Na dhanë Dushkun, nuk dhanë standartet

Nga Viktor Gumi, botuar në Panorama Online, 8 korrik 2013

Metafora më e përhapur për Kushtetutën është ajo e Uliksit, i cili e urdhëroi më parë ekuipazhin ta lidhnin pas direkut të anijes për të mos u joshur nga kënga e sirenave. Në të njëjtën mënyrë, shoqëria, duke miratuar kushtetutën, “lidh veten te direku”, me qëllim të mos joshet apo shpërfytyrohet nga lojërat dhe pasionet afatshkurtra politike.
Sot, një nga fushat me rritje domethënëse të vëmendjes publike, është studimi i konstitucionalizmit të partive politike, veçanërisht në demokracitë e reja. Njohja kushtetuese e partive politike kërkon tri forma kryesore: i) përkufizimin e demokracisë në termat e partive politike; ii) përkufizimin e institucioneve themelore politike në termat e partive politike; iii) përshkrimin ose ndalimin kushtetues të aktiviteteve të partive politike apo karakteristikave të organizimit të tyre.
Kushtetuta e Shqipërisë konfirmon statusin e një institucioni kushtetues për partitë politike dhe u njeh atyre të gjithë instrumentet e nevojshme në formimin e vullnetit politik. Sistemi kushtetues u jep partive politike detyrën të ndërmjetësojnë ndërmjet qeverisjes dhe shoqërisë. Pjesëmarrja në zgjedhje është fusha më genuine e aktivitetit të partive politike. Gjithsesi, roli i tyre shkon përtej zgjedhjeve. Ato ngarkohen të qenësojnë një proces komunikimi me shtetasit dhe të sigurojnë që të gjitha kanalet e komunikimit adekuat ndërmjet popullit dhe organeve kushtetuese ekzistojnë. Partitë politike janë rregullatore të praktikave demokratike dhe shërbejnë si mekanizma për kompromis dhe përfaqësim.
E drejta kushtuese për të formuar apo marrë pjesë në parti politike, e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, janë koncepte të pakuptimta në rast se i gjithë procesi elektoral është manipuluar nga momentet fillestare të tilla: si oferta e manipuluar politikisht e listave partiake apo të koalicioneve për verdiktin popullor. Esenca thelbësore e kushtetutave është parandalimi i njëhershëm i dy skajeve ekstreme – tiranisë dhe i anarkisë. Natyrisht, këtu fjala anarki duhet të shihet në konceptin e saj modern, të lojës politike që të shkel frymën dhe shkronjën e kushtetutës.
Etiketat politike të qëndrueshme mundësojnë votuesin e thjeshtë të bëjë identifikimin më optimal të kandidatit në zgjedhje dhe për pasojë të japë votën e tij. Huazimi i lojtarëve politikë në listat e një partie tjetër dhunon paktin elektoral të partisë me popullin dhe efektivisht e bën etiketën politike partiake në zgjedhje plotësisht pa kuptim.
Historia elektorale e Shqipërisë, në dhjetëvjeçarin e fundit lidhet shumë me të ashtuquajturin “fenomeni i Dushkut”. Aq i famshëm është bërë ai, sa leksionet e së drejtës elektorale i dedikojnë këtij fenomeni kapituj të veçantë dhe ekspertët zgjedhorë votimin taktik të përmasave shqiptare e vendosin në formulat përkatëse të vendeve të tyre duke ilustruar absurditetin e këtij fenomeni.
Dukej se ky fenomen ishte mision i përfunduar me ndryshimet kushtetues të prillit 2008 dhe më pas me miratimin e rregullave të reja zgjedhore. Fatkeqësisht, Dushku është ende i mundshëm dhe, për pasojë, ende mision i papërfunduar. Kësaj here në garën zgjedhore të 23 qershorit 2013, fenomeni u transformua në formën e vet më perfeksioniste. Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim vendosi në listat e partisë kryesore në pushtet kryetarët e partive aleate, ndërsa Aleanca për Shqipërinë Europiane në listat e partisë kryesore opozitare vendosi eksponentë të partive të tjera. Çuditërisht dhe paralelisht me listat e partive kryesore ishin në garën zgjedhore edhe partitë politike të kandidatëve që ishin huazuar në listat kryesore.
Pjesëmarrja e kryetarëve/anëtarëve të partive të tjera politike në listat e dy partive të mëdha, kur njëkohësisht partitë respektive që drejtojnë garojnë në zgjedhje, ngre shqetësime thelbësore normative për aspektin e përfaqësimit demokratik dhe me shumë gjasa kanë impakt të dëmshëm në rezultatin që prodhojnë zgjedhjet, si p.sh. stabilitetin e qeverisjes.
Fenomeni i Dushkut u kritikua rreptë se deformonte skajshëm vullnetin e zgjedhësve, se mundësonte përfaqësim artificial në Parlament dhe realisht nuk përfaqësonte peshën elektorale të partive që ishin pjesë e Parlamentit. Statistikat më konservatore konfirmuan se si pasojë e Dushkut shtrembërimi i vullnetit politik të zgjedhësve ishte 30% e rezultatit të zgjedhjeve.
Edhe më 23 qershor 2013 gara elektorale kishte këto parametra dhe ofronte të njëjtën tablo. Drejtues dhe anëtarë të partive të tjera politike u vendosën në pozicione të sigurta në listat zgjedhore të dy partive kryesore, kur njëkohësisht partitë e tyre politike merrnin pjesë në zgjedhje. Vota politike e hedhur për PD dhe PS u shndërrua në mandate jo të dy partive të mëdha politike, por në mandate përfaqësuese të partive të tjera politike. Huazimi në këtë mënyrë prodhoi një përfaqësim artificial sepse deputeti nuk u zgjodh mbi peshën e votës politike të partisë politike ku militon, por mbi taktikën politike në kurriz të drejtësisë së zgjedhjeve. Pesha politike e partive politike ka vetëm një matës, numrin e votave të marra në zgjedhje. Ky rezultat votimi i partisë politike sipas drejtësisë së zgjedhjeve duhet të prodhojë/mosprodhojë mandat përfaqësimi. Pesha elektorale e partisë politike, për pasojë edhe fuqia e përfaqësimit, duhet të jetë aq sa është edhe numri i votave të marra në zgjedhje. Në rast se këtij raporti vota – përfaqësim u shtohen edhe mandate të tjera deputeti si pasojë e veshjes së “kostumeve të tjera politike”, rezultati i zgjedhjeve nuk  mund të jetë gjë tjetër veçse i komprometuar rëndë nga sindroma e fenomenit të Dushkut. Anëtarët e partive të tjera politike, duke u strehuar në listat e PD dhe PS, morën vota që nuk kishin mundësi t’i merrnin me siglën e tyre politike. Thjesht votuesi i forcës politike të PD dhe PS që kërkon përfaqësim në Kuvend nga deputetë të listës së PD dhe PS, përfaqësohet në Kuvend nga deputetë të partive të tjera politike.
Zgjedhjet e drejta kanë si kusht sin equa non përfaqësimin e drejtë: në rast se përfaqësimi nuk është i drejtë, as zgjedhjet nuk janë të drejta. Suksesi apo dështimi elektoral i një partie nuk e mund dot drejtësinë e zgjedhjes.
Përfshirja në listat e PD-së dhe PS-së, respektivisht të kryetarëve dhe anëtarëve të partive aleate, mund dhe duhet të shihet nga këndvështrime të shumëfishta. Unë mendoj se analiza e parë, si në çdo lëndë tjetër, duhet të jetë ajo e kushtetutshmërisë dhe përputhshmërisë me standardet ndërkombëtare. Suksesi dhe dështimi elektoral në zgjedhje nuk mbetet jetim. Jetim me këto zgjedhje mbeti votuesi. Atij iu mohua e drejta për të zgjedhur, sepse sistemi politik, në mënyrë hileqare, i përktheu votën në peshë parlamentare të pamerituar. Edhe kësaj here kushtetutshmërisht dështuam, sepse penalizuam të drejtën e votës me lojë politike jo të drejtë.
Politika e kushtetutës nuk u bë dot kushtetutë e  politikës.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi