Neo-Liberalizmi dhe perspektiva e tij

Nga Milton Friedman, botuar në MapoOnline, 24 korrik 2013

Në librin e tij të famshëm ‘Ligji dhe opinioni publik’, A.V. Dicey arriti të bëjë dallimin ndërmjet trendit të legjislacionit nga njëra anë dhe trendit të opinionit publik nga ana tjetër. Në argumentin e tij, ai shprehet se Legjislacioni ka qenë dhe është i dominuar nga rrymat  fondamentale të opinioneve, përveç në rastet e dështimeve të konsiderueshme.

Njerëzit bëjnë ligje në bazë të filozofive që ata asimilojnë në moshat e rinisë. Kështu që brenda një periudhe njëzetvjeçare këto filozofi edhe mund të ndryshojnë apo fashiten në periudha të ndryshimit, nën efektin e korenteve të opinioneve si dhe të alternimit të rezultanteve në politikat publike.

Disey ka përcaktuar se nga vitet 1870 e deri në vitet 1890, si periudhë në të cilën në Angli u krye një largim dhe shkëputje nga individualizmi (Liberalizmi Manchesterian) drejt një kolektivizmi. Për më tepër, ai përcaktoi faktin që legjislacioni ekonomik nuk ishte influencuar fuqishëm nga trendi i ri i opinionit publik deri në fund të shekulli 19 dhe fillimit të shekullit të ri.

Në shumicën e vendeve të botës, legjislacioni vazhdon të jetë i dominuar gjerësisht nga trendi i opinionit drejt kolektivizmit, të cilën Dicey e pati dokumentuar rreth 40 vite më parë. E vërteta është se, gjatë kësaj kohe janë bërë shumë fushata zgjedhor në të cilat e djathta ka fituar epërsi ndaj të majtës dikur dominante, si në Australi, Angli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Europë. Megjithëse tanimë kemi një trend politik të orientuar djathtas dhe që padyshim është në progres, duhet që legjislacioni kolektivist aktual të modifikohet e të ndryshohet duke u administruar nga njerëz të tjerë më të përshtatshëm. Antarët e partive konservatore, pak a shumë si ata të krahut të majtë, vazhdojnë të jenë të influencuar nga rrymat fondamentale të opinionit.

Njerëzit mund të devijojnë ose të detyrohen të shmangen nga bazat e vlerave sociale dhe besimet e tyre, por vetëm një pjesë e vogël arrijnë të mbajnë një filozofi ndryshe dhe të mund të rezistojnë ndaj ambientit që i rrethon. Sipas standarteve të individualizmit të shekullit 19, ne sot, pak a shumë të gjithë, në një shkallë apo tjetër, jemi kolektivistë.

Nëpërmjet disa incidenteve të vogla, unë do të përpiqem të argumentoj që trendi i djathtë politik, është padyshim një antonim i kursit drejt kolektivizmit. Disa vite më parë, unë rastisa të jem në Angli kur qeveria Laburiste propozoi një taksë akcize mbi duhanin me synim shkurtimin e importit të duhanit. Në raportimin rreth këtij vendimi, zëdhënësi i qeverisë u përpoq të shpjegojë nevojën për vendosjen e një takse me qëllim pakësimin e konsumit të duhanit, duke e justifikuar atë me faktin se racionimi dhe menaxhimi direkt nga qeveria i këtij produkti i kishte sjellë shumë vështirësi administrative qeverisë.

Në vend që Konservatorët të përkrahnin qeverinë Laburiste për këtë masë që bazohej në përdorimin e sistemit të çmimit, por jo të kontrollit direkt të produktit, ata shprehën indinjatë dhe dënuan këtë masë të qeverisë Laburiste. Tani së fundi në SHBA, Presidenti i kërkoi Kongresit autorizimin e një fuqie ekzekutive shtesë për të përmbushur problemet që kanë dalë për programin e ri-armatimit. Ai nuk kërkoi për të pasur fuqinë mbi kontrollin e çmimeve dhe të pagave. Ndërkohë, Kongresi insistoi që atij t’i jepen të tilla fuqi gjithashtu. Ndërkohë që shumë Republikanë, po ashtu, insistuan që ai t’i marrë këto fuqi. Duke vazhduar të flas akoma për vendin tim, Amerikën, ku Republikanët pretendojnë të jenë mbështetës të fuqishëm të sipërmarrjes së lirë, ata nuk bënë gjë tjetër veçse i hapën rrugë një politike socialiste. Për më tepër, në programet e tyre të publikuara, ata favorizojnë tarifat mbrojtëse në sferat agrare për çmimet e produkteve bujqësore, si dhe masa të tjera proteksioniste që mund të quhen thjesht orientime kolektiviste në këtë fushë të ekonomisë.

Argumenti im nuk është që të justifikoj se cila parti duhet apo jo të fitojë. Ajo që dua të them është se anjëra prej tyre, në programe, nuk të ofron mundësinë për të programuar e synuar drejt një kursi të ri. Argumenti im nuk është gjithashtu që ky kurs i ri do të mund të arrihet gradualisht nga dita në ditë, apo nga qarkullimi i forcave apo elitave politike, sloganeve e të platformave të tyre. Argumenti im është ai i formëzimit të një rryme të opinionit në të cilin ne mund të arrijmë të penetrojmë dhe të projektojmë një drejtim të ri për të ardhmen.

Ndërkohë që trendi i legjislacionit është akoma fortësisht i orientuar drejt kolektivizmit, unë kam mendimin dhe ndjej që kjo nuk vërteton atë që trendi i opinionit fondamental të jetë i përcaktuar nga ai. Deri para pak vitesh, edhe brenda kufijve të naivitetit dhe besimit të qarqeve intelektuale, ishte e përhapur gjërësisht ideja që shtetëzimi mund të zëvëndësojë prodhimin për të rritur fitimet me anë të prodhimit për përdorim. Pavarësisht nga nënkuptimi që këto grup- shprehjesh kanë, ideja e planifikimit të centralizuar, e parë kjo si teori që duhet të zëvëndësojë mungesën e planifikimit dhe të kaosit me një koordinim efiçent, nuk sjell asgjë tjetër përpos dhënies së shtetit më shumë fuqi, në vend të zgjidhjes së këtij paradoksi të supozuar të varfërisë apo të interesave egoiste që shfrytëzojnë masat punonjëse, pasi gjoja socializmi na favorizoka paqe dhe miqësi ndërkombëtare. Kjo nuk sjell asgjë tjetër përveç thellimit dhe acarimit të mëtejshëm të tyre.

Po bëhet gjithnjë e më e qartë që Nacionalizimi (shtetëzimi) nuk mund të zgjidhë problemet themelore ekononike; gjithashtu është bërë e qartë se planifikimi i centralizuar i ekonomisë nuk sjell asgjë tjetër përveç kaosit dhe rrëmujës. Për më tepër, planifikimi i centralizuar rrit akoma më tej barrierat e ndër-komunikimit të lirë internacional, shumë më tepër se kapitalizmi i çorganizuar ka bërë ndonjëherë. Po aq i rëndësishëm është dhe fakti që rritja e fuqisë së shtetit ka çuar shoqërinë në atë pikë shumë të rrezikshme, ku kontrolli i skajshëm i shtetit në ekonomi ka rrezikuar lirinë individuale dhe të drejta të tjera të lirisë njerëzore.

Nëse këto gjykime dhe argumente janë korrekte, ne jetojmë tani në një moment të cilin Dicey e quante (ndeshje e rrymave) të opinionit publik në maksimumin e tyre; periudhë kjo në të cilën opinioni fondamental është bërë konfuz, i vakët dhe kaotik. Të njëjtat botëkuptime, akoma vazhdojnë të mbështeten nga të njëjtët njerëz, por tanimë nuk kemi të bëjmë me të njëjtin stad të pranimit pa arsyetuar të këtyre fondamenteve. Mungesa e dobësuar e vullnetit për të hequr dorë nga një besim i mbajtur verbërisht, po zëvendëson gradualisht fanatizmin absurd të dikurshëm. Tashmë është arritur në stadin ku përcaktimi i rrugës së zhvillimit drejt një rryme të re të opinionit për zëvëndësimin e opinionit të vjetër, dhe ku po ravijëzohet një filozofi e re e cila do të udhëheqë me siguri  ligjbërësit e gjeneratës së ardhëshme, pavarësisht nëse do të influencojë apo jo këte gjeneratë ku jemi.

Idetë kanë pak shanse për të avancuar fuqishëm kundër një rryme të fortë të baticës, por kjo mundësohet kur rryma pushon së vërshuari me forcë dhe akoma nuk ka filluar të tërhiqet. Kjo, mendoj unë, është koha e duhur për të vepruar. Këto mundësi nuk shfaqen shpesh, por për ne të cilët besojnë në liberalizmin duhet të ndërhyjmë për të bëre diçka, që të paktën zbatica të largohet sa më parë. Ne tashmë kemi një doktrinë të re për të ofruar, e cila është e domosdoshme për t’u bërë e njohur qartësisht nga të gjithë.

Difekti më i madh i filozofisë kolektiviste, e cila ka dominuar civilizimin perëndimor, nuk është në objektivat e saj kolektiviste sipas së cilave qëllimi kryesor ishte të bëhet gjithshka mirë, të mbahet e të zgjerohet liria dhe demokracia, dhe ku në të njëtën kohë të përmirësohet mirëqenia materiale e masave punonjëse. Difekti real është në aspektin e mendimeve dhe rrugëve për të arritur atë. Dështimi në të kuptuarit e problemeve ekonomike për një koordinim efiçent të veprimtarisë të qindra miliona njerëzve, ka çuar drejt një tendence për të zhvlerësuar sistemin e çmimit dhe për ta zëvendësuar atë me mendimin dhe veprimin sipas të cilit është shumë më mirë të bëhet çdo gjë sipas një plani të centralizuar. Shtuar kësaj edhe faktin e një mbivlerësimi të një marrëveshjeje me gjoja objektiva të detajuara afatgjata, gjë e cila ka çuar drejt besimit që gjithkush mund të përfitojë duke pranuar një marrëveshje mbi një plan të përcaktuar në terma precize dhe i aftë për të shmangur konflikte interesash, dhe për më tepër, të zbatuara forcërisht.

Mendimi kolektivist ka dështuar që në fillim, kur ai kërkon të arrijë diçka me rrugë fondamentalisht jo konsistente. Në rrethana të tilla, kur kjo fuqi e përdorur me synimin për të bërë të mira, por me forma të gabuara, do të sillte padyshim dëme të mëdha. Nga ana tjetër, krijohen të gjitha premisat që, herët a vonë, kjo fuqi do të mund të kalojë në duart e atyre që mund ta përdorin për qëllime të errëta dhe djallëzore.

Besimi kolektivist, sipas të cilit aftësia dhe fuqia e shtetit për të larguar çdo të keqe, pikërisht ky, shpjegon në vetvete thelbin e reagimit të tij ndaj filozofisë individualiste të shekullit 19. Kjo filozofi individualiste kishte përcaktuar për shtetin të kryejë vetëm një rol, atë të mirëmbajtjes së rregullit për të gjithë dhe respektimin e detyrimeve kontraktuale midis njerëzve apo grupeve. Por edhe ajo, ishte një filozofi e gabuar. Shteti dhe fuqia e tij sjellin vetëm dëme. Laissez-faire duhet të jetë rregulli numër një.

Duke u mbështetur në këto pozita të besimit kolektivist, në të cilin nënvlerësohet rreziku që persona privatë mundet, nëpërmjet marveshjeve dhe makinacioneve, të uzurpojnë pushtetet dhe fuqinë e shtetit duke limituar e rrezikuar efektivisht lirinë e individëve të tjerë. Gjithashtu, në këto kondita, sistemi dështon në aspektin e moskryerjes së funksioneve të sistemit të çmimit, si një rregullator i destinuar për të rregulluar tregjet.

Fryma e re duhet të shmangë gabimet. Kjo duhet të përqendrohet maksimalisht në limitimin e fuqisë së shtetit për të ndërhyrë në detaje të aktiviteteve të individëve, njëkohësisht, kjo duhet të përcaktojë qartë disa funksione që duhen bërë me domosdo nga shteti.

Kjo doktrinë e re, që shpesh quhet Neo-Liberalizëm, paraqet tashmë një fenomen të realizuar në mënyre simultante në shumë vende të botës, dhe veçanërisht në Amerikë, ajo është e përfaqësuar dhe lidhur ngushtë aq fort me emrin e Henry Simons. Askush nuk mund të deklarojë që kjo doktrinë do të triumfojë domosdoshmërisht. Por, sipas meje, kjo është në shumë aspekte, rruga e vetme dhe që përshtatet në mënyrën më të plotë në boshllëkun e krijuar, të cilin, sipas meje do të jetë një zhvillim i ri në formimin e bindjeve e klasave intelektuale në mbarë botën.

Neo-Liberalizmi pranon një përputhje me liberalizmin e shekullit 19, në aspektin e pranimit të elementit me rëndësi fondamentale të peshës së individit. Por Neo-Liberalizmi do ta konsideronte teorinë Laissez-faire si mision të përfunduar deri këtu. Pra mbarimi i Laissez-faire shënon fillimin e Rregullit Të Kompeticionit (Competitive Order). Sipas së cilës, duhet të përdoret gara e ndershme midis prodhuesve për të mbrojtur konsumatorin nga shfrytëzimi, garë midis punëdhënësve për mbrojtjen e punonjësve dhe së fundi garë midis konsumatorëve për të mbrojtur sipërmarrjet.

Shteti duhet të vendosë rregulla e politika që krijojnë dhe lejojnë kondita normale e të favorshme të garës duke parandaluar monopolizimin, ai duhet të sigurojë një sistem monetar të qëndrushëm dhe funksional, si dhe të lehtësojë mjerimin akut dhe faktkeqësitë që ndodhin. Qytetarët duhet të jenë të mbrojtur nga shteti nëpërmjet një tregu të lirë privat, si dhe në veprimet kundër njëri tjetrit, duke siguruar atë nëpërmjet një garë të ndershme.

Programi i detajuar që përshkruan vënien në jetë të tij, nuk mund të paraqitet i plotë këtu. Por mendoj se do të ishte me interes të zgjerohemi në funksionet që shteti duhet të ushtrojë, pasi këtu qëndron dallimi esencial i Neo-Liberalizmit nga të dyja krahët, si nga individualizmi i shekullit 19, po ashtu dhe nga kolektivizmi.

Shteti, sigurisht që duhet të kryejë funksionin e mirëmbajtjes dhe zbatimit të ligjit dhe rregullit, si dhe angazhimin në punët publike, sipas varietetit klasik. Por përtej kësaj, ky duhet kurdoherë të sigurojë një sistem brenda të cilit gara duhet të mbisundojë e të lulëzojë, ligji i sistemit të çmimit të operojë efektivisht.

Kjo kërkon, padyshim dy objektiva kryesore: Së pari, sigurimin e mundësisë për të ndërtuar sipërmarrje në çdo fushë të veprimtarisë profesionale e prodhuese, së dyti në sigurimin e një sistemi monetar të qëndrueshëm.

Kondita e parë kërkon shmangien e ndërhyrjes së shtetit me masa rregullatore të cilat diktojnë dhe pengojnë që një biznes sipërmarrës të mund të konkurojë lirisht në të gjitha kuptimet dhe duke arritur të realizojë një produkt më të mirë dhe me çmim më të ulët, por nga ana tjetër, duke mos lejuar që kombinacionet apo veprimet e sipërmarrjeve të pengojnë apo kufizojnë shkëmbimin normal në treg. Eksprienca Amerikane, sipas mendimit tim, demonstron se aksionet e kryera brenda këtyre linjave, bëjnë të mundur krijimin e një shkallë të lartë të konkurrencës, pa asnjë ndërhyrje ekstensive nga shteti. Tashmë, me ligjin Anti-Trust Sherman, megjithë disa boshllëqe të tij, ka shumë pak të ngjarë që të mos kemi një shkallë të lartë të kompeticionit më të mirë në SHBA, krahasuar kjo me Europën.

Dispozitat për stabilitetin monetar kërkojnë një reformim të sistemit bankar dhe atij monetar në përgjithësi, duke eleminuar hedhjen në treg të parasë dhe duke verifikuar ndryshimet në sasi nëpërmjet disa masave që promovojnë stabilitet. Dispozitat për stabilitetin monetar, veçanërisht atij të sigurimit të parave të pastra, nuk mund t’i lihet në dorë kompeticionit. Ky funksion, ka qënë gjithmonë i shtetit dhe do të jetë një funksion që kryhet vetëm nga ai.

Ndodhemi tashmë përballë një të vërtetë ironike dhe tragjike njëkohësisht, faktit se planet e qeverisë kanë dështuar, ku sipas mendimit tim, kjo përfshin si inflacionin ekstrem ashtu edhe depresionin e thellë. Për këtë situatë, qeveria përpiqet të akuzojë sipërmarrjen e lirë, me anë të së cilës ajo përpiqet të motivojë nevojën që shteti të ndërhyrë edhe në fusha të tjera.

Së fundi, shteti duhet të ketë funksionin e lehtësimit të shkallës së mjerimit dhe të pasigurisë së jetës së njerëzve. Ndjenjat tona sentimentale kërkojnë që duhet të ekzistojnë disa dispozita për ata që llotaria e jetës u ka rezervuar  vetëm mjerim e fatkeqësi. Jeta e sotme është bërë shumë e komplikuar dhe e paqëndrueshme, ndërkohë që ne jemi bërë më shumë sensitivë. Pra, nuk duhet të lihen vetëm në dorën e organizatave bamirëse apo lokale këto raste. Por njëkohësisht, është e rëndësishme që kryerja e këtij funksioni duhet të bëhet në formën që të ndërhyhet e influencohet minimalisht në treg. Do të jetë e justifikueshme që të financohen e ndihmohen njerëzit për shkak të varfërisë së tyre, si ata fermerë të fshatit apo dhe ata që jetojnë me qira në qytete, pavarësisht nga mosha. Por, nuk duhet të ketë financim për fermerët nën pretekstin se ata jetojnë atje në fshat, por vetëm nëse janë vërtet shumë të varfër. Nuk duhet lejuar e justifikuar ideja e përcaktimit të një shkalle limit të varfërisë, apo përcaktimi i kufirit të një page minimale, duke rritur artificialisht numrin e njerëzve pa të ardhura. Nuk duhet lejuar gjithashtu, që të përcaktohen objektiva minimale për konsumin e mishit veç, apo të bukës veç, e kështu me radhë.

Të gjitha këto, janë fuqi të gjera dhe përgjegjësi të rëndësishme që ne, Neo-Liberalët i japim shtetit. Por, pika më e rëndësishme qëndron në faktin se të gjitha këto fuqi që i jepen shtetit, janë të limituara dhe të kushtëzuara në atë që të bëhen e të ushtrohen nga rregulla e ligje njësoj për të gjithë. Këto politika janë formuluar që të shteti të veprojë sipas ligjit, por jo sipas urdhërave administrativë. Nga ana tjetër, duhet  të lejohen hapësira për inisiativa individuale apo miliona njësive ekonomike private. Këto fuqi të shtetit gjithashtu duhet të lejojnë që efiçienca e sistemit të çmimit të veprojë e të sundojë kurdoherë me aktivitete të tilla e në çfarëdolloj njësie ekonomike. Dhe mbi të gjitha, lejimin vetëm të strukturave të biznesit privat, i cili do duhet të operojë në të gjitha këto raste duke siguruar një ruajtje të lirisë dhe të pavarësisë maksimale.

Edhe nëse unë kam të drejtë në ato që them, që trendi fondamental i opinionit drejt kolektivizmit ka kapërcyer pikun e tij dhe po zbret poshtë, akoma jemi të detyruar që, për një kohë relativisht të gjatë, të jetojmë me të. Trendi i legjislacionit vazhdon akoma të jetë në atë drejtim ku fatkeqësisht, kolektivizmi duket të jetë akoma i vështirë për t’u kapërcyer apo ndryshuar rrënjësisht drejt Laisse-Fair. Sigurisht, që kjo gjë do të vazhdojë të minojë e të pengojë thelbin e demokracisë politike. Për më tepër, ky trend, i cili mund të jetë prezent në çdo eveniment, duket të jetë akoma më i përshpejtuar si pasojë e Luftës së Ftohtë, pa futur këtu mundësitë për zhvillime të frikëshme të një konfrontimi në përmasa më të mëdha.

Nëqoftëse këto pengesa do të kapërcehen, Neo-Liberalizmi do të ofrojë të gjitha mundësitë për një të ardhme më të mirë, një shpresë më shumë që korenti aktual i opinionit në ndryshim do të mbështesë dhe do të inkurajojë një lulëzim të fuqishëm të mirëqenies, duke u shndërruar në rrymë dominante e opinionin publik.

*Friedman ishte një ekonomist i shquar Amerikan, themelues i asaj që njihet si Shkolla e Chicago-s, Universitet ku ai dha leksione për më shume se tri dekada. Fitoi çmimin Nobel në Shkencat Ekonomike dhe është renditur i dyti, për nga rëndësia dhe popullariteti ndërmjet ekonomistëve, pas John Maynard Keynes, të shekullit 20. Përktheu: Luan KOLA.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi