Rrugëtim në debatet, politikat dhe strategjitë e zhvillimit ekonomik (II)

Nga Prof. Ardian Civici, botuar në Mapo Online, 13 korrik 2013

Në gjysmën e dytë të shek. XX e deri në ditët e sotme, nga vende të ndryshme, nën ndikimin e konteksteve të ndryshme gjeopolitike e strategjike, ideologjike apo tregtare, janë aplikuar një numër i madh strategjish e politikash zhvillimi të cilat kanë qenë të kushtëzuara nga preferencat ndaj tregtisë së lirë apo proteksionizmit, ndaj shtetit apo tregut, ndaj frymëzimeve liberale e atyre keynesianiste. Çdo vend apo grupe vendesh kanë tentuar t’u përgjigjen sfidave të zhvillimit dhe konjukturave ndërkombëtare me politika specifike zhvillimi. A kanë qenë ato në çdo rast të suksesshme? A i janë përgjigjur tendencave dhe teorive ekonomike të kohës? A shërbejnë si receta universale apo qoftë dhe si dështime spektakolare? Çfarë kanë bërë e sugjeruar institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore, OBT, UNDP etj., në raport me këto politika dhe rezultatet e tyre?

Strategjitë e industrializimit

Aplikimi i këtyre strategjive nga vendet e varfra dhe ato në zhvillim u bë dominues në vitet 1950-1980, duke u bërë kali i betejës dhe simboli i këtyre vendeve në procesin e dekolonializimit të tyre, në garantimin e pavarësisë ekonomiko-tregtare dhe “ecjen me këmbët e tyre drejt zhvillimit”. Shumë nga këto vende, në kontekstin e përgjithshëm keynesianist dhe hegjemonisë ideologjike socialiste të “bllokut lindor” me Bashkimin Sovjetik në krye që mbizotëronte në vitet 1945-1980, favorizuan rolin e Shtetit, voluntarizmin politik në ekonomi, dhe mbi të gjitha nocionin e “kapjes së kohës së humbur dhe vonesave në industrializim”. Nën ndikimin edhe të tezave të ekonomistit të njohur të zhvillimit Arthur Lewis, mjaft nga këto vende “privilegjuan industrinë dhe neglizhuan bujqësinë” duke patur si argumente kryesore se “industria krijon efekte zinxhir dhe ndihmon në zhvillimin e sektorëve të tjerë, sjell progresin teknik dhe specializimin e fuqisë punëtore, ndërkohë që bujqësia është një sektor arkaik, me potenciale të ulëta prodhuese dhe shumë i pasigurt në rezultatet e saj”.

            Pyetja themelore që u shtrua përpara vendimmarrësve politikë dhe ekspertëve të politikave të zhvillimit në këtë periudhë ishte: në cilat degë të industrisë duhej investuar dhe përse? Dy qëndrime apo teza u përplasën fort në lidhje me këtë dilemë. Teza e ekonomistëve Ragnar Nurske dhe Paul Rosenstein-Rodan, të cilët të mbështetur në “ligjin e Say-t” dhe teorinë neoklasike, privilegjonin domosdoshmërinë e “një rritje ekonomike të ekuilibruar”, d.m.th, shpërndarjen e barabartë të investimeve në të gjitha degët kryesore të industrisë në mënyrë që të sigurohet ekuilibri i duhur ndërmjet kërkesës dhe ofertës, si dhe të evitohen dizekuilibrat ekonomikë”. Përballë tyre qëndronin dy ekonomistë të tjerë me reputacion të lartë ndërkombëtar si Albert Hirschman dhe Francois Perroux të cilët “mburrnin rritjen ekonomike të dizekuilibruar duke sugjeruar përqendrimin e investimeve vetëm në sektorët motor apo lokomotivë të ekonomisë”. Kjo politikë tentonte të eliminonte “shpërdorimin e kapitaleve në ato degë të industrisë që nuk kishin ndikim të shpejtë dhe eficent mbi ekonominë” dhe njëkohësisht të privilegjonte degët e industrisë që “shkaktonin efekt domino në ekonomi, kryesisht industria e rëndë”. Në thelb, të dy këto propozime, ishin dakord dhe sugjeronin se “do të ishte Shteti aktori kryesor në implementimin  këtyre strategjive”, pavarësisht nëse privilegjohej njëra apo tjetra prej tyre.

            Zhvillim bazuar në tregun e brendshëm apo specializim “tregtar”?

            Grupi i dytë i dilemave dhe debateve u përqendrua në faktin nëse politikat e zhvillimit dhe ato industriale duhej të “bazoheshin në tregun e brendshëm dhe zhvillimin e pastër me profil kombëtar, apo në specializimin në emër të eksporteve dhe tregut ndërkombëtar?”. Dilemat buronin nga fakti se tashmë në botë ekzistonin mjaft shembuj negativë për efektet e politikave të mbështetura tek eksportet dhe specializimi i thelluar i ekonomisë së një vendi.

             Një grup vendesh me në krye Algjerinë, Indinë, Egjiptin, Tunizinë, dhe Shqipërinë (e cila nuk pranonte absolutisht versionin e investimeve me borxh të jashtëm duke e kamufluar këtë me “ndihmat dhe bashkëpunimin me vendet motra e mike socialiste)”, nën influencën e eksperiencës sovjetike, ndoqën rrugën e “ngritjes dhe ndërtimit të industrisë nëpërmjet politikave voluntariste shtetërore dhe planifikimit të centralizuar, duke eliminuar totalisht tregun dhe privilegjuar shtetin si “përcaktuesin e sektorëve strategjikë industrialë ku do investohet masivisht për zhvillimin. Kjo filozofi bazohej në prioritizimin e mëposhtëm: së pari financohej e zhvillohej industria e rëndë dhe prodhimi i makinerive e mjeteve të prodhimit, pastaj industria e lehtë dhe bujqësia, dhe në fund shërbimet dhe konsumi.

            Vendet që preferuan “versionin e dytë, atë të pjesëmarrjes aktive në tregtinë ndërkombëtare”, u mbështetën më shumë në parimet e teorisë neoklasike të avantazheve konkurruese, duke qenë relativisht më të suksesshme se vendet e grupit të parë që preferuan industrializimin e brendshëm. Strategjia e tyre bazohej në “disponibilitetin e bollshëm të burimeve natyrore (sidomos naftës, gazit, mineraleve, pyjeve,etj.). Të ardhurat financiare nga eksportimi masiv i tyre duhej t’iu krijonte këtyre vendeve mundësinë që të importonin masivisht teknologji dhe linja industriale prodhimi. Strategjitë industrializuese që bazoheshin tek “zëvendësimi i importeve me prodhimin vendas” u zbatuan gjerësisht në pothuajse gjithë vendet e Amerikës Latine, Azisë dhe Afrikës. Në thelb të tyre qëndronin “platforma e komisionit ekonomik për Amerikën Latine”, teoria e “proteksionizmit edukues” të ekonomistëve Raul Prebisch dhe Friedrich List, sipas së cilëve, proteksionizmi edukues duhet të kishte për objektiv mbrojtjen dhe forcimin për një periudhë afat-mesme të tregut të brendshëm, në mënyrë që në periudha afat-gjatë këto vende të hynin të konsoliduara në tregtinë ndërkombëtare, të ishin sa më të barabartë dhe të përfitonin njësoj si vendet e zhvilluara prej saj.

            Vende si Brazili, Kili, Meksika, Hong Kongu, Malajzia, Tailanda, Koreja e Jugut, Tajvani etj., privilegjuan konceptin e “zëvendësimit gradual të eksporteve të lëndëve të para e produkteve të thjeshta me eksporte të produkteve industriale” u përfshinë totalisht në këtë filozofi zhvillimi. Substanca e kësaj strategjie veçanërisht zhvillimin e tregjeve të brendshme, hartimin e politikave rishpërndarëse efektive të të ardhurave, realizimin e reformave agrare, politika tregtare proteksioniste, financime masive kryesisht me origjinë nga jashtë në formën e borxheve,etj.

            Shkaqet e një dështimi spektakolar

            Mbas 3 dekadash “entuziazmi”, rezultati ishte dëshpërues: pothuajse të gjitha këto politika dështuan. Megjithëse në fillimet e tyre u duk se këto strategji zhvillimi po jepnin rezultate pozitive dhe vende si Brazili, India, Meksika, Algjeria, Egjipti, po i realizonin objektivat e tyre duke i dhënë të drejtë të drejtë teoricienëve të zhvillimit (prodhimi industrial u diversifikua, aparatet prodhuese industriale u zgjeruan dhe modernizuan, prodhimi dhe konsumi për banor u shtua etj.), në fund të viteve 1970 bilanci i tyre rezultoi tejet negativ. Këto strategji zhvillimi, të cilësuara si “shpëtimtare” për këto vende nuk arritën të krijojnë një proces të qëndrueshëm rritje ekonomike dhe zhvillimi, nuk arritën të reduktonin varfërinë dhe eliminonin diferencat e mëdha sociale në këto vende, nuk mundën të zëvendësonin importet me prodhimin vendas dhe aq më pak të shtonin fuqinë eksportuese të këtyre vendeve.

            Shkaqet dhe mësimet e nxjerra nga ky dështim janë tashmë të evidentuara : dobësitë dhe moszhvillimi i tregut të brendshëm nuk krijoi kërkesën e duhur për produktet industriale; prodhimet e tyre “industriale” nuk kishin cilësinë e duhur për t’u shitur në tregjet ndërkombëtare dhe mbetën stoqe; bujqësia që shërbente si sektor bazë për të siguruar financimin e industrisë u degradua tërësisht; krizat e naftës në vitet 1970 dhe degradimi apo destabilizimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe politikat proteksioniste të vendeve të zhvilluara i destabilizuan financat e tyre; këto vende nuk mundën të sigurojnë investimet e duhura për të financuar importin e teknologjive të reja të domosdoshme për të ngritur industri moderne, por u varën shumë nga teknologjitë e vjetra sovjetike e kineze që i gjenin lirë ose i përfitonin si ndihma (rasti kombinatit metalurgjik të Elbasanit në Shqipëri ndërtuar në vitet 1960-‘70 është evident); këto vende u gjendën shumë të varura nga shumëkombëshet ndërkombëtare duke u shndërruar në “vende repartesh prodhimi e montimi”; shumë financime u përdorën pa efektivet e thjesht si shenjë e madhështisë duke ndërtuar objekte të panevojshme e mjaft të kushtueshme që u cilësuan si “katedralet e shkretëtirës”. Ekonomistët liberalë neoklasikë i përmblodhën në tre elemente të rëndësishme shkaqet e dështimit: shtet kudo-prezent që mbyti tregun; specializim industrial voluntarist dhe mjaft i vjetruar; politika zhvillimi tërësisht jashtë kontekstit të tregtisë dhe tendencave ndërkombëtare. Kriza aziatike e vitit 1997 ishte gongu final i fundit të këtyre strategjive zhvillimi.

            Rikthimi i frymës liberale: shpërthimi i krizës së borxheve

            Në vitet 1980 verifikohet një rikthim në teoritë “liberale e neoklasike” të zhvillimit, të kushtëzuara e uniformizuara nga institucionet ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore e OBT. Në fund të viteve 1970 dhe fillim të viteve 1980-të, u shfaq problemi i “borxhit të vendeve në zhvillim” i cili në këto vite ishte rritur mbi 12 herë. Si pasojë e presioneve për të financuar industritë, zhvillimin e infrastrukturave të mëdha dhe tregtinë e tyre këto vende kishin marrë masivisht borxhe tek tregjet financiare ndërkombëtare, tek shtete të ndryshme të zhvilluara, tek institucione ndërkombëtare si FMN e Banka Botërore etj. Fenomeni i mbështetjes tek borxhet u favorizua shumë edhe nga situata ndërkombëtare, veçanërisht e dollarit amerikan i cili në këtë periudhë ishte “mjaft i bollshëm, i aksesueshëm lehtësisht dhe me norma interesi mjaft të ulëta”. Por, në vitin 1979, si pasojë e një vendimi të Reserve Federale amerikane (Fed, ose banka qendrore amerikane) e cila ndërhyri me një “goditje monetariste” për të luftuar inflacionin, duke ngritur përqindjet bazë të interesit për dollarin. Ky vendim bëri që të shtrenjtoheshin menjëherë të gjitha borxhet e mëparshme të kontraktuara në dollarë, aq më tepër që edhe çmimet e lëndëve të para dhe eksporteve kryesore të vendeve në zhvillim u ulën ndjeshëm si pasojë e krizave së naftës dhe tronditjes së tregjeve të lëndëve të para. Meksika në 1982, dhe pastaj Brazili dhe Argjentina u bënë viktimat e para të “krizës së borxheve”. E gjithë dekada 1980-1990 u konsiderua si “humbja më e madhe e politikave dhe strategjive të zhvillimit të ndjekura deri në këtë moment nga vendet në zhvillim dhe ato të varfra”.

            Zgjidhja e vetme e pranuar për të dalë nga kjo situatë bllokimi u gjet “politika e axhustimit strukturor” e FMN dhe Bankës Botërore dhe “kushtëzimet e forta” që ajo përmbante për vendet në krizë. Fjala çelës u bë “stabilizimi” që nënkuptonte aplikimin e politikave e masave konjukturore e strukturore që këto vende duhet të zbatonin për të patur mundësi që të paguanin borxhet dhe financonin në vazhdim zhvillimin e tyre. Tani e tutje, vetëm modeli liberal pranohej si rruga e vetme e zhvillimit. Në vitet 1980-të, politikat e “Axhustimit strukturor” i rikthyen institucionet ndërkombëtare në objektivin e tyre primar “garantimi i stabilitetit financiar ndërkombëtar” dhe aplikimin e metodave strukturore për të modifikuar strukturat e zhvillimit ekonomik të vendeve të varfra e atyre në zhvillim në mënyrë që të dalin nga mos-zhvillimi”, parashikuar që në statutin e tyre të vitit 1944. Teoritë dominuese mbi zhvillimin u mbështetën në dy hipoteza bazë : mos-zhvillimi dhe politikat industriale dështuan si pasojë e prezencës shumë të lartë të shtetit në ekonomi në dëm të tregut; dhe, hapja dhe përfshirja e pakët në tregtinë ndërkombëtare.

            Plani i institucioneve ndërkombëtare që synonte eliminimin e kësaj gjendjeje dhe adoptimin e masave strukturore që do favorizonin zhvillimin u sintetizua në “Konsensusin e Washingtonit”, shprehje e formuluar për herë të parë nga ekonomisti amerikan, James Willianson, për të përkufizuar në tërësinë e tyre masat strukturore të kushtëzuara nga FMN dhe Banka Botërore përpara se të ofronin borxhe e financime të reja për vendet në zhvillim dhe ato të varfra. Kushtet e tyre përmblidhen në tri elemente thelbësore: liberalizim-privatizim-derregullim. Kushtet u përmblodhën në 10 masa të domosdoshme për t’u zbatuar nga vendet në nevojë: deficite buxhetore të ulëta nën 2%/PBB; shpenzime publike të orientuara kryesisht drejt sektorëve si arsim, shëndetësi, infrastrukturë; lehtësim i ngarkesës fiskale; përqindje interesi që përcaktohen vetëm nga tregu; regjim fleksibël për kursin e këmbimit; eliminim i masave proteksioniste në ekonomi e tregti; hapje sa më e madhe ndaj investimeve të huaja direkte; privatizime masive; derregullim të tregjeve; krijimi garancive dhe mbrojtja e të drejtave të pronësisë. Të gjithë këto masa synonin arritjen e tre objektivave madhorë: hapjen e këtyre vendeve ndaj tregtisë ndërkombëtare (promovimin e eksporteve); krijimin e bankave qendrore të pavarura dhe krijimin e fushës së veprimit për politikën monetariste dhe luftimin e inflacionit; zëvendësimin e ndërhyrjes publike dhe planifikimit me tregun e lirë që përcaktonte çmimet dhe alokimin e burimeve. Duke filluar që nga viti 1992, mbas kontakteve të para dhe vendosjes së marrëdhënieve me FMN, edhe Shqipëria u fut tërësisht në këtë sistem duke u cilësuar edhe si “nxënësi i mirë i FMN-së”. Të gjitha politikat kryesore ekonomike e financiare të Shqipërisë të viteve 1992-2008, u përcaktuan nga marrëveshjet me FMN dhe Bankën Botërore nën frymën e konsensusit të Washingtonit

            Politikat e axhustimit strukturor, teoritë e ekonomistit liberal monetarist Milton Friedman si dhe platforma e “Chicago boys” dominuan tërësisht strategjitë e zhvillimit në vitet 1980-2000. Mbi 100 vende të botës, nën drejtimin apo diktatin e FMN dhe Bankës Botërore iu nënshtruan tërësisht atyre. Mbas vitit 1995, me krijimin e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) si pasardhëse e GATT, u shtua dhe një postulat tjetër : zhvillimi kalon vetëm nga hapja totale ose liberalizimi i plotë i tregjeve ndaj tregtisë botërore. Sipas teorisë neoklasike, kjo hapje e plotë do të kthehej shpejt në një faktor specializimi, produktiviteti dhe transferimi teknologjish e teknikash moderne prodhimi për vendet që aplikonin pa rezerva platformën e OBT.

            Pikëpyetjet e modelit të axhustimit strukturor

            Megjithë rezultatet mjaft të mira të arritura nga shumë vende që zbatuan programet e axhustimit strukturor, në fund të viteve 1990 u shfaqën dhe mjaft probleme të tilla si: hiperinflacioni në vende të Amerikës Latine, i cili ndëshkonte veçanërisht shtresat e varfra dhe vulnerabël të shoqërisë; rritja ekonomike nuk arriti shifrat e shpresuara; prishja e sektorit publik dhe ulja drastike e shpenzimeve publike degradoi sektorë si arsimi apo shëndetësia; borxhet u shtuan dhe buxhetet e mjaft vende u vunë nën presion për të reduktuar shpenzimet publike e larë borxhet; zhvillimi i ekonomisë informale dhe korrupsionit; lindja e mafies ekonomike që “bleu” shtetin dhe politikën etj. Vetëm një grup relativisht i vogël vendesh që konsideroheshin relativisht të zhvilluara apo si “ekonomi emergjente” arritën të kishin përfitime maksimale nga paketat e axhustimit strukturor. Kritikat ndaj “ndërhyrjes së institucioneve financiare në politikat dhe strategjitë e zhvillimit” arritën kulmin e tyre në fundin e viteve 1990 dhe fillimin e viteve 2000 si pasojë e disa krizave kryesisht financiare që ndodhën në vende si : Meksika në 1995, vendet aziatike në 1997, Shqipëria 1997, Rusia në 1998, Brazili në 1999, Argjentina në 2002. U duk sikur FMN u dorëzua përballë qëllimit kryesor të ekzistencës së saj që ishte “garantimi i stabilitetit financiar ndërkombëtar”. Ekonomisti amerikan Joseph Stiglitz, çmimi Nobel në ekonomi për vitin 2001, u bë figura simbol e kritikave ndaj programeve të axhustimit strukturor dhe institucioneve ndërkombëtare si FMN e Banka Botërore. Megjithëse deri në vitin 2000 Stiglitz kishte qenë zv/President i Bankës Botërore dhe kryeekonomisti i saj, ai i adresoi kritikat e tij ndaj “kuptimit liberal të absolutizuar që këto institucione kishin për zhvillimin”, ndaj “fanatizmit të tregut” që ato predikonin, ndaj “shock terapy” që ato e servirnin dhe impononin si “zgjidhja magjike” për të gjitha vendet pa dallim.

             


 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi