Sfidat qeverisëse të arsimit
Nga Behar Gjoka, botuar në Panorama Online, 12 korrik 2013
Parimi i njohur, se siç është shkolla sot, nesër do të jetë Shqipëria, na bën që të hedhim një vështrim, sado shpejtazi, mbi udhëkryqin në të cilin gjendet shkolla shqiptare. Themi udhëkryq, sepse vetë procesi i reformave të nisura në lëmin e arsimit, qysh nga vitet ’90 të shekullit të kaluar, të shoqëruara me kaq ulje-ngritje dhe i shtrirë në disa vite dhe mënyra qeverisëse, tashmë duket se ka ngecur në vend.
Kjo ndjesi mbi gjendjen e shkollës lidhet me kuptimin e mbylljes brenda një rrethi vicioz, që gati-gati i ka shkëputur marrëdhëniet më realitetin konkret, pra të rolit të madh dhe thelbësor që ka ajo: plotësimi i nevojave të shoqërisë dhe zhvillimi i vendit. Shpeshherë, shkolla në periudhën e tranzicionit, me tepër se një vend dije, është kthyer në një mjedis ku mundet të dëfrehesh, të bësh politikë, të bësh gjithçka, por ndërkaq vihet re se mësimi ka kaluar në dorën e fundit. Gjendja e heqjes dorë nga dija, sa tanimë është kthyer në një gangrenë, duhet të marrë fund. Aty ku shpallen borde, këshilla drejtues, senate të pafundme, por ende asgjë nuk ndryshon, sepse pothuajse asgjë nuk funksionon, gjithnjë sipas parametrave të reformës dhe ligjshmërisë, sepse edhe në shekullin e ri vijon pritshmëria e urdhrit nga lart. Duke ndjekur, pra, këta “pishtarë ndriçues”, hiqet dorë nga zbatimi ligjor në procesin e marrëdhënies. Anarkia e krijuar nga kjo gjendje (fjala më e butë e mundshme) ka të bëjë me mënyrën se si gjallon shkolla shqiptare, pikërisht në këtë moment, njëkohësisht është treguesi më i qartë i situatës ku lëngon shkolla shqiptare. Aq më tepër që zgjedhjet e fundit parlamentare të 23 qershorit sollën në qeveri aleancën e majtë, e bën gati të pashmangshme shtrimin e pyetjes se si do të jetë shkolla shqiptare nesër? Pra, si do të jetë shkolla shqiptare, pa mëdyshje e të gjitha cikleve dhe niveleve të shkollimit, në shekullin e ri? Do vijojë të ecet në binarët e shtruar, shpesh me një shpejtësi rrufeje dhe pastaj të lëna në mes nëpër këto vite? Apo do të lëvizet me një ritëm tjetër, paksa më të përshpejtuar? Ndoshta në rrugë të tjera? Udhë të reja si konceptim dhe strukturim, si proces mësimdhënës dhe mësimnxënës, por shpresoj gjithsesi jo në rrugë të pashkelura, të përmbysjeve të mëdha.
Zgjedhjet parlamentare sapo e kanë ulur siparin e vet. Sloganet dhe premtimet e kryen misionin e tyre dhe tanimë fillon momenti thelbësor i hartimit të programeve qeverisëse në të gjitha aspektet, ekonomike, sociale, kulturore, pra edhe në lëmin e arsimit, sepse viti i ri shkollor po troket, natyrisht, për ata që kanë veshë. E them qysh në krye, madje me vetëdije, se në këtë kohë, pra në harkun e tejzgjatur të tranzicionit edhe të arsimit, janë kryer disa reforma, janë sipërmarrë akte dhe hapa të rrokshëm në lëmin e procesit reformues dhe modernizues të shkollës shqiptare, e tanimë ka mbërritur momenti i verifikimit të tyre, pra edhe i konsolidimit të shkollës shqiptare, në shtegtimin e vet me hapin e modernitetit.
Vështruar në distancë kohore, procesi reformues i arsimimit dhe shkollës shqiptare duket se në këtë akt këmbëngul më shumë në formën e paraqitjes, në fasadën sipërfaqësore, se sa në mishërimin e tipareve bashkëkohore, të përvojës botërore, të arsimit shqiptar, si dhe të përfshirjes organike dhe përfundimtare në praktikën botërore të shkollimit. Shkurt, nuk duhet të mbetemi në procesin mësimor, me përzierje mekanike përvojash, madje pa e zhvilluar asnjërën plotësisht, në atë tip shkolle, fiktive të ngjitjes së mballomave, të modeleve të ndryshme. Dihet se në këto vite, shkolla shqiptare e ka braktisur modelin e shkollës së Lindjes, që funksiononte duke u bazuar në teori dhe teorizime pa fund, por ende edhe pse kemi hyrë në dhjetëvjeçarin e tretë të sistemit demokratik, sërish ajo është në kërkim të një modeli tjetër, drejt Perëndimit, por prirjet e kësaj shkolle, në ecje e sipër vetëm sa modifikohen në tipologjinë e anarkisë shqiptare, të ecjes në rrugë paralele, pra të mosbraktisjes së plotë të përvojës së Lindjes, si mentalitet shkollues, si dhe të mospërqafimit të plotë dhe organik të asaj të Perëndimit.
Në këtë moment shtrohet çështja: a do të ruhen piketat e këtyre reformave, apo do të ecet në modelin tjetër, pra të fitimtarëve të zgjedhjeve të fundit parlamentare, çka në fakt është dytësore, sepse dihet se modelet e ndryshme qeverisëse nuk janë për të shkërmoqur gjithçka e për të mbërritur te viti zero, por për të vënë re situatën reale, lëngimin e procesit mësimor dhe të grahmave që lëshon shkolla, si dhe për të projektuar lartsynimet që ka shkolla në këto momente kur hapja me botën është e prekshme, kur hapat e zhvillimit kërkojnë njerëz të ditur në të gjithë profesionet. Nëse deri tani reformat e marra përsipër për ndryshimin e modelit të arsimit, përgjithësisht kanë qenë një proces i mbyllur, vetëm brenda institucioneve, gati – gati të atrofizuara, pra fatet e shkollës janë marrë përsipër të vendosen nga fituesit e radhës, vetëm e vetëm sipas programeve qeverisëse, duke lënë kështu shpeshherë në hije fatin e shkollës dhe sidomos të nevojave që ka vendi për njerëz me dije funksionale dhe të thelluara. Në fakt, problemi i shkollës shqiptare, pa më të voglin dyshim, në të gjitha nivelet, nuk është as problem i ri dhe as i panjohur, as vetëm i politikës dhe partive fituese. Më së shumti është problem i vetë shoqërisë shqiptare, i opinionit publik, i palëve të interesuara, i armatës së madhe të nxënëseve dhe studentëve, i të gjithë prindërve, që pa mëdyshje janë investitorët kryesorë të shkollës, të specialistëve të shkollës dhe arsimit, të cilët në shumicën e kësaj kohe janë lënë në hije, pra në një shpërfillje të plotë, sidomos në hartimin e politikave arsimore, si dhe të praktikave mësimore.
Prandaj, edhe për shkollën shqiptare ka vlerë që të hapet një debat real për sfidat e arsimit, të cilat është rasti të dihen dhe të sipërmerren veprime dhe akte për të shënuar ndryshimin e pritur, që do të mundësonte thellimin e reformave arsimore në brendësi, e jo të vijohej të mbetej në formë dhe në sipërfaqe, si deri tani, e mbi të gjitha të mos hapen gremina të tjera të panevojshme në marrëdhënie më shkollën.
Shkolla shqiptare, e niveleve parashkollore, parauniversitare, universitare dhe pasuniversitare, gjendet përpara sfidash të jashtëzakonshme, të cilat së pari duhet të njihen dhe të vlerësohen në nivelin real, dhe më në fund të merren përsipër programime: afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, për të ndalur rënien e saj në humnerën e mediokritetit, të kthimit të saj në një qendër të mosdijes, të shitblerjes së provimeve, diplomave dhe sidomos të titujve të habitshëm, Dr. dhe Prof. që po çudisim botën me progresionin gjeometrik të shtimit të tyre, si numër dhe tipologji titujsh, që aspak nuk kanë të bëjnë me kërkimin shkencor.
Në morinë e sfidave që do të duhet të merren seriozisht, dhe së paku të marrin udhën e zhvillimit në kontekstin bashkëkohor, do të veçoja:
-Sfida e zhdukjes së rihapjes së plagës së analfabetizmit, që ka ardhur për shkak të pranisë së gjakmarrjes, si dhe të mbylljes së jo pak shkollave në të gjithë territorin e vendit, për shkak të numrit të ulët të nxënësve, por edhe të tipit të analfabetizmit funksional, pra që e kanë diplomën të siguruar në rrugë të dyta dhe të paligjshme, por nuk kanë dijet e mjaftueshme profesionale.
– Sfida e alterteksteve, sidomos në lëndët shoqërore, histori, njohuri dhe letërsi, ku parësore është hartimi i një projekt-ideje me kriteret e hartimit të një teksti model, e jo të vijohet me praktikën që ata që bëjnë kurrikulën (programin) të jenë edhe hartuesit e teksteve, por ashtu edhe të shmangen përplasjet e praktikave të ndryshme didaktike (rasti i lëndës Gjuhë-letërsi, që nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, sugjerohet të zhvillohet i bashkuar, dhe në shkollën e mesme të ndara Gjuha nga Letërsia) dhe pastaj të thellohet procesi i domosdoshëm dhe tepër i vështirë i teksteve alternative, që në fakt përbëjnë thelbin e ekzistencës së shkollës sot në botë, por që në hapësirën tonë kanë hyrë me vonesë dhe, më tepër, si një praktikë që me të mundet të merret kushdo, mjafton të jetë shpallur fitues nga MASH-i.
– Sfida e arsimit profesional, një dëshmi e ndryshimeve të domosdoshme të shkollës shqiptare, ku fillimi i disa elementeve, sidomos në dy vitet e fundit, le të shërbejë si një shtysë për ta përfshirë atë si një element të rëndësishëm të shkollimit, e po kaq për ta shtrirë atë në të gjithë vendin, si dhe për të përfshirë të gjitha hallkat e mbetura bosh në lidhje me profesionet jetike, pa të cilat jeta bëhet edhe më e vështirë, pa të cilat zhvillimi ekonomik dhe social është në zgripin e vetë ekzistencial.
– Sfida e arsimit publik dhe privat, të cilët në princip ecin në binarë të përbashkët, por në praktikën e vet, në shkollën shqiptare, kanë ngjarë edhe çudi, ku me taksat e qytetarëve mbështeten edhe nisma private, pra duke lënë në një masë të konsiderueshme pas dore shkollimin publik.
Arsimi privat dhe publik, pa asnjë dyshim që janë pasuri e shkollës shqiptare, por veprimtaria tyre administrative, ligjore, organizative, është specifike dhe duhet të mbetet e tillë, pra pa spostuar publiken në emër të privates apo anasjelltas. Ma do mendja që “thembra e Akilit” për çdo nivel shkolle, qoftë publik apo privat, është masa e akreditimit real dhe funksional të secilit nivel shkollues, në mënyrë që të frenohet mania e hapjes së universiteteve dhe shkollave të tipit kioskë, që do të duhen shpenzuar energji të panevojshme për t’i shembur.
– Sfida më e madhe e shkollës shqiptare, madje e dëshmuar si një gangrenë e shkollës shqiptare, është praktika e lirë, e hapur dhe pa asnjë kriter normal dhe funksional, e shkollimit pasuniversitar, ku lëshimi i titujve “Master” dhe “Doktor” është bërë si një flamë që po e mbyt shkollën (në QSA mundet të fitosh gradën e Doktorit për Histori, edhe pse mund të jesh shkolluar për zooteknik apo veteriner), sepse pajisja me këto atribute, kryesisht ngjet në rrugë të pashkelura, allashqiptarçe, pra ku përfshihen gjithë të diplomuarit dhe shikimi i tyre si një kushtëzim për një vend pune, e ka kthyer në një lëngatë që do mbërrijmë sa edhe për vendin e rojës dhe të pastrueses të kërkohet titull, çka do të ishte vdekje e arsyes së ekzistencës së qenies njerëzore. Nuk ka vlerë dhe kuptim që dhënia e titujve të zgjerohet dhe masivizohet deri në nivelin sa të gjithë shqiptarët të pajisen me tituj fiktivë, sa formalisht ta kalojmë edhe Europën, por të vihen kritere shkencore, për të ndezur dritën jeshile për nevojat jetike të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare, si dhe për ato raste ku është dëshmuar marrja me kërkimin shkencor, e jo të ngjasë si me shkollën shqiptare që merren titujt dhe mandej ia mësynë rrugëve të kërkimit shkencor.
Këto sfida dhe të tjera janë më tepër një shans për të kuptuar gjendjen se ku noton shkolla shqiptare, si dhe për të nxituar hapat për ta kthyer atë në normalitet dhe në hapat e zhvillimit modern.