit të çmimeve në mënyrë që ato të reflektonin drejt shkallën e konsumit të burimeve natyrore të parinovueshme, konsistonin thjesht në korrigjimin e tregut. Në të dy rastet, pavarësisht nga gjerësia dhe intensiteti i ndërhyrjes, shteti kishte një rol të dukshëm rregullues. Por për shkollën dhe doktrinën liberale, një gjë e tillë binte ndesh me bindjet dhe parimet themelore te tyre. Si pasoje e kësaj “kontradikte”, përkrahësit e rrymës liberale u përpoqën me të gjitha mënyrat që të gjenin mekanizma të tregut të cilat të zëvendësonin rolin e shtetit në këtë cështje. Ekonomisti anglez, R.Coase, fitues i çmimit Nobel në ekonomi në vitin 1991, tregoi se  “ndotësi dhe i ndoturi mund të rregulloheshin në mënyrë të kënaqshme reciprokisht ndërmjet tyre”. Sipas tij, ekziston një çmim për ndotjen, i cili rezulton, nga njëra anë nga shuma maksimale që i ndoturi është gati ti paguajë ndotësit në mënyrë qe ai ta zvogëlojë ndotjen, dhe nga ana tjetër, nga shuma minimale e nevojshme e kërkuar nga ndotësi në mënyre që ai ta bëjë këtë, d.m.th. të reduktoje ndotjen. Kjo procedure tregu, sipas Coase, është më e mirë se sa sistemi i taksave që administrohet nga shteti dhe që i lejon shtetit të vlerësojë koston sociale të ndotjes. Në rastin e transaksioneve private, janë aktoret e përfshirë në këtë proces që bien dakord me njëri tjetrin dhe mund të bëjnë një vlerësim korrekt dhe më të saktë të kostos së ndotjes.

            Një sistem i tillë është i mundur vetëm në raste kur aktorët e këtij procesi (ndotësit dhe të ndoturit) janë në një numër të vogël dhe transaksionet ndërmjet tyre janë të pakta dhe me kosto të ulët. Kështu p.sh., në rastin e “të drejtës për hedhjen në atmosferë të gazit CO2”, tregu i këtyre të drejtave nuk e suprimon krejtësisht rolin e Shtetit, sepse në këtë rast Shteti përfaqëson të ndoturit dhe është ai që fikson sasinë dhe madhësinë e lejeve për ndotje që “jepen për shitje”. Një gjë e tillë është parë më qartë në rastin e Protokollit të Kyoto-s (thelbi i të cilit është pikërisht tregu i këtyre lejeve), në të cilin çdo Shtet përpiqet maksimalisht që të disponojë një numër sa më të madh lejesh të tilla për ndotje duke zvogëluar kështu koston e ndërmarrjeve apo kompanive të tij që emetojnë gaz CO2 që shkakton efektin serrë. Kjo është pikërisht arsyeja pse ekonomistë ultraliberalë si R.Barro, ekonomist amerikan që është vendosur në krye të grupit të cilësuar si grupi i “masave paraprake racionale”, apo i “klasikeve të rinj”, të cilët e refuzojnë me forcë “Protokollin e Kyotos”. Sipas tyre, ky protokoll “përmban shumë Shtet”, ndërkohë që duhet të jetë vetëm tregu ai që duhet të përcaktojë nivelin dhe madhësinë e lejeve për ndotje duke u nisur nga një analizë e tipit “kosto – avantazhe” të realizuar nga çdo aktor. Sipas Barro-s, nëse amerikanët preferojnë të konsumojnë më shumë benzinë apo naftë se sa të shqetësohen për tu mbrojtur nga efekti serrë, kjo do të thotë se ata “vlerësojnë se ky i fundit – d.m.th. efekti serrë – kushton më pak se sa reduktimi apo eliminimi i veturave të tyre”.

             “Zhvillimi i qëndrueshëm” – zgjidhja e të ardhmes së përbashkët

            Në lidhje me çështjen e burimeve të parinovueshme, rryma liberale përputhet me pozicionin e Hotelling-ut dhe “ i beson tregut kujdesin për të përcaktuar çmimin e shitjes” : n.q.s. një burim natyror fillon të mungojë, çmimi i tij fillon të rritet menjëherë dhe për pasojë, blerësit apo përdoruesit e tij e ndryshojnë menjëherë shkallën e përdorimit të tij, d.m.th. e ulin ndjeshëm kërkesën për të. Në të kundërt të këtij pozicioni ekstremist, po zhvillohet dhe një grupim tjetër paralel i cili privilegjon domosdoshmërinë e kryerjes së një analize sistemike për shpjegimin e këtij këtij fenomeni. Në këtë analizë, elementë që duhet të merren në konsideratë seriozisht janë “efektet globale mbi sistemin në tërësi”, d.m.th., biosferës dhe planetit në tërësi. Kjo rrymë mendimi, e iniciuar nga dy ekonomistë të shquar amerikanë të viteve 60-të, K.Boulding dhe G.Roegen, frymëzoi raportin e Klubit të Romës të vitit 1969 sipas së cilit “toka është një sistem i mbyllur që nuk mund të konsumohet me një shpejtësi më të madhe se sa shpejtësia e rigjenerimit të saj”, sepse në rast të kundërt ajo do të shkatërrohet në mënyrë të pakthyeshme. Të njëjtën interpretim zhvilluan dhe dy studiues të tjerë, R.Passer në Francë dhe H.Daly në SHBA. Por, duke e mbështetur çdo veprim vetëm tek vendimet kolektive, ky grup evidentoi fenomenin e “frenimit të sjelljes apo reagimit shpesh herë të munguar të aktorëve individuale në këtë proces”. Një konstatim i tillë i shtyhu radikalët e këtij grupi që të profetizojnë zhvillime të mundshme katastrofike, siç ishte rasti i ekonomistit S.Latouche, një nga personalitetet e rrymës së “domosdoshmërisë së ngadalësimit të zhvillimit” ose platformës së “mos-zhvillimit”.

            Ndërmjet optimizmit dhe pesimizmit, ndërmjet logjikës individuale dhe logjikës kolektive të zhvillimeve globale, analiza ekonomike bashkëkohore po ndesh në vështirësi për të integruar preokupimet mjedisore brenda një logjike apo politikave që në objektivat e tyre përmbajnë në të njëjtën kohë interesat e individëve, biznesit dhe Shtetit. Përpjekjet vazhdojnë gjithnjë e më tepër në kërkim të këtij “kompromisi” apo “ekuilibri” të vështirë. Ekonomistë si C.Philibert, J.Ch.Hourcade, C.Henry apo R.Guesnerie po përpiqen të dëshmojnë e provojnë se “duke u mbështetur në instrumentet ekonomike ekzistuese, në disa fusha konkrete është e mundur që të merren më shumë në konsiderate interesat e gjeneratave të ardhshme”.Pra, të kërkohet e të gjenden forma zhvillimi më të qëndrueshme, forma të cilat krijojnë mundësi që “ti mbajnë akoma në lojë ekonomistët dhe logjikën e tyre të veprimit e interpretimit” dhe njëkohësisht “t’ju shkelur syrin” dhe ambjentalistëve. Platforma e OKB e Konferencës së Johanesburgut (Afrika e Jugut) e vitit 2002 për “Zhvillimin e Qëndrueshëm” po bëhet një platformë veprimi për strategjitë dhe politikat e zhvillimit të shumë vendeve e rajoneve të botës, po bëhet rekomandimi kryesor i të gjithë institucioneve e organizmave ndërkombëtare të ndihmës dhe kooperimit, po bëhet instrumenti më i privilegjuar për të zhvilluar ekonominë duke mbrojtur mjedisin dhe garantuar të ardhmen tonë të përbashkët.

 

 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi