Rrugëtim në debatet, politikat dhe strategjitë e zhvillimit ekonomik (III)

Nga Prof. Adrian Civici, botuar në MapoOnline,19 korrik 2013

Shek.XXI – drejt paradigmave të reja të zhvillimit ?

Seria e dyshimeve për qëndrueshmërinë e paradigmës liberale që sundoi përcaktimin e strategjive dhe politikat e zhvillimit ekonomik në nivel ndërkombëtar në tri dekadat e fundit të shek. XX-të, si dhe disa dështime “të paparashikuara” në mjaft vende që konsideroheshin si “nxënësit e mirë” të FMN-së dhe paketës së axhustime strukturore hapën një diskutim të gjerë për “nevojën e paradigmave të reja të zhvillimit”. Krizat financiare në Rusi, Turqi, Meksikë, Brazil, Argjentinë, Kore e Jugut, Tailandë, Malajzi etj., treguan se shumica e politikave të zhvillimit të kushtëzuara apo orientuara ekskluzivisht nga institucionet ndërkombëtare, ato të bazuara në industrializimin me theks nacional e proteksionist, politikat e privatizimeve masive dhe hapjes totale të tregjeve, si dhe politikat e minimizimit të shtetit në emër të “fuqisë absolute të tregut”, po shkonin drejt ezaurimit të tyre, ose më e pakta, “nuk ishin zbatuar në cilësinë dhe standardet e duhura”. Reflektimet dhe studimet e ekspertëve të zhvillimit filluan të konvergojnë drejt idesë se “duhej të gjendeshin ide e hapësira të reja përtej fokusit të veprimit dhe recetave të institucioneve ndërkombëtare të ngarkuara me zhvillimin ekonomik, financiar e social si FMN, Banka Botërore, UNDP, OKB,etj. Thelbi tyre përmblidhej në shprehjen “duhet menduar e arsyetuar ndryshe për zhvillimin…duhet një paradigmë e re më adekuate me kontekstin ndërkombëtar e rajonal”

Në kërkim të një roli të ri për institucionet e zhvillimit

Përveç kritikave që kishin të bënin me “pasojat e dhimbshme sociale” dhe ashpërsinë e reformave të axhustimit strukturor, kritika që u artikuluan nga një grup i madh ekonomistësh të grupuar nën ombrellën neokeynesianiste me në krye Joseph Stiglitz-in, një grup tjetër i rëndësishëm kritikash u shprehën në “neglizhencën apo injorimin që këto politika i kishin bërë strukturave të brendshme sociale e institucionale në vendet ku ato zbatoheshin”, sidomos në vendet e varfra dhe ato në zhvillim. Axhustimi strukturor dhe filozofia e “konsensusit të Washingtonit” u konsideruan si “imponime nga lart” që nuk merrnin në konsideratë “specifikat dhe karakteristikat e realitetit poshtë”, d.m.th kulturën, traditat, historinë, psikologjinë dhe format e organizimit social e veprues të këtyre popujve dhe vendeve. Paradigma e re, që tentonte ta rregullonte këtë anomali vuri në themel dhe fokus të saj “institucionet” duke u quajtur si rruga apo zgjidhja institucionaliste drejt zhvillimit. Ajo u zhvillua në dy drejtime të ndryshme: si “institucionalizëm ekonomik neoklasik”, dhe si “institucionalizëm me një vizion më të gjerë sesa thjesht ekonomik”

Drejtimi apo lloji i parë i institucionalizmit, i zhvilluar veçanërisht nga vetë institucionet ndërkombëtare të zhvillimit që në fillim të viteve 1990, u frymëzua veçanërisht nga ekonomisti amerikan Douglas North, laureat i çmimit Nobel në vitin 1993. North studioi dhe tregoi për rolin e rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm që kishin institucionet juridike formale dhe jo-formale si “faktorë të rëndësishëm në zvogëlimin e kostove të transaksioneve dhe lehtësues apo stimulues të zhvillimit”. Në këtë këndvështrim, zhvillimi i ngadaltë, i deformuar apo dhe vetë mos-zhvillimi ishin thjesht pasojë e mungesës së institucioneve të domosdoshme e eficente për të kuptuar dhe zbatuar si duhet politikat e axhustimit strukturor dhe recetat e zhvillimit ekonomik e social. Shkaku që FMN dhe Banka Botërore, në shumë vende nuk kishin arritur rezultatet e shpresuara me programet e tyre qëndronte pikërisht tek mungesa në këto vende e institucioneve të duhura për të mbështetur paketat e masave të axhustimit strukturor. Pra, duhej me çdo kusht që të sugjerohej dhe veprohej në drejtim të ngritjes së institucioneve juridike e sociale që do të lehtësonin aplikimin e reformave liberale të ndërmarra veçanërisht mbas krizës së borxheve dhe shembjes së murit të Berlinit kur ishte fjala për vendet e Europës Qendrore e Lindore që po kalonin me shpejtësi nga planifikimi i centralizuar drejt tregut të lirë.

Në këtë kuadër, në fund të viteve 1990, “konsensusit të Washingtonit” iu shtuan dhe një sërë politikash e masash të tjera që kishin të bënin me “mirëqeverisjen”, “luftën kundër korrupsionit”, “luftën kundër varfërisë”, “përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, kryesisht infrastrukturës, arsimit dhe shëndetësisë”, “politikat specifike për çdo vend të hartuar nga ekspertët dhe burimet njerëzore lokale” etj. Çdo vend partner me FMN dhe Bankën Botërore, duke respektuar linjat kryesore të reformave të caktuara nga institucionet ndërkombëtare, duhet t’i përcaktonte vetë objektivat specifikë të tij në sferat e mësipërme në kuadrin e “dokumenteve strategjike për reduktimin e varfërisë dhe zhvillimit”. Rezultati final i këtij koncepti të ri u bë miratimi nga OKB në shtator të vitit 2000 i “Deklaratës së Mijëvjeçarit”, në të cilën u fiksuan objektiva thelbësor për nxitjen e zhvillimit sipas optikës së re në thelb të cilëve ishin : reduktimi me 50% i varfërisë absolute në shkallë botërore deri në vitin 2015; edukimi primar për çdo fëmijë; përmirësimi i shëndetit të nënave dhe fëmijëve; garantimi i barazisë ekonomike, politike e sociale ndërmjet meshkujve e femrave; ndalimi i epidemive dhe vaksinimi i plotë; zhvillimi ekologjik; garantimi i ujit të pijshëm duke e zvogëluar në 50% numrin e njerëzve që kishin probleme në këtë drejtim; aplikimi i koncepteve dhe praktikave të zhvillimit të qëndrueshëm; rritja e partneritetit ndërkombëtar për zhvillimin; lehtësimi i tregtisë dhe anulimi apo lehtësimi i borxheve për vendet e varfra dhe ato në zhvillim,etj. Edhe Shqipëria u përfshi totalisht në këtë linjë veprimi kur në vitin 2000 hartoi Strategjinë për zbutjen e varfërisë të cilën e zgjeroi akoma më tej në vitin 2002 në formën e Strategjisë së Rritjes Ekonomike dhe Uljes së Varfërisë, për ta konsoliduar si Strategji e Zhvillimit Ekonomik e Social në vitin 2003. Në këtë kuadër filloi dhe matja apo profili i varfërisë në kuadrin e studimeve të matjes së standardit të jetesës (LSMS) në vitin 2002, mbi bazën e të cilave u përcaktuan objektivat specifikë kombëtarë të Objektivave të Mijëvjeçarit dhe u ndërtuan gjithë strategjitë sektoriale e rajonale.

Drejtimi i dytë i institucionalizmit u ndërtua nga neokeynsianistët dhe Joseph Stiglitz të cilët, në kuadrin e përpjekjeve për gjetjen e një modeli të ri zhvillimi, arritën në konkluzionin se “strukturat e tregut, të para ngushtë në tërësinë e tyre, shpesh herë bëhen pengesë për rezultate optimale në zhvillimin ekonomiko-social”. Ata propozuan që “nocioni i zhvillimit i adoptuar nga institucionet ndërkombëtare të zgjerohet më tej me dimensione jo-ekonomike të tilla si kultura, demokracia, edukimi, shëndetësia, zvogëlimi i pabarazive sociale, stabiliteti politik, etj.; që objektivi i luftës kundër inflacionit aq i dashur për FMN, të shoqërohej me objektivin e rregullimit global të sistemit financiar në mënyrë që të shmangeshin krizat financiare të provokuara nga derregullimi ekstrem.

Së fundi, ata këmbëngulnin në arsyetimin se Shteti duhet të kishte një rol kryesor në zhvillimin ekonomiko-social, se çdo vend kishte nevojë për institucione përfaqësuese e pjesëmarrëse në shkallë të gjerë në raport me shtresat apo kategoritë e ndryshme sociale e profesionale të tij, se duhej që të zgjerohej partneriteti publik-privat, se duhej që privatizimet të ishin më të kujdesshme dhe të realizoheshin në funksion të interesave kombëtare dhe jo thjesht me logjikën e eficencës së kapitalit,etj. Në thelb, në gjithë propozimet e këtij grupi ekonomistësh qëndronte ideja se “nuk mund të ketë një model të vetëm e unik zhvillimi në rang ndërkombëtar, qoftë ky edhe në versionin e tij liberal, por duhen ndërtuar modele zhvillimi që marrin në konsideratë specifikat lokale, që profilizohen nga pjesëmarrja aktive e ekspertëve dhe politikave lokale dhe jo që imponohen “nga lart”. Koncepti i “procesit pjesëmarrës lokal” duhej të ishte në bazë të strategjive të zhvillimit. FMN dhe Banka Botërore duhej t’i negocionin paketat e tyre të masave dhe kushtëzimeve me qeveritë dhe strukturat lokale që do t’i zbatonin ato.

Liria dhe dimensionet morale në teoritë e zhvillimit

Ekonomisti indian Amartya Sen, çmimi Nobel në ekonomi në vitin 1998, futi një dimension të ri me natyrë filozofike e morale në problematikën e teorive dhe politikave të zhvillimit apo shkaqeve të mos-zhvillimit. Sipas tij, çdo aktor ekonomik në një vend të caktuar, është njëkohësisht dhe një aktor moral e filozofik. Në këtë këndvështrim, edhe në rastet kur strategjitë e ndryshme të zhvillimit ekonomiko-social arrijnë të sigurojnë në një masë të konsiderueshme produktet, shërbimet dhe nevojat bazë të popullsisë, kapacitetet dhe mundësitë e individëve të ndryshëm për të patur akses dhe për t’i përdorur lirisht ato nuk janë të barabarta apo të garantuara. Nëse një vend arrin të prodhojë në sasi të vlerësueshme ushqime për gjithë popullsisë e tij, kjo nuk do të thotë se automatikisht çdo banor i këtij vendi ka mundësi që të konsumojë të njëjtën sasi ushqimesh. Ai tregoi me mjaft fakte e analiza se “krizat e urisë në shumë vende të botës nuk janë pasojë e mungesës së ushqimeve, por pasojë e pamundësisë së shumë shtresave të popullsisë për të patur akses në burimet ushqimore.

Më shumë se sa thjesht zgjerim të politikave mbështetëse e rishpërndarëse që garantojnë ngushtimin e diferencave sociale, Amartya Sen nënvizoi idenë se “strategjitë e zhvillimit, përveç objektivit të rritjes së prodhimit e të ardhurave, duhet të kenë në fokus dhe zgjerimin e mundësive dhe mentalitetin e njeriut për të përfituar nga këto mundësi, aftësimin e tij për të ndërtuar e ndjekur një jetë sa më cilësore”. Në këtë mënyrë, zhvillimi u përcaktua si një proces që rrit kapacitetin e individëve për të kërkuar dhe shfrytëzuar lirinë dhe demokracinë, dhe jo thjesht si një proces që synon shtimin e prodhimeve dhe të ardhurave. Strategjitë e zhvillimit duhet të synojnë që ta “pastrojnë” sa më shumë njeriun nga objektivat tërësisht sasiorë e materialë dhe ta “kompletojnë” atë me një grup objektivash më shpirtërorë, më cilësorë në raport me lirinë e demokracinë.

Punimet dhe idetë e Amartya Sen i dhanë jetë lindjes së një indikatori shumë të rëndësishëm në sferën e zhvillimit siç është “Indikatori i Zhvillimit Human”, i cili jep një panoramë të plotë për gjendjen e mirëqenies sociale në një vend të caktuar. Sipas Sen, demokracia e vërtetë është kushti bazë i zhvillimit, është forma e pushtetit politik ajo që garanton më mirë zgjerimin e mundësive për absorbimin e zhvillimit. Në këtë logjikë, strategjitë e zhvillimit, më shumë se çdo gjë tjetër, duhet të synojnë “konsolidimin e demokracisë”, funksionalitetin normal të saj. Çdo strategji duhet të ketë si grupin kryesor të objektivave të saj indikatorët e matjes së nivelit të demokracisë, indikatorët që shprehin dhe masin lidhjen direkte shkak-pasojë ndërmjet zhvillimit dhe demokracisë.

Strategjitë e “zhvillimit të qëndrueshëm

Rrënjët e konceptit të zhvillimit të qëndrueshëm shfaqen në mënyrë më të strukturuar në vitin 1972, në konferencën e Stokholm-it të organizuar nga OKB, dedikuar “problematikës së mjedisit” ( e ndjekur më vonë nga konferenca e Nairobi-t në 1982; konferenca e Rio de Janeiro-s në 1992; Johanesburgut 2002; dhe Rio + 20 e Rio de Janeiro 2012). Megjithatë edhe përpara kësaj periudhe, ekspertët e zhvillimit e kishin shtruar shpesh pyetjen se “cilat ishin limitet e rritjes ekonomike dhe zhvillimit”, “cili ishte impakti i zhvillimit intensiv mbi mjedisin dhe burimet natyrore”,etj. Në 1972 u fol hapur dhe me shqetësim për lidhjet ndërmjet “çështjeve mjedisore dhe zhvillimit ekonomiko-social” duke i hapur rrugën një nocioni të ri për strategjitë dhe problematikën e zhvillimit, që në analizat e ekonomistit Ignacy Sachs atë kohë, u quajt “zhvillim ekologjik”. Ky këndvështrim i tipit ekonomiko-antropologjik synonte të rriste ndërgjegjësimin dhe ndjeshmërinë e presionit, apo e thënë më direkt, dëmin që aktivitete ekonomike shkaktonin në mjedis dhe burimet natyrore. U deshën 15 vjet, që OKB ta shtronte këtë problem në nivel ndërkombëtar dhe të kërkonte që ai të bëhej objektiv kryesor në strategjitë e zhvillimit. Raporti i përgatitur nga Kryeministri norvegjez Gro Harlem Brutland me titull “E ardhmja jonë e përbashkët”, botuar në vitin 1987, vuri alarmin mbi “shfrytëzimin pa kriter të burimeve natyrore..mbi degradimin shqetësues që po pësonte mjedisi..mbi rreziqet që kishte rritja ekonomike dhe zhvillimi në të ardhmen si pasojë e këtij shpërdorimi të natyrës”.

Ky raport i dha dimensione ndërkombëtare konceptit të “zhvillimit të qëndrueshëm”, objektivi kryesor i të cilit duhet të ishte “një zhvillim që i përgjigjet nevojave të sotme, pa komprometuar mundësitë e gjeneratave të ardhshme për t’u zhvilluar”. Ai tregoi qartë se ekuilibri mjedisor dhe zhvillimi i pakontrolluar dhe i prirur vetëm drejt rritjes ekonomike me çdo kusht e çdo mjet nuk jetojnë dot së bashku. Zhvillimi i qëndrueshëm duhet të kombinonte njëkohësisht tre dimensione të rëndësishme : dimensionin ekologjik të ruajtjes së burimeve natyrore dhe mjedisit në përgjithësi; dimensionin ekonomik të zhvillimit; dhe dimensionin e zhvillimit social. Ky koncept nuk mund të ishte kurrsesi lokal apo kombëtar, por ai duhej konceptuar e trajtuar si global në shkallë planetare.

Por, vështirësia kryesore në aplikimin e shpejtë dhe të gjerë të këtij koncepti u bënë pikërisht vendet e varfra dhe ato në zhvillim, të cilat iu kundërvunë ashpër “dimensionit ekonologjik” dhe “dimensionit human” duke nxjerrë në plan të parë “domosdoshmërinë e zhvillimit të tyre ekonomik dhe nevojën për progres të shpejtë në këtë drejtim”. Këto vende këmbëngulën gjatë se “kishin të drejtë legjitime për t’i shfrytëzuar burimet e tyre natyrore në funksion të nevojave të tyre ekonomike e financiare”, se ato thjesht “po përpiqeshin të zhvilloheshin në të njëjtën rrugë si vendet e zhvilluara gjatë revolucioneve industriale të shekujve XIX dhe XX-të”, se “vendet e zhvilluara, në emër të ekuilibrave mjedisorë ndërkombëtarë, nuk mund të sakrifikonin zhvillimin e vendeve të varfra me filozofinë bëni si them unë, por mos bëni si kam bërë unë”, se “strategjitë e zhvillimit të qëndrueshëm ishin shumë të kushtueshme për këto vende”. Vendet në zhvillim, por dhe një pjesë e rëndësishme e vendeve me ekonomi me zhvillim të shpejtë si p.sh., Kina, India, Meksika apo Brazili iu kundërvunë sistematikisht tentativave globale për të institucionalizuar disa norma të zhvillimit të qëndrueshëm në shkallë ndërkombëtare të tilla si “reduktimi i emetimit të gazit CO2 që shkakton efektin serrë”, “zvogëlimi i aktiviteteve që ndikojnë në ngrohjen globale”, etj.

Këto vende gjykojnë se zhvillimi i tyre duhet të kalojë nëpërmjet ripërcaktimit të strategjive të zhvillimit duke futur në to kriteret e mirëmbajtjes dhe administrimit të territorit, rishikimin e mjeteve dhe instrumenteve të zhvillimit, rivlerësimin e përmasave që duhet të kenë strategjitë e industrializimit dhe transferimi i teknologjive etj. “Molla e sherrit” u bë edhe dimensioni social i zhvillimit të qëndrueshëm, pasi vendet e varfra, në zhvillim dhe ato me ekonomi emergjente, në shumë konferenca ndërkombëtare (veçanërisht në atë të Johanesburgut, 2002) kushtuar zhvillimit të qëndrueshëm e kushtëzuan dimensionin social me kërkesat për një “rishpërndarje të burimeve ekonomike e financiare në shkallë ndërkombëtare”. Një grup i madh vendesh të grupuara nën siglën “Grupi i 77”, deklaruan se “do angazhoheshin në strategjitë e zhvillimit të qëndrueshëm vetëm nëse rinegocioheshin modalitetet e tregtisë ndërkombëtare, veçanërisht subvencionet bujqësore të aplikuara nga vendet e pasura të veriut”.

Këto vende insistojnë vazhdimisht se “aderimi në praktikat e zhvillimit të qëndrueshëm mund të bëhet vetëm në kuadrin e një partneriteti të ri dhe të qëndrueshëm në nivel ndërkombëtar që ndërpret traditën e politikave të axhustimit strukturor dhe zhvillimit ekonomiko-social të imponuara nga lart”. Ky grup vendesh pretendon se ato duhet të bëhen pjesë e institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore në procesin e përcaktimit të strategjive të zhvillimit, se në këtë shekull të ri, duhet të zgjerohet e të gjejë më shumë vend koncepti dhe praktikat e “të mirave publike ndërkombëtare”, se është domosdoshmëri një “rregullim ndërkombëtar për të drejtat në fushën e arsimit, shëndetësisë, mjedisit, ushqimit etj”. Nëse duam zhvillim të qëndrueshëm, apo e thënë ndryshe, nëse duam të ruajmë mjedisin dhe burimet natyrore në shkallë botërore, kjo nuk mund të bëhet në kurriz të vendeve të varfra dhe në funksion të kërkesave të vendeve të pasuara, por duhet të bëhet me pjesëmarrjen e të gjithëve dhe në interes të të gjithëve.

 

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi