Kreditimi i biznesit të vogël dhe të mesëm vazhdon të jetë i ulët
Vrojtim i Bankës së Shqipërisë
Bankat kanë vijuar sjelljen e tyre konservatore edhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti, duke e reflektuar këtë në një kreditim të ulët të biznesit. Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë për ecurinë e aktivitetit kreditues në vend për tremujorin e dytë tregon për një ofertë të limituar për shkak të kushteve shtrënguese. Nga ana tjetër kemi dhe një kërkesë të ulët për shkak të situatës ekonomike në perceptimin që kanë bizneset. Por, ndërsa për këto të fundit kushtet kanë qenë të shtrënguara, për individët situata paraqitet ndryshe dhe më pozitive.
BIZNESET
Tremujori i dytë i këtij viti ka rezultuar me shtrëngim të kushteve të kreditimit si për biznesin e vogël, ashtu edhe për ndërmarrjet e mesme, kurse për korporatat kushtet kanë mbetur njëlloj. Arsyet kyçe që i kanë detyruar bankat të shtrëngojnë kreditimin lidhen direkt me situatën aktuale ekonomike, si dhe rritjen e huave me probleme. Kjo politikë shtrënguese, sipas Bankës së Shqipërisë, u aplikua nëpërmjet zgjerimit të marzhit për kreditë me rrezik, rritjes së kërkesës për kolateral në raport me madhësinë e huas, rritjes së komisioneve si dhe uljes së maturitetit maksimal të kredisë. Por duket se edhe biznesi nuk po troket më në derën e bankave për të kërkuar financim. Në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë reflektohet një kërkesë e ulët për kredi, madje kjo situatë paraqitet jashtë parashikimeve që kishin bankat një tremujor më parë. Gjithsesi, bizneset duket se kanë gjetur tjetër mënyrë financimi, duke evituar procedurat që kërkohen nga banka. Nga vrojtimi i BSH duket se bizneset i janë drejtuar borxhit “informal” për të plotësuar nevojat e tyre. “Faktorët që kanë ndikuar negativisht kërkesën gjatë tremujorit të dytë të vitit 2013 janë situata aktuale dhe e pritshme makroekonomike në vend, përdorimi i burimeve alternative të financimit si dhe nevoja për financimin e investimeve”, thuhet në vrojtim. Në tremujorin e tretë të vitit bankat presin një rënie tjetër të kërkesës për kredi.
INDIVIDËT
Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë tregon se bankat kanë lehtësuar kushtet e kreditimit për individët. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet u lehtësuan si për kreditë konsumatore, ashtu dhe për kreditë me qëllim financimin e banesës. Faktorët që kanë ndikuar pozitivisht në lehtësimin e kushteve është likuiditeti në sektorin bankar, por edhe konkurrenca, kurse gjendja e huave me probleme është parë si një faktor frenues. Kushtet lehtësuese të financimit për individët kryesisht u shprehën në uljen e komisioneve dhe marzhit mesatar për kreditë. Nga ana tjetër, edhe individët kanë shfaqur një rritje të kërkesës për kredi në tremujorin e dytë, duke ndryshuar situatën ku kërkesa ka qenë e ulët. Një rritje e kërkesës pritet edhe në tremujorin në vijim. MË SHUMË KREDI NË EURO Raporti i Bankës së Shqipërisë tregon se bankat presin në tremujorin e tretë një rritje të aktivitetit kreditues më të madhe për atë në valutë sesa për monedhën vendase. Të ndryshme janë pritshmëritë dhe për interesin, ku normat e interesit për kredinë në lekë pritet të rriten, ndërsa norma e interesit për kreditë në valutë pritet të vijojnë të bien.