Rreth zbatimit të parimit “një anëtar, një votë”

Nga Aleksander Meksi, botuar 6 korrik 2013

Në vendet me demokraci të konsoliduar dhe të suksesshme  pjesëmarrja e anëtarësisë së partive në hartimin e politikave dhe në vendimmarrje, së bashku me transparencën, janë  domosdoshmëri. Ajo bazohet në demokracinë e brendshme, nëpërmjet institucionalizimit të  mendimit ndryshe, i cili sigurohet  përmes votës së të gjithë anëtarëve të saj, duke respektuar dhe zbatuar në zgjedhjen e drejtuesve të strukturave të të gjitha niveleve, parimin më demokratik “një anëtar, një votë” duke filluar  nga niveli bazë i partisë dhe deri tek niveli  më i lartë, që është Kryetari i Partisë. Vota e përfaqësuar u njihet vetëm përfaqësuesve me  mandat prej anëtarësisë së partisë, dhe kjo e sanksionuar në rregulloret e brendshme të funksionimit të partisë për raste të caktuara.

Rregullat e funksionimit të demokracisë në parti përcaktohen mbi bazën e statuteve të tyre, me rregullore të brendshme apo akte të nxjerra nga organet qendrore të saj sipas parashikimeve të statuteve. Mënyra e zbatimit të parimit “një anëtar, një votë” duhet  të përcaktohet në rregulloret e brendshme të partive. Sido që të jetë, mendoj se në  rrethanat e sotme të mospërkrahjes (më saktë mostolerimit) të mendimit ndryshe, do të duhet që të mos ketë kushte për paraqitjen e kandidaturave, si në vendet me demokraci të konsoliduar, por çdo anëtar i partisë ka të drejtën të propozojë dhe të propozohet (përfshirë edhe vetë-propozimin) për të gjitha organet legjislative e ekzekutive që përfaqësojnë Partitë, sipas kushteve që parashikohen në  Statutet. Kuptohet që kur këto procedura të funksionojnë mund të vihen kërkesa për paraqitjen e kandidaturave si mbështetja nga një numër i caktuar anëtarësh.

Partitë politike shqiptare sipas traditave dhe specifikave të tyre mund të kenë forma të veçanta të organizimit. Sidoqoftë ato kanë njësi bazë (seksione, organizata bazë e tjera) të cilat, si rregull, drejtohen nga një kryesi, Ata zgjidhen  nga mbledhja e anëtarëve të njësisë, me shumicën e votës së anëtarëve  të pranishëm për një mandat kohor paq kohë sa përcaktojnë Statutet e tyre dhe pavarësisht nga përbërja e tyre (zakonisht: kryetar, nënkryetar dhe sekretar), që është në vartësi të numrit dhe  rëndësisë së  njësisë bazë, me votë të fshehtë duke respektuar parimin bazë të sipërpërmendur“një anëtar, një votë”. Eventualisht mund të ketë dhe balotazh. Në dobi të demokracisë së brendshme të vetë partive  duhet të ketë një kufizim kohor të mandateve, zakonisht jo më shumë se dy.

Partitë, nga ky nivel bazë i organizimit deri në organet qendrore që drejtojnë ndërmjet dy Kongreseve apo Kuvendeve, kanë struktura vendore  që krijohen sipas madhësisë së Partisë, shtrirjes së saj, por, sidomos kohët e fundit, edhe duke ju përshtatur  Kodit Zgjedhor. Ato janë me një shkallë apo dhe  disa shkallësh apo nivele organizimi: sipas  komunave, grup komunash, bashki apo minibashki, rrethet e dikurshme e deri sipas Qarqeve. Të gjitha ato në aspektin e anëtarësisë i nënrendohen njëra tjetrës: nga më e vogla tek më e larta sipas shkallës së hierarkisë të organizimit vendor të shtetit.

Cilatdo qofshin këto struktura, si emërtime dhe si numër shkallësh apo nivelesh, përbërja dhe organizimi i tyre duhet të jetë demokratik, pra, në përputhje me parimin bazë të përmendur më sipër, duke përfshirë në strukturat drejtuese ( me përjashtim të njësisë bazë) ata që zgjidhen me votë nga gjithë anëtarësia e tyre, si  dhe ata që futen në to për nga kontributi domethënë postet që kanë apo kanë pasur në Parti apo në qeverisje (vendore ose qendrore). Norma të tilla zbatohen në shumicën e partive të vendeve demokratike dhe, që sipas nesh, duhet detyrimisht të zbatohen në ato vende që kanë dalë nga sistemi komunist, pra që kanë prirje për autoritarizëm dhe drejtim personal të partive dhe të shtetit, dhe Shqipëria po tregon se është një vend i tillë. Por, në cilindo rast numri i të zgjedhurve duhet të jetë më i madh se ai i atyre me të drejtë (ex officio). Statutet duhet të përcaktojnë gjithashtu numrin minimal të të zgjedhurve me votën e anëtarësisë si dhe ata në çdo nivel të strukturave bëjnë pjesë automatikisht në to.

Votimet sipas parimit një  anëtarë një votë për anëtarët e Kryesive të strukturave lokale, për delegatët  dhe për Organin Qëndror të Partisë zhvillohen me sistemin e votës preferenciale ose të votës me radhitje pikëzuese, sistem që përcaktohet në rregulloren e brendëshme të funksionimit të partisë. Kurse votimet për të zgjedhur një person ndërmjet disa kandidatëve kryhen duke dhënë vetëm një votë. Quhet fitues ai që merr më shumë se gjysma e votave të vlefshme. Në rast se kjo nuk arrihet bëhet balotazh ndërmjet dy kandidatëe që kanë fituar numrin më të madh të votave..

Kryerja e votimeve të drejtpërdrejta dhe  me votë të fshehtë nga të gjithë anëtarët e strukturës, për të përcaktuar drejtuesit e saj dhe sipas rastit dhe përfaqësuesit, siguron pjesëmarrjen reale të anëtarësisë në vendimmarrje, lejon dhe mundëson institucionalizimin e  mendimit ndryshe, mënjanon pakënaqësitë dhe përçarjet, dukuri të shpeshta në partitë shqiptare ku uzurpimi i pushtetit është dukuri normale. Po kështu, qenia në organet drejtuese e anëtarëve me të drejtë , të fituar për shkak të detyrës, e sidomos e Kryetarëve të mëparshëm të asaj strukture shmang pakënaqësitë, që shpesh kanë sjellë përçarje, si dhe i siguron Partisë ruajtjen e profilit politik dhe kontributet e individëve.  Në këtë rast bëhet më pranueshme dhe norma demokratike e kufizimit në kohë të mandateve ( apo e numrit të mandateve). Është e kuptueshme që numri i atyre që zgjidhen me votën anëtarëve  duhet që në çdo rast të jetë më i madh se ata që bëjnë pjesë  me të drejtë.

Kohët e fundit në politikën shqiptare ka zënë vend mendimi dhe norma që në drejtim duhet të ketë dhe një përqindje të caktuar të vajzave dhe grave, Kjo duhet patjetër të rregullohet me norma të qarta në Statute.

Mendojmë se në këto norma  duhet të përfshihen dhe ato që përcaktojnë se cilët anëtarë kanë të drejtën e votës. Si rregull, në  partitë e vendeve demokratike kanë të drejtë  për të votuar anëtarët e rregullt (që kanë paguar kuotizacionet) deri më 31 dhjetor të vitit paraardhës, nëse zgjedhjet janë në gjashtë-mujorin e parë të vitit, ndërsa  nëse zgjedhjet janë në gjashtë-mujorin e dytë të vitit, kanë të drejtë vote anëtarët e rregullt deri më 30 qershor të atij viti. E konsiderojmë këtë normë shumë të rëndësishme. Vetëkuptohet që për zgjedhjet lihet një afat i mjaftueshëm për paraqitjen dhe njohjen e anëtarësisë me kandidaturat.

E kemi përmendur dhe më sipër që shkallëzimi i strukturave  në territor, pra organizimi territorial i secilës parti mund të jetë i ndryshëm në vartësi të madhësisë (numrit të anëtarëve), traditës e tjera rrethana, por normat demokratike të zgjedhjeve të drejtuesve dhe ato të përfaqësimit nuk duhet të kenë ndryshime apo dallime thelbësore. Po kështu dhe organizimi i konferencave në nivel lokal dhe votimet e kandidatëve të strukturave. Por, votimi për ta duhet të bëhet në të njëjtën ditë, dhe në procesin e numërimit, si dhe të rinumërimit të votave (kur ka kontestime), duhet të jenë dhe përfaqësuesit e  kandidatëve.

Të gjitha Partitë kanë një Organ apo Forum  vendimmarrës kolegjial (si i tillë quhet në Statut), që funksionon ndërmjet dy Kongreseve apo Kuvendeve, me emra të ndryshëm (sigurisht jo Komitet Qendror)  por, që si kudo në botën në tranzicion është një forum kolegjial me mandat të përcaktuar, si dhe intervalin ndërmjet dy mbledhjeve të tij. Mund të na bëhet vërejtja se në vendet shumë të përparuara këto struktura nuk janë kaq evidente. Mundet, por liderët dhe grupi drejtues i tyre zgjidhen me votën e lirë dhe të ndershme të anëtarësisë, madje diku dhe të simpatizantëve, me një sistem primariesh, ku dhe miratimi më vonë në post varet nga vota politike e qytetarëve dhe thuajse kudo e gjithnjë me kufizime në kohë të mandateve. Kjo tek ne jo vetëm që nuk, ndodh por dhe përjashtohet (bashkë me ata që e propozojnë), prandaj dhe e keqja po thellohet, sepse  i paafti dhe i ligu, në të gjitha nivelet (shtetërore dhe partiake), nuk mënjanohet dot nga qytetarët.

Ky Organ, si rregull, duhet të zgjidhet nga anëtarësia me votë  të drejtpërdrejtë ose të përfaqësuar. Kjo realizohet duke u zgjedhur nga gjithë anëtarësia edhe delegatët, në strukturën e fundit lokale të Partisë. Po kështu, delegatët e çdo strukture,  zakonisht të nivelit të rretheve  votojnë vetëm për përfaqësuesit e Qarkut apo ndarjeve krahinore më të mëdha. Numri i tyre duhet të jetë më i madh se ata me të drejtë , dhe duhet të respektohet përqindja e caktuar për gratë.

Si dhe në strukturat e tjera, në këtë Organ  qendror duhet të bëjnë pjesë me të drejtë:

Kryetari i Partisë; Nënkryetarët, Sekretari i Përgjithshëm dhe ata funksionalë (kur ka të tillë); Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit kur janë të Partisë; ish- Presidentët, ish-Kryeministrat dhe ish-Kryeparlamentarët kur janë zgjedhur vetëm me votat e Partisë; Kryetarët e Bashkive të kategorisë së parë; Kryetarët e Organizatave partnere dhe Kryetarët e strukturës më të lartë lokale. Në këtë Organ duhet të përfshihen dhe deputetët në një numër të përcaktuar në Statute sipas traditës.

Është ky Organ që zgjedh, si rregull, Kryesinë e Partisë që mblidhet sa herë nevojitet për të shqyrtuar e merr vendime për problemet që politika e ditës nxjerrë, ndërsa për probleme urgjente por jo politike “Kryesia e vogël”.

Në të bëjnë pjesë një numër anëtarësh të zgjedhur me votë nga Organi i mësipërm si dhe Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit kur i përkasin Partisë, Kryetarët e organizatave partnere , kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë,  Trezorieri si dhe ishat e përmendur më sipër çka do të ishte në dobi të veprimtarisë së kësaj instance. Është Organi i sipërpërmendur që veç anëtarëve të Kryesisë zgjedh Sekretarin e Përgjithshëm,

Funksioni më i rëndësishëm në Parti është ai i Kryetarit, lideri dhe figura qendrore dhe kryeson organet qendrore të Partisë dhe siguron zbatimin e vendimeve të tyre. Ai përfaqëson Partinë në të gjitha aktet e jetës civile. Ai emëron Nënkryetarin funksional të Partisë, zëdhënësin e shtypit të Partisë, si dhe kryeredaktorin e gazetës së partisë. Në  kryerjen  e  detyrave  të  tija funksionale  ai ndihmohet nga nënkryetarët dhe sekretari i përgjithshëm.

Kryetari i Partisë duhet të zgjidhet nga votimi i anëtarësisë së partisë sipas parimit një anëtar një votë, ku çdo anëtar i partisë gëzon të drejtën për të votuar në mënyrë të drejtpërdrejtë . Kandidatët për kryetar partie mund të propozohen nga strukturat e partisë nga baza deri në qendër ose të vetparaqiten (vetpropozohen, vetshpallen). Fushata zgjedhore për zgjedhjen e kryetarit të partisë duhet të zgjasë jo më pak se tre muaj, kohë gjatë së cilës kandidatët për kryetar prezantojnë së bashku platformën përpara strukturave të partisë . Votimi për kryetarin zhvillohet në të njëjtën ditë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, ku çdo kandidat mund të ketë anëtar komisioni në çdo qendër votimi. Lista dhe numri i anëtarëve të partisë  që votojnë duhet të jetë publike. Modalitetet dhe aspekte të tjera të fushatës elektorale dhe të procedurave  të votimit për Kryetar Partie përcaktohen në  rregulloret e brendshme  të partisë.

Është në dobi të demokracisë shqiptare që Kryetari të mos zgjidhet më shumë se dy herë. Përvoja e derisotme e përjetshmërisë së tyre rezulton negative dhe me pasoja për vendin dhe partitë. Çdo mandat tjetër do të mund të justifikohej vetëm në se merr dy të tretat e votave të anëtarësisë. Mandati i Kryetarit të partisë është 3-4 vjeçar. Ky mandat ndërpritet nëse Partia humbet  zgjedhjet e përgjithshme elektorale.

Është e nevojshme të kuptohet se rol të rëndësishëm në jetën dhe veprimtarinë politike të një partie lot dhe Grupi i saj Parlamentar, të drejtat vendimmarrëse të të cilit varen nga mënyra e zgjedhjes së deputetëve me lista shumë emërore të hartuara nga “Partia” apo me votë të drejtpërdrejtë të zgjedhësve që deri diku dhe zgjedhin.

Grupi Parlamentar përfaqëson në parlament Partinë dhe siguron aty mbrojtjen e platformës, programit dhe interesave të saj. Ai harton programin dhe përcakton mënyrën e veprimit e të angazhimit të deputetëve të tij në parlament dhe në njësitë elektorale përkatëse; vendos për ndarjen e anëtarëve të tij në komisionet e përhershme parlamentare si dhe në delegacionet ndërkombëtare; harton rregulloren e funksionimit të grupit parlamentar; zgjedh me votim të fshehtë, ndërmjet të paktën dy kandidaturave , kryetarin e grupit parlamentar. Kryesia e Partisë mund të paraqesë kandidatë për Kryetar grupi. Kryetari i zgjedhur i grupit parlamentar është njëkohësisht edhe njëri nga nënkryetarët e Partisë.

Grupi Parlamentar zgjedh gjithashtu me votim te fshehtë, ndërmjet të paktën dy kandidaturave për çdo funksion, nënkryetarin (nënkryetarët), sekretarin dhe zëdhënësin e grupit. Ai bën propozime Organit kryesor të Partisë për kryeministrin, qeverinë apo për ministra të veçantë, nëse vëren probleme apo defekte në mbarëvajtjen e qeverisë, si dhe për çështje që janë kompetencë e këtij të fundit. Këto të drejta dhe detyra të Grupit Parlamentar duhet të jenë të përcaktuara qartë në Statutet e Partive edhe për të shmangur konflikte eventuale.

Demokracia e brendshme, sipas parimit “një anëtar, një votë”, duhet sidomos dhe detyrimisht të zbatohet edhe në nxjerrjen e kandidaturave elektorale të partisë, si për zgjedhjet vendore ashtu edhe për zgjedhjet e përgjithshme.Kandidaturat për zgjedhjet e qeverisjes vendore dhe për Kuvendin e Shqipërisë votohen nga anëtarësia e partisë së territorit përkatës, sipas parimit një anëtar, një votë. Kandidatët propozohen nga strukturat e partisë ose vetparaqiten (vetë-propozohen). Kryesia e Partisë mund të propozojë kandidatë për zgjedhjet vendore dhe cakton krerët e listave për zgjedhjet e përgjithshme deri, të themi, në masën 15 për qind , të cilët nuk votohen. Kuptohet që kjo mënjanon katapultimet dhe përzgjedhjen e askushve në politik dhe vlerëson kontributet dhe përkushtimin.

Kryesia më e lartë lokale miraton kandidaturat e këshilltarëve lokalë (komuna, bashki, qark) dhe për Kryetar të njësive  të përgatitura bazuar në rezultatet e votimit të anëtarësisë së partisë sipas parimit një anëtar një votë.. Për Bashkinë e Tiranës, lista dhe radhitja e këshilltarëve të përgatitur mendoj se duhet të miratohet edhe nga Kryesia e Partisë.

Sa për formë (për të kënaqur të huajt) të gjitha partitë kryesore thonë se janë për këtë parim bazë madje dhe  e përmendin në Statutet e tyre, por kur vjen puna për ta zbatuar nuk bëjnë asgjë, domethënë vazhdojnë si më parë, dhe shprehen se rrymat apo fraksionet janë të parakohshme apo dhe të dëmshme për unitetin e partisë (si Ramiz Alia në vitin’90). Dhe kur lejojnë kandidat alternativë këtë e zbatojnë për kryetarët, por me fushata të shpejta që favorizojnë Kryetarin në seli, apo për Kryetarët lokal më të lartë, kandidaturat e të cilëve i “miraton”(!?) Kryesia. Duket qartë se nuk e kuptojmë nevojën për demokraci brenda partive, pluralizmin e opinioneve dhe zgjidhjeve dhe  nevojën për institucionalizimin e mendimit me norma statusore të cilat të zbatohen me rigorozitet.

Një rëndësi të veçantë ka sidomos votimi për Kryetarin e Partisë që jep mundësinë, kur ka kohë mjaftueshme, për krijimin e Listave mbështetëse të atyre që mendojnë ndryshe, pra të rrymave. Kjo është hapi i parë i institucionalizimit të mendimit ndryshe, dhe për këtë arsye fushata zgjedhore kërkon kohë të mjaftueshme dhe respektim të normave demokratike e mbi të gjitha barazi të plotë të kandidatëve.

Kam qenë dhe jam ende i bindur se pa parti të demokratizuara (ku sundon vota e lirë dhe e ndershme dhe jo e vjedhura) nuk do të ketë as Shqipëri demokratike e as përparim dhe shtetasit do të kërkojnë gjithnjë të largohen prej saj.  Por me keqardhje vërej se jemi ende atje ku ishim në vitin 1944 në një sistem feudal partiak i cili me krahinalizmin e tejskajshëm të viteve të fundit (i ashtuquajturi nacionalizëm lokalist) na mban ende në një feudalizëm primitiv parashtetëror të viteve 1300-1400, E për këtë fajin nuk e kanë vetëm Kryetarët e përjetshëm, që ndërtojnë një sistem autoritarist e shkërdhatokracie, por dhe anëtarësia, simpatizantët dhe përgjithësisht votuesit që i mbështesin dhe ju nënshtrohen. Pak rëndësi ka në se e bëjnë këtë për tifozllëk politik, kundër hasmit politik, për interesa, nga vështirësitë apo thjesht për indiferencë e tjera.

Po kështu Vota, që duhet të jetë e lirë dhe e ndershme, është kthyer në një dramë turpi e burim vuajtjesh për shqiptarët. Vjedhja sistematike e saj, madje e ndihmuar nga ligje me norma të qëllimshme aspak demokratike, dëshmon paburrërinë për  matjen e mbështetjes e vlerave personale nga gjykimi i të tjerëve. Vota nuk lejohet të vidhet, është një e drejtë themelore kushtetuese, dhe nuk ka “kufij demokracie” apo “antikushtetushmëri” për të, që mbrohen nga gjykata partiake apo të shantazhueshme.

Dëshira për të komanduar e dhunuar, e filluar më 2 dhjetor 1945, kur goglat grumbulloheshin të gjitha në kutin e Frontit, e që vazhdon sot e kësaj dite, kur fletët i ndajnë mes tyre vetëm dy partitë (qahen vetëm për ato që i vodhën njëra- tjetrës), një vjedhje masive votash, që me heshtjen e të huajve, po thellon pasojat e degjenerimit të sistemit dhe  prapambetjen e vendit, rritjen e tensioneve politike e sociale dhe largimin nga Evropa. Këtë e paguajmë dhe e vuajmë të gjithë ne pavarësisht se në cilën parti jemi e për kë votojmë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi